Arkiva e vitit 2008

Tiranë, më 24 dhjetor 2008
Deklaratë për mediat

Sot është 24 dhjetor, datë e shënuar në historinë e Shqipërisë dhe Legalitetit, sepse më 24 dhjetor të vitit 1924, plot 84 vjet më parë,  ju dha fund paligjshmërisë, depërtimit dhe instalimit të ideologjisë komuniste, mungesës së qeverisjes, mungesës së stabilitetit dhe turbullirave të tjera që u shkaktuan nga Grushti i shtetit i Qershorit 1924 dhe filloi  një etape e re në historinë e shtetit shqiptar, i cili nën drejtimin e Ahmet Zogut, nisi rrugën e emancipimit shoqëror, zhvillimit ekonomik dhe orientimit drejt qytetërimit perëndimor.

Në vigjilje të kësaj date Partia "Lëvizja e Legalitetit" zhvilloi mbledhjen e saj të Këshillit Kombëtar  e cila rikonfirmoi edhe një herë angazhimin tonë në rrugën e traditës më të mirë dhe vazhdueshmërisë në të njëjtat parime të ligjshmërisë, respektimit dhe zhvillimit të vlerave kombëtare, orientimit Euro-Atlantik, shtet-formimit dhe qeverisjes efikase.

Me një përbërje cilësore dhe pjekuri politike më të mirë se asnjë herë tjetër, Këshilli Kombëtar i PLL analizoi në mënyrë të plotë situatën politike në vend, bëri vlerësimet përkatëse dhe  caktoi detyra konkrete për të ardhmen. Tani aktiviteti politik i PLL ka kaluar në një stad të ri, stadin e përgatitjeve intensive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke e konsideruar si të suksesshme qeverisjen e vendit nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe si shumë të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" me Partinë Demokratike, Këshilli Kombëtar u shpreh për nevojën e një vazhdueshmërie të përbashkët në realizimin e programit qeverisës dhe fitoren e një mandati të ri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" përshëndet miratimin e ligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", ndonëse sipas pikëpamjes tonë ai është i butë dhe i vonuar.

Për t'ju përshtatur sa më mirë aktivitetit politiko-organizativ të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe veçorive që imponon sistemi elektoral dhe kodi i ri zgjedhor, Këshilli Kombëtar i PLL vendosi të zgjerojë me tre Sekretarë të rinj Sekretariatin e PLL, përkatësisht me zotërinjtë Besnik Murati, Enis Dizdari dhe Gazmend Lita.

Sekretariati i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" tashmë përbëhet si më poshtë:

Artan Tujani, sekretar i përgjithshëm
Sulejman Gjana, sekretar politik
Besnik Murati, sekretar organizativ
Neritan Kolgjini, sekretar i marrëdhënieve me publikun
Enis Dizdari, sekretar për çështjet e pushtetin vendor
Gazmend Lita, sekretar për marrëdhëniet me jashtë

Gjithashtu në Këshillin Kombëtar u caktuan 12 përfaqësues të lartë të partisë, nga një për çdo qark, të cilët do të drejtojnë organizimin dhe gjithë përgatitjet për fushatën dhe procesin e ardhshëm zgjedhor në nivel qarku.

 

21 dhjetor 2008
Sot paradite ne nje nga sallat e Hotel Tirana International zhvilloi punimet Keshilli Kombetar i PLL.
Me poshte po ju percjellim Rezoluten e Keshillit Kombetar te PLL, Fjalen e Kryetarit te PLL Ekrem Spahiu si dhe fjalen e Kryetarit te Keshillit Kombetar Nebi Ganellari

Zyra e shtypit e PLL
____________________________________________________________________________________
REZOLUTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË " LËVIZJA E LEGALITETIT"
 
Sot, më 21 dhjetor 2008 zhvilloi punimet mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" e cila analizoi situatën politike ne vend, punën e strukturave drejtuese te PLL në periudhën midis dy mbledhjeve si dhe caktoi detyra te rëndësishme për veprimtarinë e Partisë në të ardhmen.

Këshilli Kombëtar i PLL vlerësoi punën e Komitetit Drejtues dhe Kryesisë së Partisë të cilat bazuar në programin dhe statutitn e PLL, gjatë periudhës në analizë kanë zhvilluar një veprimtari intensive në qendër dhe në bazë, që ka gjallëruar jetën politiko-organizative të partisë dhe ka shpalosur Programin e PLL si një parti mbretërore, me profil të lartë nacionalist, antikomunist, mbrojtëse dhe garantuese e ligjshmërisë, mbrojtëse e të drejtave të burgosurve dhe përndjekurve politik, pronarëve, vlerave të traditës dhe parimeve të konservatorizmit.

Këshilli Kombëtar i PLL shprehu nderim të veçantë për kontributin që themeluesit e Legalitetit kanë dhënë në dekada për ndërtimin e shtetit shqiptar dhe e konsideroi 24 dhjetorin e vitit 1924 si një pikë kthese që rivendosi ligjshmërinë,  i dha fund përpjekjeve për bolshevizimin e vendit dhe e radhiti Shqipërinë përkrah kombeve perëndimore.

Këshilli Kombëtar i PLL, në përputhje me statutin e PLL, miratoi një plan të detajuar, që imponuar nga kodi i ri zgjedhor, do t'i përshtatë strukturat lokale në nivel qarku si dhe shprehu optimizmin se pavarësisht vështirësive që burojnë prej Kodit te ri, në zgjedhjet e ardhshme Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të sigurojë përfaqësim parlamentar.

