KONGRESI 16 > RAPORTI

Raport në Kongresin XVI, mbi veprimtarinë politiko-organizative të PLL, për periudhën 2001-2005 mbajtur nga kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu

Politika e PLL që prej 2001-shit

SpahiuMotra e vëllezër legalistë,
Drejtues dhe përfaqësues të partive politike dhe shoqatave,
Të nderuar miq dhe të ftuar!

Sot, Partia “Lëvizja e Legalitetit” zhvillon punimet e Kongresit të saj të 16-të, në një datë të shënuar, që përkon me 110 vjetorin e lindjes së Mbretit Zog i Parë. Kjo datë ka një kuptim të veçantë, jo vetëm për ne legalistët, por për mbarë shqiptarët, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar.

Ahmet Zogu ishte vetëm 17 vjeç kur mori pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar dhe shenjtërimin e aktit të Pavarësisë në Vlorë. Në moshën 25 vjeçare ai u bë frymëzuesi dhe organizatori i Kongresit të Lushnjes, nga ku u emërua edhe ministër i Brendshëm. Mbas tre vjetësh Ai u caktua Kryeministër, dhe në vitin 1925 Asambleja Parlamentare e zgjodhi unanimisht President të Republikës dhe Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare.

Asambleja Kombëtare e shpalli Presidentin Ahmet Zogu “Mbret të Shqiptarëve” më 1 Shtator 1928, kur ishte vetëm 33 vjeç, në vlerësim të meritave madhore për themelimin e Shtetit të Parë shqiptar.

Pra Ahmet Zogu, që nga viti 1912 e deri sa ndërroi jetë më 9 Prill 1961, ishte protagonisti kryesor ushtarak dhe politik, si në Shqipëri, ashtu edhe në ekzilin e detyruar politik.

Aftësitë e Tij shtet-formuese dhe drejtuese, dolën në pah më së miri gjatë viteve 1928-1939, periudhë kur Shqipëria ishte Monarki me Mbretin Zog i Parë në krye.

Për të gjitha këto arsye, vlerësimi i kontributeve të Mbretit Zog dhe vendosja e Tij në Panteonin e Shqiptarizmës, duhet të jenë veprimi më i arsyeshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar.

Tashmë ka ardhur koha që eshtrat e Mbretit Zog, të sillen dhe të prehen përjetësisht në Atdhe. Eshtë në nderin dhe detyrimin e drejtuesve më të lartë të shtetit, që të ndërmarrin dhe kurorëzojnë nismën për kthimin në atdhe të eshtrave të kryetarit të Shtetit të Parë shqiptar të periudhës moderne dhe t’i vendosin me nderimet e merituara në varrezat mbretërore.

Zonja dhe zotërinj delegatë!

Ne jemi krenarë për përkatësinë tonë në PLL, sepse partia jonë është partia më e vjetër shqiptare, zanafilla e së cilës përkon me fillimet e pluralizmit dhe parlamentarizmit të vërtetë në Shqipëri.

Ne jemi krenarë për aderimin tonë në gjirin e Legalitetit, sepse partia jonë ka lindur si lëvizje për të shërbyer përjetësisht Kombin dhe Shqiptarizmën, në vazhdën e idealeve dhe kontributeve të Rilindjes sonë Kombëtare, në mbrojtje të Demokracisë dhe shenjtërisë së votës së lirë, në mbrojtje të Legjitimitetit dhe paprekshmërisë së rendit kushtetues, në mbrojtje të Lirive dhe të Drejtave Themelore të qytetarëve shqiptarë, pa dallim feje dhe origjine.

Ne jemi krenarë për Zogizmën dhe Legalitetin, sepse partia jonë aspiron bashkimin e trojeve etnike, integrimin mbarëkombëtar dhe euro-atlantik.

Mbretërorët u kanë dhënë shqiptarëve qeverisjen më të mirë. Legaliteti ka qenë simboli i qëndresës kundër dy diktaturave: nazi-fashiste dhe komuniste.

Legalistët, si antifashistë e antikomunistë, si flamurtarë të parë të luftës dhe sakrificave për liri e demokraci, kanë 66 vjet që enden në kalvarin e vuajtjeve dhe represionit të këtyre diktaturave.

Krenaria jonë shtohet kur shohim se idealet dhe vlerat që qëndrojnë në themelet e Legalitetit, janë po aq të gjalla, të qenësishme dhe të domosdoshme, pavarësisht kohërave dhe epokave. Kjo edhe për faktin se Legalizma e martirizuar, ia doli ta ruajë dhe përcjellë Shqiptarizmën ndër breza.

