Më 8 tetor 2005, zhvilloi punimet Kongresi XVI i PLL

Ekrem Spahiu rimandatohet si kryetar i PLL

Kongresi 16Tiranë - Kongresi 16-të i PLL, i zhvilloi punimet më datë 8 tetor 2005, në ditën e kremtimit nga legalistët dhe mbretërorët shqiptarë, të jubileut të 110 vjetorit të lindjes së Mbretit Zog i Parë, në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, Tiranë.

Në cilësinë e Kryetarit të Kongresit, procedimin konform rendit të ditës dhe programit të zhvillimit të punimeve, i drejtoi nënkryetari i PLL z.Murat Basha.

Fillimisht z.Basha ftoi në podium, sipas hierarkisë dhe funksioneve në parti, panelin drejtues të Kongresit. Ky panel, i përzgjedhur prej Komitetit Drejtues, përbëhej nga kryetari z. Ekrem Spahiu; nënkryetari z. Murat Basha; sekretari i Përgjithshëm z. Artan Tujani; sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë të PLL z. Sulejman Gjana; sekretari për Burimet Njerëzore z. Blerim Kamberi; kryetari i Senatit të Veteranëve të PLL z .Ali Ohri; kryetari i Këshillit Kombëtar dhe njëkohësisht kryetar i degës së PLL Korçë z. Nebi Ganellari; nipi i Mbretit Zog i Parë, djali i xhaxhait të Mbretit Leka i Parë, ish kryetar i Zyrës së Oborrit Mbretëror në emigracion dhe njëkohësisht anëtari më i ri i PLL z. Skënder Zogu; nënkryetari i degës së PLL Tiranë, njëkohësisht anëtar i Komitetit Drejtues dhe kryesisë së Senatit të PLL z. Hamit Kurti; anëtare e kryesisë së Forumit të Gruas në PLL zonja Lejla Hysa; kryetari i Forumit të Rinisë në PLL, njëkohësisht kryetar i degës së PLL Shkodër z. Ilir Kuka.

Më pas u bë ekzekutimi i Himnit Kombëtar, pas të cilit z.Basha kumtoi ndër të tjera se “…Kongresi i 16 i PLL është një eveniment politik shumë i rëndësishëm, për ne legalistët e mbretërorët dhe për mbarë nacionalistët shqiptarë..., që përkon edhe me ditën jubilare të 110 vjetorit të lindjes së burrit më të madh të historisë së Shqipërisë dhe Shtetit shqiptar, kryerilindasit më të shquar e mendjendritur, që formoi dhe udhëhoqi shtetin shqiptar në periudhat më të vështira të historisë sonë politike, të Madhin Mbretin Zog i Parë...”.

Pas duartrokitjeve frenetike, z.Basha procedoi me ftesën drejtuar delegatëve për mbajtjen e heshtjes së zisë për “... të munguarit përjetësisht, e që fatkeqësisht janë ndarë prej nesh dhe sot nuk mund të na nderojnë, sikundër do të dëshironim në këtë kongres...”. “Ne e zhvillojmë sot këtë Kongres, pa praninë fizike të Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan. Na mungojnë gjithashtu edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar: Vera Dema, Abdullah Salihi, Hajri Skeja dhe Bajram Biba. Për ata dhe gjithë legalistët që kanë ndërruar jetë, brenda dhe jashtë atdheut, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje nderimi.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!”.

Pas nderimit dhe heshtjes së zisë, z.Basha ftoi delegatët për miratimin e Sekretarisë së Kongresit, përbërë nga Shpëtim Axhani, Albana Mustafa dhe Edmond Guri, për të cilin delegatët pjesëmarrës shprehën mirëkuptim të plotë e të njëzëshëm.

Mbreti Leka, mesazh për Kongresin

Në vijim z.Basha ftoi në foltore kryetarin e Senatit të Veteranëve të PLL z.Ali Ohri, i cili lexoi para Kongresit, mesazhin e përshëndetjes që Mbreti Leka i Parë i drejtoi Kongresit 16 të PLL.

