Rezolutë e Kongresit të 16 të Partisë Lëvizja e Legalitetit
Më datën 08.10.2005, zhvilloi punimet Kongresi XVI i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Në këtë kongres u përfaqësuan 37 degët e Partisë nga i gjithë territori i vendit dhe degë nga diaspora, me 250 delegatë, të zgjedhur në mënyrë demokratike nga konferencat e degëve.
Kongresi analizoi punën dhe veprimtarinë politiko-organizative të PLL për periudhën 2001-2005 ndërmjet dy kongreseve. Në fund të punimeve Kongresi i 16 i PLL konkludoi me sukses në rikonfirmimin e qëndrimeve parimore e konsekuente të partisë dhe lidershipit të saj në përputhje me programin dhe strategjinë politike të miratuar në Kongresin e 15. Kongresi zgjodhi kryetarin e Partisë dhe Këshillin Kombëtar prej 91 anëtarësh.
Për postin e lartë të kryetarit të Partisë kandiduan zotërinjtë Ekrem Spahiu, ish-kryetar i PLL dhe Astrit Kola, ish-zëdhënës i PLL.
Në votim morën pjesë 213 delegatë.
Nga Komisioni i Votimit u klasifikuan 204 vota të vlefshme dhe 9 vota të pavlefshme.
Votat e vlefshme u ndanë si më poshtë:
Ekrem Spahiu 186 vota
Astrit Kola 18 vota
Komisioni i Votimit të Kongresit shpalli kryetar të Partisë për mandatin 4 vjeçar 2005–2009 z. Ekrem Spahiu.
1.PLL përshëndet fitoren e forcave demokratike të djathta, me në krye Partinë Demokratike dhe i uron suksese qeverisë Berisha, në përmbushje të zotimeve të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 3 Korrikut 2005 dhe në realizimin e programit politiko-qeverisës.
PLL do të vazhdojë rrugën e bashkëpunimit me subjektet politike të spektrit të djathtë dhe do ta mbështesë pa rezerva qeverinë demokratike në misionin e saj fisnik të begatimit të vendit, rikthimit të ligjshmërisë dhe normalitetit qeverisës, respektimit dhe përmbushjes së standardeve demokratike, dhe thellimit të reformave drejt integrimit euro-atlantik të vendit.
2.PLL mbështet fuqimisht dhe pa asnjë rezervë, Grupin negociator të shqiptarëve të Kosovës, kryesuar nga Dr. Rugova. Ne vlerësojmë se proceset e Pavarësimit të pakushtëzuar të Kosovës shqiptare kanë rëndësi të jashtëzakonshme për avancimin e zgjidhjes së Çështjes sonë Kombëtare, për respektimin e të drejtës për vetvendosje të popullit shqiptar të Kosovës dhe për stabilitetin në rajon.
PLL do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë çdo përpjekje të faktorëve politikë shqiptarë dhe ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe në përshpejtimin e proceseve demokratike, integrimin kombëtar të shqiptarëve, justifikimin e ndihmës dhe investimeve të Bashkësisë Ndërkombëtare për një zgjidhje përfundimtare dhe me mjete demokratike në Kosovë.
3.PLL vlerëson pozitivisht hapat për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, por i konsideron ato të pamjaftueshme. Me këtë rast, ne legalistët denoncojmë si të papranueshme çdo tentativë për deformimin e thelbit dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit në dëm të shqiptarëve, ndërmarrë vazhdimisht nga qarqet antishqiptare të Shkupit e më gjerë. PLL konsideron se vetëm bashkëpunimi i sinqertë midis faktorëve politikë, dy e shumëpalësh në Maqedoni, dhe përmbushja e marrëveshjeve institucionale, janë rruga më e mirë për zgjidhjen e krizës së tejzgjatur dhe për bashkëjetesë paqësore ndëretnike. Çdo tentativë për retushimin e Marrëveshjes së Ohrit përkundër zotimeve e nënshkrimeve të faktorëve të përfshirë në këtë proces, PLL do ta denoncojë ashpër dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për normalizimin e këtij procesi me rëndësi jetike për shqiptarët, maqedonasit dhe rajonin.
