Përshëndetje drejtuar Kongresit të 16-të të P.L.L.
Të nderuar delegatë të Kongresit të P.L.L.,
Të dashur motra e vëllezër,
Jam shumë i gëzuar t’ju përshëndes sot, kur Ju jeni mbledhur në Kongresin e 16-të të Partisë Lëvizja e Legalitetit. Ju uroj suksese në realizimin e programit Tuaj, për të mirën e Kombit Shqiptar. Do të dëshiroja që të isha mes Jush, por ishte e pamundur për ditën që ju keni Kongresin e PLL. Megjithatë unë jam mes Jush dhe Ju uroj Juve dhe familjeve tuaja shëndet e lumturi.
Ne gjithmonë e kemi vlerësuar kontributin e legalistëve për Çështjen Kombëtare dhe për zhvillimin e Shqipërisë. Ideali Zogist për dinjitetin e Shtetit Shqiptar i ka bashkuar gjithmonë legalistët me të gjithë patriotët shqiptarë, që punuan dhe dëshirojnë të punojnë për Shqipërinë, Atdheun tonë të shtrenjtë. Ne besojmë se kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Kongresi i PLL, siç është krijuar tradita në Shqipëri, zhvillohet në përvjetorin e ditëlindjes së Mbretit Zog. Sivjet është 110-vjetori i Lindjes dhe ne e kujtojmë me respekt themeluesin e shtetit modern shqiptar. Kujtojmë jetën dhe veprën e Tij, por nderojmë edhe bashkëpunëtorët e Tij, që vepruan sipas motos së Mbretit Zog “Atdheu mbi të gjitha”. Ata do të jenë gjithmonë të nderuar në kujtesën e historisë kombëtare të Shtetit Shqiptar.
Të dashur motra dhe vëllezër delegatë,
Ne besojmë se vendimet e Kongresit dhe Kryesia, që do të zgjidhet prej Jush, do të vazhdojnë të punojnë me Idealin e Mbretit Zog “Atdheu mbi të gjitha!”. Detyrimet ndaj Atdheut, ndaj popullit dhe Kombit shqiptar janë rruga e vërtetë për ta zhvilluar Shqipërinë si një shtet modern dhe dinjitoz në Europë dhe në Botë.
Edhe njëherë Ju uroj suksese, shëndet dhe lumturi të gjithëve.
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kombi Shqiptar!
Vëllazërisht,
NMT Leka I - Mbret i Shqiptarëve
***
Mesazh i zonjës Sylviane Muselier për drejtuesit e PLL dhe kongresin legalist
Marsejë 27 shtator 2005
Të dashur miq
Kam pasë planifikuar të isha pranë jush në këto ditë, por nuk munda dhe tashmë ca gjëra të paparashikuara më shtrëngojnë të qendroj në Marsejë.
Megjithatë, e kam pasur në mendje t’jua thoja se e kam ndier fort edhe unë zhgënjimin tuaj të dhimbshëm të këtyre kohëve të fundit.
Mbas gjithë këtyre vite përpjekjesh e betejash dhe që ju dhanë krenarinë të kishit 5 deputetë, ne mund ta kuptojmë se kishit fare të drejtë të shpresonit për më mirë.
Politika është një art, i vështirë dhe shpesh zhgënjyes...
Ruani moralin... Ju do ta kaloni edhe këtë vështirësi.
Ju jeni të ndershëm, kurajozë dhe të pathyeshëm. Pikërisht kështu ju duan; pikërisht kështu ju dua edhe unë.
Tashmë po bëhen 13 vjet që ju më njihni se unë ju mbështes me të gjitha mundësitë e mia dhe ju e dini që jam Mikja juaj.
Unë kam besim në ju, dhe e di se ju do të ringriheni.
Mos u dekurajoni, ju uroj sukseset më të mëdha për të ardhmen.
Miqësisht
Sylviane Muselier
(Shënim: Zonja Sylviane Muselier është motra e MS Nanës Mbretëreshë Geraldina, dhe e ëma e ish-Sekretarit te Shtetit France për Punët e Jashtme Z. Renaud Muselier).
***
Mesazh i Dr. Fuad Myftija, ish-Sekretar i përgjithshëm i PLL, drejtuar kongresit të 16-të të PLL
Të nderuar delegatë të Kongresit 16!