Zonja dhe zotërinj

Ne e zhvillojmë sot këtë Kongres, pa praninë fizike të Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan.
Na mungojnë gjithashtu edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar: Vera Dema, Abdullah Salihi, Hajri Skeja dhe Bajram Biba.
Për ata dhe gjithë legalistët që kanë ndërruar jetë, brenda dhe jashtë atdheut, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje nderimi.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
U prehshin në Paqe, pranë Zotit dhe pranë të parëve, emrat e të cilëve i nderuan dhe i lartësuan.
Motra dhe vëllezër!

Kjo është e para herë që legalistët zhvillojnë një kongres me praninë në Atdhe të Familjes Mbretërore.
Mbas kërkesës së 75 deputetëve nga i gjithë spektri politik i Parlamentit shqiptar, u mundësua kthimi përfundimtar në Atdhe i Familjes Mbretërore më 28 Qershor 2002, mbas një ekzili të detyruar politik prej 63 vjetësh. Pritja madhështore që shqiptarët rezervuan në këtë ditë historike, ishte vlerësim i merituar për kontributet e paçmueshme që kjo Familje ka dhënë për Atdheun dhe Kombin. Me këtë kthim u realizua një e drejtë e mohuar, një dëshirë e kahershme e shqiptarëve, por edhe finalizimi i përpjekjeve disavjeçare të legalistëve.

Në respektim të vlerave të Familjes Mbretërore, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për Statusin e Familjes Mbretërore”, i cili fatkeqësisht nuk gjeti vullnetin e ish qeverisë socialiste për t’u zbatuar në praktikë. Ne kemi bindjen se ky Status do të respektohet dhe zbatohet gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

Jeta brenda Partisë

Partia Lëvizja e Legalitetit është një parti unike, që vepron në bazë të normave të Statutit, i cili garanton një demokraci të gjerë, të kombinuar me rregullin dhe normimin e nevojshëm të veprimtarisë politiko-organizative. Për periudhën midis dy kongreseve, konferencat e degëve janë zhvilluar normalisht, nga dy herë, dhe kjo ka mundësuar përtëritjen e drejtuesve dhe forumeve lokale. Tashmë Partia “Lëvizja e Legalitetit” është shtrirë në të gjitha rrethet e vendit dhe po punohet për një zgjerim në thellësi, për të arritur synimin “Një seksion për çdo qendër votimi”.

95% e drejtuesve aktualë vendorë janë universitarë dhe mosha mesatare e tyre është 37 vjeç.
Eshtë përpiluar regjistri kombëtar i anëtarësisë dhe është realizuar pajisja e anëtarëve të rinj me libreza anëtarësie, megjithëse duhet pranuar se është punuar pak për pagimin e kuotizacioneve.

Në përgjithësi strukturat lokale kanë vepruar mbi bazën e vendimeve të organeve më të larta, por ka pasur edhe ndonjë rast sporadik, ku zbatimi i tyre është vënë në diskutim.

Roli i organeve eprore të partisë ka qenë mjaft i rëndësishëm në përballimin e fushatave elektorale, por tempi i lartë i shfaqur gjatë tyre nuk është ruajtur edhe për periudhën tjetër të kohës.

Degët tona në diasporë kanë funksionuar më së miri, mbi bazë platformash konceptuale e të detajuara. Ato kanë organizuar aktivitete cilësore e dinjitoze, me karakter të spikatur politik e atdhetar. Madje përfaqësues të tyre kanë marrë pjesë aktive në të dyja fushatat elektorale, duke dhënë përkrahje morale dhe monetare.

Sot kemi detyrimin të përmendim me krenari kontributet e vyera të zotërinjve Skënder Zogu, Sulejman Gjana familjarisht, Hakik Mena familjarisht, Hyllë Spahija, Arjan Boriçi, Ahmet Hoti, Adnan Ramadani, Sokol Kupi, Tomorr Selmani, Luan Gashi, Xhevdet Thaçi, Ymer Lita, Adil Biçaku, Rexhep Ymeri, Enver Shaska, etj..

Kontributi i çmuar i Senatit të Veteranëve mbetet një shembull sakrifice e frymëzimi, qoftë për funksionimin e shkëlqyer, ashtu edhe për principialitetin dhe ekzigjencën në mbrojtjen dhe respektimin e detyrimeve statutore, por edhe në këshillimin plot urtësi gjatë marrjes së të gjitha vendimeve të rëndësishme. Senatorët tanë të nderuar, si zotërinjtë Ali Ohri, Seit Preni, Ramiz Mena, Akil Basha, Gjon Përjaku, Zihni Dervishi, Xhezmi Grabova, Kadri Dajko, Hamit Kurti etj., janë treguar të palodhur edhe në aktivitetet e përditshme partiake, dhe ne nuk gjejmë fjalë për t’i falenderuar për këto kontribute idealistësh.

