Kukës, më 6 maj 2011
Dega lokale e partisë “Lëvizja e Legalitetit” Kukës organizoi në pallatin e kulturës së këtij qyteti një takim elektoral ku në mënyrë entuziaste u shpreh mbështetja për kandidatin e PLL Kujtim Gjoka, i cili konkurron në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Në emër të partive aleate përshëndetën zotërinjtë Ibsen Elezi, -kryetar i degës së PD dhe Hasan Halilaj, -kryetar aktual i bashkë Kukës dhe njëkohësisht kandidat për mandatin e ardhshëm. Ata garantuan mbështetje të plotë për z. Kujtim Gjoka dhe u shprehën të sigurt për fitoren e tij.
Në cilësinë e kryetarit aktual të komunës Bushtricë dhe kandidatit për mandatin e dyte, z. Kujtim Gjoka bëri bilancin e punës së tij në krye të komunës dhe shpalosi programin për mandatin e ardhshëm.
Kryetari PLL Ekrem Spahiu në fjalën e tij ndër të tjera tha se: “Të gjithë kryetarët e njësive vendore që drejtohen prej legalistëve kanë krijuar me zgjedhësit e tyre një marrëdhënie të besueshme dhe të qëndrueshme e që është pjesë e botëkuptimit të çdo legalisti për të qeverisur me përkushtim dhe ndershmëri.”
Më tej Spahiu vijoi duke thënë se: “Legalistët ndjehen shumë mirë që z. Kujtim Gjoka jo vetëm që ka realizuar të gjitha premtimet, por e ka kthyer komunën e Bushtricës në një kantier ndërtimi, i ka çelur rrugë zhvillimit dhe ka kthyer besimin e të gjithë banorëve për mundësinë e një jete më të mirë edhe në komunën e tyre. Kjo ka bërë që shumë familje të larguara më parë, të rikthehen për të jetuar dhe punuar në Bushtricën e tyre të dashur.”
Të pranishmit shprehën optimizmin e tyre për fitoren e z. Gjoka dhe gjithë kandidatëve të tjerë të koalicionit si dhe të përfaqësimit më të madh të PLL në 15 këshillat vendore të Kukësit, që gjithsesi edhe tani është mjaft i suksesshme për Legalitetin.
Tiranë, më 5 maj 2011
Në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 8 majit, kryetari i PLL Ekrem Spahiu ishte në Rrëshen dhe Vlorë, ku degët lokale të PLL organizuan dy takime të ndryshme në mbështetje të kandidatëve për kryetarë të njësive vendore dhe anëtarë të këshillave të tyre.
Në Mirditë partia “Lëvizja e Legalitetit” konkurron me këshilltarët e saj në të gjitha njësitë vendore dhe krahas mbështetjes së tyre, Spahiu përkrahu edhe kandidatin e Aleancës për Qytetarin për kryetar të bashkisë Rrëshen z. Gjon Dedaj, i cili ishte i pranishëm në aktivitet.
Krahas të tjerave, Spahiu tha se: “Fitorja e kandidatëve tanë në Mirditë është e padiskutueshme. Duke i trajtuar zgjedhjet vendore si zgjedhje politike, Partia Socialiste i ka bërë llogaritë gabim, sepse rrethi i Mirditës ka një histori të spikatur antikomuniste dhe ka sakrifikuar më shumë se çdo rreth tjetër duke kundërshtuar me armë dhe kosto të lartë diktaturën komuniste”.
Ndërsa në Vlorë, kreu i PLL Spahiu tha: “ Sllogani i PLL-së në këto zgjedhje është “Tradita po Rilind”, çka do të thotë se “ne tashmë i kemi të gjitha potencialet e duhura për të marrë përgjegjësi politike dhe institucionale për të drejtuar qoftë në pushtetin qendror apo në ato vendor. Shembulli më i mirë është z. Akil Danushi, kryetar i degës së PLL dhe n/kryetar i qarkut Vlorë, i cili me aftësitë dhe përkushtimin e tij është kthyer si modeli më i mirë i një politikani dhe një administratori të suksesshëm”.
Kavajë, më 4 maj 2011
Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” z. Ekrem Spahiu vijoi turin e tij elektoral në qytetin e Kavajës ku në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie Refik Rrugeja dhe kandidatëve për këshilltar të partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të PLL.