Këshilli Kombëtar i PLL vlerësoi frymën e bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Partisë "Lëvizja e Legalitetit", Partisë Demokratike dhe aleateve të koalicionit qeveritar dhe shprehu nevojën e vazhdueshmërisë së përbashkët në realizimin e programit qeverisës dhe reformave të nisura si dhe sigurimin të një mandati të ri qeverisës në zgjedhjet e ardhshme. PLL shpreh angazhimin e saj të plotë për të kontribuar maksimalisht në këtë fitore.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" e konsideroi si të suksesshme punën e qeverisë  Berisha, vlerësoi reformat e kryera prej maxhorancës dhe veçanërisht investimet e mëdha ne infrastrukture, luftën kundër korrupsionit, informalitetit dhe përpjekjet për reformimin e sistemit të drejtësisë. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një arritje kulmore dhe historike. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një investim madhor, me rëndësi gjeostrategjike, ekonomike e  politike, tregues  i një përpjekjeje me prirje kombëtare. Ndërsa sulmi i opozitës ndaj qeverisë për këtë investim është një vazhdim i politikes së vjetër antikombëtare.

Këshilli Kombëtar i PLL  kërkon dëmshpërblim sa me të shpejtë  për ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politik. Prona mbetet ende një realitet i pa zgjidhur që duhet rregulluar mbi bazën e sistemit të së drejtës, shenjtërisë së saj dhe pa krijuar probleme sociale.

Këshilli Kombëtar  i PLL është në favor të ligjit  "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të të zgjedhurve" dhe hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve  të ish- sigurimit të shtetit dhe e konsideron këtë një reflektim të vonuar ndaj kërkesë mbarëshoqërore për pastrim dhe rezolutës së Asamblesë të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit.

Këshilli Kombëtar i PLL shprehu shqetësimin së dënimi i krimeve të komunizmit nuk mund të kryhet me masa gjysmake që anashkalojnë përgjegjësinë penale të ideatorëve dhe autorëve të gjenocidit komunist.

Këshilli Kombëtar i PLL  vlerëson  vendosjen dhe shtrirjen e misionit EULEX në gjithë territorin e Kosovës se pavarur, dhe e konsideron  sovranitetin dhe integritetin e Kosovës të paprekshëm.
Këshilli Kombëtar i PLL dënoi ashpër veprimtarinë antikombëtare dhe antikushtetuese të organizatës OMONIA dhe kërkoi rishikimin e statusit të asaj organizate dhe nxjerrjen para ligjit të personave përgjegjës.

Këshilli Kombëtar i PLL falënderoi Familjen Mbretërore Shqiptare për përshëndetjen dërguar këtij organi, për besimin dhe mbështetjen e tyre të deklaruar për Partinë "Lëvizja e Legalitetit" dhe e garantoi Atë për vendosmërinë tonë në zbatimin e programit të PLL.

Këshilli Kombëtar i PLL miratoi disa ndryshime në Sekretariatin e Partisë ku z. Sulejman Gjana la detyrën e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe mori detyrën e Sekretarit politik, z. Besnik Murati u zgjodh Sekretar Organizativ, z. Gazmend Lita u zgjodh Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë dhe z. Enis Dizdari u zgjodh Sekretar për Pushtetin Vendor.
Tiranë, më 21 dhjetor 2008

 ***
Tiranë, më 21 dhjetor 2008
FJALA E KRYETARIT TE PLL EKREM SPAHIU NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR

I nderuar z. Ganellari, Kryetari Këshillit Kombëtar të PLL
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar

Ne, jo rastësisht po e zhvillojmë mbledhjen e radhës të Këshillit tonë Kombëtar në prag të datës 24 dhjetor, ditë  rëndësishme jo vetëm për ne legalistët, por edhe për gjithë popullin shqiptar, sepse, pikërisht më 24 dhjetor të vitit 1924 ju dha fund paligjshmërisë,  mungesës së qeverisjes, mungesës së stabilitetit dhe turbullirave të tjera të shkaktuara nga Revolucioni Bolshevik i Qershorit. Data 24 dhjetor 1924 shënon një pikë kthese në historinë tonë kombëtare, sepse vetëm pas kësaj date mund të flasim për formim të shtetit modern shqiptar sipas parametrave më të përparuar të kohës, krijimin e institucioneve, daljen nga anarkia dhe futjen e vendit në rrugën e përparimit ekonomik, zhvillimit kulturor dhe emancipimit shoqëror sipas vizioneve të qarta dhe perëndimore.

Në të njëjtën kohë, Triumfi i Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924 shmangu një tentativë të rrezikshme që synonte të infiltronte ideologjinë komuniste në themelet e shtetit të ri shqiptar dhe psikologjinë e kombit, që po të kishte ngjarë, do të ishte me pasoja serioze edhe në kohën e sotme.

Në rast se në ditët e sotme flasim për një përkatësi europiane të Shqipërisë dhe një orientim perëndimor të qytetarëve të saj, kjo nuk ndodh as për arsye gjeografike dhe as për arsye gjenetike. Arsyeja e vërtetë qëndron në faktin e vetëm dhe ndoshta unik në historinë tonë kombëtare, se vetëm gjatë viteve 1924-1939, Shqipëria, me vullnet të qartë dhe në mënyrë të programuar hodhi hapin e madh të shkëputjes nga Lindja dhe bashkimit real me kombet e përparuara, duke e shndërruar veten brenda një kohe të shkurtër në një shtet të vërtetë sipas kuptimit të plotë të kësaj fjale, e që mund të krahasohej me dinjitet me çdo vend tjetër evropian.

Të gjitha këto zhvillime të rëndësishme kanë pasur si arkitekt dorën e Ahmet Zogut, fillimisht si ministër, për të vazhduar kryeministër, më tej president, e nga 1 shtatori 1928 Mbret i Shqiptarëve, i cili me largpamësi politike, aftësi drejtuese të pashoqe dhe vullnet të hekurt, diti të kthejë drejt përparimit rrjedhën historike të vendit të tij dhe vuri vulën e lavdisë në atë periudhë të ndritur.

Si pasardhës të atyre shtetarëve që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar dhe e orientuan atë drejt zhvillimit perëndimor, ne kemi arsye të plotë që ta kujtojmë 24 dhjetorin e vitit 1924 me ndjenjë krenarie. Por kjo është arsyeja më e vogël. Sepse ne, si Legalitet, vazhdojmë të kemi vizione të qarta, aftësi qeverisëse dhe shtet-ndërtuese, që fatkeqësisht gjatë këtyre viteve të pluralizmit nuk na është dhënë mundësia që t'i sendërtojmë në praktikë.