Aktiviteti dhe kontributi i Forumit të Gruas dhe atij Rinor, kanë qenë në përmasa modeste.
Redaksia e gazetës “Atdheu” ka funksionuar më së miri, duke u bërë një zëdhënëse cilësore e qëndrimeve politike të partisë. Gazeta ka dalë rregullisht, dhe është shpërndarë në të gjitha rrethet e vendit.

Kryesia e Partisë ka funksionuar mbi bazën e ballafaqimit të ideve dhe debatit parimor, larg frymës së grupazhit, tarafllëkut, konformizmit dhe pajtimit rreth interesave meskine, por duke forcuar kolegjialitetin në vendim-marrje dhe frymën e punës në ekip, gjithmonë konform detyrimeve programore e statutore. Ajo ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Kryesinë e Senatit, Komitetin Drejtues dhe drejtuesit e degëve, duke ofruar marrëdhënie të ngrohta bashkëidealistësh, ndihmë dhe bashkëpunim për punën, larg klientelizmit, preferencave dhe raporteve të ngushta personale.

Zonja dhe zotërinj!

Ne vijmë në këtë kongres pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 3 Korrikut. Duhet ta themi hapur se legalistët janë të zhgënjyer thellë nga këto zgjedhje, sepse nga parti me grupin e saj parlamentar në legjislaturën e kaluar, PLL tani është jashtë parlamentit. Ne legalistët, vërtet nuk kemi gëzimin e fitores pas këtyre zgjedhjeve, por ndjejmë kënaqësinë që kontribuam gjatë gjithë viteve të qëndrimit në opozitë, për largimin e socialistëve nga pushteti dhe ardhjen në qeverisjen e vendit të aleatëve tanë të natyrshëm. Opozitarizmi ynë programor, konceptual dhe i pakompromistë në raport me fatet e vendit dhe demokracisë, është dhe do të mbetet model i qëndresës së një opozite luajale dhe konstruktive, si bartëse e idealeve sublime.  

Përkundër këtyre kontributeve e qëndrimeve dinjitoze, rezultati i paracaktuar për PLL, është ndëshkimi më i madh që i është bërë asaj. Ne jemi të bindur se ky ndëshkim nuk ka ardhur nga elektorati që mbështet PLL-në, por është rezultat i paragjykimeve politike dhe intoleracës ndaj aksionit politik të Mbretit Leka I.

Mbas tetë vitesh në pushtet të Partisë Socialiste dhe mosqeverisjes totale, tani në pushtet ka ardhur Partia Demokratike me aleatët e saj, të cilët sigurisht ne do t’i mbështesim fuqishëm, pasi bashkë me to kemi përballuar privacione dhe sakrifica të pashembullta, gjatë 8 viteve të qëndrimit në opozitën e kualifikuar dhe trajtuar si armike, thënë me plot gojën: në opozitën më të keqtrajtuar që ka njohur historia e shqiptarëve.

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, Partia Lëvizja e Legalitetit i uroi sinqerisht kryeministrin Berisha dhe aleatët fitues, duke u shprehur atyre suportin e domosdoshëm politik në rrugën e vështirë të reformave të premtuara. Dhe kjo jo për servilizëm politik dhe sentimentalizëm bashkëluftëtarësh për demokraci e parlamentarizëm, por sepse shumë pika të programit qeverisës, përkojnë edhe me programin tonë.

Ne i vlerësojmë hapat e nisura nga qeveria Berisha, në drejtim të penalizimit të krimit të organizuar, bllokimit dhe sekuestrimit të disa pronave dhe aseteve të paligjshme, ku kulmojnë skemat e zvogëlimit të evazionit dhe barrës fiskale, përgjysmimit të taksave të biznesit të vogël.

Si bartës të filozofisë së vendosjes së qytetarëve në epiqendër të misionit të shenjtë të politikës në jetën shoqërore, ne legalistët do të mbështesim programet qeveritare të luftës kundër varfërisë dhe mjerimit, këtyre armiqve të egër të shqiptarëve dhe dinjitetit njerëzor, këtyre aleatëve strategjikë të diktaturave dhe tiranisë.

Si mbrojtës të flaktë të interesave të qytetarëve dhe barazisë në shanse e para ligjit, ne vlerësojmë nismën e kufizimit të imunitetit të deputetit në ndihmë të luftës reale kundër trafiqeve e korrupsionit, dhe si përpjekje për shkatërrimin e çdo mburoje të krimit.

