KONGRESI 16 > PERGATITJET

8 Tetor 2005 - Kongresi i 16 i PLL-së

Komiteti Drejtues i PLL është mbledhur ditën e shtunë (dt. 3 shtator) nën drejtimin e kryetarit Spahiu, dhe ka marrë disa vendime të rëndësishme në lidhje me qendrimet e ardhshme politike të PLL si dhe për përgatitjen e Kongresit të 16-të.

Për datën e zhvillimit të kongresit u ra dakord që të ishte 8 tetori 2005, i cili përkon me 110-vjetorin e ditëlindjes së Mbretit Zog I, si dhe përmbush një afat kohor ekzakt në raport me kongresin e 15, i cili po ashtu është zhvilluar më 8 tetor 2001. Mbledhja mori edhe disa vendime rreth komisionit organizues të kongresit dhe mënyrës së kandidimit në të. Ky komision përbëhet prej zotërinjve Ekrem Spahiu, Murat Basha, Artan Tujani, Seit Preni, Nevruz Ndregjoni dhe Xhevdet Kopani. Këta drejtues janë të ngarkuar edhe me detyrën e përgatitjes së raportit kryesor që do të mbahet në kongres. Gjithashtu u vendos edhe për datat dhe modalitetet e përgatitjes së konferencave, të cilat do të zgjedhin delegatët, kryesitë e reja dhe kryetarët e degëve. Një moment tjetër i mbledhjes ishte diskutimi përreth mënyrave të amendimit të statutit të partisë. Për këtë u ra dakord që propozimet të bëhen nga degët dhe t’i drejtohen kryesisë që të paraqiten në mënyrë zyrtare në kongres.

Numri i delegatëve për degë do të jetë sipas skemës statutore që 60% e delegatëve do të llogariten sipas anëtarësisë dhe 40% nga rezultati elektoral në zgjedhjet e fundit vendore 2003. Numri total i delegatëve nga degët është llogaritur të shkojë 240-250 vetë, në varësi të sallës së kongresit.

***

Kryesia e PLL në mbledhjen e saj të radhës (dt.6 shtator), ka vendosur për skemën e zgjedhjes së delegatëve në Kongresin e 16-të dhe për vendin ku do të zhvillohet ai. Kështu, sipas propozimeve të bëra, u aprovua që numri i delegatëve për degë do të jetë sipas skemës statutore që 60% e delegatëve do të llogariten sipas anëtarësisë dhe 40% nga rezultati elektoral në zgjedhjet e fundit vendore (2003). Numri total i delegatëve nga degët është llogaritur në rreth 200 vetë, ndërsa pjesa tjetër do të jenë degët e diasporës, funksionarët kryesorë të partisë, senati i veteranëve dhe personalitete me kontribut në PLL. Eshtë llogaritur që numri total të shkojë 240-250 delegatë, në varësi të sallës ku do të mbahet kongresi.

Për vendin ku do të zhvillohet, u sqarua se një prej  mundësive është salla e Akademisë së Arteve, por meqenëse ende nuk është saktësuar a do të mbahet “Java e filmit” në këtë sallë në të njëjtën datë, atëherë varianti rezervë mbetet një nga sallet e tjera të Pallatit të Kulturës ose te Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Këto variante u lanë për zgjidhje në ditët në vazhdim.

Duke folur rreth kongresit, kryetari Spahiu evokoi edhe njëherë ngarkesën historike që mban data 8 tetor, që është ditëlindja e Mbretit Zog I, dhe tha se për legalistët kjo datë historike është një rast mjaft i përshtatshëm për të zhvilluar aktivitete të rëndësisë së një kongresi. Spahiu tha se detyrimi ynë ndaj veprës së Mbretit Zog dhe dinastisë Zogu, ngelet i përhershëm dhe i pandryshueshëm. Ai tha se duhet të bëjmë gjithmonë e më shumë që të dalë në dritë kontributi i Mbretit Zog për ndërtimin e shtetit shqiptar dhe forcimin e frymës kombëtare, për të cilat sot shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë.

Më tej z.Spahiu tha se kalendari i përcaktuar i konferencave do të ndiqet me seriozitetin maksimal, në mënyrë që në kongres të përfaqësohen në mënyrën më dinjitoze të gjithë degët e PLL.

Sipas udhëzimeve të shpërndara degëve nga Komiteti Drejtues i PLL, konferencat do të zhvillohen në intervalin 10 shtator – 2 tetor 2005. Po ashtu, sipas udhëzimeve të KD, deri më datë 30 shtator 2005 degët kanë të drejtë të bëjnë propozime për pëmirësime e ndryshime në statut.

Komiteti Drejtues i PLL, mesazh të posaçëm për degët

Udhëzime për degët, lidhur me fushatën zgjedhore për kongresin XVI-të të PLL

Organet vendimmarrëse të PLL, sipas nenit 18 të Statutit, kanë vendosur që Kongresi i radhës të zhvillohet ditën e shtunë, më datë 8 tetor 2005, ditë që përkon me 110 vjetorin e lindjes së Mbretit Zog I.

Periudha deri në Kongres do të shërbejë edhe për zhvillimin e konferencave zgjedhore të radhës të degëve të PLL. Në këto konferenca, zhvillimet e të cilave do të fillojnë nga data 10 shtator 2005 e do të përfundojnë më datë 2 tetor 2005, do të zgjidhen Kryetarët e degëve, Komitetet Drejtuese dhe delegatët për në Kongresin e XVI të të PLL.

Numri i përgjithshëm i delegatëve të Konferencës caktohet nga Komiteti Drejtues i degës, në përputhje me specifikën e saj. Përfaqësimi numerik i delegatëve nga nëndegët të bëhet në bazë të detyrimit statutor, ku  60% e numrit do t’i referohet anëtarësisë dhe 40 % rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit 2003.

Çdo anëtar i PLL ka të drejtë të zgjidhet kryetar dege. Kandidaturat me arsim të lartë do të ishin të parapëlqyera. Kërkesa për kandidim quhet e mirëqenë kundrejt një kërkese me shkrim drejtuar Komitetit Drejtues deri një ditë para zhvillimit të Konferencave.

Komitetet drejtuese shqyrtojnë të gjithë kandidaturat dhe kur i gjykojnë ato të vlefshme sipas normave të Statutit, i paraqesin në Konferencë për votim.

Për përfaqësimin e nëndegëve me anëtarë në Komitet Drejtuese dhe delegatë në Kongresin e XVI të PLL, përdoren të njëjtat kritere që përdoren për përbërjen e konferencës.

Kryetarët e degëve dhe komitetet Drejtuese janë përgjegjëse për organizimin e Konferencave. Një Konferencë do të quhet legjitime nëse ajo është zhvilluar në bazë të normave të Statutit të PLL dhe nëse në të ka marrë pjesë si i deleguar një person i mandatuar nga Kryesia e PLL.

Në Kongresin e XVI-të të PLL parashikohet që të bëhen plotësime dhe përmirësime në Statutin e Partisë. Për këtë qëllim, degët mund të paraqesin në Kryesinë e partisë sugjerimet e tyre deri më datë 30 shtator 2005.

Tiranë, 3 shtator 2005

KONFERENCAT

Zhvillohet konferenca e 8-të e degës PLL Tiranë

Tiranë, garë e fortë. Ndregjoni zgjidhet kryetar dege

Tiranë – Dega e PLL Tiranë zhvilloi konferencën e saj të 8-të, ku pas një gare të fortë për postin e kryetarit të degës, më në fund pas numërimit të votave, fitues doli z.Nevruz Ndregjoni. Konferenca u drejtua nga veterani legalist z. Hamit Kurti (nënkryetar i degës) dhe z.Neritan Kolgjini (ish n/kryetar), të cilët pas miratimit të rendit të ditës, proceduan sipas rregullave të vendosura, ku në fillim u bënë pyetje e përgjigje, analizë e punës së bërë që nga konferenca e fundit, si dhe angazhimet për të ardhmen. Raportin në emër të degës e mbajti z.Hamit Kurti (të cilin e botojmë të plotë në këtë gazetë). Në fjalën e tyre gjatë konferencës z.Blerim Kamberi (kandidat për kryetar i PLL) dhe z.Faruk Borova, shprehën ndërmjet të tjerave edhe pakënaqësinë e vet për mënyrën e zhvillimit të konferencës. Z.Borova i drejtoi kryesisë së konferencës 12 pyetje, të cilave sipas rastit i dhanë përgjigje zotërinjtë Kurti, Basha, Tujani dhe Kolgjini. Pas këtij debati, konferenca u zhvillua normalisht dhe pas diskutimeve të delegatëve Hamit Bala, Nebi Nika, Bardha Hoxha, Astrit Kola, Hajri Spahiu, Haxhi Meta Seit Preni, etj., u kalua në votimet për kryetar të degës dhe për delegatët për në kongresin e 16-të. Konferencën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe kreu i fisnikërisë legaliste z.Ali Ohri (kryetar i Senatit), Nënkryetari i PLL z .Murat Basha, dhe sekretari i përgjithshëm i PLL z. Artan Tujani, të cilët përshëndetën konferencën dhe i uruan asaj punime të mbara.
Para se të procedohej me votimin, i cili mbikëqyrej rreptë nga sekretari i përgjithshëm i PLL z. Artan Tujani, dy kandidatët për kryetar shpalosën para delegatëve platformat e tyre për drejtimin e degës. (Fjalimet e tyre po i botojmë të plota në këtë numër gazete).
Në fund të votimit, fitues doli z.Nevruz Ndregjoni, i cili me shtatë vota diferencë mori besimin e delegatëve për të drejtuar degën për mandatin e ardhshëm 2-vjeçar. Gjithashtu konferenca zgjodhi edhe delegatët për në kongresin e 16-të, ku iu la një hapësirë e konsiderueshme kryetarëve të nëndegëve të Tiranës.
Në fund, z.Kola i uroi fitoren z. Ndregjoni dhe i dha dorën në shenjë besimi e bashkëpunimi edhe për të ardhmen. Ky gjest mori përgëzimet e të gjithë delegatëve. Konferenca e 8-të e degës së Tiranës vlerësohet se ka gjetur shtratin më solid për të ardhmen dhe ekipi i ri drejtues ka shumë besim se rezultatet do të jenë mjaft cilësore në ballafaqimet e ardhshme elektorale.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e degës së PLL Fier. Merr pjesë Spahiu