Rrjedha normale e zhvillimit që kishte shteti shqiptar gjatë viteve 1924-1939 fatkeqësisht u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët i kujtojnë me shumë nostalgji  vitet 24-39 si një periudhë të artë të shtetit shqiptar sa edhe sot mbas 70 vjetësh nuk i kemi arritur ato parametra të asj kohe në disa çështje të rëndësishme për një shtet.

Sistemi komunist që u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, e që ishte regjimi me antikombëtar dhe mizor i kohës, shpalli ndaj shtresës tonë një luftë të egër dhe të përgjakshme që u shoqërua me 6.027 të ekzekutuar, 34.135 të burgosur dhe 59.009 të internuar.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" që së bashku me Ballin Kombëtar kanë  qenë të masakruara nga diktatura komuniste, ka qenë, është dhe do të jetë në mbështetje të plotë të ligjeve që kanë të bëjnë me dënimin e krimeve të komunizmit. Grupi parlamentarë i PLL në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë ishte nismëtar i  projektligjit "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", që fatkeqësisht nuk u miratua sepse maxhorancën e kishte PS, trashëguesja e PKSH dhe PPSH që është autore e gjenocid te ushtruar ndaj popullit shqiptarë.

Ne i japim mbështetjen tonë të plotë maxhorancës aktuale që ta kalojë sa më shpejt këtë projektligj, pa pritur konsensusin e opozitës. Sepse opozita nuk do ta japë kurrë konsensusin e saj, pasi ajo nuk mund të shkëputet nga e kaluara e saj kriminale. Sidoqoftë, këtë projektligj ne e konsiderojmë një reflektim të pjesshëm dhe të vonuar ndaj nevojës për rivendosjen e drejtësisë, kërkesës mbarëshoqërore për pastrim dhe rezolutës së Asamblesë të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" brenda saj e ka zgjidhur që në momentin e parë kur OKLL u atashua në atdhe, sepse në nenin 11 të Statutit tonë shprehet qartë se:

"Nuk pranohen në radhët e Partisë "Lëvizja e Legalitetit": Ish-anëtarët e nomenklaturës së lartë të regjimit komunist, ish-anëtarët e Partisë Komuniste, ish-anëtarët e Partisë së Punës së Shqipërisë, ish-anëtarët e Partisë Socialiste, ish punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët e tyre."

Por ne shprehim shqetësimin, se në rangun e mbarë shoqërisë shqiptare, dënimi i krimeve të komunizmit nuk mund të kryhet me masa gjysmake, që anashkalojnë përgjegjësinë penale të ideatorëve dhe autorëve të gjenocidit komunist dhe që nuk shpaguajnë në mënyrë të plotë dëmin që i është shkaktuar viktimave.

Sipas pikëpamjes tonë, dënimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri duhet të jetë shumëplanësh dhe duhet të fillojë me zbatimin e plotë të rezolutave përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Kuvendit të Shqipërisë, për të vazhduar me dëmshpërblimin e shpejtë dhe të plotë të ish të burgosurve dhe përndjekurve politikë.

Paralelisht me këto, për shkak të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar për 45 vjet,  duhet dënuar vepra dhe hequr të gjitha titujt që diktatori Hoxha i dha vetes. Duhen pastruar ambientet dhe hapësirat publike nga simbolet e komunizmit. Duhen pastruar tekstet shkollore nga glorifikimet e personazheve dhe ngjarjeve komuniste.është i domosdoshëm ngritja e një Instituti të posaçëm për hetimin dhe dokumentimin e krimeve komuniste në Shqipëri, të cilit, krahas të gjitha lehtësive duhet t'i sigurohet edhe e drejta për ngritjen e padive penale ndaj autorëve të atyre krimeve.

Të gjithë të pushkatuarit politikë me gjyq dhe pa gjyq duhet të shpallen dëshmorë të atdheut, sepse u vranë për liri dhe demokraci. Eshtrat e tyre duhet të gjenden dhe të prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në kujtim të tyre dhe gjithë viktimave të sistemit komunist duhet që në kryeqytet te ngrihet edhe një memorial madhështor.

Në raport me gjenocidin që është ushtruar mbi shtresën tonë këta janë kërkesa minimale. Ne ndjehemi krenarë sepse nuk kemi kërkuar hakmarrje, por vetëm vendosjen e drejtësisë, drejtësi  që do të siguronte paqen sociale dhe shkëputjen  në mënyrë përfundimtare të fijeve që mbajnë të lidhur një pjesë të shoqërisë me të kaluarën diktatoriale.

Zonja dhe zotërinj
Partia jonë është një parti me program të gjerë politik dhe rregulla të qarta organizative. Gjatë kësaj periudhe ne kemi qenë aktiv në gjithë zhvillimet politike dhe kemi shprehur  qëndrimin e PLL për çështjen kombëtare, reformat në përgjithësi por në mënyrë të veçantë në reformën zgjedhore dhe atë të drejtësisë. Gjithashtu zëri ynë ka qenë i pranishëm në çdo problem të karakterit politik, ekonomik dhe social.

Sipas statutit tonë kemi zhvilluar konferencat e degëve të PLL në rrethe, ku në disa prej tyre kemi konstatuar me kënaqësi rritjen e nivelit të pjesëmarrjes, të debatit, shpalosjes së alternativave dhe konkurrencës brenda strukturave tona. Në mbledhjen e sotme janë të pranishëm edhe kryetarët e rinj të dalë nga konferencat e fundit, të cilët gjej rastin që t'i falënderoj për dinamizmin dhe risitë që kanë sjellë në Legalitet.