Pas duartrokitjeve të shumta që shoqëruan mesazhin e ngrohtë dhe inkurajues të Mbretit Leka për legalistët dhe kongresin e tyre në këtë përvjetor të shtrenjtë, z.Basha ftoi në foltore kryetarin e PLL z.Ekrem Spahiu për të mbajtur para delegatëve dhe të ftuarve të pranishëm, raportin për veprimtarinë politiko-organizative të PLL gjatë periudhës katër vjeçare 2001-2005. Në këtë raport, model për nga mënyra e konceptimit dhe trajtimit të prioriteteve kryesore të punës së partisë, z.Spahiu shtjelloi momentet kryesore të punës, që kulmuan me fushatat zgjedhore vendore e parlamentare të 12 tetorit 2003 dhe 3 korrikut 2005. Në trajtesën e tij, z.Spahiu analizoi pozicionimin e qartë të partisë, në kundërshtim me qëndrimet dhe veprimet jo luajale të një pjese të grupit parlamentar gjatë aktivitetit në Kuvendin e Shqipërisë, si në raport me qëndrimet dhe angazhimet politiko-programore të partisë, ashtu edhe në kuadër të opozitës së djathtë, pjesë integrale e së cilës ka qenë PLL. Zotëri Spahiu trajtoi me qartësi qëndrimet dhe këndvështrimin e PLL për çeshtjen kombëtare, si kolona kryesore e programit dhe angazhimit politik të PLL, pas të cilave vijoi edhe analizën për zhvillimet, pozicionin e kontributet e saj në kuadër të LZHK.

Zotëri Spahiu në fjalën e tij adresoi gjithashtu edhe sinjale miqësore për maxhorancën e re në pushtet, me PD në krye, teksa theksoi se “Partia Lëvizja e Legalitetit i uroi sinqerisht kryeministrin Berisha dhe aleatët fitues, duke u shprehur atyre suportin e domosdoshëm politik në rrugën e vështirë të reformave të premtuara. Dhe kjo jo për servilizëm politik dhe sentimentalizëm bashkëluftëtarësh për demokraci e parlamentarizëm, por sepse shumë pika të programit qeverisës, përkojnë edhe me programin tonë.”.

Pas raportit të z.Spahiu, i cili u përcoll me vëmendje, z.Basha ua dha fjalën drejtuesve të partive, unioneve dhe shoqatave aleate të djathta, të ftuara për të ndjekur punimet e Kongresit të 16 të PLL, si dhe personaliteteve politike nga diaspora, të pranishëm në sallë, ose që i ishin drejtuar kongresit me mesazhe përshëndetëse.

Përshëndesin përfaqësuesit partiakë

Kështu, kongresin legalist e përshëndetën përfaqësues të partive të djathta si Gent Strazimiri (PD), i cili u ndal gjatë në vlerësimin e figurës së Mbretit Zog, duke e konsideruar atë si të vetmin njeri që krijoi një shtet të vërtetë të shqiptarëve. Zotëri Strazimiri çmoi si shumë të vlefshëm kontributin e legalistëve në zhvillimet politike në vend, duke i vlerësuar legalistët si aleatë në kohë të vështira.

Aleksandër Garuli (PR) u shpreh mes të tjerash se edhe pse ishte republikan me bindje, e kishte për nder që po merrte pjesë në një kongres monarkistësh. Ai vlerësoi rolin që ka luajtur PLL-ja në opozitën e djeshme dhe kontributin që duhet të japë PLL edhe në qeverisjen e sotme të koalicionit të gjerë anti-korrupsion.

Artur Roshi (PBKD) vlerësoi kontributin e pamohueshëm të legalistëve në zhvillimet politike në vend, duke theksuar faktin se PLL është pjesë integrale e koalicionit fitues. Ai gjeti rastin të shprehë edhe mendimin e tij se: “është koha që të mos mburremi vetëm me të shkuarën e artë, por të jemi ne bijtë e tyre, që me forcat, idetë dhe bindjet tona, të çojmë përpara shoqërinë shqiptare”.

Arjan Starova (PBL) i bëri një vlerësim dinjitoz periudhës së Mbretërisë Shqiptare të Ahmet Zogut, e njëherazi e vlerësoi PLL-në si një parti me një rol të rëndësishëm në gjirin e politikës shqiptare, sidomos në rrafshin kombëtar.