Koçi Gega zgjidhet kryetari i ri i degës

Legalistët e degës së Fierit, në zbatim të porosive dhe udhëzimeve të dhëna nga qendra, zhvilluan konferencën e tyre me datë 30 shtator 2005, për të bërë bilancin e punës dhe zgjedhur organet drejtuese të reja të kësaj dege.
Raportin në emër të Komitetit Drejtues e mbajti kryetari i kësaj dege z.Rexhep Krasniqi, i cili më shumë u përqendrua në fushatën dhe rezultatin e zgjedhjeve të 3 korrikut. Krasniqi shprehu në raport pakënaqësi rreth LZHK-së dhe ishte mjaft i ashpër në adresë të disa personave të ardhur në LZHK, jo për t’i dhënë nxitje, por me imazhin e tyre të konsumuar dhe qëllimet e tyre dashakeqëse, në veçanti ndaj legalistëve, bënë që rezultati i zgjedhjeve të mos justifikojë mundin dhe përpjekjet e legalistëve për të arritur objektivat elektoralë. Nga 1361 vota të marra nga PLL në vitin 2003 në zgjedhjet lokale, LZHK mori në zgjedhjet e korrikut 2005 vetëm 1075 vota. Pra LZHK nuk i shtoi asgjë PLL, por vetëm i humbi disa qindra vota.
Në konferencë pati pyetje dhe diskutime, deri edhe debate për mënyrën sesi ka funksionuar dega gjatë këtyre viteve, madje edhe kritika të adresuara, sipas funksioneve që të kritikuarit kanë pasur në strukturat drejtuese. Në konferencë ishte i pranishëm dhe përshëndeti edhe kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu. Ai u ndal në fjalën e tij edhe te puna e qeverisë së drejtuar nga z.Berisha, që me masat e kohëve të fundit në organet tatimore e fiskale, sekuestrimin e disa pronave, si dhe me vendimin e fundit për uljen e taksave, po jep një sinjal pozitiv për një fillim të mbarë dhe me këtë rast uroi që premtimet e dhëna në fushatën elektorale, të realizohen.
Duke folur për situatën zgjedhore brenda partisë, z.Spahiu theksoi se kongresi i 16 i PLL do të jetë një kongres i shpalosjes së vlerave të kësaj partie në gjithë procedurën e përgatitjes dhe organizimit të tij. “Ne duhet të kthejmë besimin e legalistëve dhe simpatizantëve tanë, se PLL shumë shpejt do të rikthehet në vendin që i takon në politikën shqiptare. Ne duhet të jemi të bashkuar për t’i shërbyer sa më mirë kauzës sonë, për të cilën është sakrifikuar shumë nga legalistët, gjatë brezave. Sigurisht që do të përballemi me vështirësi, prandaj kërkoj nga ana juaj, punë përkushtim dhe sakrifica”, - theksoi kryelegalisti Spahiu.
Në vijim, konform procedurave transparente e demokratike, konferenca kaloi në pikën e fundit të rendit të ditës, atë të zgjedhjeve të kryetarit të degës, Komitetit Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin e 16 të PLL. Në garë për kreun e degës konkurruan z.Rexhep Krasniqi dhe z.Koçi Gega. Mbas votimit të fshehtë, me pak vota diferencë fitoi z.Koçi Gega, i cili është anëtar i Këshillit në njësinë vendore të tij dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Fier-Lushnje-Berat, ku përfaqëson denjësisht PLL-në. Nga delegatët u vlerësua shumë gjesti fisnik i z.Rexhep Krasniqi, i cili i shtrëngoi dorën fituesit duke i deklaruar edhe mbështetjen e tij të plotë.
Konferenca gjithashtu zgjodhi Komitetitn Drejtues të degës, si dhe delegatët për në kongresin e 16-të, që ishin ndër përfaqësuesit më të denjë të legalistëve të rrethit të Fierit.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e Degës së PLL Pukë

Rizgjidhet kryetar z. Sadik Beqiri

Më datën 28.09.2005 zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Pukë, e drejtuar nga kryetari i degës z.Sadik Beqiri. Në konferencë, në cilësinë e të deleguarit të kryesisë së PLL, asistonte anëtari i Komitetit Drejtues të PLL dhe ish drejtuesi i kësaj dege, z.Xhevdet Kopani.
Konferencën e hapi Sekretari i degës z.Naim Laçi, i cili pasi falenderoi delegatët e pranishëm dhe të ftuarit, ia dha fjalën për të mbajtur raportin në emër të Komitetit Drejtues, kryetarit të degës z.Sadik Beqiri. Raporti evidentonte punën e bërë nga strukturat e PLL, rezultatet e arritura veçanërisht në zgjedhjet vendore, si dhe përpjekjet për shtrirjen dhe rritjen e strukturave të PLL në të gjithë rrethin.
Analiza e gjendjes ekonomiko-shoqërore e rrethit, papunësia, mungesa e investimeve dhe niveli i ulët i jetesës së banorëve të kësaj treve, ishte pjesë e shtjellimit të detajuar në raport. Marrëdhëniet me subjektet politike të spektrit të djathtë dhe veçanërisht me degën e PD-së, pavarësisht nga problemet e krijuara në zgjedhjet e përgjithshme të 3 Korrikut 2005, u vlerësuan “të mira” me ç’rast u evidentuan edhe mundësi të reja bashkëpunimi në të ardhmen. Në raport u vlerësuan nëndegët e Komunës Qelëz, Rrapë, Qaf-Mali, Bashkisë Pukë etj.. Gjithashtu u evidentua puna e mirë e bërë nga legalistët Pal Nikolli, Preng Florini, Halit Mustafa, Naim Laçi, Xhemal Meçi, Musa Lluka, Rexhep Fusha, Beslim Shkjau, Gëzim Mehaj, Gjon Preng Gjoni, Arjan Selimi, Hysni Shkjau etj.. Përcaktimi i prioriteteve të punës së degës dhe strukturave të reja për të ardhmen, ishin trajtuar me kujdes në raport, një pjesë e konsiderueshme e të cilit përqëndrohej në fillimin e punës së strukturave të të gjitha niveleve për zgjedhjet e afërta lokale.
Konferencën e përshëndeti edhe i deleguari i Komitetit Drejtues së PLL z.Xhevdet Kopani, i cili përgëzoi për punën cilësore të kësaj dege në vazhdën e traditës, si dhe përkushtimin e legalistëve pukjanë për të ndjekur rrugën dhe plotësuar amanetin e martirëve të Legalitetit: Xhemal Laçi, Abdulla Salihi, Pashk Curri, Ymer Bardhoshi etj.. Funksionimi i strukturave, shtrirja e partisë me seksione në çdo lagje dhe qendër votimi; përgatitja për zgjedhjet lokale si dhe rritja e bashkëpunimit me degën lokale të PD, u përcaktuan si prioritete të punës së strukturave të reja që do të dilnin nga kjo konferencë. Shumica e diskutantëve e vunë theksin tek rëndësia e pozicionimit të ardhshëm politik të partisë dhe aleancat me subjektet e djathta, duke eleminuar kësisoj të gjitha qendrimet që bien ndesh me interesat e Legalitetit.
Në përfundim u kalua në zgjedhjen e strukturave të reja të deges. Pas votimit të fshehtë, kryetar i degës së PLL Pukë për mandatin e ardhshëm, u rizgjodh z.Sadik Beqiri, ndërsa si nënkryetarë u zgjodhën zotërinjtë Pal Nikolli e Gjon Florini.
Komiteti i ri Drejtues i propozoi qendrës, kandidaturën e z.Naim Laçi për postin e Sekretarit të degës, si dhe kandidaturën e z.Xhemal Meçi për anëtar të Këshillit Kombëtar.
Si anëtarë të Komitetit të ri Drejtues, u zgjodhën 15 nga drejtuesit më të spikatur të degës, me kujdesin e përzgjedhjes dhe harmonizimit të individëve dhe kontributeve, sikundër ato të veteranëve Halit Mustafa, Musa Lluka e Xhemal Meçi me të rinjtë Pal Nikolli, Arjan Selimi, Gëzim Mehaj, etj..
Konferenca u mbyll me mesazhe optimizmi për rezultate më të larta në të ardhmen dhe me urime për suksese të Komitetit Drejtues dhe kryetarit të rizgjedhur, z.Sadik Beqiri.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Mirditë

Kryetar i PLL Mirditë zgjidhet Petrit Jushi

Legalistët e rrethit të Mirditës u mblodhën më datë 29 shtator 2005, për të zhvilluar Konferencën e katërt të degës. Mbledhja u zhvillua në një nga sallat e Pallatit të Kulturës Rrëshen, ku morën pjesë delegatë të ardhur nga të gjitha nëndegët e rrethit. Raportin në emër të Komitetit Drejtues e lexoi z.Petrit Jushi, kryetar i degës. Në të pasqyrohej puna e mirë, por edhe të metat e mangësitë që dolën në pah sidomos gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 3 Korrikut.
Diskutantët e shumtë që morën fjalën, si zz. Ndrec Tuci, Pashk Përloshi, Gjon Arapi, Anton Çupi, Nikolin Gjaci, Gjovalin Ndoi, Gaspër Reçi, Simon Molla, Gjetë Përndoj, Sali Kuka, Leon Molla, Tom Biba e të tjerë, u përqëndruan në mangësitë dhe mosfunksionimi i mirë i Komitetit Drejtues, madje kritikat e tyre adresoheshin ndaj drejtuesve kryesorë të degës, të cilët, fatkeqësisht, nuk arritën mirëkuptimin e duhur për të qenë sa më efiçientë në punën dhe aktivitetin e saj.
Legalistët mirditorë nëpërmjet diskutimeve të delegatëve, shprehën dëshirën për fuqizimin e punës dhe konsolidimin e strukturave në përgjigje të prioriteteve që do të përcaktojë Kongresi i 16-të, me qëllim përgatitjen e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore, në vazhdën e thellimit të rezultatit shumë të mirë, të arritur në zgjedhjet vendore të vitit 2003, deri në dyfishim të tij.
Më pas konferenca procedoi me shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të degës, Komitetit të ri Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin e 16 të PLL, që do të mbahet në Tiranë, më 8 tetor 2005. Pas votimit të fshehtë, kryetar i degës së PLL Mirditë për mandatin e ardhshëm dy vjeçar u rizgjodh z.Petrit Jushi.
Në këtë konferencë mori pjesë, si i deleguar i kryesisë së PLL, kryetari i saj z.Ekrem Spahiu. Në fjalën e tij z.Spahiu theksoi se duhet evidentuar anëtarësia legaliste në të gjitha nëndegët dhe seksionet e rrethit të Mirditës, me qëllim që në zgjedhjet vendore 2006, të arrijmë një rezultat akoma më të mirë sesa ato të vitit 2003. “Por, - tha z.Spahiu, - që të arrihet ky rezultat pozitiv, përveç masave organizative, duhet krijuar edhe një kohezion i brendshëm mes të gjithë të zgjedhurve në organet drejtuese dhe anëtarësisë së degës.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Pogradec