Nevojës që ka Legaliteti për bashkimin e gjitha fuqive, por edhe bindjes së tyre të brendshme për të kontribuar për PLL dhe vendin, i janë përgjigjur disa nga eksponentët tanë të Diasportës, si zotërinjtë Sulejman Gjanaj, Xhafer Elezi, Gazmend Lita dhe Arjan Kurti, të cilët, vetëm për shkak të angazhimit të tyre në PLL, janë rikthyer në Atdhe për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatën zgjedhore të 2009. Shumë të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për t'u rikthyer dhe pritet që të vijnë gjatë javëve në vazhdim. Në të njëjtën kohë, Partia "Lëvizja e Legalitetit" vazhdon të mbetet e hapur për çdo person që e gjen veten afër programit tonë.
Pavarësisht mungesës së mjeteve financiare, Kryesia e partisë nuk i ka ndërprerë asnjëherë takimet dhe komunikimet me anëtarët e simpatizantët tanë në mbarë vendin si dhe ka marrë pjesë në përkujtimin e ngjarjeve historike me karakter kombëtar që janë zhvilluar në Qafë-Botë, Postribë, Devoll, Dibër, Mat, Kukës, Spaç, Tropojë, etj.

Për herë të parë, si kontribut i drejtpërdrejtë i PLL,  më 1 shtator u organizua prej institucioneve të shtetit shqiptar Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë "Monarkia shqiptare 1928-1939",  ku referuan 21 profesorë të historisë, vendas dhe të huaj të ardhur nga SHBA, Anglia, Franca dhe Italia.

PLL po jep kontributin e saj modest në qeverisjen e vendit për realizimin e objektivave dhe programit qeverisës. Këshilltarët tanë në mbarë vendin po punojnë me ndershmëri në dobi të komunitetit dhe janë kthyer në një shembull të mirë të mbrojtjes së parimeve tona, por edhe të bashkëpunimit me këshilltarët e djathtë, gjë që nuk ka kaluar pa u vënë re.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" e konsideron shumë të suksesshme qeverinë  Berisha dhe vlerëson reformat e kryera prej kësaj maxhorance. Investimet e mëdha ne infrastrukture, lufta kundër korrupsionit dhe informalitetit, përpjekjet për reformimin e sistemit të drejtësisë kanë treguar vullnet të qartë politik dhe diferencë të dukshme nga qeverisjet e mëparshme.  Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një arritje kulmore dhe historike. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një investim madhor, me rëndësi shumëplanëshe dhe tregues  i një përpjekjeje me prirje kombëtare. Ndërsa sulmi i opozitës ndaj qeverisë për këtë investim është një vazhdim i politikes së vjetër antikombëtare.

Ne vlerësojmë si shumë të mirë nivelin e bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Partisë "Lëvizja e Legalitetit" dhe Partisë Demokratike si kryesuesja e koalicionit qeverisës dhe shprehim nevojën për vazhdueshmëri të përbashkët në realizimin e programit të shpallur, përfundimin e  reformave të nisura dhe marrjen e një mandati të ri qeverisës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ashtu si gjithmonë, konsekuente në detyrimet e veta programore, PLL vazhdon të këmbëngulë për një dëmshpërblim të shpejtë dhe të plotë për ish të burgosurit dhe përndjekurit politikë. Realiteti i pazgjidhur që ekziston në sistemin e pronësisë nuk duhet lënë që të përkeqësohet, por duhet zgjidhur shpejt duke respektuar shenjtërinë e pronës dhe pa krijuar konflikte sociale.

Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar
Me vendimet që do të marrim dhe detyrat që do të caktojmë sot, ne hyjmë në një fazë të re, atë të përgatitjeve intensive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke u nisur nga sistemi elektoral propocinal-rajonal i sanksionuar në kushtetutë dhe nga kodi i ri zgjedhor, në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar, ne, në përputhje me statutin e PLL, do të miratojmë plotësimin e sekretariatit të partisë, për ta bërë këtë strukturë sa më efiçente ne punën tonë në qendër, por edhe për t'i  ardhur në ndihmë strukturave lokale në nivel qarku.

Ne shprehim bindjen e plotë se me punë intensive, kontribut të gjithsecilit dhe mbështetjen e gjithë faktorëve pranë PLL, pavarësisht vështirësive të imponuara prej Kodit te ri zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të sigurojë një përfaqësim parlamentar.

Rroftë Partia "Lëvizja e Legalitetit"
Rroftë Mbreti Leka I
Rroftë Kombi shqiptar

***
21 dhjetor 2008
FJALA  E MBAJTUR NE KESHILLIN KOMBETAR TE PLL
(Nebi Ganellari – Kryetar i Keshillit Kombetar te PLL)

Te nderuar zonja dhe zoterinj ! Te nderuar anetrare te Keshillit Kombetar e perfaqesues te medias! Ju urojme mireseardhjen dhe ju falenderojme per pjesmarrjen ne mbledhjen e Keshillit Kombetar te PLL.
Eshte ne nderin dhe detyrimin tone te kujtojme me respekt te thelle anetarin e Keshillit Kombetar Z.Zinih Dervishi dhe te gjithe legalistet veterane qe jane ndare nga jeta gjate kesaj pereiudhe.Per te nderuar kujtimin e tyre ju ftoj te mbajme nje minute heshtje!

Te nderuar anetare te Keshillit Kombetar!
Ne kete takim do te bejme nje analize te veprimtarise politike te PLL dhe te gjithe strukturave te saj nga mbledhja e fundit e Keshillit Kombetar.

Gjate kesaj periudhe vleresojme punen e Kryesise se PLL per riorganizimin e strukturava te PLL ne qender dhe ne baze e zhvillimin e konferencave te degeve ne rrethe, tregues ky i nje partie me struktura reale, me identitet politik si nje parti monarkiste, me profil te larte nacionalist, antikomunist, mbrojtese dhe garantuese e ligjshmerise, mbrojtese e te drejtave te ish-te burgosurve dhe te perndjekurve politike, pronareve, vlerave te tradites, familjes dhe moralit te shendoshe.

Nje aktivitet mjaft i rendesishem i zhvilluar nga PLL gjate kesaj periudhe, ishte simpoziumi per 80 vjetorin e Monarkise Shqiptare, nje aktivitet mjaft cilesor, qe per te paren here u organizua me mbeshtetjen e qeverise. Vleresojme punen e bere nga kryetari i Partise  Z. Eqerem Spahia si zevendes Minister i Kultures Rinise dhe Sporteve per organizimin e ketij aktiviteti, i cili evidentoi  shkencerisht vlerat reale te nje periudhe mjaft te rendesishme te historise te shtetit shqiptar.