Takimin e hapi kryetari i degës PLL-së Kavajë Bahri Kollçaku. Kandidati për kryetar i bashkisë Kavajë z. Refik Rrugeja në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht vlerat kombëtare dhe rolin që PLL ka luajtur në proceset demokratike në Shqipëri.
Kryetari i PLL Spahiu shprehu mirënjohje dhe respekt për qytetarët e Kavajës të cilët gjatë këtyre 20 viteve ka votuar vetëm djathtas dhe shtoi se: “Partia “Lëvizja e Legalitetit” është partia e idealeve kombëtare, është partia autentike e nacionalizmit shqiptar e cila synon që “Nga Kosova në Çamëri, të valojë flamuri kuqezi”. Legaliteti që nga krijimi i saj ka kërkuar bashkimin kombëtar, sepse bashkimi i trojeve etnike në një shtet të vetëm është rruga e vetme për të gjithë shqiptarët. Partia “Lëvizja e Legalitetit” është partia besnike e moralit kombëtar, është partia e kujtesës historike dhe trashëguesja e traditave më të mira shqiptare. Legaliteti ka sensin e drejtësisë njerëzore sepse ka frikë nga drejtësia hyjnore”.
Laç, më 3 maj 2011
Ndalesa e radhës për kryetarin e PLL, z. Ekrem Spahiu ishte Laçi, ku në pallatin e kulturës u zhvillua një takim elektoral në mbështetje të kanditatëve të koalicionit për kryetar të njësive vëndore dhe kanditatëve për këshilltar të PLL.
Takimin e hapi kryetari i PLL për degën Kurbin z.Dilaver Nelaj. Në emër të kanditatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” foli z. Bardh Rica që konkurron për kryetarë të bashkisë Laç.
Në rrethin e Kurbinit partia “Lëvizja e Legalitetit” ka elektorat të qëndrueshëm, ku duke kandiduar e vetme ka të arkivuar fitoren e një komune dhe të këshilltarëve të shumtë në të gjitha njësitë vendore të këtij rrethi.
Kryetari PLL Spahiu ndër të tjera tha: “Me 8 maj para elektoratit shqiptar paraqiten dy alternativa: Alternativa e djathtë që përfaqësohet nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin dhe alternativa e majtë, që krahas identifikimit me diktaturën dhe vitet më të errëta për Shqipërinë, identifikohet edhe me qeverisjen më të keqe gjatë viteve 1997-2005.”
Duke përfunduar Spahiu tha: “Nga kjo foltore i bëj thirrje elektoratit të Laçit, Mamurrasit, Milotit dhe Fushë-Kuqes që të votojnë në maxhoritar kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe Partinë “Lëvizja e Legalitetit” në proporcional”.
Kamëz, më 2 maj 2011
Në takimin elektoral të PLL organizuar në bashkinë e Kamzës u shpreh optimizmi dhe mbështetja e legalistëve për kandidatin e koalicionit Xhelal Mziu dhe partinë “Lëvizja e Legalitetit”.
Në këtë takim, ndër të tjera, Kryetari i PLL Spahiu tha se: “Partia Socialiste ka patur një qëndrim konstant ndaj banorëve të këtij qyteti duke i paragjykuar, denigruar, diskriminuar dhe lënë ato në harresë gjatë gjithë qeverisjes së majtë në vitet 1997-2005. Ndërsa sot, bashkia e Kamzës është bërë model i urbanizimit, zhvillimit dhe qeverisjes së mirë”.
Spahiu tha gjithashtu se partia e tij ka pasur gjithmonë një elektorat të qëndrueshëm dhe përfaqësim dinjitoz në Kamëz. PLL po punojmë që edhe në zgjedhjet e 8 Majit të ketë disa këshilltarë në bashkinë Kamëz sepse gjykon se personat që ajo ka paraqitur para elektoratit në listën e kandidatëve për këshilltarë, shquhen për aftësi, ndershmëri dhe përkushtim.
Tiranë, më 30 prill 2011
Partia Lëvizja e Legalitetit organizon një takim madhështor në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, në mbështetje të kandidatit për kryetar të bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha dhe kandidatëve për këshilltar në bashkinë e Tiranës dhe të gjithë njësive vendore të rrethit të Tiranës. Në këtë takim morën pjesë Princi Leka, kandidati për kryetar bashkie të Tiranës z. Lulzim Basha, z. Burim Ramadani deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Sekretar i Përgjithshëm i "Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, aktori i madh z. Mirush Kabashi, anëtarë të kryesisë të PLL-së, kandidatët për këshillat vendore, anëtarë dhe simpatizantë të PLL-së.