Asnjë politikani të ndershëm nuk i lypset imuniteti, sa kohë që koha e arbitraritetit ka përfunduar, përpos garancive që sigurojnë ligjet dhe kartat ndërkombëtare, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, aq më tepër të deputetëve. Çdo alarm dhe panik për këtë qëllim, është vetpranim i veprimeve korruptive dhe frikë nga ndëshkimi ligjor.

Të ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha të qeverisjes, ne i urojmë qeverisë punë të mbarë në realizimin e premtimeve elektorale dhe programeve anti-krizë.

Zonja dhe zotërinj!

Një ndër kolonat më të fuqishme të programit të PLL, është çështja kombëtare. Në këtë pikë nuk kemi lëshuar kurrë, edhe pse shpesh na ka kushtuar shtrenjt.

Ne mendojmë se shqiptarëve në trojet e tyre etnike, u takon e drejta e mohuar e vetëvendosjes për ardhmërinë, në respektim të konventave ndërkombëtare.

Aktualisht jemi në një moment shumë të rëndësishëm për ardhmërinë e Kosovës, bash në prag të fillimit të bisedimeve për Statusin e ardhshëm të saj.

Ne vazhdojmë t’i përmbahemi pa lëkundje pikëpamjes se vetëm Pavarësia e plotë e Kosovës, do të jetë zgjidhja më e drejtë, në përputhje të plotë me vullnetin e shqiptarëve në Kosovë dhe investimin ndërkombëtar atje.

PLL mbështet fuqimisht dhe pa asnjë rezervë, Grupin negociator të kryesuar nga Dr. Rugova.

PLL vlerëson pozitivisht hapat, ndonëse të pamjaftueshme, në drejtim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. PLL mbështet çdo parti politike shqiptare, apo politikan që punon për zgjidhje maksimale në dobi të shqiptarëve.
Gjithashtu ne legalistët mbështesim Marrëveshjen për zgjidhje politike në Luginën shqiptare të Preshevës.

Ne vlerësojmë përparimet e pjesshme në favor të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe inkurajojmë që ky proces të përshpejtohet.

Megjithë ndërkombëtarizimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve të Çamërisë, PLL do të jetë konsekuente deri në zgjidhjen përfundimtare, dhe deklarojmë se do të insistojmë që Kuvendi i Shqipërisë të rifusë për shqyrtim dhe të miratojë projekt-rezolutën për Çamërinë, refuzuar në legjislaturën e kaluar.

Shteti shqiptar duhet t’i kërkojë institucioneve dhe shtetit grek:
- Pranimin e të vërtetës dhe ndjesës për genocidin gjakatar ndaj çamëve.
- Abrogimin e Ligjit anakronik të Luftës me Shqipërinë, mbartur që nga viti 1940.
- Njohjen dhe respektimin e të drejtave qytetare të çamëve.
- Njohjen dhe respektimin e të drejtave pronësore të tyre.
- Rikthimin në trojet stërgjyshore.
- Dëmshpërblimin pasuror për shfrytëzimin prej dekadash të pronave të çamëve dhe shqiptarëve të tjerë.

Kemi besim se institucionet shtetërore dhe partitë politike shqiptare, do të angazhohen në këtë proçes të vështirë por jo të pamundur, në përgjigje të detyrimit atdhetar, moral dhe kushtetues.

PLL në mënyrë permanente ka mbajtur lidhje dhe bashkëpunim të ndërsjelltë me Trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Në të gjitha takimet tona me kryetarë shtetesh, kryeministra, përfaqësues të KE. BE, NATO-s, OSBE/ODIHR, ambasadorë dhe diplomatë të të gjitha niveleve - kemi shprehur pikëpamjet tona rreth zhvillimeve politike në vend dhe rajon, sikurse kemi sugjeruar edhe zgjidhjet sipas këndvështrimit tonë.

Aktiviteti politik i PLL në parlament

Gjatë legjislaturës së kaluar, Partia Lëvizja e Legalitetit ka pasur grupin e saj parlamentar, i cili funksionoi deri në shtator të vitit 2004, kohë pas së cilës u inkuadrua në Grupin parlamentar të LZHK.
Grupi parlamentar legalist ka mbrojtur programin e partisë në Kuvend, sikurse ka zbatuar edhe vendimet e strukturave vendim-marrëse të PLL për qëndrime dhe çështje të veçanta.

Zëri i legalistëve në Kuvend, do të mbahet mend për qëndrimin ndaj çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave dhe kërkesave të ligjshme të Ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë, Pronarëve legjitimë, emigrantëve dhe shtresave të tjera në nevojë.

Kemi qenë tepër aktivë në komisione dhe seanca të debateve parlamentare. Kemi kërkuar në seanca pyetjesh apo interpelanca, kryeministrat socialistë dhe ministra të veçantë, për çeshtje të rëndësishme, të brendshme e të jashtme.