Adriatik Alimadhi (PBK), mes të tjerash vlerësoi rolin e PLL-së në mbajtjen gjallë të politikave kombëtare në parlament, dhe njëkohësisht u shpreh edhe për një bashkërendim më efikas në të ardhmen mes legalistëve dhe ballistëve, si dy forca të mirëfillta nacionaliste dhe të djathta.

Afërdita Zëre (PDRn) foli mbi procesin zgjedhor të 3 korrikut, duke e konsideruar humbjen e LZHK-së si pasojë e skemave të Mega-Dushkut dhe vjedhjes së votave në proporcional. Ajo njëherazi hodhi idenë e konsolidimit të LZHK-së, për të përballuar në të ardhmen sfida të tjera zgjedhore.

Eduard Ypi (PDM) e vlerësoi PLL-në si “... pjesë të eksperiencës politike kombëtare, që vjen përsëri e freskët dhe e përgjegjshme, e gatshme të marrë mbi vete sfida dhe përgjegjësi të mëdha për të realizuar misionin e saj historik të lartë, krijimin e shtetit modern demokratik shqiptar me në krye monarkun Leka i Parë, biri i të madhërishmit Ahmet Zogu”.

Fran Bruka, (PSK) vuri theksin mbi kodin e lartë të moralit politik të legalistëve, që nuk iu nënshtruan arrogancës së social-komunistëve, por edhe sepse nuk iu servilosën as pushtetarëve aleatë...”.

Në forumin më të lartë të legalistëve, e morën fjalën edhe mjaft përfaqësues të tjerë të shoqatave nacionaliste e antikomuniste të Shqipërisë, si Besim Ndregjoni- sekretar i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e ish të Përndjekurve dhe Persekutuarve, Afrim Haçi-sekretar i Shoqatës së të Përndjekurve anti-komunistë demokratë, që nderuan me superlativa figurën e Mbretit Zog në ndërtimin e shtetit shqiptar. Zotëri Haçi analizoi edhe zhvillimet politike aktuale, ku pasi akuzoi me tone të ashpra socialistët si antikombëtarë dhe antidemokratë, u shpreh se Katovica, aq shumë e njohur tashmë nga të gjithë ne, ka vepruar fort në gjirin e nacionalistëve shqiptarë, duke i futur shpesh edhe në grindje me njëri-tjetrin”.

Më pas z.Basha lexoi para Kongresit edhe mesazhet e ngrohta dërguar nga zonja Silviane Muselier, motra e Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe atë të ish sekretarit të Përgjithshëm i OKLL në diasporë Dr.Fuad Myftija.

Përshëndet Skënder Zogu, nipi i Mbretit Zog

S. ZoguKongresin gjithashtu e përshëndetën me fjalët më të ngrohta z.Skënder Zogu, nipi i Mbretit Zog i Parë dhe kushëri i Mbretit Leka, si dhe studiuesi i historisë shqiptare z.Patrice Najbor, francez, mik i shqiptarëve.

Kongresin e nderonin me praninë e tyre edhe z.Fluturak Gërmenji - kryetar i zyrës së shtypit pranë Oborrit Mbretëror, z.Hysen Selfo – lider veteran i Partisë së Ballit Kombëtar, z.Remzi Ndreu - Kryetar Nderi i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar, z.Engjëll Kokoshi - kryetar i Këshillit Kombëtar të PBKD-së, z.Ylber Valteri - kryetar i PBD-së, znj.Majlinda Toro - nënkryetare e PBK-së, z.Tomorr Gostivari - sekretar Organizativ i PBKD, z.Tanush Kaso – kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve të Shqipërisë, si dhe përfaqësuesja e ambasadës italiane në Tiranë zj.Adriana Apollonio.

Pas mbarimit të radhës së gjatë të oratorëve që përshëndetën delegatët e tubuar në Kongresin e 16-të, z.Basha kumtoi mbarimin e seancës së parë, duke falenderuar miqtë dhe të ftuarit për pjesëmarrjen, mesazhet dhe fjalët e ngrohta dhe duke njoftuar delegatët për 15 minuta pushim, pas të cilit do të fillonte seanca e dytë e punimeve të Kongresit.