Vleresojme kontributin dhe sakrificat e vazhdueshme te te gjithe anetareve dhe simpatizanteve te  Legalitetit dhe, duke shprehur falenderimet perkatese rikonfirmojme frymen qe egziston prej kohesh ne Legalitet per hapje, unifikim dhe bashkim ne PLL te te gjithe faktoreve me te cilet ndajme pikpamje te njejta.
Gjate kesaj periudhe PLL ka bashkepunuar me PD dhe aleatet e saj  duke dhene kontributin e saj  modest ne qeverisje qendrore dhe lokale.

PLL konsideron arritjet e qeverisjes Berisha si te sukseshme  ne kryerjen e reformave, investimeve te medha, luftes kunder korrupsionit, politiken sociale, integrimin etj.

Marrjen e fteses per ne NATO dhe nenshkrimin e Marrveshje se Asocim Stabilizimit (MSA) legaliteti e konsideron nje arritje kulmore te qeverisjes per integrimin Euro - Atllantik dhe moment historik per gjithe shqiptaret.

PLL vlereson rrugen Durres –Kukes, nje investim madheshtor, me rendesi gjeostrategjike , ekonomike e  politike, tregues  i nje programi me prirje kombetare  te qeverise. Sulmin e opozites ndaj qeverise per kete investim e konsideron si nje vazhdim i politikes antikombetare ne fushen e investimeve ne tete vitet qeverisjes se majte.

Vleresojme qendrimin e PD  per ish- te perndjekurit politik, integrimin dhe demshperblimin e tyre, por do te konsideronim te pa justifikueshme  tejzgjatjen dhe  zvarritjet burrokratike ne realizimin dhe konkretizimin e tij.

Gjithashtu shprehim rezerva edhe per qendrimin ndaj prones dhe ndaj pronareve legjitim e cila mendojme se per nje qeverisje te djathte duhet te jete primare ne kuadrin e zgjidhjes se drejte e optimale te problemeve te nderlikuara  te pronesise. Qeveria Berisha per disa probleme ka ndjekur rrugen e konsensusit. Mendojme se konsensusi me  i domosdoshem eshte ai per zgjidhjen e drejte dhe definitive te prones, mjaft i rendesishen per funksionimin e shtetit demokratik dhe integrimit europian.

PLL  ka mbeshtetur  ligjin e hapjes se dosjeve per ish-bashkepunetoret e sigurimit te shtetit, si domozdoshmeri e reflektim ndaj Rezolutes se Asamblese te Keshillit te Europese per denimin e krimeve te komunizmit, e konsideron ate te vonuar dhe njekohesisht jo te plote. Kerkojme te denohen se pari ideatoret e autoret  e krimeve dhe genocidit komunist, pastaj bashkepunetoret e tyre.

Te nderuar anetare te Keshillit Kombetar!
Gjate kesaj periudhe kane ndodhur ngjarje mjaft te rendesishme per Kombin Shqiptar. Kosova tashme eshte shtet i pavarur, realizim i nje endre nje shekullore, kurorezim  sakrificave te panumurta, luftes dhe gjakut te derdhur per liri e pavarsi. PLL  vlereson  vendosjen dhe shtrirjren e misionit EULEX ne gjithe teritorin e Kosoves se pavarur, dhe e konsideron  sovranitetin dhe integritetine saj te paprekshem.

PLL  Kerkon ngritjen e ceshtjes Came ne parlament dhe nderkombetarizimin e saj, e konsideron te pa justifikueshme heshtjen si dhe te pa pranueshme  nenshtrimin ndaj politikes Greke. Ne kerkojme zgjidhjen e ketij problemi mbeshtetur ne te drejten nderkombetare.

PLL denon ashper veprimtarine antikombetare dhe antikushtetuese te organizates OMONIA, i konsideron ate si nje provokacion i frymezuar nga qarqet extremiste e shoviniste greke. Kerkojme nderhyrjen e qeverise per verifikimin e statusit e veprimtarise se te kesaj organizate, si dhe nxjerrjen para ligjit te personave pergjegjes.

Per te ardhmen, nga Kryesia e partise , nga te gjithe strukturat e PLL, kerkohet nje angazhim dhe pergjegjesi ne drejtim te rritjes cilesore dhe sasiore te saj,  te afrimit te elementeve te rinj, intelektualeve ne te gjithe strukturat e saj per pergatitjen ne zgjedhjet e ardhshme ku PLL duhet te perfaqesohet ne Parlament dhe te jete pjese e pushtetit te se djathtes.

Te nderuar anetare te Keshillit Kombater!
PLL nuk eshte nje parti e krijuar artificialisht mbi baze konjukturash apo interesash pragmatiste, por nje parti e krijuar ne momentet me te rendesishme te historise politike  te Shqiperise, qe trashegon e mbart ne vetvete vlera te pa diskutueshme, parti e ngritur mbi baza te idealit kombetar, aftesise qeverisese e shtetformuese, parti e ngritur mbi baza te nacionalizmit modern, te kultivuar nga arkitekti i shtetit ligjor e modern shqiptar Mbretit Zog I.

PLL dhe legalistet shqiptare kane kaluar mjaft momente te veshtira, jane perpjekur dhe sakrifikuar ne emer te ideali kombetar, per rikthimin e shtetit ligjor, per rikthimin e vlerave demokratike.

Te gjithe legalistet shqiptare duhet te jene krenare qe jane trashegimtare te atyre burrave qe bene Shqiperine, qe dhane e sakrifikuan gjithshka per Kombin Shqiptar. Historia po rikthen dhe po verteton alternativen tone kombetare . Fale luftes luftes nje shekullore per liri dhe vullnetit te zotit. Kosova  eshte e pavarur. Kjo na bush me shprese dhe optimizem. Kjo ka qene endrra e legalisteve e nacionalisteve shqiptare, eshte nje hap thelbesor drejt realizimit te programit tone , idealin tone per bashkimin kombetar, ne rrugen e pakthyeshme te demokracise, te zhvillimit dhe integrimit. 