Duhet ta pranojmë se në momente të veçanta ka patur deputetë që kanë shkelur vendimet dhe qëndrimet politike të Partisë, për çka nuk kanë mbetur jashtë analizës dhe vendimeve ndëshkuese të forumeve drejtuese.

PLL ka qenë e angazhuar totalisht për të dhënë kontribut maksimal në reformën zgjedhore në tërësi, për miratimin e ndryshimeve në Kodin zgjedhor, për kriteret e ndarjes së zonave zgjedhore, përbërjen dhe ngritjen e KQZ-ve, KZZ-ve dhe KQV-ve, hartimin e listave të zgjedhësve, votimin në një fletë të vetme, etj..

Por fatkeqësisht, ky vullnet politik, mungonte tek partitë e tjera.
Me dhunën e kartonave, ndarja e zonave zgjedhore u imponua duke shkelur kriteret dhe duke paragjykuar elektoratin mbështetës të PLL.

Lejimi i përdorimit të skemës së Mega-Dushkut deformoi dhunshëm dhe skajshëm vullnetin e zgjedhësve. Kodi mbylli të gjitha hapësirat ligjore për numërimin e votave të proporcionalit.
Fatkeqësisht edhe OSBE/ODIHR, jo vetëm që nuk mbrojtën rekomandimet e shprehura në Raportin e tyre, por u bënë palë me hartuesit e Kodit dhe nuk ndërhynë në asnjë rast për të mënjanuar mangësitë e mësipërme.

PLL bëri të gjitha përpjekjet për të ndikuar në hartimin e një Kodi zgjedhor të aftë të prodhonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë qëllim zhvilluam takime me Presidentin Moisiu, ambasadorët e OSBE/ODIHR-it, KE-së, BE,-së SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Hollandës, Bullgarisë etj., por ndryshimi i realiteteve ishte i pamundur.

Inkuadrimi në LZHK dhe Fushata Zgjedhore

Pas shpalljes prej NMT Mbretit Leka i Parë, të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar më 29 maj 2004, Partia dhe strukturat e saj e mirëpritën dhe e mbështetën këtë lëvizje të re politike, shpresëdhënëse dhe thellësisht opozitare.

LZHK-ja u iniciua nga Mbreti Leka, me qëllimin e mirë për t’i kontribuar proçeseve demokratike në Shqipëri. Synimi kryesor i saj ishte paraqitja e një alternative të re, e aftë të mobilizonte elektoratin e djathtë indiferent, duke rritur kësisoj pjesëmarrjen në votime. Për këtë qëllim ajo i ofroi elektoratit një platformë me disa pika, që preknin realisht problemet e akumuluara gjatë 8 viteve të keq-qeverisjes socialiste.

Krijimi i kësaj Lëvizjeje, natyrshëm intrigoi politikën shqiptare dhe faktorët politikë ndërkombëtarë. Njëkohësisht me përkrahjen pa kushte dhe rezerva të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, ne, për shkak të njohjes shumë të mirë të terrenit, skemave dhe konjukturave politike korente, vazhdimisht i kemi shprehur Udhëheqësit të Lëvizjes, rezervat dhe skepticizmin tonë, si për funksionimin në terren të LZHK-së, ashtu edhe për madhësinë e rezultatit të pritshëm zgjedhor.

Drejt kësaj Lëvizjeje vërshuan lloj-lloj kontigjentesh: të ndershëm dhe kontributorë, figura të konsumuara e diletanteske në politikë, individë të përkrahur dhe të tjerë të izoluar politikisht, misionarë atdhetarë e të tjerë të infiltruar. Fatkeqësisht, në LZHK depërtuan edhe elementë arrivistë, që synonin arritjen e ambicjeve politike pa mund e kontribute.

Shumë politikanë, fillimisht të mirëpritur në LZHK, në vend të mirënjohjes dhe frymës së bashkëpunimit, ofruan bagazhet e urrejtjes anti-legaliste, baltosjen e Legalitetit dhe mënjanimin e lidershipit të tij.

Prioriteti i tyre madhor ishte shkatërrimi që në embrion i çdo mundësie bashkëpunimi politiko-zgjedhor midis LZHK dhe Partisë Demokratike, synim që gjithmonë i bashkonte, pavarësisht kontradiktave, përçmimit reciprok, prapaskenave denigruese dhe luftës së bërrylave, të cilat ata i shpallën principe të mbijetesës dhe suksesit politik. Përballë kësaj ofensive me prapavijë të qartë, PLL-ja ishte seriozisht e rrezikuar.