Fjalën e hapjes e mbajti n/kryetari i PLL-së z. Besnik Murati.
Takimin e përshëndetën Princi Leka, z. Kabashi, z. Ramadani dhe kandidati Basha.
Kryetari i PLL-së në fjalën e tij ai tha: Obligimi ynë është kombëtar, sepse kemi bindjen e plotë se vetëm qeverisja e Djathtë mund të prodhojë stabilitet, shanse të barabarta dhe mirëqenie për qytetarët. Në këtë kuptim, ne jemi në mbështetje të plotë të kandidatëve të koalicionit "Aleanca për qytetarin" që garojnë për kryetarë të njësive vendore.
Partia "Lëvizja e Legalitetit" është partia e idealeve kombëtare, është partia autentike e nacionalizmit shqiptar e cila synon që "Nga Kosova në Çamëri, të valojë flamuri kuqezi".
Partia "Lëvizja e Legalitetit" është partia besnike e moralit kombëtar, është partia e kujtesës historike dhe trashëguesja e traditave më të mira shqiptare. Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka sensin e drejtësisë njerëzore sepse ka frikë nga drejtësia hyjnore.
Legaliteti i ka çelur rrugën qytetërimit perëndimor në Shqipëri dhe ka qenë aleati më i besueshëm i Perëndimit gjatë shekullit XX. PLL është partia që ka sakrifikuar veten për mbrojtjen e shtetit, njësisë kombëtare dhe demokracisë".
Duke folur për z. Lulzim Basha z. Spahiu tha: "Slogani ynë "Tradita po Rilind" përkon edhe me kandidatin tonë të përbashkët për bashkinë e Tiranës z. Lulzim Basha, i cili është një përfaqësues autentik i së djathtës shqiptare. Zotni Basha është fenomeni i ri i politikës shqiptare, sa i zoti, aq edhe modest; sa i matur, aq edhe energjik; sa administrator aq edhe politikan, sa i përkushtuar ndaj punës, aq edhe me moral të pastër; sa vizionar aq edhe mbartës i traditës".
Spahiu në fjalën e mbylljes tha: "Ditët që na kanë mbetur deri në datën 8 Maj të punojmë me të gjitha energjitë tona si për fitoren e z. Lulzim Basha si kryetar bashkie, ashtu edhe për partinë "Lëvizja e Legalitetit" që të ketë një përfaqësim sa më të lartë në këshillat vendore".
Durrës, më 28 prill 2011
Nën një atmosferë festive dhe entuziaste, dega e partisë "Lëvizja e Legalitetit"- Durrës organizoi në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu"një takim elektoral.
Takimin e hapi kryetari i degës së PLL Durrës z. Hysen Myshketa. Në emër të kandidatëve për kryetarë të njësive vendore foli Ferdinand Xhaferaj, i cili ndër të tjera falënderoi strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e PLL-së për mbështetjen e plotë që po i japin ato për fitoren e bashkisë Durrës. Ai shtoi se PLL është një nga aleatët më me vlera dhe korrekte të PD-së që në krijimin e saj.
Kryetari i PLL-së Ekrem Spahiu duke folur para qindrave anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë së tij tha se: "Z. Xhaferaj do të fitojë bashkinë e Durrësit me 8 Maj sepse përveç mbështetjes së 22 partive të koalicionit, ai ka edhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Berisha. Platforma e z. Xhaferaj është një platformë konkrete, që garanton zhvillim dhe është plotësisht e realizueshme".
Spahiu e mbylli fjalën e tij duke bërë thirrje për të votuar kandidatin e Aleancës për Qytetarin në maxhoritar dhe partinë "Lëvizja e Legalitetit" për këshillat vendore., sepse PLL i ka potencialet e saj të plota për të përfaqësuar me dinjitet zgjedhësit sipas traditës së saj për t'i shërbyer komunitetit, atdheut dhe kombit". Zyra e shtypit PLL
Në mbështetje të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Partia “Lëvizja e Legalitetit” organizoi një takim elektoral në qytetin e Shkodrës.
Në takim mori pjesë kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahiu, prefekti i qarkut Shkodër Maxhit Cungu, kandidati për kryetar bashkie në Shkodër Lorenc Luka, kandidatë të tjerë për kryetar të njësive vendore, drejtues lokalë të partive aleate, etj”.