Në pamundësi për të qenë pranë jush në këtë kongres të 16, për arsye shëndetësore, ju përshëndes dhe përcjell urimet e mia ma të përzemërta për mbarëvajtjen e këtij Kongresi.
Jam i sigurt se edhe ky kongres do të vazhdojë në traditën zogiste e legaliste dhe do të shpalosë edhe njiherë vlerat ma të mira të nacionalizmit. Deri më sot legalistët kanë tregue se e kanë mbrojtë me vetëmohim idealin zogist në shembull të patriotëve tonë dhe kam bindjen se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen në dobi të Mbretnisë me Mbretin Leka I, të Shqipnisë Etnike, me Kosovë e Çamëri, dhe të mbarë kombit shqiptar.
Dr. Fuad Myftija
Ish-Sekretar i përgjithshëm i PLL
***
Fjala e z. Besim Ndregjoni në Kongresin e 16 të PLL
Besim Ndregjoni: PLL, partia e shqiptarëve
Të nderuar zotërinj drejtues të Kongresit të 16 të PLL!
Të nderuar zotërinj dhe zonja delegatë!
Sinqerisht ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë në Kongresin tuaj të radhës.
Eshtë krenari të marrësh pjesë dhe të përshëndesësh Kongresin e një Partie që gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së saj mbi 70 vjeçare, i dha kombit aq shumë sa, sot në këtë kongres, jeni krenarë për udhëheqësit tuaj dhe burrat e shquar që dolën nga partia juaj.
Ju i dhatë atdheut ministrat e parë, kryeministrat, kryetarët e parlamentit.
Ju i dhatë kombit presidentin e parë që e drejtoi shtetin me aftësi të jashtëzakonshme. Ju nxorët
Mbretin Zog i Parë, që ndërtoi shtetin e vërtetë të shqiptarëve, në vazhdën e traditave shteformuese të të parëve tanë iliro-dardano-epirotë.
Pra ju si parti nxorët shtetarë të shquar që ndërtuan dhe konsoliduan shtetin, ndërkohë që parti të tjera nxorën nëpunësa të rëndomtë që shkretuan shtetin...
Ju jeni partia e shqiptarëve që luftoi kundër dy diktaturave ndër më të egrat që njohu njerëzimi, fashizmin dhe komunizmin.
Zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, pas hartimit dhe zbatimit të ligjit paragjykues të maxhorancës së majtë, ju penguan juve të përfaqësoheshit sërish në parlament. Fatkeqësisht, në mënyrë masive votat tuaja ua morën dhe ua degdisën në parti të tjera.
Pra kjo është e ashtuquajtura demokraci shqiptare, pseudodemokraci që tjetërson votën. Megjithatë, fatmirësisht këto zgjedhje u fituan nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj të koalicionit opozitar, të cilët kanë ngjallur shpresën për ndryshimin e shpejtë të kësaj gjendjeje kaotike që na e lanë trashëgim social-komunistët.
Ne të përndjekurit politikë dhe ju si parti, jemi të bindur plotësisht në mbështejen e reformave të Qeverisë Berisha në drejtim të zhvillimeve demokratike.
\Me besim të plotë tek kryeministri Berisha si mbrojtës i vlerave kombëtare dhe të të Drejtave e Lirive të Njeriut, nga kjo tribunë më lejoni të kërkojmë bashkë me ju kthimin sa më shpejt në atdhe të eshtrave të më të madhit burrë shteti të shqiptarëve. Mbretit Zog i Parë.
Kombi nuk është i qetë pa prehjen në tokën amtare të eshtrave të atij që i dha atdheut një emër kaq të madh e të nderuar në gjithë botën.
Sot ju jeni krenarë që shkrehët pushkët e para dhe derdhët gjakun më 7-8-9 prill 1939 kundër invadorëve fashistë, pushtimi i të cilëve ndërpreu tragjikisht rrjedhën normale të shtetit shqiptar dhe i parapriu ardhjes në pushtet të diktaturës tjetër, komunizmit, pas mbarimit të Luftës Dytë Botërore.