Duke njohur idealizmin e legalistëve, antikonformizmin dhe frymën e mosnënshtrimit ndaj padrejtësive e intrigave, ata nxisnin hapur pozicionimin e drejtuesve dhe strukturave të PLL kundër LZHK dhe Mbretit, si ideator dhe udhëheqës i saj.

Në këto kushte, forumet tona drejtuese, me durim, pjekuri dhe largpamësi politike, hap pas hapi formësuan dhe ndërmorën qëndrime e vendime politike në mbështetje të LZHK, duke dëshmuar kështu atdhetari dhe idealizëm të pashoq, bashkë me besnikërinë e palëkundur ndaj Mbretit Leka i Parë.

Fushata zgjedhore e 3 korrikut, pavarësisht aparencës së qetë dhe gjoja respektimit të standardeve demokratike, na përballi jo vetëm me kandidatët socialistë, por edhe me shtetin që u vu në dispozicion të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj.

Procesi i votimit u shoqërua me parregullsi flagrante, incidente, deri në vrasje përfaqësuesish zgjedhorë. Mungesa e emrave në listat e zgjedhësve, çertifikatat e fallsifikuara, presionet, shitblerja e komisionerëve dhe votave, ndikuan në rezultat.

Procesi i numërimit u shoqërua me manipulime të hapura, sidomos me votat e proporcionalit.
LZHK, duke mos pasur anëtarë në KZZ dhe Grupet e Numërimit të Votave, mbeti jashtë dhe larg numërimit e monitorimit të votës. Në këto kushte, LZHK-së i lanë aq vota sa dëshironin komisionerët dhe kandidatët e partive me përfaqësim në komisione.

Rezultati i shpallur i LZHK-së nuk përputhet aspak me votën e elektoratit, nuk justifikon punën, mundin dhe djersën e legalistëve dhe simpatizantëve të PLL-së.

Legalistët dolën të humbur nga zgjedhjet e 3 Korrikut, por me faqe të bardhë.

Zgjedhjet vendore 2003

Përveç zgjedhjeve parlamentare, gjatë këtij mandati janë zhvilluar edhe zgjedhjet vendore të tetorit 2003. Në këto zgjedhje PLL doli më vete, megjithëse koshiente për rreziqet, pabarazinë në konkurim dhe mungesat e mëdha financiare. Megjithë kushtet e vështira dhe manipulimi zgjedhor, rezultatet që arritëm janë si më poshtë:

- PLL u rendit partia e tretë nga partitë e ish opozitës, me 2.39 % të votave.
- Fitoi 3 Komuna: Lis dhe Rukaj të Matit, dhe në Bushtricë të Kukësit.
- Kandidati i PLL fitoi edhe Komunën Tërthore të Kukësit, por Kolegji Zgjedhor ia kaloi padrejtësisht fitoren kandidatit socialist.
- Për 24 vota, PLL humbi komunën Derjan të Matit, pasi dogjën kutinë e votimit në Urxallë, mbushur me vota pro kandidatit legalist.
PLL-ja ka sot nënkryetarë dhe sekretarë bashkish dhe komunash.
Ajo gjithashtu siguroi disa Kryetarë Këshillash Bashkish dhe Komunash.
- U trefishua numri i këshilltarëve në krahasim me zgjedhjet e vitit 2000, me një shpërndarje të këshilltarëve pothuajse në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit.
Rezultatet më të mira i arritën degët Mat, Kukës, Dibër, Pukë, Tiranë, Shkodër, Fier, Mirditë, Lezhë, Gramsh, etj..

Këto rezultate janë meritë e të gjithë legalistëve që, nën drejtimin e Kryesisë në qendër dhe kryetarëve të degëve, zhvilluan një fushtatë dinjitoze, ndonëse në kushtet e luftës së ashpër politike dhe financave simbolike.

Krahas arsyeve objektive, ky rezultat do të ishte edhe më i lartë, nëse të gjithë legalistët do të ishin angazhuar në fushatë duke mobilizuar domosdoshmërisht të gjitha strukturat dhe antarësinë, në mbështetje të kandidatëve tanë.

Sidoqoftë, duke ndjerë përgjegjësitë tona për rezultatin e tetorit 2003, kemi zhvilluar një proces të gjatë dhe të thellë analizash, që kanë filluar nga baza, me konferencat degëve, për të vazhduar me mbledhjen e Komitetit Drejtues dhe për ta mbyllur me mbledhjen e posaçme të Këshillit Kombëtar, që analizoi me përgjegjësi rezultatin zgjedhor.

Në këto dy forume të larta drejtuese të Legalitetit, kryetari i partisë kërkoi votëbesim, pas të cilit siguroi mbështetje politike dhe vazhdimësi të mandatit. Akti i tij i votëbesimit, krijoi precedentin më demokratik të përgjegjësisë politike në aktivitetin deritanishëm të partisë.