Takimin e hapi kryetari i PLL për degën e Shkodrës z. Ferdi Lluja. Në emër të kandidatëve për kryetar të njësive vendore përshëndeti z. Lorenc Luka.
Kryetari i PLL Spahiu tha se partia e tij dhe Shkodra janë në një simbiozë të plotë, për shkak se Shkodra e vlerëson shumë traditën dhe antikomunizmin, vlera këto që janë të lidhura pazgjidhshmërisht me partinë “Lëvizja e Legalitetit”.
Ai shtoi se realizimi i premtimeve nga pushtetarët vendorë dhe kujdesi i veçantë që ka treguar qeveria qendrore për Shkodrën, janë garanci e sigurt për fitoren e kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”. Spahiu theksoi se shumica e kandidatëve që rikandidojnë janë sprovuar edhe në situata shumë të vështira siç ishin përmbytjet e Shkodrës dhe nën-Shkodrës, ku ata spikatën me vlerat e tyre më të mira organizuese dhe menaxhuese për të përballuar me sukses fatkeqësinë natyrore”.
Më tej Spahiu tha se çdo anëtar dhe simpatizant i partisë së Legalitetit e ka të qartë se krahas votimit për listat e këshilltarëve të PLL në të gjitha njësitë vendore, do të votojë edhe në maxhoritar për kandidatët e përbashkët të koalicionit “aleanca për Qytetarin”.
Ndalesa e rradhës e kryetarit të PLL Ekrem Spahiu ishte qyteti i Krumës, ku në një atmosferë entuziaste u zhvillua një takim elektoral që shprehtr sigurinë në fitoren e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Takimin e hapi kryetari i PLL-së të degës Has z. Bajram Muja. Në emër të partive aleate përshëndeti kryetari i partisë Demokratike të degës Has z. Elez Maçi, - njëkohësisht prefekt i qarkut Kukës. Ndërsa në emër të kandidatëve për kryetar të njësive vendore foli z. Bardhyl Peka.
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu, pasi evidentoi vlerat patriotike të trevës së Hasit, tha se ndodhej mes hasjanëve jo vetëm për të bërë thirrje për të votuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe partinë “Lëvizja e Legalitetit” për këshillat vendore. Ai shtoi se PLL e kërkon votën e çdo patrioti për tu bërë një zë i fuqishëm në politikën shqiptare, sepse PLL është një parti nacionaliste që kërkon me gojën plot bashkimin kombëtar, thënë më troç, bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm.
Burrel, më 25 prill 2011
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu ishte në komunën Rukaj të rrethit Mat për të prezantuar kandidatin e partisë “Lëvizja e Legalitetit” Nevruz Kurtin, i cili konkurron në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Në takimin elektoral kishte një interesim shumë të madh të autoriteteve politike si: deputetët e qarkut Jemin Gjana, Bedri Hoxha dhe Sherefedin Shehu; drejtuesit e partive lokale aleate të koalicionit si dhe personalitete të tjera të ardhura nga Tirana, Dibra, Bulqiza, Mirdita, etj. Te gjithë oratorët i dhanë mbështetje të plotë z. Nevruz Kurti për të fituar më 8 dhe për ta zhvilluar më tej këtë komunë gjatë mandatit të tij.
Kryetari i PLL Spahiu shprehu mirënjohjen e tij për banorëve e komunës Rukaj të cilët duke votuar gjithmonë djathtas dhe kryesisht për PLL dhe PD, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për fitoren e demokracisë duke shprehur më së miri traditën e tyre zogiste dhe anti-komuniste.
Spahiu shtoi se Komuna Rukaj drejtohet prej PLL që nga viti 2003 dhe se gjatë kësaj periudhe pamja e kësaj komune ka ndryshuar. Ai garantoi se aftësitë, ndershmëria dhe përkushtimi i z. Nevruz Kurti do të vihen vetëm ne dispozicion të të gjithë banorëve te komunës Rukaj.
Duke folur për investimet, Spahiu tha se investimi më i madh për zonën gjatë viteve 2011-2015 do të jetë në rrugën Burrel-Mirditë, e cila është hapur në kohën e Mbretit Zog dhe do asfaltohet nga qeveria e kryeministrit Berisha”.