Ish deputeti Et’hem Fezollari rizgjidhet kryetar

Ditën e martë, më datë 27 shtator 2005, në qytetin e Pogradecit zhvilloi punimet konferenca e Degës së PLL Pogradec, nën drejtimi e kryetarit të saj z.Et’hem Fejzollari, për të analizuar punën dhe aktivitetin politik 2 vjeçar të legalistëve pogradecarë dhe strukturave drejtuese. Në këtë konferencë, në cilësinë e të deleguarve nga qendra, merrnin pjesë anëtarët e Komitetit Drejtues të PLL, zotërinjtë Nevruz Ndregjoni dhe Hamit Kurti, përkatësisht; Drejtor i Departamentit të Organizimit pranë PLL dhe nënkryetar i Degës së PLL Tiranë.
Raportin për punën dhe veprimtarinë dyvjeçare të Degës, e mbajti z.Et’hem Fejzollari, i cili evidentoi mangësitë e vërejtura dhe njëkohësisht edhe arritjet në përmirësimin cilësor e sasior të punës së strukturave, që nga seksionet e deri në Komitetin Drejtues të Degës.
Pas raportit fjalën e morën shumë drejtues të pranishëm, të cilët diskutuan për prioritetet e punës për të ardhmen dhe hartimin e planeve të masave për përgatitjen e strukturave të Degës për zgjedhjet e vendore të vitit të ardhshëm, të cilat u vlerësuan njëzëri prej tyre si aksioni kryesor i partisë.
Pavarësisht nga rezultati i mirë i arritur në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, të cilin diskutantët njëzëri e konsideruan të manipuluar dhe të zbritur ndjeshëm, delegatët e konferencës shprehën bindje të plotë për mundësinë e arritjes së rezultateve shumë më të larta në zgjedhjet e ardhshme vendore, bazuar kjo në gjendjen aktuale të strukturave të partisë dhe në planin e punës së tyre për periudhën në vazhdim.
Në konferencë e morën fjalën edhe të deleguarit e qendrës, zotërinjtë Nevruz Ndregjoni dhe Hamit Kurti, të cilët vlerësuan rezultatet e Degës dhe nivelin e lartë të diskutimeve, si garanci për lidhje të shëndosha të strukturave me zgjedhësit dhe rezultate më të larta në të ardhmen, bazuar në kapacitetet intelektuale të drejtuesve legalistë pogradecarë.
Më pas u proçedua në zgjedhjen e kryetarit të Degës dhe Komitetit të ri Drejtues. Për këtë qëllim u ngrit një komision i përbërë nga zotërinjtë Dashamir Muçka dhe Muhamet Zaimi, që funksionoi në prani edhe të të deleguarve nga qendra. Për postin e nderuar të kryetarit të Degës, konkurruan drejtuesit e spikatur pogradecarë, zotërinjtë Et’hem Fejzollari, Hysni Kuqo dhe Nexhmedin Shkullaku, të cilët nga 32 votues të pranishëm, morën përkatësisht: 22; 5; 5 vota, duke konkluduar kësisoj me rizgjedhjen e z.Et’hem Fejzollari, në postin e kryetarit të Degës së PLL Pogradec për mandatin e ardhshëm dyvjeçar.
Konferenca vendosi që, në Kongresin e 16 të PLL, që do të zhvillohet më datë 8 tetor 2005, të marrin pjesë delegatët e poshtëshënuar: Muhamet Zaimi, Nexhmedin Shkullaku, Sadik Kapa, Medi Muçllari, Jetnor Kapri dhe Hysni Kuqo.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Peqin

Rizgjidhet kryetar z. Bardhyl Biça

Dega e PLL Peqin, organizoi ditën e martë, më datë  27.09.2005, ora 16.00 konferencën për zgjedhjet e strukturave drejtuese të degës dhe të delegatëve për në Kongresin e 16 të  Partisë. Në  takimin  që  u zhvillua në sallën e Pallatit të  Kulturës së qytetit, morën pjesë anëtarë e simpatizantë të Partisë Lëvizja e Legalitetit. Ndërsa nga Kryesia e Partisë asistonte si i deleguar nënkryetari i PLL-së z.Murat Basha.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i kësaj dege, z.Bardhyl Biça, i cili pasi bëri me dije rendin e ditës: Raport–pyetje-diskutime–zgjedhje, i bëri një përmbledhje të shkurtër veprimtarisë së kësaj dege gjatë  fushatës zgjedhore të  3 korrikut.
Kryelegalisti peqinas, pasi falenderoi të gjitha strukturat e degës për punën e kryer, u ndal në vështirësitë e hasura gjatë zgjedhjeve, të  cilat ndikuan në marrjen e një rezultati të  dobët, krahasur me forcën e vërtetë të legalistëve peqinas.
“Edhe pse kemi pasur një mbështetje të vlerësueshme nga Kryesia, sidomos nga z.Spahiu dhe z.Basha, fushata e zgjedhjeve parlamentare në Peqin, është zhvilluar nën trysninë dhe provokimet e rënda të kundërshtarëve tanë”, - u shpreh z.Biça, duke vijuar se “... prononcimi i z.Basha në televizionin lokal, ishte një mbështetje e madhe për ne, në pragfushate. Megjithatë, manipulimet e kryera në procesin e numërimit të votave, ishin skandaloze”.
Zotëri Biça evidentoi raste kur, në qendra votimi, rezultatet dëshmonin një vjedhje flagrante të votës, pasi kishte zona ku “nuk kishte votuar asnjë legalist”, ndërkohë që në një zonë tjetër, në atë që ai vetë kandidonte, ishte njohur vetëm vota e tij, ndërsa minimalisht, ajo e familjes së tij “kishte avulluar”.
Zotëri Biça foli edhe për nevojën e ristrukturimit të seksioneve dhe nëndegëve të kësaj dege, duke aktivizuar sa më shumë rininë, e cila, sipas Biçës, “do ta çojë më lart punën dhe rezultatet në të ardhmen”.
Njëherazi, z.Biça foli edhe për nevojën e shpërndarjes së organit mediatik të legalistëve, gazetës “Atdheu”, që ajo të bjerë në dorën e çdo legalisti peqinas, si një mënyrë efikase për të qenë sa më në kontakt me zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet e partisë lidhur me to. Më pas u kalua në pyetje, ku ndër të tjera vërehej shqetësimi për një raport më të qartë politik me PD-në.
Zotëri Basha, në fjalën e tij shqetësimit të delegatëve për sa më sipër, iu përgjigj se “PD-së iu kërkua ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që gjithshka të shkonte sa më mirë, pasi ne legalistët, edhe pse kemi shumë pika të përbashkëta me PD-në, kemi edhe pika të dallueshme, që përcaktojnë edhe identitetin tonë partiak. Referendumi për Monarkinë, Pronat dhe Integrimi i të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë, janë disa nga pikat thelbësore që na dallojnë nga PD-ja, dhe për këto pika ne na duhej të negocionim sa më  fort dhe me logjikë politike konsekuente. Megjithatë, për hir të së vërtetës, bashkëpunimin me PD-në në nivel qendror, na e prishën prononcimet e nxituara dhe jashtë logjikës politike, nga ana e disa individëve me peshë në LZHK”.
Pyetjes tjetër se “a jeni më me LZHK-në?”, z.Murat Basha iu përgjigj se “LZHK-ja ishte thjesht një formacion zgjedhor me mandat të kufizuar kohor, deri më datë 3 korrik, e që tashmë është ezauruar, pasi e kreu misionin për të cilin ishte ngritur. Legalistët ishin që në fillim skeptikë mbi funksionimin e LZHK-së, pasi edhe pse ishim shtylla kurrizore e këtij formacioni, në vendim-marrjen e Këshillit Ekzekutiv të saj ne kishim vetëm 25% të përfaqësimit”.
Pyetjeve se a ka më aleancë me forcat e tjera të djathta, z.Basha iu përgjigj se “... fillimisht duhet të forcojmë veten, e më pas të bashkëpunojmë denjësisht me demokratët...”.
Në lidhje me të ardhmen e PLL, nënkryetari legalist vlerësoi nevojën e mbështetjes së Partisë në forcat dhe resurset e brendshme, të pashterrshme, për të kapërcyer më lehtë situatat e vështira politike. Zgjedhjet lokale dhe zgjedhja e presidentit, janë shanse politike që, po i shfrytëzuam, japin frytet e veta, pasi edhe me PD-në kemi interesa të ndërsjellta dhe mundësi reale bashkëpunimi. Deri më tash, gjatë këtyre 8 viteve bashkëpunimi, e kemi vlerësuar PD-në si forcë e djathtë, e njëherazi kemi kundërshtuar disa mënyra të saj për të na mënjanuar politikisht. PLL ka dëshmuar se nuk jemi parti që mbetemi peng i së shkuarës, por shohim me optimizëm nga e ardhmja”.
Zotëri Basha më tej theksoi konsekuencën në ruajtjen dhe pasurimin e filozofisë shtetformuese të legalistëve, të idealeve atdhetare e kombëtare, që, sipas tij, janë mëse të nevojshme në kohët që po kalojmë. Ai njëherazi vlerësoi rolin e rinisë legaliste, si një forcë që do t’i japë dinamizëm të gjithë Partisë, për ta çuar atë në nivele më të larta.
Në fund të fjalës së tij, z.Basha uroi legalistët peqinas për suksese në konferencë, duke uruar gjithashtu që në garë të fitojë më i miri dhe më i afti.
Më pas u kalua në procedurat zgjedhore, ku iu dha fjala dy kandidatëve për kryetar të degës së PLL Peqin, z.Mylaim Sufali dhe z.Bardhyl Biça.
Në fjalën e tij të shkurtër z.Sufali i bëri një përshkrim jetës së tij politike në gjirin e legalistëve peqinas, e më pas u shpreh se ishte një kandidat që do vinte theksin në strukturimin më të plotë të degës, të afrimit të elementit të ri, si edhe në aftësinë e tij për të realizuar e konsoliduar aleanca sa më të qendrueshme me të gjitha forcat e djathta. Ai premtoi përkushtim dhe idealizëm në përmbushjen e detyrave.
Zotëri Biça nga ana e tij, në fjalën e fundit para garës, u kërkoi delegatëve që ta rivotonin, pasi kishte si garanci një eksperiencë të madhe, të përftuar nga jeta e gjatë politike në krye të legalistëve.
Më pas u kalua në votimin për kryetar dhe për delegatët për në Kongresin e 16-të të PLL, që do mbahet më 8 Tetor. Komisioni i votimit, pas numërimit të votave, shpalli rezultatet: 26 vota për z.Biça, 3 vota për z.Sufali dhe 3 vota u konsideruan të pavlefshme.
Në këtë mënyrë z.Bardhyl Biça u rizgjodh kryetar i degës së PLL Peqin.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Shijak