Marrëdhëniet me PD-në dhe partitë e tjera.

PLL është e vetmja parti në Shqipëri që kërkon rikthimin e Monarkisë nëpërmjet mjeteve legjitime, por kjo nuk e ka penguar atë që të bashkëpunojë me parti të djathta dhe të qendrës, pavarësisht se ato mbrojnë alternativën republikane.

Me përkushtimin dhe punën e strukturave të PLL-së, por dhe në sajë të bashkëpunimit me këto parti, ne arritëm që të jemi partia më e suksesshme dhe më me peshë politike nga të gjithë partitë mbretërore në ish shtetet monarkiste.

Niveli i bashkëpunimit me PD, PR, PDr, PBK, PDK, PBL, PBKD, PBD dhe të gjitha partitë e tjera të spektrit të djathtë - ka qenë i frytshëm dhe këto parti e kanë mbështetur PLL-në në të gjitha nismat që ka ndërmarrë në favor të të drejtave legjitime të Familjes Mbretërore.

Më konkretisht dhe ndër më kryesoret, po përmendim:

- Firmosjen prej tyre të kërkesës për kthimin e Familjes Mbretërore në Atdhe, më 28 qershor 2002.
- Kanë mbështetur dhe votuar në Parlament projekt-ligjin për Statusin e Familjes Mbretërore.
- Na kanë nderuar me pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të lamtumirës së Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan.
- Kanë mbështetur kërkesën tonë për nderimin me 1 minutë heshtje në parlament të kujtimit të Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan.
- Kanë mbështetur kërkesën tonë drejtuar Presidentit Moisiu, për dekorimin e Nënës Mbretëreshë Geraldinë.
- Na kanë mbështetur në nismën tonë për emërtimn e Bulevardit “Zog i Parë” në Tiranë e Shkodër, si dhe në sheshin kryesor të qytetit Burrel.
- Këshilltarët e tyre kanë mbështetur këshilltarët legalistë në këshillat bashkiakë dhe komunalë, për të shpallur Nënën Mbretëreshë Geraldinë “Qytetare Nderi”.

Legaliteti, ka është ndjerë tejet i nderuar dhe i respektuar në gjirin e koalicioneve “Bashkimi për Demokraci” dhe “Bashkimi për Fitore”, ku meritueshëm na u dha vendi që na takonte.

Nëse do të kishim vazhduar bashkëpunimin edhe në zgjedhjet e 3 Korrikut, sigurisht që do të ishim parti parlamentare, madje me peshë të konsiderueshme.

Ky është fati i deritashëm i legalistëve! Luftuan kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe si shpërblim morën pushkatimet, burgimet, internimet, vuajtjet për 50 vjet nga diktatura komuniste.

I rezistuam komunizmit për dekada dhe si shpërblim të demokracisë së ushqyer dhe ëndërruar, morëm fukarallëkun e skajshëm, ndonëse ishim më fisnikët e të pasurit e vendit.

Kontribuam në proçeset demokratike gjatë 15 vjetëve, sidomos gjatë 8 vjetëve në llogoren përbashkët me PD-në dhe partitë e tjera, por për fat të keq, tani që aleatët tanë ndodhen në pushtet, ne mungojmë...

Por ne legalistët nuk do të ligështohemi. Do të dimë ta marrim veten, e të forcohemi për t’i kontribuar Kombit, Atdheut dhe demkracisë.

Ne jemi të bindur se PD me aleatët e sajë do t’i rivlerësojnë kontributet dhe sakrificat e Legalistëve, duke i sintetizuar në një marrëveshje politike afat-gjatë.

Beteja e ardhshme elektorale janë zgjedhjet vendore të vitit 2006, që kanë rëndësi përcaktuese për ardhmërinë e proceseve demokratike.

Marrëdhëniet me shoqatat dhe sindikatat.

PLL gjatë kësaj periudhe ka qenë në mbrojtje të interesave të shtresave më të diferencuara të shoqërisë shqiptare, si rrjedhojë e detyrimeve programore dhe morale.

Marrëdhëniet tona me shoqatat e ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë, Shoqatën e Pronarëve Legjitimë, Shoqatat atdhetare “Kosova”, “Çamëria”, “Labëria”, etj., me sindikata e unione të ndryshme, kanë qenë të shkëlqyera. Këto institucione kanë gjetur tek PLL mbështetjen e merituar politike dhe parlamentare.

Ne i garantojmë ato se edhe në të ardhmen, PLL-ja do t’i mbështesë në të gjitha nismat dhe të drejtat që parashikon ligji dhe konventat ndërkombëtare.