Peshkopi, më 24 prill 2011
Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahiu vazhdon turin e prezantimit të kandidatëve të partisë “Lëvizja e Legalitetit” që konkurojnë në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Takimi i radhës ishte në Muhurr të Dibrës ku ai prezantoi z. Rrahim Lala. Në këtë takim Spahiu shoqërohej nga deputetët e qarkut Dibër Jemin Gjana dhe Sherefedin Shehu, drejtues të partive aleate të koalicionit dhe të pushtetit vendor.
Z. Gjana evidentoi vlerat dhe kontributet e PLL-së si dhe e konsideroi atë si aleaten më kryesore të PD-së në rrugën e përbashkët për zhvillimin e demokracisë dhe të vendit.
Kryetari i PLL Spahiu shprehu kënaqësinë se ndodhej në Muhurr dhe tha se ndjehej mjaft komod për shkak se të gjitha premtimet e bëra para elektoratit në këtë komunë katër vjet më parë, tani, në fund të mandatit të parë të z. Lala, janë kthyer në realitet. Vetëm gjatë mandatit të kaluar në këtë komunë është investuar më shumë se sa është investuar në gjithë vitet 1992-2007 të marra së bashku. Është kjo arsyeja pse ne e kërkojmë votën edhe për një mandat të dytë, sepse jemi të bindur se edhe me mbështetjen e qeverisë Berisha me investime të mëtejshme dhe miradministrimin e tyre nga pushteti vendor, komuna Muhurr nën drejtimin e zotit Lala do të ketë zhvillim të mëtejshme dhe mjaft të rëndësishëm.
Z. Spahiu zhvilloi edhe disa takime të tjera në komunat e rrethit të Dibrës.
Burrel me 23 prill 2011

Ne nje atmosfere entuziaste, Kryetari i PLL Ekrem Spahiu prezantoi kandidatin e kesaj partie Agim Selita, i cili ne emer te koalicionit “Aleanca per Qytetarin” konkurron ne komunen Lis te rrethit Mat.
Pervec anetareve dhe simpatizanteve te PLL, moren pjese edhe: deputetet e qarkut te Dibres Jemin Gjana, Bedri Hoxha dhe Sherefedin Shehu; sekretari i pergjithshem i LSI-se Luan Rama; zv/ministri i integrimit Edmond Hoxha; drejtues lokale te partive aleate te koalicionit, etj. Ne mbeshtetje te z. Selita ishin te pranishem edhe shume kolege te tij, kryetare te njesive vendore te rretheve Mat, Mirdite dhe Diber. Qe te gjithe dhane mbeshtetjen e tyre te plote politike dhe elektorale per z. Selita si nje nga kryetaret me te suksesshem te njesive e vendore te rrethit Mat.
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu tha se Komuna Lis eshte kthyer ne modelin me te mire te drejtimit dhe menaxhimit dhe eshte nje shembull tipik i filozofise qeverisese te mbreteroreve shqiptare. Ky model suksesi qe ka prodhuar rezultate te dukshme ne dobi te komunes Lis, ka nxitur banoret e zones qe te kerkojne rikandidimin e z. Selita per mandatin e katert.
Kandidati Selita siguroi elektoratin dhe drejtuesit e larte te partise se tij dhe koalicionit se do te vazhdoje te punoje me perkushtim dhe ndershmeri ne sherbim te te gjithe banoreve te komunes pavaresisht bindjeve te tyre partiake.
Dibër, më 20 prill 2011
Takimi i radhës për Kryetarin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” ishte në Pallatin e Kulturës Peshkopi, ku të pranishëm, përveç anëtarëve dhe simpatizantëve të Legalitetit, ishin dhe deputetët e qarkut të Dibrës zotërinjtë Jemin Gjana dhe Sherefin Shehu.
Z. Gjana, me cilësinë e kryetarit të grupit të deputetëve të qarkut të Dibrës e konsideroi Partinë Lëvizja e Legalitetit si një parti me vlera dhe kontribute në dobi të vendit dhe demokracisë, si dhe u shpreh se ndjehej krenar për këtë parti aleate, e cila në qarkun e Dibrës ka prej radhëve të saj katër kandidatë në emër të koalicionit.