Rrofte PLL !
Rrofte NMT Mbreti Leka I !
Rrofte Kombi Shqiptar !

 

Tiranë, më 14 dhjetor 2008
Fjala para mediave e Kryetarit të PLL  Ekrem Spahiu në mbledhjen e Komitetit Drejtues

Sot zhvillojmë mbledhjen e radhës të Kryesisë së Partisë Lëvizja e Legalitetit e cila do të analizojë aktivitetin e deritanishëm të Partisë dhe do të hedhë piketat e punës konkrete për vitin 2009 si një vit elektoral.

Tashmë kemi një sistem zgjedhor proporcional rajonal që është sanksionuar në  Kushtetutë dhe një Kod Zgjedhor të përfunduar që realisht na krijon vështirësi, por  ne kemi bindjen e plotë se PLL do t'i tejkalojë ato me një shkallë të re organizimi, aktiviteti konkret dhe bashkëpunimi ndërpartiak.

Si çështje primare organizative, ne shtrojmë nevojën e koordinimit të strukturave lokale në bazë rajoni elektoral, të cilat do të punojnë të unifikuara për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, organizimin e fushatës elektorale dhe materializimin e rezultatit zgjedhor.

Në këto kushte ka nevojë për zgjerim të aktivitetit politik përmes takimeve intensive me zgjedhësit në të gjithë vendin, për të forcuar siglën e PLL dhe shpjeguar më mirë identitetin tonë politik si një parti monarkiste, me profil të lartë nacionalist, antikomunist, mbrojtëse dhe garantuese e ligjshmërisë, mbrojtëse e të drejtave të ish-burgosurve dhe përndjekurve politik, pronarëve, vlerave të traditës, familjes dhe moralit të shëndoshë.

Kryesia e PLL vlerëson kontributin dhe sakrificat e vazhdueshme të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Legalitetit dhe, duke shprehur falënderimet përkatëse  rikonfirmojmë frymën që ekziston prej kohësh në Legalitet për hapje, unifikim dhe bashkim në PLL të të gjithë faktorëve me të cilët ndajmë pikëpamje të njëjta.

Ne vlerësojmë punën e qeverisë Berisha si të suksesshme në proceset integruese të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike, realizimin e premtimeve dhe kryerjen e reformave të cilat kanë filluar të japin frytet e para e që do të jenë edhe më të mëdha gjatë viteve të madatit të ardhshëm qeverisës.
Legaliteti, si pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës po jep kontributin e tij modest në realizimin e programit qeverisës. Mund t'ju them me kënaqësi se MTKRS është ndër ministritë me rezultatet më të mira dhe si asnjë herë tjetër ka një bilanc shumë pozitiv në fushën e turizmit, kulturës dhe sporteve.

Pavarësisht debateve artificiale që janë hapur nga media të caktuara dhe persona që duan ta mbajnë peng sportin,  Federatat sportive dhe Komiteti Olimpik janë në një proces shumë të rëndësishëm zgjedhor. Si zv/ministër jam i vendosur për nxjerrjen e sportit nga informaliteti dhe zbatimin e plotë të ligjshmërisë në të gjitha nivelet e sportit.

PLL ka kërkuar në vazhdimësi dënimin e krimeve të komunizmit dhe gjejmë rastin të vlerësojmë iniciativën e maxhorancës për hartimin e projektligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve" që duhet theksuar se është vetëm një pjesë e kuadrit ligjor për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Për këtë çështje shumë të rëndësishme për shtresën tonë të masakruar nga diktatura komuniste, ne theksojmë në mënyrë të qartë se ligji për pastërtinë e figurave do të ishte krejtësisht i cunguar dhe i kompromentuar në rast se do të bënte përjashtime specifike për sekretarët e parë dhe ministrat e diktaturës.

Është fatkeqësi që në këtë klimë zhvillimi dhe ndryshimesh, PS e "politikës së re" vazhdon në pozicionin e saj të vjetër ndaj çështjes kombëtare dhe zhvillimit të vendit duke ju kundërvënë në mënyrë të turpshme dhe të përsëritur ndërtimit të rrugës Durës – Kukës dhe hedhur akuza të pabaza ndaj ministrit Basha, të cilit i shprehim përkrahjen tonë.
***
Komiteti drejtues i PLL vendosi qe javen e ardhshme tezhvillohet mbledhja e Keshillit Kombetar ne te cilen pritet qe te merren vendime te rendesishme.

 

Tiranë, më 8 dhjetor 2008
Informacion për mediat

Kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu zhvilloi dje në qytetin e Shijakut një takim me strukturat drejtuese të këtij qyteti. Në këtë takim merrnin pjesë edhe drejtuesit e degëve të PLL Durrës dhe Krujë, si pjesë përbërëse të rajonit elektoral të qarkut të Durrësit.

Gjatë takimit Spahiu tha se "Sistemi proporcional rajonal dhe Kodi i ri zgjedhor ka shtruar para strukturave lokale nevojën e përshtatjes dhe koordinimit të tyre në nivel qarku, punë të cilën PLL e ka filluar prej kohësh dhe që tani është në fazën përmbyllëse. PLL synon që përmes këtij procesi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009  të gjitha degët e PLL që ndodhen brenda një qarku të funksionojnë në mënyrë të unifikuar për përzgjedhjen e kandidatëve, zhvillimin e fushatës dhe materializimin e rezultatit zgjedhor"

Në fjalën e tij theksoi se: "PLL është edhe një parti nacionaliste, antikomuniste, mbrojtëse fanatike e  vlerave të familjes, pronës, kulturës dhe qytetërimit tonë." Ai kërkoi prej strukturave lokale që të punonin më shumë për shpalosjen e këtyre vlerave dhe të tregoheshin të hapur për çdo kontribuues të tyre".