Përgatitjet për Kongresin

Sipas vendimit të strukturave vendim-marrëse të PLL për thirrjen e Kongresit 16-të, u shpërndamë degëve në rrethe, udhëzimet përkatëse për fushatën zgjedhore brenda partisë, konform Statutit. U ngritën grupet e punës për përgatitjen e Kongresit dhe Komiteti Drejtues organizoi gjithë infrastrukurën zgjedhore për realizimin me sukses të fushatës kongresuale.

Vendimet dhe udhëzimet i deklaruam në një konferencë të posaçme për mediat, sigurisht të botuara edhe në gazetën “Atdheu”.

Në të njejtën kohë u la hapësira e duhur dhe u krijua klima e nevojshme që kandidatët për kryetar partie të paraqesin kërkesën konform normave statutore, dhe që nga ky moment atyre iu vu në dispozicion gjithçka që lidhej me krijimin e shanseve të barabarta për garë të ndershme, transparente, pa paragjykime dhe diferencim diskriminues, për shprehjen e mendimit alternativ brenda programit të partisë, normave etike dhe statutore, në të gjitha strukturat, nga qendra e deri në bazë, në shtypin e partisë dhe mediat që ata dëshironin. Gjithashtu kandidatëve u është vënë në dispozicion kalendari i zhvillimit të konferencave të degëve dhe listat e delegatëve të zgjedhur, në kohë reale.

Megjithëse vinim nga një rezultat zgjedhor zhgënjyes, legalistët dhe në veçanti drejtuesit lokalë të partisë zhvilluan konferenca dinjitoze në respektim të statutit dhe udhëzimeve të dhëna. Kryetari, strukturat drejtuese lokale dhe delegatët pë në Kongres, janë zgjedhur në konferencat e Degëve pas vlerësimit të aftësive, kontributeve dhe rezultateve.

Në disa degë ka patur një garë shumë të fortë për postin e kryetarit, sikundër në Tiranë, Fier, Shkodër, Krujë, etj.. Por ka patur edhe degë që konferencat nuk kanë ngjallur interes dhe garë të fortë.
Shpresojmë se kryetarët e porsazgjedhur dhe strukturat e reja drejtuese, do ta rrisin nivelin e drejtimit të degeve dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2006 do të marrin produktin e punës, mbështetjes dhe aftësive.

Më datën 6 tetor u mblodh Komiteti Drejtues i PLL, i cili me përgjegjësi maksimale analizoi punën e grupeve të përgatitjes së Kongresit të 16 dhe miratoi rendin e ditës, procedurat, raportet, përmirësimet statutore të propozuara, si dhe kandidatët për kryetar partie.

Motra dhe vëllezër!
Të nderuar delegatë!

Krahas arritjeve dhe rezultateve të lartpërmenduara, gjatë veprimtarisë sonë politike e organizative, sigurisht që kemi shfaqur edhe të meta e mangësi, që, sipas nesh, rezultojnë si më poshtë:

- Përgjegjësitë politike në raport me funksionet në parti, nuk i kemi ndjerë sa e si duhet, sidomos në momentet më të domosdoshme.
- Jo të gjithë të zgjedhurit në forumet drejtuese, kanë vënë në shërbim
të punës mundësitë dhe aftësitë e tyre.
- Nuk kemi arritur t’i konsolidojmë sa e si duhet strukurat e partisë, në të gjitha nivelet.
- Nuk kemi arritur që të krijojmë seksionet e nevojshme, në pëmbushje të parimit “Një seksion - një qendër votimi”.
- Jo e gjithë anëtarësia është vënë në dispozicion të kandidatëve dhe subjekteve gjatë fushatave, madje në disa raste janë vërejtur edhe kundërvënie.

Sot është momenti që delegatët, me votën e tyre të fshehtë, të zgjedhin Kryetarin e Partisë dhe Këshillin Kombëtar, që do ta drejtojnë PLL gjatë katër viteve të ardhshme.

Bashkërisht na lypset rivendosja e besimit të ndërsjelltë në gjirin e legalistëve dhe simpatizantëve, që PLL të rikthehet denjësisht në vendin e merituar në politikën shqiptare dhe në lartësitë e misionit historik e atdhetar.

Ne duhet të bashkojmë energjitë dhe kontributet, me qëllim që mbas këtij kongresi, dhe pas zgjedhjes së organeve të reja drejtuese, të fillojmë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë testi i parë politik dhe elektoral pas zhvillimit të këtij kongresi me rëndësi të jashtëzakonshme.

Rroftë Partia Lëvizja e Legalitetit
Rroftë Mbreti Leka i Parë
Rroftë Kombi shqiptar

Ju faleminderit!

Kthehu në fillim të faqes >