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu foli për rëndësinë e zgjedhjeve te 8 Majit dhe nga Peshkopia i bëri thirrje elektoratit që njëkohësisht me votat në maxhoritar për kandidatët e Aleancës per Qytetarin, në proporcional të votojë për partinë “Lëvizja e Legalitetit”. Spahiu theksoi rolin e këshillave vendore si organe pluraliste, qeverisëse, kontrolluese dhe balancuese si dhe shtoi se përmes këshilltarëve të saj, ashtu si në të kaluarën, Legaliteti do të ketë mundësinë për të shpalosur një pjesë të vlerave të saj më të mira dhe filozofisë së vet qeverisëse.
Duke folur për partinë e tij, Spahiu tha se PLL është parti e kauzave të mëdha, siç është ajo e Bashkimit Kombëtar. Ai gjithashtu shtoi se Bashkimi Kombëtar nuk është një idealizëm romantik, por një shtysë natyrore e çdo shqiptari për të jetuar të bashkuar në trojet e veta që i ka fal Zoti. Është detyrë e klasës politike në të gjitha viset shqiptare që ta kuptojë në kohë këtë vullnet dhe t’i bashkohet platformës së mirëfilltë të Bashkimit Kombëtar të ideuar nga Mbreti Leka dhe mbështetur nga Legaliteti që prej shumë dekadash dhe pavarësisht nga kostot që janë dashur të paguhen.
Dibër, më 17 prill 2011
Partia “Lëvizja e Legalitetit” vazhdon turin e prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e 8 Majit. Prezantimi i radhës ishte në komunën Lurë të rrethit të Dibrës ku, në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, PLL kandidon me z. Llesh Doçi. Z. Doçi është një nga intelektualët më në zë të kësaj treve. Ai ka mbaruar dy fakultete dhe është duke mbrojtur doktoraturën. Ka botuar disa libra dhe është ndër publicistët më të njohur.
Në takimin prezantues morën pjesë: Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahiu, deputetët e qarkut Dibër zotërinjtë Jemin Gjana, Sherefedin Shehu dhe Selami Xhepa, drejtues të partive aleate, etj.
Kryetari i PLL Spahiu ndër të tjera tha: “Ne sot kemi ardhur në Lurë jo thjesht për të prezantuar kandidatin e PLL-së z. Llesh Doçi që konkuron për kryetar të komunës Lurë në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, por edhe për të dhënë mbështetje të plotë në realizimin e të gjitha premtimeve që z. Doçi paraqiti para jush, duke filluar me infrastrukturën rrugore dhe vazhduar me projektet për vënien në efiçensë të resurseve të Lurës. Këto projekte do ta shndërrojnë Lurën në një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit malor”.
Spahiu vijoi duke thënë se: “Fitorja e z. Doçi do të ishte mangët nëse nuk do të shoqërohej edhe me fitoren në shumicë të këshillit të komunës, ku sigurisht një peshë të rëndësishme do të ketë Partia Lëvizja e Legalitetit.”
Deputetët Gjana, Shehu dhe Xhepa bënë thirrje që kandidatura e z. Doçi të mbështetet masivisht, sepse ai është jo vetëm kandidati i PLL-së, por edhe i gjithë koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Elbasan, me 14 prill 2011
Ditën e djeshme, në sallën e teatrin “Skampa” Elbasan, partia “Lëvizja e Legalitetit” zhvilloi një takim elektoral. Ishin të pranishëm: kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahiu, n/kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ardian Turku, prefekti i Qarkut Elbasan, Shefqet Deliallisi, kryetari i Qarkut Elbasan Blendi Hinçi, kryetari i degës së PD-së dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Luçiano Boçi si dhe personalitete të tjerë.
Takimin e hapi kryetari i PLL-së për degën Elbasan z. Albert Shopi. Në emër të partive aleate të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” përshendeti z. Luçiano.
Kryetari i PLL Spahiu, duke komentuar sloganin e kësaj partie i cili për zgjedhjet vendore të 8 majit është “Tradita po Rilind” tha se: “Ne ndjehemi krenarë se pas 45 viteve diktaturë dhe 20 vitesh tranzicion Tradita po Rilind. Tradita po rilind jo thjesht si një nostalgji ndaj vlerave së të kaluarës, por si një domosdoshmëri dhe kërkesë qytetare për një qeverisje edhe më të mirë. Asnjëherë, si gjatë viteve të diktaturës kur sundonte partia shtet, ashtu edhe gjatë viteve të tranzicionit kur skena dhe lufta politike u polarizua mënyrë të skajshme, partia “Lëvizja e Legalitetit” nuk ka dyshuar se vlerat më të mira, herët apo vonë, do të beheshin kërkesë e elektoratit shqiptar ndaj klasës politike. Përkundrazi, PLL ka qenë gjithë kohën mbrojtje të atyre vlerave dhe sot është këtu për t’i promovuar ato si një alternativë konkrete dhe e besueshme.”
