Arkiva e vitit 2010

Tiranë, më 17 janar 2010
Deklarate e PLL

Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ndoqi dhe e ndjek me shqetësim situatën e rëndë që u krijua rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës nga shkaqet natyrore.  Përkundrejt vështirësive të mëdha që u krijuan në një territor të gjerë, u vu re një angazhim dhe përkushtim maksimal i të gjitha strukturave qeverisëse për të përballuar dhe tejkaluar këtë situatë.

PLL, si pjesë e koalicionit qeverisës, falënderon qeverinë shqiptare dhe në veçanti Komitetin Ndërministror të Emergjencave të drejtuar nga ministri Lulzim Basha, të cilët me përkushtim patriotik dhe profesionalizëm të lartë përballuan këtë prag katastrofe. Njëkohësisht PLL falënderon të gjitha vendet mike, bizneset shqiptare dhe qytetarët e thjeshtë për solidaritetin njerëzor dhe kontributet materiale që ato dhanë në ndihmë të familjeve të përmbytura. Në këtë situatë të vështirë, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PLL u angazhuan sinqerisht dhe seriozisht, por si gjithmonë në heshtje dhe pa bujë.

Në kontrast me sensibilitetin dhe angazhimin mbarëshqiptar për tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar në rrethin e Shkodrës, bie në sy qëndrimi i turpshëm i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët të urdhëruar nga Kryetari i tyre i cili është edhe Kryetar i Bashkisë, kundërshtuan akordimin e një fondi ndihme të Bashkisë së Tiranës për familjet e përmbytura ne veri te vendit. Qëndrimi i këshilltarëve të PS është vazhdim i politikës vetpërjashtuese të kësaj partie, e cila përkundrejt detyrimit për të marrë pjesë dhe dhënë kontributin si opozitë në shpalosjen e alternativave apo proceset integruese te vendit, ka zgjedhur rrugën e refuzimit dhe bojkotit ndaj institucioneve, veprim i cili po e zhvlerëson përditë e më shumë në sytë e shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar.

 

 

Kthehu në fillim të faqes >>>

Shkarko Arkiven e vitit 2010 >>>