Në vazhdim të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjatë muajit dhjetor PLL do të mbledhë edhe dy nga strukturat e saj qendrore, Komitetin Drejtues dhe Këshillin Kombëtar, në të cilat pritet që të merren vendime të rëndësishme.

 

Tiranë, më 5 dhjetor 2008
Deklaratë për mediat

Partia "Lëvizja e Legalitetit" po ndjek me kujdes zhvillimet ekonomike në vend dhe masat e ndërmarra për minimizimin e pasojave që mund të sjellë kriza mbarë-botërore në ekonominë e vendit tonë.

Në këtë kuadër, Partia" Lëvizja e Legalitetit" e vlerëson buxhetin e vitit 2009, si një buxhet realist që do të ruajë treguesit makroekonomikë dhe do të sigurojë jo vetëm ritme të larta të zhvillimit, por edhe investime voluminoze në sektorët prioritarë dhe rritje të të ardhurave për çdo familje shqiptare.

Legaliteti përshëndet nënshkrimin e marrëveshjeve ekonomike midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane dhe vlerëson se këto janë marrëveshje të duhura që i shërbejnë jo vetëm nevojave tona për zhvillim, por edhe balancimit të investimeve të huaja dhe orientimit të tyre me partneritet dhe prioritet drejt Italisë, si një shtet mik, i zhvilluar dhe aleat i hershëm.
***

PLL vëren me shqetësim fenomenin e mbajtjes së çmimeve të larta në tregun shqiptar, ku si më shqetësuese shikojmë çmimet e karburanteve, drithërave dhe nënprodukteve të tyre. Ndërkohë që çmimi i tyre në tregun botëror ka pësuar një ulje drastike, në tregun e brendshëm ato vazhdojnë të tregtohen pothuajse me çmimet e mëparshme.

Sipas pikëpamjes tonë,  klima e re e krijuar prej qeverisë për liberalizimin e licencave dhe krijimin e lehtësive të tjera për hyrjen e bizneseve në treg, nuk ka ndikuar aq sa duhet për mënjanimin e oligo-poleve që ekzistojnë në këto sektorë.

Si një parti thellësisht e bindur në epërsinë e ekonomisë së tregut, PLL nuk mund të pranojë që në demokracinë tonë të re ky sistem të njolloset nga lakmia e atyre që kanë siguruar pozita monopol dhe nxit qeverinë që të marrë masa radikale për përmirësimin e kësaj gjendje.

Në lidhje me fenomenin e mbajtjes së çmimeve të larta në treg, nuk mund të lemë pa përmendur heshtjen e opozitës së majtë, e cila edhe për shkak të parimeve të saj ideologjike duhet të kishte ngritur zërin e para. Por heshtja e tyre tregon më së miri se monopolet janë në zotërim të tyre.

 

Tiranë, më 18 nëntor 2008
Deklaratë e PLL 

Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka ndjekur me vëmendjen më të madhe zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me planin gjashtë pikësh  të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB z. Ban Ki Mun si dhe qëndrimin e autoriteteve zyrtare të Republikës së Kosovës për këtë çështje.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" konstaton se plani gjashtë pikësh  hedhur për miratim është në kundërshtim me të gjitha parimet bazë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe të ushtrimit të kompetencave kushtetuese të Qeveris së Kosovës në mbarë territorin e vendit.

Nga ana tjetër, plani gjashtë pikësh krijon një precedent të rrezikshëm për të institucionalizuar ushtrimin e pushtetit paralel të pakicës serbe si parakusht për plotësimin e synimeve të Beogradit për sabotimin e qeverisjes unike të Prishtinës dhe ndarjen territoriale të Kosovës. Për më tepër, ky plan legalizon një ndarje të Kosovës mbi baza etnike, çka është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me planin e Ahtisarit, që parashikojnë një Kosovë multienike, multifetare dhe të unifikuar.

Në këtë kuadër Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh qëndrimin e saj se transferimi i kompetencave të UNMIK-uk tek EULEX-i dhe shtrirja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës duhet  të bëhet pa kushte dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në Kushtetutën e vendit.

PLL i bën thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë në Kosovë që të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos pranojnë asnjë kompromis që do të ishte në dëm të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

Po ashtu, PLL i bën thirrje qeverisë shqiptare që në pozitat e shtetit amë të intensifikojë aktivitetin diplomatik në mbrojte të interesave kombëtare të popullit shqiptar.

 

Tiranë, 12 nëntor 2008
Deklaratë për mediat

Tragjedia rrëqethëse e ditëve të fundit në Gjirokastër riktheu në vëmendjen e opinionit publik situatën e rëndë në sektorin e ndërtimeve, krijuar pas abuzimeve me kërkesat e kriteret e domosdoshme teknike në fushën e ndërtimtarisë.

Dhe ky nonsens absurd ndodhi bash në qytetin me vlera të mëdha arkitektonike shekullore, të cilin baballarët tanë e ngritën me bukuri magjepsëse në shpat mali e në terren kodrinor duke dëshmuar mrekullinë e qytetërimit dhe qytetërim-ndërtuesve shqiptarë, që na vendosën përfundimisht në rekordet më të shquara kulturore planetare.

Por pikërisht kur UNESCO e renditi Gjirokastrën në toplistën e prioriteteve të ruajtjes kulturore mbarëbotërore dhe guida e saj turistike u fut plot zulmë në marketingun turistik bashkëkohor, pushtetarë të majtë të papërgjegjshëm rendën të përfitojnë financiarisht, duke shpërfillur jetët njerëzore dhe kërkesat urbanistike që konservonin vijimësinë e traditës ndërtimore në Gjirokastër, duke e rrënuar atë drejt kakofonisë arkitektonike dhe vdekjes.

Sot Gjirokastra jo vetëm përjeton dramën e dhimbjes së humbjes së jetëve të bijve të saj, por edhe antireklamën më kriminale të vlerave të saj qytetërimore e urbanistike, pas masakrës me shkujdesje të organizuar të pushtetit vendor.