Ishin Abaz Kupi dhe zogistët ata që krijuan dhjetëra çeta zogiste e nacionaliste, që luftuan kundër okupatorëve deri në fund, e më pas kundër bandave vrastare komuniste.
Familja Mbretërore shqiptare u sakrifikua për idealet e larta të kombit dhe bashkatdhetarëve, për trojet tona etnike dhe për të drejtat e tyre njerëzore kudo ku ata banojnë. Eshtë nder për ju që luftoni për idealet mbretërore në krah të Mbretit Leka i Parë, këtij shqiptari të shquar që gjithë jetën e tij e shkriu në mbrojtje të Kombit dhe interesave madhore shqiptare.
Në emër të shoqatës së ish të Përndjekurve për Integrim, dhe si dashamirës i juaji, shpreh bindje të patundur se ekipi drejtues i PLL që do të dalë nga zgjedhjet e kongresit tuaj, do të luftojë me këmbëngulje për afrimin dhe bashkimin e të gjithë legalistëve dhe mbretërorëve, larg hatërmbetjeve dhe indiferentizmit, me qëllim që zëri i PLL të kumbojë sërish fuqishëm në politikën shqiptare.
PLL është e vetmja parti politike e nacionaliste pa kurrfarë njolle gjatë historisë shumëvjeçare, si një parti vërtet e ndershme, e pastër dhe kombëtare.
Ne shpresojmë se ju do të përpiqeni me këmbëngulje, në rrugë institucionale, për kthimin e pronave të Familjes Mbretërore, si një e drejtë legjitime në kuadër të të drejtave të shenjta të pronarëve shqiptarë.
Ne të përndjekurit politikë dhe ju si forcë politike, në të ardhmen do ta konsolidojmë bashkëpunimin institucional në përmbushje të kërkesave tona të ligjshme për dëmshpërblim të drejtë dhe integrim në jetën shoqërore. Për këtë garanci është bashkëpunimi ynë në të kaluarën dhe kontributi i veçantë i PLL dhe personalisht kryetarit Spahiu në mbrojtje të aspiratave legjitime dhe protestave të fuqishme të shtresës sonë të martirizuar. Unë shpreh bindjen tonë politike, ashtu sikundër shpresoj edhe në besimin tuaj, se Qeveria e re e z.Berisha do të udhëhiqet nga idealet dhe parimet e larta që karakterizojnë edhe kryeministrin e nderuar, për përmbushjen e kërkesave dhe apiratave tona të përbashkëta për demokraci, drejtësi shoqërore, zbatim të ligjit dhe barazi para tij, në të gjitha drejtimet.
Duke përfunduar, më lejoni t’u uroj punë të mbarë dhe dalshi faqebardhë në përmbushjen e synimeve fisnike dhe programit tuaj politik plot ambicje dhe sens demokratik.
Rroftë Leka i Parë - Mbreti i Shqiptarëve!
Rroftë kombi shqiptar!
Ju faleminderit!
***
Mesazh nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”
Kryesisë së PLL, Kongresit të 16-të,
Për të përcjellë përshëndetjen e kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me seli në Tiranë e Prishtinë, kemi nderin të autorizojmë z.Daut Doda – sekretar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të përshëndesë kongresin tuaj, duke i uruar atij suksese dhe PLL përmbushjen e idealeve kombëtare e programit politik.
Për Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm të “Lëvizja Kombëtare Shqiptare”
Kryetari
Prof. Hazir Shala
***
Fjala e znj. Afërdita Numani (PDRn-LZHK) në Kongresin e 16 të PLL
LZHK: Duhet ndryshuar sistemi politik
Të nderuar delegatë dhe drejtues të Kongresit!
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në këtë 110 vjetor të lindjes se Ahmet Zogut, njërit prej figurave më të ndritura që ka nxjerrë kombi shqiptar, të përshëndes punimet e formacionit politik Partia Lëvizja e Legalitetit, që për 80 vjet me radhë është munduar dhe përpjekur të mbajë gjallë dhe prezantojë vlerat më të mira të Mbretërisë së parë shqiptare.
Koalicioni Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ideuar dhe themeluar nga NMT Leka I Zogu, i cili është edhe simboli i kësaj Lëvizjeje, si pjesë e së cilës PLL garoi në zgjedhjet e 3 korrikut, përshëndet dhe i uron kongresit tuaj të 16-të punë të mbarë.