Bajram Rubjeka rikthehet në krye të degës

Ditën e djelë, më datë 25 shtator 2005, në qytetin e Shijakut zhvilloi punimet konferenca parakongresuale e degës së PLL Shijak.
Në këtë konferencë të drejtuar nga kryelegalisti Ruzhdi Kau, morën pjesë si të deleguar nga qendra zotërinjtë Murat Basha dhe Seit Preni, përkatësisht nënkryetar i PLL dhe sekretar i Senatit të Veteranëve.
Raportin e analizës së punës dy vjeçare të degës e mbajti sekretari i degës z.Sefer Çipi. Në këtë material z.Çipi pasqyroi arritjet e punës dhe të metat e vërejtura në veprimtarinë e degës.
Më pas delegatët e pranishëm drejtuan pyetje të shumta për sqarimin e momenteve të ndryshme të punës dhe për aspekte procedurale, të cilave iu përgjigjën drejtuesit kryesorë të degës.
Më pas u kalua në diskutime të drejtuesve të strukturave, ku u analizuan shkaqet e rezultateve të pakënaqshme arritur në zgjedhjet e fundit vendore dhe parlamentare, ku spikatën diskutimet e zotërinjve Sokol Berisha, Halim Veizaj, Besnik Rama, Hasan Allushi, Bajram Rubjeka, Ruzhdi Kau, Sefer Çipi, Xhavit Xhetani, Ideal Deliallisi, Shaban Gashi, Mustafa Xhafa, etj..
Në fund të diskutimeve e mori fjalën edhe z.Murat Basha, i cili ngriti me përparësi problemin e ristrukturimit të degës dhe afrimin e elementëve të rinj, me qëllim rritjen sasiore dhe cilësore të strukturave, që nga baza e deri në Komitetin Drejtues të degës. Nënkryetari legalist gjithashtu shtroi problemin e krijimit dhe konsolidimit të punës dhe lidhjeve kontribuese midsi brezave të legalistëve, gjithnjë nën frymën e krijimit të raporteve luajale të bashkëpunimit dhe ndihmës së ndërsjelltë, gjithmonë duke u dhënë përparësi të rinjve.
Më pas u kalua në zgjedhjen e kryetarit të degës dhe komitetit drejtues. Për postin e kryetarit të degës, pas dorëheqjes së z.Ruzhdi Kau, ku kandiduan zotërinjtë Bajram Rubjeka dhe Ardian Guza.
Në votimin e fshehtë  morën pjesë 25 delegatë, nga të cilët 20 syresh votuan kandidaturën e z.Rubjeka, (i cili u zgjodh kryetar i Degës së PLL Shijak për mandatin e ardhshëm dyvjeçar), ndërsa 5 delegatë votuan në favor të z.Guza.
Më pas konferenca procedoi me zgjedhjen e Komitetit Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin e 16-të të PLL.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca V e Degës së PLL Lushnje

Rizgjidhet kryetar z. Shpëtim Axhani

Ditën e mërkurë, më datë 29 shtator, në qytetin e Lushnjes zhvilloi punimet konferenca e V e degës së PLL Lushnje, nën drejtimin e kryetarit të saj z.Shpëtim Axhani, i cili mbajti edhe raportin e punës dy vjeçare të degës, me temë "Puna e bërë nga Komiteti Drejtus, që nga konferenca e katërt, në funksion të forcimit të PLL dhe prezantimit dinjitoz të saj në zgjedhje". Në raport ndër të tjera u theksua se, nga konferenca e mëparshme e 28 marsit 2004 e në vazhdim, strukturat e PLL në rrethit të Lushnjes kanë patur forcim cilësor dhe sasior, pasqyruar këto edhe në rezultatet e arritura, deri në kurorëzimin e motos: krijim seksioni pranë çdo qendre votimi.
Në raport u theksua se Komiteti Drejtues i degës, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e të gjitha niveleve, kanë bërë të mundur me punë dhe seriozitet që PLL e këtij rrethi të shihet e vlerësohet si Parti me peshë dhe me pikësynime të qarta politiko-zgjedhore dhe se në vazhdën e këtij synimi janë krijuar raporte serioze bashkëpunimi me të gjitha Partitë e spektrit të djathtë në këtë rreth. Zotëri Axhani vlerësoi gjithashtu se gjatë punës dyvjeçare janë vërejtur edhe mangësi në disa drejtime si: Funksionimi i pamjaftueshëm i forumit të Gruas, mosmbledhja e kuotizacionit, mosshpërndarja e shtypit të partisë, gazetës “Atdheu”, etj..
Vend të veçantë në raport zuri rezultati jo i kënaqshëm i LZHK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, me ç’rast u theksua se “LZHK-ja në rrethin tonë është prezantuar dy herë me elektoratin. Herën e parë në dhjetor 2004, në Komunën Dushk, në zgjedhjet për këshilltarë e kryetar komune, ku të gjitha partitë e tjera të këtij koalicioni dolën zbuluar përsa i përket pranisë dhe organizimit të strukturave ndihmëse, çka na detyroi që peshën kryesore ta luanin strukturat tona lokale të PLL-së, të cilat u ndihmuan maksimalisht nga kryesia e Partisë në qendër. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, përsëri vetëm strukturat e PLL e kryen të gjithë fushatën, që nga përzgjedhja e kandidatëve e deri tek realizimi i një fushate model...”. Për punë të mirë në funksionimin e degës gjatë gjithë periudhës së analizuar, në raport u vlerësuan nëndegët e komunës Tërbuf, me kryetar z.Hazbi Leka, e komunës Golem, me kryetar z.Arif Matjani, e komunës Gërmenj, me kryetar z.Seit Ibrahimi dhe komunës Allkaj, me kryetar z.Agur Musaku.
Në konferencë, në cilësinë e të deleguarit të kryesisë së PLL, mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PLL z.Artan Tujani. Pas raportit të punës, u kalua në pikën e dytë të rendit të ditës: pyetje dhe diskutime... Gjatë diskutimeve të tyre, zotërinjtë Bexhet Sina, Ferdinand Zdrava, Pandeli Boçi, Ismet Smira, Agur Musaku etj., e vunë theksin tek vështirësitë e ndeshura gjatë fushatës së fundit dhe puna për përballimin e kapërcimin e tyre. Ata kërkuan shpjegime më të detajuara nga i deleguari i Kryesisë së PLL z.Artan Tujani, në lidhje me procedurat e zhvillimit të Kongresit të 16-të.
Më pas u kalua në procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese, ku pas numërimit të votave, kryetar i degës u rizgjodh z.Shpëtim Axhani, nënkryetarë u zgjodhën zotërinjtë Agim Bega, Agur Musaku dhe Bexhet Sina, ndërsa kryetar i Senatit të degës u zgjodh z.Arif Matjani. Për postin e sekretarit të degës, qendrës iu propozuan kandidaturat e zotërinjve Ferdinand Zdrava dhe Shefqet Dobro.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Dega e PLL Kolonjë zhvillon konferencën

Në datën 15.09.2005 në qytetin e Ersekës u zhvillua Konferenca e degës së PLL. Në këtë konferencë merrte pjesë si përfaqësues nga qendra Z. Nebi Ganellari, kryetar i Këshillit Kombëtar dhe kryetar i degës së PLL Korçë.
Takimin e hapi kryetari i Degës së PLL Kolonjë, z. Ylli Sulejmani. Ai bëri një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së kësaj dege si PLL dhe si LZHK. Ai u ndal tek vështirësitë e shumta që pati dega gjatë zgjedhjeve të 3 korrikut, faktorët e shumtë objektivë dhe subjektivë që ndikuan në rezultatin e LZHK në këtë rreth. Më pas të pranishmit i përshëndeti z.Nebi Ganellari, i cili pasi bëri një përmbledhje të shkurtër të rezultateve të takimit të Komitetit Drejtues të PLL në Tiranë, udhëzimeve të dala nga ky takim për zhvillimin e Konferencave dhe përgatitjen e kongresit të 16 –të të PLL.
Më pas u bënë pyetje të ndryshme dhe diskutime ku shprehej pakënaqësia për rezultatin zhgënjyes dhe për aktivitetin dhe veprimtarinë e PLL në të ardhmen. Në fund u zgjodh kryetari i Degës, Komiteti Drejtues i degës i përbërë nga 7 veta. Kryetar u rizgjodh z.Ylli Sulejmani dhe nënkryetar z. Adriatik Sejati. Në Kongresin e 16-të dega e Kolonjës do të përfaqësohet nga kryetari i rizgjedhur i degës së PLL Kolonjë.

“Atdheu”, 2 tetor 2005

 

Zhvillohet Konferenca V e PLL Dega Shkodër

Ilir Kuka rizgjidhet kryetar

Ditën e hënë në sallën e Këshillit të Qarkut Shkodër zhvilloi punimet Konferenca e V e PLL dega Shkodër.
Mbështetur në udhëzimet e dhënë nga Kryesia e PLL Tiranë dhe Komiteti Drejtues, dega e PLL Shkodër ishte angazhuar seriozisht në organizimin e kësaj konference, ku merrnin pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha seksionet e PLL në Rajonet e Bashkisë Shkodër dhe nga Komunat.
Nga kryesia e PLL Tiranë merrni pjesë z.Ekrem Spahia kryetar i PLL, n/kryetari Murat Basha dhe z.Nevruz Ndregjoni, drejtor i departamentit të organizimit.
Mbas hymnit të flamurit, u mbajt 1 minut heshtje në nderim të veteranëve  legalist  H.Lohja dhe A.Salihi.
Raportin e KD të PLL dega Shkodër e mbajti kryetari i PLL z.Ilir Kuka. Në fjalën e tij z.Kuka theksoi rëndësinë që ka Kongresi i 16  për gjithë aktivitetin politik të PLL në vitet e ardhshme.
Duke  evidentuar punën e bërë gjatë periudhës 1 vjeçare Z Kuka  theksoi se “megjithëse ka kaluar 1 vit nga zhvillimi i konferencës së kaluar, gjatë kësaj periudhe është zhvilluar një aktivitet mjaft i madh ndër të cilët: takime me rastin e 76 vjetorit të shpalljes së monarkisë, takim me intelektualët shkodranë, biseda në Tv lokale dhe konferenca shtypi, si dhe takime me seksionet e PLL në komuna dhe Rajonet e qytetit. Është bërë një punë mjaft e madhe për riorganizimin e PLL.
Me shpalljen e LZHK dega e PLL ka mbështetur fuqimisht atë duke vënë në dispozicion çdo gjë. U evidentuan njëkohësisht edhe problemet me të cilat janë ndeshur, sidomos mbas shpalljes së LZHK që kishte të bënte sidomos me përzgjedhjen e kandidaturave.
Z.Kuka falenderoi degën e e PLL dhe LZHK në Nju Jork për mbështetjen  financiare që i kanë dhënë LZHK dega Shkodër dhe veçanërisht falenderoi për sakrificën e bërë me prezencën e tyre në Shkodër të z.Adnan Ramadani, Ahmet Hoti, Arjan Boriçi (i cili edhe kandidoi për LZHK në zonën elektorale nr. 5 Shkodër) para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.
Mbas raportit Konferenca e degës së PLL u përshëndet nga z.Caf Jonusi kryetar i shoqatës së ish të përndjekurve politikë Shkodër dhe z.Teki Demi përfaqësues i Shoqatës Pronësi me Drejtësi Shkodër.
Në fjalën e tij z.Spahia falenderoi të gjithë legalistët për punën dhe kontributin e dhënë jo vetëm në periudhën e fushatës elektorale në mbështetje të LZHK, por edhe për punën e tyre gjatë gjithë këtyre viteve. Ai theksoi se puna dhe kontributi i legalistëve nuk është shpërblyer asnjëherë, por gjithmonë ata kanë qëndruar në lartësinë e detyrave që kanë marrë përsipër në mbështetje të Mbretit dhe çështjes kombëtare Shqiptare. Është detyra e të gjithëve ne të vazhdojmë me vetmohim dhe pa u lëkundër rrugën që kanë nisur paraardhësit tonë pavarësisht nga vështirësitë që do të na dalin.
Më pas u zhvilluan seanca e diskutimeve në lidhje me aktivitetin e degës së PLL Shkodër gjatë periudhës 1vjeçare, ndërsa më pas drejtuesit e lartë të PLL Shkodër iu përgjigjen mjaft pyetjeve të drejtuara nga delegatët e konferencës.
Në fund u zhvillua seanca e votimit për kryetar të PLL Shkodër dhe për KD të PLL si dhe zgjedhjen e delegatëve për në kongresin e 16 të PLL  që do të zhvillohet me dt.08.10.2005 në Tiranë.
Në këtë konferencë ishin paraqitur 3 kandidatura: kryetari aktual Ilir Kuka, sekretari organizativ z.Ferdi Lluja dhe z.Enis Dizdari ish kryetar i PLL Shkodër për periudhën 2001-2003. Njëri nga kandidatët z.Ferdi Lluja u tërhoq nga kandidimi duke garantuar mbështetjen e secilit kandidat që do të fitonte. Pas votimit kryetar i PLL dega Shkodër u zgjodh z.Ilir Kuka, i cili falenderoi legalistët shkodranë për besimin e dhënë.
Konferenca zgjodhi edhe delegatët për në Kongresin e 16 të PLL dhe komitetin e ri drejtues të degës.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca VII e degës së PLL Krujë