Pas pushimit, seanca e dytë i filloi punimet vetëm në prani të delegatëve të Kongresit të 16 të PLL. Konform rendit të ditës, para delegatëve u lexua Raporti i Komisionit të Financave të PLL, mbajtur nga kryetari i këtij komisioni z.Xhevdet Kopani.

Më pas u kalua në pikën e rendit të ditës: pyetje me shkrim rreth raportit të mbajtur nga z.Spahiu dhe atij të mbajtur nga z.Kopani, të cilat u dorëzuan në Sekretarinë e Kongresit.

Debatet dhe rasti “Kamberi”

kamberiPas pyetjeve të shumta, të cilave iu përgjigjën të adresuarit, u kalua në pikën e diskutimeve të delegatëve rreth raportit dhe në shprehjen e mendimeve të lira. Gjatë dy orëve pati diskutimeve të shumta e cilësore, në të cilat diskutantët shtjelluan aspekte dhe pikëpamje të ndryshme për punën dhe veprimtarinë e partisë në periudhën midis dy kongreseve. Por në kontrast me qëndrimet dhe vlerësimet e diskutantëve të tjerë, i vetmi që spikati për tonin arrogant e brutal gjatë diskutimit të tij panegjirik dhe ekstraorbital, ishte z.Blerim Kamberi, (kandidat zyrtar për postin e kryetarit të PLL), i cili nuk tha asgjë për punën e tij katër vjeçare në postet e larta të sekretarit për Marrëdhëniet me Mediat e Publikun, të sekretarit për Burimet Njerëzore dhe të kryetarit të degës së PLL Tiranë. Fjala e z.Kamberi u dëgjua me vëmendje nga delegatët, të cilët e “duartrokitën” atë me zjarr pasi kumtoi se do të largohej vullnetarisht dhe me dëshirë nga PLL, ngaqë nuk mund t’ia lejonte vetes të bëhej “përgjegjës në shkatërrimin e ardhshëm të partisë...”. Pas kësaj deklarate për shkak të një vendimi të parevokueshëm, z.Kamberi u largua nga pupitra dhe salla e Kongresit, i shoqëruar nga dy truproje personale, të cilët e kryen detyrën në mënyrë shembullore, duke mos lejuar prekjen e integritetit fizik të z.Kamberi gjatë gjithë kohës që ai qëndroi në panelin drejtues të takimit dhe në foltore.

Më pas Kongresi kaloi në pikën e miratimit të ndryshimeve statutore, (pas aprovimit të tyre në Komitetin Drejtues, gjatë mbledhjes së datës 6 tetor, ku u miratuan gjithashtu edhe programi e materialet e Kongresit).

Pas një pushimi të shkurtër, kryetari i Kongresit z.Basha njoftoi fillimin e seancës së tretë të punimeve, që paraprihej nga paraqitja e kandidaturave për postin e lartë të kryetarit të PLL. Pasi i ftoi kandidatët të përgatiteshin për shpalosjen para delegatëve të platformave individuale të punës dhe drejtimit të partisë, z.Basha kumtoi përbërjen dhe më pas miratimin e Komisionit të Votimit, nëse nuk do të kish vërejtje nga salla apo nga kandidatët, ndonëse qartësoi se Komiteti Drejtues në mbledhjen e tij të datës 6 tetor, si anëtarë të Komisionit kishte emëruar zotërinjtë Nebi Ganellari, Ilir Kuka dhe Shpëtim Axhani. Meqenëse të gjithë delegatët i miratuan pa rezerva anëtarët e Komisionit, z.Basha u kërkoi komisionerëve përgatitjen për fillimin e procedurave të votimit, ndërsa kryetarit të Komisionit, zgjedhur nga vetë anëtarët, i kërkoi të merrte drejtimin e procedurës së votimit dhe sqarimin e delegatëve për mënyrën e votimit.