Hymë së bashku në një garë elektorale me një kod elektoral diskriminues, dhe me kundërshtarë të cilët zotëronin potenciale të mëdha, por megjithatë dolëm nga ajo garë me dinjitet, edhe pse nuk përfaqësohemi në parlament.
Në konceptin tonë vjedhja e votës së të vetmit subjekt real të djathtë LZHK, reflekton dobësitë e sistemit tonë politik, dhe luftën e paprinciptë të forcave të mëdha, të cilat sajuan dhe zbatuan MegaDushkun.
LZHK është konceptuar si një bashkim politik, vullnetar e atdhetar midis subjekteve politike, shoqatave, personaliteteve publike shkencore e shoqërore, mes gjithë shqiptarëve që shqetësohen për të ardhmen e vendit e të demokracisë mbi bazën e pajtimit dhe mirëkuptimit kombëtar, duke u mbështetur në traditat më të mira, energjitë dhe resurset e popullit shqiptar.
LZHK-ja duke qenë subjekt i anës së djathtë të spekrit politik, është e hapur për të gjitha subjektet politike dhe individët që shprehin vullnet për të bashkëpunuar në përputhje me programet dhe pikëpamjet e tyre.
PLL duke qenë pjesë solide e së djathtës tradicionale, është mishërimi i filozofisë shtetformuese të Ahmet Zogut, të cilën e gjejmë me pikatore në shtetarët e sotëm.
LZHK duke u ideuar dhe themeluar nga NMT Leka I Zogu, nuk është një lëvizje e përkohshme por historike, dhe si e tillë ajo do të vazhdojë të funksionojë deri në përmbushjen e misionit të saj, që është ringjallja dhe forcimi i besimit për një të ardhme më të mirë për gjithë shqiptarët, duke kontribuar që ky mision të bëhet realitet nëpërmjet vendosjes së autoritetit të ligjit, shtetit të së drejtës, forcimit dhe garantimit e pronës private, rendit dhe sigurisë për gjithë qytetarët, garantimit të punës dhe zhvillimit ekonomik për gjithsecilin.
LZHK vlerëson kontributin e PLL në zgjedhjet e 3 korrikut, dhe pavarësisht nga diferencat në qëndrimet ndaj mazhorancës së krijuar, shikon tek ajo një partner potencial, i cili është i mirëpritur në çdo kohë, për të bashkëpunuar dhe kontribuar për demokracinë.
Duke respektuar pavarësinë dhe personalitetin e çdo subjekti apo individi pjesëmarrës, jemi të hapur për veprime politike të përbashkëta që kontribuojnë për të krijuar një sistem vlerash demokratike dhe të zbatueshme për të gjithë.
Ne përshëndesim krijimin e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 3 korrikut, dhe do të kërkojmë të japim asistencë dhe materiale në dispozicion të tij për të hedhur dritë mbi procesin zgjedhor dhe shkallën e deformimit të votës së shqiptarëve.
Edhe pse mazhoranca e sotme është bërë palë në vjedhjen e votave të LZHK-së, ne do të mbështesim qeverinë për të gjithë aktivitetin e saj që përputhet me programin tonë dhe do t’i bëjmë oponencë për çëshjet, të cilat nga ana jonë vlerësohen prioritare si problemet e pronës, burgosurve politike dhe çështjes kombëtare, si themelet e integrimit fillimisht midis vetë shqiptarëve, e më tej në Europë.
Edhe njëherë ju urojmë punë të mbarë dhe suksese në rrugën e gjatë e të vështirë për vendosjen e demokracisë në Shqipëri, e cila nuk mund të arrihet pa kontributin e të gjithë palëve.
Organet drejtuese që do të dalin nga ky Kongres, janë të mirëpritura pranë LZHK-së.
Ju faleminderit dhe suksese!
***
Fjala e z.Eduard Ypi, kryetar i PDM
PLL, bartëse e kalturës shtetformuese
Zonja dhe zotërinj!
Të nderuar delegatë të Kongresit të 16 të PLL!
I nderuari Z. Kryetar i PLL!