Spahiu beri thirrje që në maxhoritar të votohet për kandidatët për kryetar të njësive vendore të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, ndërsa për këshillat vendore të votohet për partinë “Lëvizja e Legalitetit”.
Peshkopi, me 12 prill 2011
Kryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahiu vazhdoi turin e takimeve në qarkun e Dibrës. Pas takimeve në rrethin e Bulqizës, dje, në Pallatin e Kulturës të Peshkopisë, ai prezantoi kandidatët e PLL-së që konkurojnë në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”: z. Rrahim Lala për komunën Muhërr dhe z. Llesh Doçi për komunën Lurë.
Spahiu në fjalën e tij tha se: “Partia Lëvizja e Legalitetit e sheh pushtetin si instrument në shërbim të komunitetit dhe vendit. Motoja e saj bazohet mbi vizionin e Mbretit Zog I “Atdheu mbi të gjitha”, sepse Ai dhe ne, në gjurmët e Tij, kemi ditur dhe dimë ta duam Shqipërinë”.
Duke folur per kandidatët kryetari i PLL Spahiu tha se: “ Z. Rrahim Lala rikandidon për kryetar të komunës Muhërr, sepse gjatë viteve 2007-2011 në komunën që ai ka drejtuar janë kryer investime në dobi të komunitetit sa janë kryer në gjithë vitet e tjera të marrë së bashku. Fitorja e tij është e sigurt sepse rikandidimin e tij e ka kërkuar vetë elektorati i kësaj komune. Ndërsa z. Llesh Doçi, kandidat i komunës Lurë, është një nga intelektualët më me vlerë të kësaj treve dhe përfaqësuesi më tipik i i saj. Fitorja e tij në Lurë do të thotë fillimi i investimeve për këtë zonë turistike shumë të rëndësishme jo vetëm për Lurën dhe Dibrën por për gjithë Shqipërinë”.
Përveçse kandidimit për kryetar të dy komunave Muhërr dhe Lurë, një vëmëndje të veçantë partia “Lëvizja e Legalitetit” po i kushton edhe këshillave në të gjitha njësitë vendore të rrethit Dibër ku synon që të ketë një përfaqësim më të madh se në zgjedhjet e vitit 2007.
Burrel, më 06 prill 2011
Me rastin e 72-vjetorit të datëlindjes së Mbretit Leka I, Shoqata Kulturore “Ahmet Zogu” dhe ansamble të tjera artistike nga Shqipëria dhe Kosova organizuan në Mat një koncert festiv.
Ishin të pranishëm Lartësia e Tij Princ Leka, Kryetari i PLL Ekrem Spahiu, Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë Shkëlqesia e saj Yvana Enzier, Ambasadori i Hungarisë në Tiranë Shkëlqesia e Tij Sandor Molnari si edhe drejtues të pushtetit vendor dhe personalitete të tjera.
Lartësia e Tij Princ Leka përcolli përshëndetjet e përzemërta të Mbretit Leka I dhe e vlerësoi praninë e ambasadorëve të nderuar si shenjë respekti ndaj Familjes Mbretërore dhe historisë së shtetit shqiptar.
Kryetari i PLL Spahiu tha se festimi i datëlindjes së Mbretit Leka I përkon edhe me hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011, për të cilat besojmë se do të jenë të lira dhe të ndershme. Partia Lëvizja e Legalitetit pretendon seriozisht për këto zgjedhje në të gjithë Shqipërinë dhe aq më tepër në Mat ku është vendlindja e Mbretit Zogu I”.
Më tej Spahiu theksoi se “Legaliteti ka të drejtën e plotë që t’i kërkojë me gojën plot votën elektoratit shqiptar, sepse PLL është partia e vetme që në historinë e saj 87 vjeçare nuk ka asnjë njollë. Përkundrazi, historia e saj ka qenë një histori përpjekjesh dhe sakrificash të vazhdueshme në dobi të vendit dhe kombit shqiptar”.