Krujë, Ramazan Kupi, kryetar i ri i degës

Krujë - Të hënën, më datë 3 shtator 2005, në qytetin e Krujës zhvilloi punimet konferenca VII e degës së PLL Krujë, ku morën pjesë kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit z.Ekrem Spahiu dhe sekretari i Senatit Preni. Në raportin për veprimtarinë politiko-organizative të degës, të mbajtur nga z.Enver Kaloshi (ish kryetar), u analizua puna e bërë që prej konferencës paraardhëse. Zotëri Kaloshi nënvizoi ndër të tjera masat organizative të marra për konsolidimin e strukturave dhe evidentimin gjatë punës të mjaft problemeve serioze. Ai qe kritik në lidhje me nëndegën e Krujës, teksa shprehte shqetësimin që ende anëtarësia e degës nuk është hedhur në dokumentacionin e degës konform udhëzimeve të qendrës dhe kërkoi që ky problem të merrte udhë e të mos zvarritej si deri më sot. Por gjithashtu ai përmendi faktin se dega e PLL Krujë ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në dhënien e titullit “Qytetare Nderi”, MS Nënës Mbretëreshë Geraldina, për qytetin e Krujës. Sipas tij, ceremonia e akordimit të këtij titulli i kaloi përmasat e një ceremonie lokale dhe u vlerësua mjaft edhe nga Mbreti Leka, i cili ishte i pranishëm ditën e ceremonisë. Në atë ceremoni Mbreti Leka u shpreh se “... kjo është dhurata më e madhe që më është bërë me rastin e ditëlindjes!” Më tej në raport z.Kaloshi shprehu mirënjohje e vlerësim të veçantë për z.Bajram Dollaku i cili si anëtar i këshillit bashkiak të Krujës, ka dhënë një kontribut të veçantë për dhënien e këtij titulli Mbretëreshës Geraldinë, kur dihet se ky këshill ka qenë me shumicë të majtë.
Pas raportit u kalua në fazën e pyetjeve dhe diskutimeve, ku delegatë të ndryshëm shprehën mendimet e tyre për punën në të ardhmen, ose edhe për çfarë është bërë deri më sot. Kështu, diskutuan zotërinjtë Sali Caka, Shkëlqim Shani, Ali Gdheli, Xhavit Ziri, Astrit Kaloshi, Përparim Allamani etj.. Pas këtyre diskutimeve e mori fjalën kryetari Spahiu, i cili çmoi punën e bërë nga dega e PLL Krujë dhe shprehu bindjen se kjo degë, në të ardhmen, do të arrijë t’i përmbushë objektivat e veta. Ai çmoi frymën e mirëkuptimit mes anëtarëve të Komitetit Drejtues të kësaj dege dhe sidomos afrimin e elementit të ri e të përgatitur, siç janë rastet e anëtarëve të rinj të Komitetit Drejtues si Arben Hajro, arsimtar, Përparim Allamani, ekonomist, Qazim Meneci, avokat, Astrit Kaloshi, arsimtar. Më pas Spahiu bëri një analizë të thellë të gjendjes politike në vend dhe sqaroi në imtësi marrëdhëniet mes PLL dhe aleatëve të djathtë.
Në vijim konferenca procedoi me votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të degës, Komitetit Drejtues dhe delegatëve për në kongresin XVI të PLL. Nga votimi, kryetar doli z.Ramazan Kupi, avokat dhe biznesmen i suksesshëm, i cili fitoi përballë kandidatit tjetër z.Sali Xaka. Ish kryetari Kaloshi nuk kandidoi më për kryetar dege, pas dy mandatesh në krye të saj. Ai e justifikoi këtë tërheqje nga gara, duke u shprehur se dëshironte t’u hapte rrugën më të rinjve dhe vlerësoi kryetarin e ri z.Ramazan Kupi, si një pinjoll të denjë të familjes Kupi, mjaft të aftë, me shumë eksperiencë politike dhe me njohje mjaft të mirë të Legalitetit në Krujë, pasi ka mbuluar për disa vite rresht detyrën e nënkryetarit të degës. Gjithashtu u zgjodh edhe Komiteti i ri Drejtues dhe delegatët për në kongresin e ardhshëm. Po ashtu, në këtë takim anëtarët e Komitetit të ri Drejtues zhvilluan mbledhjen e parë, ku u zgjodh nënkryetar z.Enver Kaloshi, si dhe u propozuan kandidaturat alternative për sekretar të degës dhe delegatët për në Kongresin XVI të PLL.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Legalistët kurbinas zhvillojnë konferencën e tetë të degës

Kurbini zgjedh për kryetar juristin Mark Lleshi

Kurbin - Në degën e PLL Kurbin, konferenca e 8-të e degës zgjodhi një kryetar të ri, e me mjaft perspektivë siç është z. Mark Lleshi, pinjoll i një familjeje të njohur antikomuniste. Po ashtu kjo konferencë zgjodhi komitetin e ri drejtues si dhe delegatët në kongresin e 16-të. Në këtë konferencë të zhvilluar me dt.04.09.2005, në qytetin e Laçit, morën pjesë delegatët e ardhur nga të gjitha n/degët si Mamurras, Milot, Laç, etj..
Nga Kryesia e Partisë ishin të deleguar zotërinjtë Artan Tujani, Sekretar i Përgjithshëm dhe Seit Preni, Kryetar i Senatit. Në këtë mbledhje mbizotëroi fryma e debatit dhe ballafaqimit konstruktiv dhe legalistët e shumtë që morën fjalën dhanë shumë mendime të vlefshme për të ardhmen e Partisë,por duke u ndalur gjatë edhe në të shkuarën politike.
Në debatin mes anëtarëve të kryesisë së Partisë dhe anëtarëve dhe simpatizantëve të degës, u konstatuan dhe u pranuan edhe dobësitë e shfaqura në periudhën mes dy konferencave dhe kjo bëri që diskutimet e anëtarëve të PLL-së si Llesh Kola, Ram Gjetani, Fran Nikolli, Avni Pervizi e Halit Vata të dëgjohen me vëmendje.
Mbi bazën e këtyre diskutimeve,u nxorrën edhe përfundimet  se Dega-Kurbin e PLL-së do të jetë në të ardhmen një dege ku statuti do të zbatohet në mënyrë shembullore, e do t’i jepet rëndësi shtimit të numërit me anëtarëve të rinj.
Dega e PLL-së në Kurbin, tenton kështu të arrijë në ato shkallë shtrirjeje në rang vendi, që e rrështonin këtë degë krahas me më të përparuarat e Partisë Lëvizja e Legalitetit. Dhe këtë piksynim dega legaliste kurbinase kërkon ta arrijë me anë të një ekipi drejtuesish jo vetëm të aftë, por edhe të mirarsimuar.
Më pas u kalua në procesin e zgjedhjeve, proces nga i cili doli si më i votuari juristi Mark Lleshi, i cili është kryetari i ri i degës. Z.Mark Lleshi është djali i një familje të vjetër legaliste dhe nipi i ish-Kapidanit I të Gardës Mbretërore Marka Dod Lleshi.
Njëkohësisht u zgjodhën edhe forumet drejtuese të degës si dhe delegatët që do të marrin pjesë në Kongresin e 16-të të Partisë Lëvizja e Legalitetit.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca VIII e degës së PLL Mat