E prita me shumë kënaqësi ftesën e kryetarit Spahija për të marrë pjesë në Kongresin e XVI të PLL dhe besoj sinqerisht se një ftesë e tillë do të nderonte çdo shqiptar, që qoftë dhe njëherë të vetme në jetën e tij ka menduar që për të jetuar një të sotme dhe për të ndërtuar një të ardhme, detyrimisht duhet të kesh një të shkuar. Të gjithë njerëzit lindin njëlloj, askush nuk lind i ditur dhe i ndërgjegjshëm, por ajo që dallon kombet, grupet njerëzore, etnitë dhe deri individët humanë, padiskutim, është e kaluara e tyre e mishëruar në traditat, kulturën dhe në përgjithësi nga eksperiencat, e transmetuar nga brezat ndër shekuj. PLL si pjesë eksperiencës politike kombëtare që transmeton të kaluarën shtetformuese më në zë gjatë gjithë historisë mijëra vjeçare të popullit tonë, vjen sot përsëri e freskët dhe e përgjegjshme, e gatshme të marrë mbi vete sfida dhe përgjegjësi të mëdha për të realizuar misionin e saj historik të lartë, krijimin e shtetit modern demokratik shqiptar me në krye monarkun, Leka i I Zogu, i biri i të madhërishmit Ahmet Bej Zogu.
Moçali i sotëm politik, i mbushur me korrupsion, urrejtje, përbuzje, nëvlerësim dhe ksenomani patologjike, paraqet një ambjent armiqësor për patriotët e vërtetë dhe heronjtë antikomunistë që mbajtën jo vetëm mbi shpatullat e tyre barrën e diktaturës, por shpesh sakrifikuan jetën, dhuratën më të çmuar që na jep Zoti, dhe pse jo, janë ata në emër të të cilëve sot Shqipëria gëzon të drejtën e pluralizmit dhe të rrugëve të hapura në botën e madhe të ideve politike dhe standarteve moderne e të drejtave të njeriut.
PLL-ja, dhe në mënyrë të veçantë kryetari i saj z.Ekrem Spahiu, kanë qenë gjithmonë në përkrahje të ish të përndjekurve politikë, duke shprehur me këtë rast jo vetëm respektin e tij personal, por edhe detyrimin që i ka caktuar historia. Unë jam i sigurt që ky qëndrim nuk ka kaluar pa u vënë re nga ish të përndjekurit në përgjithësi dhe gjithë antarët e PDM, si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e interesave të shtresave të ish të përndjekurve politikë, duke shpresuar që në të ardhmen, bashkëpunimi ynë politik i vërtetuar edhe në zgjedhjet e fundit, të rritet dhe të forcohet. Unë gjithashtu jam i sigurtë se PLL do të na ndihmojë dhe do të jetë edhe ajo në vijën e parë të betejës për realizimin e të drejtave ligjore dhe morale për luftëtarët antikomunistë ish të përndjekur dhe në veçanti të dëmshpërblimit të tyre material, që bëhet edhe më i mundshëm në kushtet e qeverisë së re demokratike, e cila do të jetë demokratike siç pretendon, në vartësi të realizimit të detyrimeve morale dhe premtimeve të saj elektorale karshi të djathtës, në emër të së cilës ushtron pushtet. Kohët e reja, globalizmi, terrorizmi ndërkombëtar, kriza energjitike, ndotja e planetit, interesat gjeopolitike dhe interesat meskine të fqinjëve, krijojnë edhe në vëndin tonë "erëra" të forta të cilat spostojnë vëmëndje, apo krijojnë kushte për të dobtit të nënvlerësojnë ose të përfitojnë personalisht në dëm të interesave të shënjta të kombit dhe popullit shqiptar. Pikërisht në këto kushte ne kemi besim se PLL do ta kuptojë më mirë dhe do të orientohet më saktë drejt aleancave më të dobishme dhe më të arsyeshme, duke lënë mënjanë ç'do paragjykim apo keqkuptim pa rëndësi ndërmjet partnerësh që mund të çojnë në dobësimin e kauzës së përbashkët për të gjithë demokratët në të gjithë gjerësinë e spektrit të djathtë.
Duke i uruar edhe një herë punë të mbarë Kongresit të XVI të PLL!
Rroftë populli shqiptar, rroftë Shqipëria!