Me rastin e datëlindjes së Mbretit Leka I janë zhvilluar shumë aktivitete në rrethe të ndryshme të vendit.
Tiranë, më 5 shkurt 2011
Në funksion të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 8 majit, Kryesia e PLL zhvillon sot këtë mbledhje të përbashkët me kryetaret e degëve të saj në rrethe.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” mendon se zgjedhjet e 8 majit duhet të jenë në agjendën e ditës së të gjitha forcave politike. Ndërkohë që kanë mbetur vetëm 3 muaj, Partia Socialiste po përpiqet me të gjitha mënyrat për sabotimin e tyre, veprim ky që është kundërvënie e hapur ndaj ligjit dhe interesave të qytetarëve anembanë vendit, të cilët presin ushtrimin e vullnetit të tyre për freskimin e organeve të qeverisjes vendore.
Përmes politikës së konfliktit dhe dhunës, PS po cenon sigurinë dhe jetën e qytetarëve. Po dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit i cili pas anëtarësimit në NATO dhe heqjes së regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë arriti majat më të larta. Partia Socialiste bën krim politik në rast se mendon dhe vepron sikur Shqipëria të ishte në vitin 1924, në vitin 1945 apo në 1997.
PS gabon nëse mendon se Shqipëria është në Afrikë. Vallë, a është rastësi që Dick Marty, Nicholas Gage dhe PS po i kundërvihen në të njëjtën kohë Shqipërisë dhe kombit shqiptar?
Krahas ndjekjes me vëmendje të plotë të situatës politike, PLL po punon seriozisht për zgjedhjet vendore të 8 majit. Objektiv i saj kryesor në këto zgjedhje është prezantimi para elektoratit me ndershmëri, zgjidhje konkrete sipas problematikave vendore, promovimi i kandidatëve me profil të lartë moral dhe profesional.
Krahas këtij objektivi kryesor, PLL do të synojë që të ruajë dhe zgjerojë profilin e vet politik, të rifitojë drejtimin e njësive vendore që aktualisht drejtohen prej saj, si dhe të përfaqësohet me këshilltarë në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit.
Në funksion të këtyre qëllimeve, Partia “Lëvizja e Legalitetit” është në përfundim të fazës së identifikimit të kandidaturave që do të paraqiten në zgjedhjet e 8 majit si dhe të hartimit të strategjisë së saj, që do të mundësojë materializimin e objektivave të sipërpërmendura.
Tiranë, më 5 shkurt 2011
Partia “Lëvizja e Legalitetit” dënon me forcë deklarimet e konsullit grek në Korçë dhe i konsideron ato një provokim të hapur ndaj shtetit dhe kombit shqiptar. Duke kërkuar regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnie apo fetare, si dhe duke deklaruar se Korça është VorioEpir, konsulli grek jo vetëm që del nga korniza e sjelljes diplomatike, por ndërhyn haptazi në punët e brendshme të shtetit shqiptar.
Këto deklarime shoviniste të një diplomati të lartë tregojnë qartë se politika zyrtare e shtetit grek është e njësuar me politikën e qarqeve më të egra shoviniste dhe antishqiptare që veprojnë në atë vend prej më shumë se një shekulli.
Në deklarimet e konsullit grek ndihet padurim, sepse heqja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë është një mundësi më pak për inflacionin e pasaportave greke.
Në deklarimet e konsullit grek ka mosmirënjohje për shtetin shqiptar, i cili po mban një qëndrim dashamirës ndaj shtetit grek dhe po blen eurobono, ndërkohë që i ka të gjitha mundësitë për të blerë bono prej emigrantëve shqiptarë, të cilët me kursimet e tyre po sigurojnë mbijetesën e bankave greke.
Deklarimet e konsullit grek janë një vazhdimësi e patolerueshme e uzurpimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e ligjit të luftës që është ende në fuqi, e mohimit të Çështjes Çame, e dhunimit të varrezave shqiptare, e ndryshimit të dhunshëm të emrave dhe përkatësisë fetare të emigrantëve shqiptarë, si dhe e politikave helenizuese që ushtrohen në mënyrë konstante në jug të Shqipërisë.
Duke shprehur qëndrimin e pandryshuar në mbrojtje të çdo interesi kombëtar, Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon prej autoriteteve shtetërore që të marrin masat e nevojshme për moslejimin dhe dënimin e çdo veprimtarie apo organizate shoviniste brenda territorit të Shqipërisë.