Rizgjidhet kryetar z. Besnik Murati

Më datën 2 tetor 2005, ditën e hënë, në një sallë të tejmbushur me delegatë legalistë, anëtarë dhe simpatizantë të PLL, zhvilloi punimet Konferenca VIII e degës së PLL Mat, nën drejtimin e kryelegalistit matjan z.Besnik Murati.
Në një sallë të zbukuruar me portrete, simbole, flamuj kombëtarë e të Legalitetit, në panelin drejtues zunë vend të deleguarit e qendrës, zotërinjtë Murat Basha – nënkryetar i PLL, Seit Preni – sekretar i Senatit të Veteranëve të Legalitetit, Hamit Kurti – nënkryetar i Degës së PLL Tiranë dhe anëtar i Kryesisë së Senatit të Veteranëve, si dhe drejtuesit kryesorë të degës së PLL Mat, zotërintë Besnik Murati, Agim Selita, Behar Dedolli, Sulë Kurti etj..
Raportin për veprimtarinë dyvjeçare të degës e mbajti kryelegalisti Murati, i cili shtjelloi me nivel të lartë të gjitha momentet kryesore të punës dhe aktivitetit politik të degës. Por kryelegalisti matjan trajtoi me frymë kritike shumë nga dobësitë e konstatuara gjatë punës, kryesisht në anëtarësimin e pamjaftueshëm, dhe riorganizimin e vonuar të forumeve partnere të Gruas, Rinisë dhe Senatit të Veteranëve. Si moment të rëndësishëm në jetësimin e raporteve të partnershipit dhe bashkëpunimit midis subjekteve të djathta dhe PLL gjatë fushatës së 3 korrikut në rrethin e Matit, z. Murati veçoi bashkëpunimin e legalistëve me demokratët, republikanët e demokristianët matjanë, çka u kurorëzua me fitoren e përbashkët të kandidatit demokrat, intelektualit të shquar matjan z.Idriz Xhomara, në zonën zgjedhore Nr. 19.
Më pas z. Murati shtjelloi objektivat kryesore të degës së PLL Mat gjatë mandatit të ardhshëm dyvjeçar, ndër të cilat ai kishte veçuar prioritetet e mëposhtme:
1.Rritja e mbështetjes së degës së PLL Mat nga një numër më i madh zgjedhësish dhe simpatizantësh në zgjedhjet e ardhshme vendore.
2.Rritja e numrit të njësive vendore të fituara e drejtuara nga legalistët, pas zgjedhjeve të ardhshme vendore 2006.
3.Konsolidimi i marrëdhënieve ekzistuese, rritja e bashkëpunimit konstruktiv e me interes të ndërsjelltë me partitë e tjera të spektrit të djathtë në Mat.
4.Bashkëpunimi me organet ekzekutive kompetente për të bërë të mundur vendosjen e një përmendoreje të Mbretit ZOG i Parë në Sheshin “Ahmet Zogu” të qytetit të Burrelit.
4.Ngritja e strukturave të reja dhe konsolidimi i atyre ekzistuese.
5.Plotësimi i dokumentacionit të nëndegëve e seksioneve dhe arshivimi i tyre në qendër dhe selinë e degës.
6.Riorganizimi i seksioneve dhe nëndegëve pas zgjedhjeve të reja të organeve drejtuese të tyre.
7.Rikonceptimi dhe riorganizimi i punës së forumeve partnere, të Gruas, Rinisë dhe Senatit të Veteranëve.
Pas raportit të z.Murati, për të përshëndetur delegatët e konferencës dhe drejtuesit e nderuar të ardhur nga qendra, e morën fjalën edhe përfaqësuesi i PD Mat, sekretari i Degës z.Nezir Rizvani, si dhe kryerepublikani matjan z.Riza Buci, të cilët u shprehën me superlativa për PLL, lidershipin lokal të saj dhe për bashkëpunimin konstruktiv midis këtyre subjekteve që i japin tonin jetës politike matjane.
Pas diskutimeve të shumta, ku u përfshinë drejtuesit dhe legalistët më të spikatur, u krijua një tablo e qartë e punës, kontributeve dhe veprimtarisë politiko-organizative të Degës. Në fund të diskutimeve të legalistëve matjanë,e mori fjalën edhe nënkryetari i PLL z.Murat Basha, i cili bëri një tablo interesante të zhvillimeve aktuale politike dhe detyrave që i dilnin PLL dhe lidershipit që do të dalë nga Kongresi i 16-të për konsolidimin e arritjeve dhe forcimin e punës së partisë në të ardhmen, gjithmonë në funksion të rritjes së rolit dhe peshës specifike të saj në jetën politike të vendit. Zotëri Basha u shpreh me superlativa për kontributet e qenësishme të disa drejtuesve të strukturave dhe degës së PLL Mat gjatë fushatës zgjedhore të 3 korrikut, çka u kurorëzua edhe me rezultatin e lartë që kjo degë arriti gjatë zgjedhjeve parlamentare.
.Më pas konferenca procedoi me pikën më të rëndësishme të rendit të ditës, atë të zgjedhjeve për kryetarin dhe Komitetin Drejtues të ri të kësaj dege, si edhe të delegatëve matjanë për në Kongresin e 16 të PLL.
Pas votimit fitues rezultoi z.Besnik Murati, i cili u rizgjodh për të drejtuar, sikundër edhe në të kaluarën, këtë degë ndër më të rëndësishmet në PLL, gjatë mandatit të ardhshëm dyvjeçar. Gjithashtu konferenca zgjodhi edhe Komitetin Drejtues të përbërë nga 15 anëtarë, ndër më të spikaturit e legalistëve matjanë.
Pas konferencës, të gjithë pjesëmarrësit, sëbashku, morën pjesë në ceremoninë emocionante të emërtimit të Parkut të madh të qytetit të Burrelit me emrin e nderuar “Parku Nëna Mbretëreshë Geraldinë”. Me këtë rast, kryerepublikani matjan z.Riza Buci, inxhinjer pyjesh dhe njëri nga ideuesit e rikonstruktimit të këtij parku madhështor, ngritur me kujdesin e veçantë të Mbretëreshës Geraldinë që në vitin 1938, mbajti fjalën në këtë ceremoni.
Më pas u zbulua edhe pllaka e mermertë e emërtimit të këtij parku madhështor, çka u shoqërua me duatrokitjen e të pranishmëve.
Më pas drejtuesit e degës së PLL Mat, për të nderuar pjesëmarësit dhe kremtuar dy aktivitetet e lartpërmendura, shtruan një koktejl modest në një nga lokalet luksoze të ndërtuara në brendësi të Parkut Madhështor “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca III e degës së PLL Gramsh

Rizgjidhet kryetar i degës z. Edmond Guri

Dega e PLL-së Gramsh, organizoi ditën e premte, më datë 30.09.2005, konferencën e saj për analizën e punës dyvjeçare, zgjedhjet e strukturave drejtuese dhe delegatëve për në Kongresin e 16 të PLL. Në konferencë, përveç delegatëve morën pjesë edhe anëtarë e simpatizantë të Partisë Lëvizja e Legalitetit, ndërsa nga Kryesia e Partisë ishte i deleguar z.Bujar Çala. Mbas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, në praninë edhe të mediave lokale, konferenca i hapi punimet me fjalën e mbajtur nga kryetari i degës z.Edmond Guri, i cili paraqiti raportin e veprimtarisë së degës gjatë periudhës prej konferencës paraardhëse, deri në konferencën e tretë. Zotëri Guri, në funksionin e kreut të degës, i bëri një përmbledhje të shkurtër veprimtarisë së saj, duke u ndalur kryesisht në zgjedhjet e 3 korrikut, të cilat ai i konsideroi jo-normale, për shkak se legalistët gramshiotë nuk kishin numëruesit e votës së tyre në KZZ. Gjithashtu ai e vuri theksin edhe në nevojën e një koordinimi më të qartë politik në të ardhmen.
Fjalën më pas e mori i deleguari i Kryesisë së Partisë, anëtari i Komitetit Drejtues z.Bujar Çala, i cili pasi falenderoi të pranishmit e shumtë që mbushnin sallën, i bëri një shpjegim të qartë dhe të detajuar gjithë veprimtarisë së PLL-së në zgjedhjet e 3 korrikut dhe vuri theksin në marrëdhëniet e PLL me aleatët e saj të natyrshëm. Më tej z.Çala iu përgjigj shkurtimisht edhe disa pyetjeve nga salla mbi organizimin e Partisë në degë, marrëdhëniet me aleatët, perspektivat e legalistëve në të ardhmen, etj..
Më pas u kalua në diskutime të ndryshme, ku legalistët gramshiotë shprehën hapur qëndrimet, vlerësimet apo kritikat e tyre mbi mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore, si dhe për detyrat që u dalin atyre në zgjedhjet e ardhshme, qoftë lokale e qoftë parlamentare.
Pas diskutimeve të shumta e frytdhënëse, sipas rendit të ditës u kalua në zgjedhjet për kryetar të degës, Komitetin drejtues dhe delegatët për në Kongresin XVI të PLL.
Nga procesi i numërimit të votave, kryetar u rizgjodh z.Edmond Guri, të 17 anëtarët e Komitetit Drejtues, si dhe u zgjodhën katër delegatët për në Kongresin XVI të PLL.
Pas mbylljes së punimeve të  Konferencës së tretë të legalistëve gramshiotë, në takimin e parë të Komitetit Drejtues, nënkryetar i degës u zgjodh z.Artur Rrodhe, ndërsa sekretar i saj u propozua të jetë z.Hasan Muha.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Sarandë

Shkëlqim Selmani rizgjidhet kryetar

Dega e PLL Sarandë, organizoi ditën e martë, më datë 04.10.2005, konferencën e saj për zgjedhjet e strukturave drejtuese dhe delegatëve për në Kongresin e 16-të.
Në punimet e forumit më të lartë të degës, morën pjesë anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Lëvizja e Legalitetit, ndërsa nga Kryesia e Partisë ishin të deleguar zotërinjtë Murat Basha, Nevruz Ndregjoni dhe Hamit Kurti. Kjo konferencë i hapi punimet me fjalën e mbajtur nga kryetari i degës z.Shkëlqim  Selmani, i cili paraqiti raportin e veprimtarisë së degës gjatë periudhës nga konferenca e kaluar. Zotëri Selmani, në funksionin e kreut të degës, i bëri një përmbledhje të shkurtër veprimtarisë së saj, duke u ndalur kryesisht në zgjedhjet e 3 korrikut, të cilat ai i konsideroi me probleme, për shkak se legalistëve u mungonin numëruesit e votës.
Fjalën më pas e mori i deleguari i Kryesisë së Partisë z.Basha, i cili pasi falenderoi të pranishmit e shumtë që mbushnin sallën, i bëri një shpjegim të imtësishëm gjithë veprimtarisë së PLL në zgjedhjet e 3 korrikut dhe analizoi marrëdhëniet e PLL me aleatët e djathtë.
Më pas u kalua në diskutime të ndryshme, ku legalistët sarandiotë shprehën hapur vlerësimet dhe  kritikat e tyre mbi mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore, si dhe për detyrat që u dalin atyre në zgjedhjet e ardhshme.
Pas diskutimeve të shumta, konform rendit të ditës u kalua në zgjedhje për kryetar të degës, Komitetin Drejtues dhe delegatët për në Kongresin e 16 të PLL.
Nga procesi i numërimit të votave, fitues rezultoi z.Shkëlqim Selmani, i cili u rizgjodh me meritë, krahas edhe dhjetë anëtarëve të tjerë të Komitetit Drejtues, që do të drejtojnë sëbashku legalistët sarandiotë edhe për dy vitet e ardhshëm. Konferenca përzgjodhi tre delegatë përfaqësues për në Kongresin XVI të PLL.
Pas mbylljes së punimeve të konferencës së legalistëve sarandiotë, në takimin e parë të Komitetit të ri Drejtues, nënkryetar i degës u zgjodh z.Balil Proda, ndërsa për sekretar iu propozuan Kryesisë së PLL, kandidaturat e zotërinjve Arjan Beqo e Qemal Mejdi.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca III e degës së PLL Gjirokastër

Gjirokastër, rizgjidhet Njazi Aliko

Dega e PLL Gjirokastër, organizoi ditën e martë, më datë 04.10.2005, konferencën e tretë të saj për zgjedhjet e strukturave drejtuese dhe delegatëve për në Kongresin e 16-të.
Në punimet e konferencës, përveç delegatëve morën pjesë edhe anëtarë e simpatizantë të shumtë të Partisë Lëvizja e Legalitetit, ndërkohë që nga Kryesia e Partisë ishin të deleguar zotërinjtë Murat Basha, Nevruz Ndregjoni dhe Hamit Kurti. Kjo konferencë i hapi punimet e saj me fjalën e mbajtur nga kryetari i degës, i cili paraqiti raportin e veprimtarisë së degës gjatë periudhës prej konferencës paraardhëse, deri në konferencën e radhës. Në funksionin e kreut të degës, ai i bëri një përmbledhje të shkurtër veprimtarisë së saj, duke u ndalur kryesisht në zgjedhjet e 3 korrikut.
Fjalën më pas e mori i deleguari i Kryesisë së Partisë z.Hamit Kurti, i cili pasi falenderoi të pranishmit e shumtë në sallë, i bëri një shpjegim të qartë dhe të detajuar të gjithë veprimtarisë së PLL në zgjedhjet e 3 korrikut. Më tej z.Kurti iu përgjigj shkurtimisht edhe disa pyetjeve nga salla mbi organizimin e Partisë në degë, marrëdhëniet me aleatët, perspektivat e PLL në të ardhmen, etj..
Më pas u kalua në pyetje dhe diskutime, ku legalistët shprehën hapur qëndrimet, vlerësimet apo kritikat e tyre mbi mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore, si dhe për detyrat që u dalin atyre në zgjedhjet e ardhshme.
Pas diskutimeve të shumta, u kalua në zgjedhjet për kryetar të Degës, Komitetin Drejtues dhe delegatët për në Kongresin e 16 të PLL.
Pas numërimit të votave, kryetar i degës së PLL Gjirokastër u rizgjodh z.Njazi Aliko, si dhe 15 anëtarët e Komitetit Drejtues dhe dy delegatët për në Kongresin e 16 të PLL-së.
Pas mbylljes së punimeve të Konferencës së legalistëve gjirokastritë, në takimin e parë të Komitetit Drejtues, nënkryetar të degës u zgjodhën zotërinjtë Rexhep Suti dhe Vangjel Doda, ndërsa për sekretar të Degës, Kryesisë së PLL-së iu propozua z.Bajram Braho.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Tepelenë, zhvillohet konferenca e tretë e degës