4.PLL mbështet fuqimisht procesin e filluar për zgjidhjen politike e paqësore në Luginën shqiptare të Preshevës dhe stimulon frymën e marrëveshjes së nëshkruar nga palët.
5.Ne legalistët i vlerësojmë përparimet e pjesshme në favor të të drejtave kombëtare dhe civile të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe inkurajojmë që ky proces të përshpejtohet.
6.PLL do t’i kontribuojë ndërkombëtarizimit të të drejtave legjitime të shqiptarëve të Çamërisë, dhe do të mbetet konsekuente deri në një zgjidhje përfundimtare. PLL rideklaron se do të insistojë që Kuvendi i Shqipërisë të rifusë për shqyrtim dhe të miratojë projekt-rezolutën për Çamërinë, refuzuar në legjislaturën e kaluar.
PLL konsideron se Shteti shqiptar duhet t’i kërkojë institucioneve dhe shtetit grek:
- Pranimin e të vërtetës dhe ndjesës për genocidin gjakatar ndaj çamëve.
- Abrogimin e Ligjit anakronik të Luftës me Shqipërinë, mbartur që nga viti 1940.
- Njohjen dhe respektimin e të drejtave qytetare të çamëve.
- Njohjen dhe respektimin e të drejtave pronësore të tyre.
- Rikthimin në trojet stërgjyshore.
- Dëmshpërblimin pasuror për shfrytëzimin prej dekadash të pronave të çamëve dhe shqiptarëve të tjerë.
7.PLL mbështet platformën qeverisëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe hapat e ndërmarra në këtë drejtim.
8.PLL si parti legjitimiste do të inkurajojë çdo përpjekje për rikthimin e ligjshmërisë në parametrat e kërkuar dhe përmbushjen e të drejtave themelore të qytetarëve konform standardeve dhe kartave të nënshkruara edhe nga shteti shqiptar, si palë.
Në këtë këndvështrim, PLL do të mbështesë dhe inkurajojë kërkesat legjitime për dëmshpërblimin e ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë për punën e detyruar e të papaguar nëpër burgjet dhe kampet e diktaturës, dhe integrimin e tyre të merituar në jetën politike e shoqërore të vendit.
9.Gjithashtu PLL do të mbështesë pa rezerva kërkesat e ligjshme të shoqatave të Pronarëve për kthimin fizik dhe kompensimin me vlerën e tregut të pronave dhe titujve pronësorë. PLL i kërkon qeverisë së z.Berisha anullimin e të gjitha akteve dhe vendimeve administrative për pronësim të ish pushtetarëve dhe klaneve të tyre, në kurriz të pronave dhe pronarëve legjitimë. PLL konsideron se ky proces duhet të bazohet në kohë dhe në Kushtetutën e vendit, si dhe në angazhimet dhe marrëveshjet e nënshkruara nga shteti shqiptar si palë, pas presioneve të vazhdueshme dhe kushtëzimit të Bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ardhmërinë e proceseve integruese.
10.PLL konsideron se, në shprehje të vullnetit për luftë pa mëshirë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e në zbatim të Ligjit “Anti-Mafia...”, qeveria dhe institucionet duhet të verifikojnë të gjitha burimet e vënies së pasurive nga pushtetarët, politikanët dhe elementët e dyshuar, pa dallim.
Për legalistët, imuniteti i të zgjedhurve dhe mandatuarve, nuk mund të shërbejë si korracë për t’i shpëtuar verifikimit dhe drejtësisë, përveçse si vetëpranim i pabarazisë së shtetasve para ligjit dhe frikës së ndëshkimit ligjor nga abuzuesit dhe të korruptuarit.
Tiranë më 8 tetor 2005