Astrit Kola, kandidat nga salla

Në fillim të Kongresit, Komisioni përgatitor i punimeve të tij, kish regjistruar si kandidatë zyrtarë për postin e kryetarit të PLL zotërinjtë Ekrem Spahiu dhe Blerim Kamberi, por pas përfundimit të seancës së parë, një grup prej afro 50 delegatësh, i kërkoi z.Astrit Kola, me detyrë Zëdhënës politik i PLL dhe kryeredaktor i gazetës “Atdheu”, vënien e kandidaturës përballë zotërinjve Spahiu e Kamberi, çka u miratua nga z.Kola. Meqenëse Statuti i PLL, në rastet e kandidimit nga salla e Kongresit kërkonte detyrimisht marrjen e firmave të 1/5 së numrit të përgjithshëm të delegatëve të caktuar, z.Kola arriti të mbledhë afro 80 firma, të cilat bashkë me kërkesën për kandidim ia dorëzoi Komisionit të Votimit, i cili pasi konstatoi bazueshmërinë statutore të kërkesës në fjalë, vendosi pranimin e saj dhe miratimin e kandidaturës së tij, çka iu bë e ditur të gjithë delegatëve, që njëzëri e miratuan këtë procedurë, bashkë me pëlqimin për kandidimin e z.Kola. 

Për shpalosjen e platformave të drejtimit dhe punës së partisë gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar, z.Basha fillimisht ia dha fjalën kandidatit Astrit Kola, i cili premtoi forcimin e sektorit mediatik të punës së partisë dhe synimin për shndërrimin e saj në një parti elektorale. Ndërsa z.Spahiu, platformën e tij e bazoi në thellimin e gjithanshëm të arritjeve duke shfrytëzuar përvojat politike e organizative, potencialet intelektuale e drejtuese të individëve e strukturave, duke shmangur në vazhdimësi mangësitë e konstatura gjatë veprimtarisë së deritashme të partisë.

Pas fjalës së kandidatëve, e cila u ndoq me interesin që ngjall fryma e garës kongresuale, e për të cilën ata u shpërblyen me duartrokitje, u kalua në procesin e votimit, që u zhvillua i fshehtë, e ku delegatët votuan në dy fletë: njëra nga të cilat përmbante emrat e kandidatëve për kryetar të partisë, ndërsa tjetra përmbante listën shumemërore të kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar, miratur kjo në mbledhjen e Komitetit Drejtues. pas votimit, Komisioni filloi procesin e numërimit të votave të kandidatëve për kryetar, pas të cilave rezultoi fitues z.Ekrem Spahiu, me 186 vota pro, përkundër 18 votave të kandidatit Kola. Pas shpalljes zyrtare të fituesit, z.Basha ia dha fjalën për të përshëndetur delegatët, kryetarit të sapozgjedhur të PLL z.Ekrem Spahiu, i cili me një gjest bujar ftoi në podium kandidatin rival z.Kola. Pasi e falenderoi miqësisht rivalin, me të cilin u përqafuan dhe premtuan bashkëpunim të sinqertë në të ardhmen, z.Spahiu mbajti para delegatëve një fjalë të ngrohtë, ku pasi i falenderoi ata për besimin, kontributin e vyer, vlerësimin maksimal të Kongresit dhe cilësinë e lartë të përfaqësimit të anëtarësisë, u premtoi atyre bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e plotë në të ardhmen, bazuar në punën në ekip dhe vlerësimin e përvojave e kontributeve të përbashkëta, si garanci për rezultate më të larta zgjedhore dhe nivele politike në rritje të pandërprerë.  

Votimi ne KongresFjala e z.Spahiu u mbyll nën duartrokitje të zgjatura, që dëshmonin miratimin dhe kënaqësinë e delegatëve. Kësisoj, në përfundim të punimeve të Kongresit 16 të PLL, pas procedurave demokratike e transparente, kryetari aktual i PLL z.Ekrem Spahiu, në mënyrë të merituar fitoi votëbesimin e delegatëve për një mandat të ri në drejtimin e PLL gjatë katër viteve të ardhshme.
Gjatë kohës që Komisioni i Votimeve punonte për nxjerrjen e rezultateve për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PLL, të mandatuar për të përfaqësuar anëtarësinë në organin më të lartë të partisë pas Kongresit, kryetari i Kongresit 16, z.Murat Basha, lexoi para delegatëve Projekt-Rezolutën e Kongresit, e cila u miratua njëzëri, duke u shndërruar në Rezolutë përfundimtare.

Shpallja e listës shumemërore të Këshillit të ri Kombëtar të PLL, me një mandat 4 vjeçar, shënoi edhe përfundimin me sukses të punimeve të Kongresit XVI të PLL