Fejzo Fejzo përsëri kryetar dege

Dega e PLL-së Tepelenë, organizoi ditën e martë, më datë 04.10.2005, Konferencën e tretë të saj për zgjedhjet e strukturave drejtuese dhe delegatëve për në Kongresin e 16-të.
Në takimin morën pjesë anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Lëvizja e Legalitetit, ndërsa nga Kryesia e Partisë ishin të deleguar zotërinjtë Murat Basha, Hamit Kurti dhe Nevruz Ndregjoni
Në praninë e mediave vendore, kjo konferencë hapi punimet e saj me fjalën e mbajtur nga kryetari i degës, i cili paraqiti raportin e veprimtarisë së saj gjatë periudhës prej konferencës paraardhëse, deri në konferencën e radhës.
Në funksionin e kreut të degës, ai i bëri një përmbledhje të shkurtër veprimtarisë së saj, duke u ndalur kryesisht në zgjedhjet e 3 korrikut, të cilat ai i konsideroi anormale, për shkak se legalistët nuk kishin numëruesit e votës së tyre në GNV-të, por gjithashtu ai vuri theksin edhe në nevojën e një koordinimi më transparent në politikat qendër-bazë.
Fjalën më pas e mori i deleguari i Kryesisë së Partisë z.Nevruz Ndregjoni, i cili pasi falenderoi të pranishmit e shumtë në sallë, i bëri një shpjegim të shkurtër gjithë veprimtarisë së PLL-së në zgjedhjet e 3 korrikut dhe e vuri theksin në marrëdhëniet e PLL-së me LZHK-në, ku e vlerësoi këtë të fundit si të dështuar. Më tej ai iu përgjigj shkurtimisht edhe disa pyetjeve nga salla mbi organizimin e Partisë në degë, marrëdhëniet me aleatët, perspektivat e legalistëve në të ardhmen, etj..
Më pas u kalua në diskutime të ndryshme, ku legalistët shprehën hapur qëndrimet, vlerësimet apo kritikat e tyre mbi mënyrën se si u zhvillua fushata zgjedhore, si dhe për detyrat që u dalin atyre në zgjedhjet e ardhshme.
Pas diskutimeve të shumta, sipas rendit të ditës, u kalua në zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të degës, Komitetit Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin e 16 të PLL-së.
Nga procesi i numërimit të votave, kryetar i degës së PLL-së Tepelenë u zgjodh z.Fejzo Fejzo. Njëkohësisht u zgjodhën edhe 10 anëtarët e Komitetit Drejtues, gjithsej 11 anëtarë, si dhe dy delegatët tepelenas për në Kongresin e 16 të PLL-së.
Pas mbylljes së punimeve të konferencës së legalistëve tepelenas, në takimin e parë të Komitetit Drejtues, nënkryetarë të degës u zgjodhën zotërinjtë Asllan Avduli dhe Dilaver Malasi, ndërsa për sekretar të degës, Kryesisë së PLL-së iu propozuan zotërinjtë Myrto Tafili dhe Vladimir Prasta.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Vlorë

Rizgjidhet kryetar z. Akil Danushaj

Paraditën e së hënës së datës 3 tetor 2005, në qytetin e Vlorës zhvilloi punimet konferenca e radhës e degës së PLL të këtij rrethi. E veçanta e kësaj konference ishte pjesëmarrja e konsiderueshme dhe synimi për konsolidimin e forumeve të reja drejtuese nëpërmjet riaktivizimit të fuqishëm të ish drejtuesve veteranë të Legalitetit.
Punimet e konferencës dhe raportin e degës për punën e strukturave legaliste nga qendra e deri në bazë, e mbajti kryelegalisti vlonjat z.Akil Danushaj, i cili pasi analizoi situatën para dhe paszgjedhore, evidentoi arritjet në planin politik e organizativ si dhe detyrat që i dalin degës në kuadër të përgatitjeve për kongresin e 16-të të partisë dhe fillimin e përzgjedhjes së kandidaturave për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve vendore.
Pas raportit, delegatët dhe drejtuesit e strukturave, diskutuan për rrugët e forcimit organizativ të partisë dhe zgjerimin e radhëve të saj nëpërmjet anëtarësimit të elementëve të shumtë nacionalistë vlonjatë, si dhe të afrimit e angazhimit serioz të drejtuesve veteranë të degës, përvoja dhe qendrimi i të cilëve njohu një vlerësim pozitiv.
Më pas konferenca kaloi në pikën më të rëndësishme të rendit të ditës: zgjedhjen e drejtuesve, kryetarit e nënkryetarëve të degës, anëtarëve të rinj të Komitetit Drejtues dhe delegatëve për kongresin e partisë.
Pas procedurave të votimit konform statutit, kryetar i degës së PLL Vlorë për mandatin e ri dy-vjeçar u zgjodh sërish z.Akil Danushaj. Ndërsa si nënkryetarë të degës, konferenca zgjodhi drejtuesit veteranë legalistë, ish kryetarët e dikurshëm të saj, zotërinjtë Ilir Rushiti dhe Fuat Çobo.
Më pas u zgjodhën anëtarët e Komitetit Drejtues, të cilët në mbledhjen e tij të parë caktuan unanimisht funksionarët kryesorë dhe konkretisht, në postin e kryetarit të Senatit u zgjodh veterani i nderuar legalist z.Xhezmi Grabova. Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun u zgjodh z.Bajram Hajno; sekretar Organizativ u zgjodh z.Ferro Kapaj, ndërsa për postin e sekretarit të ri të Degës, Komiteti Drejtues vendosi t’i propozojë kryesisë së partisë, emërimin e legalistit të nderuar, ish sekretarit gjatë mandatit të kaluar, z.Nasip Xhelili. Gjithashtu, delegatët vlerësuan kontributet e qenësishme të legalistëve të nderuar, zotërinjve Myfit Grabova e Kastriot Laze, të cilët u zgjodhën me vota të shumta si anëtarë të Komitetit të ri Drejtues.
Në fund u procedua edhe me zgjedhjen e delegatëve për në kongresin XVI të PLL, ku me konsensus u mandatuan si të tillë për të përfaqësuar legalistët vlonjatë në forumin më të lartë të partisë, zotërinjtë Akil Danushaj, Fuat Çobo, Bajram Hajno, Xhezmi Grabova dhe Kastriot Laze.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca VI e degës së PLL Berat

Rizgjidhet kryetar z. Ruzhdi Orizaj

Më datën 30 shtator 2005, në qytetin e Beratit zhvilloi punimet konferenca VI e degës së PLL të rrethit Berat, nën drejtimin e kryetarit të saj, anëtarit të Komitetit Drejtus të PLL z.Ruzhdi Orizaj. Në këtë konferencë binte në sy pjesëmarrja dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm i legalistëve beratas, që përfaqësoheshin në forumin më të lartë të degës me mbi 50 delegatë. Raportin mbi veprimtarinë politiko-organizative të degës e mbajti kryetari i saj z.Ruzhdi Orizaj. Më pas konferencën e përshëndetën kryetari i degës së PBK z.Hiqmet Lapardhaja, kryerepublikani lokal z.Kasëm Mahmutaj, sekretarja e Degës së PD Berat zonja Edije Pone, si dhe kryetari i Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë të rrethit z.Murat Protoduari, të cilët u shprehën me vlerësime pozitive për Partinë Lëvizja e Legalitetit, degën e PLL Berat dhe drejtuesit e saj, duke e vënë theksin kryesor tek domosdoshmëria e bashkëpunimit politik të këtyre subjekteve edhe në të ardhmen, për të mirën e demokracisë dhe fitoren e përbashkët të së Djathtës beratase.
Më pas u kalua në zgjedhjen me vota të fshehta të kryetarit të degës, Komitetit të ri Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin XVI të PLL.
Për postin e kryetarit të Degës garuan tre kandidatë alternativë, nga të cilët dy ishin sfidantë përballë kryetarit të saj z.Ruzhdi Orizaj, i cili sërish u zgjodh kryetar i degës së PLL Berat për një mandat dyvjeçar, duke rikonfirmuar besimin e legalistëve dhe delegatëve përfaqësues, të cilët zgjodhën edhe Komitetin Drejtues të përbërë nga 11 anëtarë, si dhe 7 delegatët pjesëmarrës në Kongresin XVI të PLL, që do të zhvillojë punimet në Tiranë më datën 8 tetor 2005, në jubileun e 110 vjetorit të lindjes së Mbretit Zog I.
Komiteti i ri Drejtues, në mbledhjen e tij të parë zgjodhi si nënkryetarë të Degës
zotërinjtë Halit Bushi e Vezir Zyko.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Skrapar

Rizgjidhet kryetar z. Agron Aliaj

Paraditen e datës 29 shtator 2005, në qytetin e Çorovodës zhvilloi punimet konferenca e degës së2 PLL të rrethit Skraparm nën drejtimin e kryetarit të saj z,Agron Aliaj. Në këtë konferencë, i deleguari i qendrës (kryesisë së PLL), ishte z,Ruzhdi Orizaj, anëtar i Komitetit Drejtues të PLL.
Raportin për veprimtarinë e Degës e mbajti kryelegalisti lokal z,Agron Aliaj, i cili shtjelloi para delegatëve arritjet dhe mangësitë kryesore të punës së degës gjatë periudhës dy vjeçare.
Konferencën gjithashtu e përshëndeti në emërë të Komitetit Drejtues të PLL, z.Ruzhdi Orizaj. Pas diskutimeve të delegatëve dhe shpalosjes së përvojës poztive të strukturave e drejtuesve të tyre gjatë periudhës nën analizë, u kalua në pikën e fundit të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të Degës, Komitetit Drejtues dhe delegatëve për në Kongresin e 16 të PLL. Pas votimeve, kryetar i degës së PLL Skrapar për mandatin e ardhshëm dyvjeçar, u zgjodh z.Agron Aliaj.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL Durrës

Rizgjidhet kryetar z. Riza Dajko

Durrës - Paraditën e datës 1 tetor 2005, në qytetin e Durrësit zhvilloi punimet konferenca e degës së PLL nën drejtimin e kryelegalistit durrsak Riza Dajko. Në këtë konferencë, si i deleguar i kryesisë, merrte pjesë edhe nënkryetari i PLL z.Murat Basha.
Raportin mbi veprimtarinë dyvjeçare të degës e mbajti kryetari i saj z.Riza Dajko, i cili analizoi momentet më të rëndësishme politike e organizative në aktivitetin e saj, si dhe trajtoi disa nga synimet e punës së degës për të ardhmen, kryesisht në drejtim të shtimit të anëtarësisë, zgjerimit dhe konsolidimit të strukturave.
Ndër 258 anëtarët e degës, z.Dajko veçoi për punë të mirë sidomos zotërinjtë Kadri Dajko, Kujtim Vllamasi, Qemal Selmani, Islam Aliko, Alush Luma etj., të cilët me përkushtimin e tyre janë bërë shembull për të gjithë legalistët durrsakë.
Si moment të veçantë simbolik në fjalën e tij z.Dajko veçoi kurorëzimin e përpjekjeve të legalistëve durrsakë në dhënien e titullit të lartë “Qytetare Nderi” e qytetit të Durrësit për Nënën Mbretëreshë Geraldinë.
Pas raportit u kalua në pyetje e diskutime, ku pas disa pyetjeve të karakterit organizativ, e morën fjalën veterani legalist dhe anëtari i kryesisë së Senatit të Veteranëve z.Kadri Dajko, dhe pas tij zotërinjtë Hilmi Dervishi, Agim Reçi e Kujtim Vllamasi.
Në fund të diskutimeve e mori fjalën edhe nënkryetari i PLL z.Murat Basha, i cili u ndal kryesisht në rëndësinë e fushatës zgjedhore në PLL për konsolidimin e strukturave të bazës dhe lidershipit të partisë, si edhe në momentet kryesore politike që po kalon vendi. Zotëri Basha iu përgjigj edhe pyetjeve të delegatëve rreth punës së lidershipt për normalizimin e marrëdhënieve të PLL me aleatët e djathtë në pushtet, marrëdhënie këto të tronditura pas fushatës zgjedhore të fundit.
Më pas u kalua në pikën e fundit të rendit të ditës, zgjedhjet e kryetarit të degës, Komitetit Drejtues, delegatëve për në kongresin e 16 të PLL si dhe propozimin për miratimin nga qendra të sekretarit të ri të kësaj dege.
Pas votimit të fshehtë, kryetar i degës së PLL Durrës për mandatin e ardhshëm, u rizgjodh z.Riza Dajko

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e degës Malësi e Madhe

Ditën e mërkure me datë 05.10.2005 u zhvillua konferenca e degës së PLL Malësi e Madhe. Raportin e konferencës e mbajti krytari i degës PLL z.Sami Zeka, i cili foli për punën e bërë gjatë periudhës 1 vjeçare ku dhe vuri në dukje mbështetjen e madhe që PLL Malësi e Madhe u kishte dhënë dy kandidaturave të LZHK z.Shaqir Hasani dhe Dorjan Leknikaj duke marrë rezultate mjaft të mira në proporcional.
Në këtë konferencë kryetar i degës PLL u rizgjodh z.Sami Zekaj. Më pas konferenca zgjodhi edhe delegatët për në kongresin e 16 të PLL si dhe komitetin e ri drejtues.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e Degës së PLL Lezhë. Zgjidhen strukturat e reja

Lezhë, rikonfirmohet Vasil Muça si kryetar

Ditën e mërkurë, më datë 5 tetor 2005 u zhvillua konferenca e Degës së PLL të degës së Lezhës. Në këtë konferencë merrnin pjesë drejtuesit aktualë, përfaqësues të senatit të veteranëve, të zgjedhur vendorë në pushtetin lokal përfaqësues të PLL, legalistë nga komuna të ndryshme të rrethit Lezhë etj..
I dërguar nga Komiteti Drejtues i PLL ishte Sekretari i Senatit të veteranëve z. Seit Preni.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i degës z. Vasil Muça, i cili duke bërë një pasqyrim të aktivitetit politik të komitetit drejtues të degës për periudhën midis dy konferencave e vuri theksin në angazhimin total të asaj strukture në funksion të LZHK-së për zgjedhjet e 3 korrikut.
Ai u ndal në përmirësimet cilësore dhe sasiore që ka pësuar përbërja e anëtarësisë legaliste në atë degë si edhe për detyrat e rëndësishme që na presin për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Me interes u dëgjua fjala e legalistit veteran z. Gjon përjaku i cili gjatë gjithë kohës megjithë moshën e tij të thyer ka dhënë një kontribur të çmuar duke punuar krahas legalistëve të tjerë në të gjitha drejtimet.
Z. Benard Vata dhe z. Nesti Nika folën për rezultatet e arritura dhe punën që duhet vazhduar në drejtim të thithjes së intelektualëve në radhët e PLL.
I deleguari i Komitetit Drejtues z.Seit Preni falenderoi legalistët lezhjanë për kontributet dhe rezultatet e arritura gjatë fushatës së tre korrikut. Ai i njohu të pranishmit me ecurinë e zhvillimit të konferencave të PLL në të gjithë vendin dhe për zhvillimet e tjera të rëndësishme në prag të Kongresit të 16-të të PLL.
Në fund, konferenca e degës rikonfirmoi z. Vasil Muça si kryetar, zgjodhi komitetin drejtues dhe kandidatët për në kongresin  e 16 të PLL

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e degës PLL Peshkopi

Selman Agolli rizgjidhet në krye të degës

Peshkopi – Selman Agolli rizgjidhet në krye të degës së PLL Dibër. Ky ishte verdikti i dhënë nga konferenca e radhës e kësaj dege. Legalistët dibranë zhvilluan konferencën e tyre me datë 1 tetor 2005 me praninë e delegatëve të nëndegëve, të cilët zhvilluan analizën e punës 2-vjeçare, të zgjedhjeve parlamentare 2005, sikurse zgjodhën edhe kryetarin e degës dhe organet e reja drejtuese që do ta drejtojnë degën për dy vitet e ardhshme.
Delegatët, duke vlerësuar aftësinë dhe përkushtimin e z.Selman Agolli, i dhanë atij edhe njëherë besimin për kryetar dege për mandatin e ardhshëm 2-vjeçar.
Konferenca zgjodhi komitetin e ri drejtues, si dhe delegatët për në kongresin 16-të. Përfaqësuesit dibranë për në kongres, janë zgjedhur mes vlerave më të mira që ka dega e PLL Dibër.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e 7 e degës PLL Bulqizë

Zenel Shehu, kryetar i legalistëve të Bulqizës

Konferenca e zhvilluar me datë 30 shtator 2005 në qytetin e Bulqizës, analizoi në veçanti rezultatin jo të mirë të zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 që erdhi si rezultat i shumë faktorëve objektivë e subjektivë për të cilët pati debate në konferencë nga të pranishmit.
Z.Besnik Murati, i deleguar nga qendra, në fjalën e tij përshëndetëse u uroi legalistëve bulqizakë për punën e bërë sikurse ishte edhe i hapur për diksutime e debate me delegatët e konferencës, duke i dhënë prioritet të ardhmes së PLL në këtë degë, që ka traditë zogizmin.
Konferenca e shtatë e degës zgjodhi kryetar z.Zenel Shehu, ndërsa nënkryetar u zgjodhën intelektualët Bardhyl Rama dhe Besim Duriçi. Për sekretar dege u propozua z.Shkëlqim Muça. Konferenca zgjodhi edhe delegatët për në kongresin e 16 të PLL.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e shtatë e degës PLL Devoll

Devolli konfirmon Agim Dushin

Konferenca e shtatë e degës së PLL Devoll, ka konfirmuar në krye të degës “veteranin” e papërkulur z.Agim Dushi. Në këtë konferencë të zhvilluar në fillim të javës së shkuar, mori pjesë edhe z.Nebi Ganellari kryetar i Këshillit Kombëtar, i cili mbikëqyri punimet e konferencës. Raportin në emër të degës e mbajti kryetari i degës z.Agim Dushi. Ai analizoi punën e bërë në periudhën midis dy konferencave, si dhe arritjet e të metat e vërejtura. Ai përmendi aktivistët e PLL që nuk janë kursyer në shërbim të degës si dhe vuri në pah të metat e dobësitë e fushatës së fundit elektorale në lidhje me LZHK-në.
Pas raportit u kalua në pyetje dhe diskutime ku përveç arritjeve dhe rezultateve pozitive, pati edhe kritika në adresa në ndërsjellta me synimin e mirë për t’i përmirësuar këto mangësi që në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2006, legalistët të përfaqësohen me më shumë këshilltarë se në zgjedhjet e vitit 2003.
Në këtë konferencë përshëndetën edhe përfaqësues nga partitë politike të djathta si PD, PR, BLD, BKD, shoqata e të përndjekurve politikë etj..
Më pas u kalua në votimet për ekipin e ri drejtues si dhe për delegatët e Kongresi të 16 të PLL. Delegatët zgjodhën z.Agim Dushi si kryetar të degës, si dhe komitetin e ri drejtues të përbërë prej 13 anëtarësh. Ky komitet zgjodhi z.z. Edmond Lame dhe Blendi Hoxha si nënkryetarë, dhe i propozoi Kryesisë së PLL në qendër z.Petrit Kutrolli për sekretar dege.
Gjithashtu konferenca zgjodhi delegatët për në Kongresin e 16-të që do zhvillohet me 8 tetor 2005 në Tiranë, ditën e linndjes së Mbretit Zog I.
Konferenca u zhvillua nën një frymë të thellë mirëkuptimi e konstruktive çka të bën të besosh se në të ardhmen do të kemi një rritrje më cilësore të kësaj dege.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

 

Zhvillohet konferenca e degës PLL Librazhd

Dashamir Qyra në krye të degës

Konferenca e degës së PLL Librazhd ka zgjedhur z.Dashamir Qyra si kryetarin e ri të saj, në tubimin e zhvilluar në qytetin e Librazhdit me datë 1 tetor 2005. Kjo konferencë analizoi aktivitetin dy-vjeçar të degës dhe përcaktoi një projekt pune për të ardhmen. Siç dihet dega e PLL Librazhd është ndër degët më të mira në drejtim të afrimit të intelektualëve ku  në drejtimin e kësaj dege janë mjekë dhe profesionistë të nderuar të këtij rrethi.
Pas diskutimeve të delegatëve, u kalua në fazën e zgjedhjes së ekipit të ri drejtues. Kështu me votim konferenca zgjodhi si kryetar të degës z.Dashamir Qyra, ndërsa më pas komiteti i ri drejtues zgjodhi nënkryetarët e rinj të degës z.z.Liman Mnalla dhe Izmir Boriçi. Po ashtu dega i propozoi Kryesisë së PLL në qendër si sekretar të degës z.Luan Buzra. Komiteti i ri drejtues i degës përbëhet nga 13 anëtarësh, të cilët janë të spikatur për vlerat e tyre intelektuale e politike.

“Atdheu”, 8 tetor 2005

Kthehu në fillim të faqes >>