Natyrisht nuk mund të ndodhte ndryshe dhe nuk mund të pritej ndryshe nga nostalgjiku komunist Flamur Bime, i cili sikurse edhe ati shpirtëror Enver Hoxha, u përpoq të nxirrte përfitime vetjake nga Gjirokastra dhe bijtë e saj, si edhe të siguronte mbështetje zgjedhore nga enveristët lokalë dhe lobingjet e errëta financiare të ndërtimit atje, duke mbjellë vdekjen.

Sot Gjirokastra dhe shqiptarët përjetojnë njëkohësisht në një përkim jo të rastësishëm në kohë, kurorëzimin e veprës dhe përjetimit makabër të jubileut shekullor të Enver Hoxhës, krahas tragjedisë së ngjashme të humbjes së jetëve të pafajshme të viktimave deri dje të mbijetuara nga diktatura.

PLL, legalistët dhe mbretërorët shqiptarë si dishepuj shpirtërorë dhe bartës të vlerave të qytetërimit shqiptar të lartësuar plot krenari në kohën e Mbretërisë, kërkojnë një ndëshkim shembullor nga drejtësia të të gjithë nostalgjikëve që, në zjarrminë e marrëzisë enveriste dhe etheve të fitimeve të paskrupullta, marrin jetë njerëzore dhe i bëjnë shërbimin më të keq qytetërimit shqiptar me shpërfytyrimin e arkitekturës së Gjirokastrës dhe shkatërrimin e potencialeve turistike, të cilat me injorancën dhe papërgjegjshmërinë karakteristike të komunizmit, i njëjtësuan me vdekjen.



9 nëntor 2008
Informacion për mediat

Konferenca 10 TiraneParaditen e sotme, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar zhvilloi punimet Konferenca e 10-të e Degës së PLL Tiranë.

Krahas delegatëve nga të gjitha nëndegët, në këtë konferencë merrnin pjesë edhe drejtuesit më të lartë të PLL: kryetari Spahiu, n/kryetari Basha, sekretari i përgjithshëm Tujani, sekretari për marrëdhëniet me jashtë Gjana, etj.

Konferenca kishte si kryefjalë përgatitjet e Legalitetit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare gjë që u theksua edhe në fjalën e kryetarit Spahiu, i cili ndër të tjera tha se “ky takim shënon fillimin e përgatitjeve të degës PLL Tiranë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të cilat marrin një rëndësi të veçantë jo vetëm për Legalitetin, si një parti që do t’i rikthehet Parlamentit, por edhe për maxhorancën aktuale, sepse vendi ka nevojë për thellimin dhe përfundimin e reformave të nisura”.

Spahiu tha gjithashtu se Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme në rrugën e plotësimit të standardeve evropiane, gjë që u evidentua edhe në Raport-Progresin më të fundit të Komisionit Evropian. Por Spahiu theksoi se “zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë një sfidë e rëndësishme që duhet kaluar me sukses për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta për të gjithë konkurruesit”.

Duke u prononcuar për debatin më të fundit në lidhje me përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit, Spahiu shprehu qëndrimin e PLL se “duhet zbatuar i  njëjti standard dhe se aksesi në procesin e votimit dhe numërimit të votave duhet të jetë i njëjtë për të gjithë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, qofshin këto parti parlamentare ose jo parlamentare. Në kushtet kur në Shqipëri diskutohet akoma realizimi i zgjedhjeve  të lira e të ndershme, Kodi i ri zgjedhor duhet që minimalisht të sigurojë besim dhe paritet për palët si  dhe transparencë në të gjitha hallkat e procesit, duke mënjanuar kështu të gjitha premisat për paragjykime të arsyeshme akoma pa filluar procesi.” Spahiu risolli edhe një herë në qendër të vëmendjes propozimin e kahershëm të PLL që komisionet zgjedhore dhe grupet e numërimit të përbëhen nga persona jopartiakë.

Konferenca e Tiranës, pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, zgjodhi si kryetar te Degës së PLL z. Artan Tujani.

 

7 nëntor 2008
Deklaratë e PLL

S. GjanaPartia Lëvizja e Legalitetit” përshëndet dhe uron zgjedhjen e presidentit Barak Obama në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke ndjekur me vëmendhe gjithë fushatën zgjedhore për president të SHBA, partia “Lëvizja e Legalitetit” është ndjerë e entuzjazmuar për nivelin e lartë të demokracisë, pjekurinë politike dhe rrespektin e vlerave që mbizotërojnë në këtë shtet mik dhe aleat të shqiptarëve.

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka arsye që të ndjehet krenare se tërësia e vlerave që SHBA rikonfirmuan më së fundmi edhe me zgjedhjet e tyre presidenciale, ka qenë për ne legalistët edhe gjatë gjithë viteve të diktaturës jo vetëm një burim referimi por edhe shprese.

Zgjedhjet në SHBA treguan se mungesa e paragjykimeve dhe krijimi i shanseve të barabarta në shfaqjen e alternativave dhe në konkurrim janë burim energjie dhe vlera universale të vlefshme për çdo komb.

PLL shpreh bindjen se miqësia dhe Aleanca strategjike e kombit shqiptar me atë amerikan, gjatë mandatit të Presidentit Obama do të thellohet e përforcohet edhe më tej.
...
Partia “Lëvizja e Legalitetit” e konsideron Progres-Raportin e Komisionit Evropian në tërësi si një vlerësim objektiv të progresit që Shqipëria ka siguruar gjatë periudhes tetor 2007-tetor 2008 në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Progresi dhe rezultatet e arritura e të dokumentuara në progres raportin më të fundit te BE janë një burim kënaqësie dhe optimizmi që dëshmojnë seriozitetin e shoqërisë dhe qeverisë shqiptare në materializimin e objektivave tona të përbashkëta për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në BE.

Duke ofruar kontributin e saj, PLL gjykon se mangësitë e konstatuara dhe sugjerimet e shprehura nga Komisioni Evropian duhen trajtuar nga institucionet e shtetit shqiptar dhe gjithë klasa politike në mënyrë të shpejtë, serioze dhe me kujdesin e duhur si çështje prioritare.

Arritjet pozitive të dokumentuara në Progres-Raportin më të fundit të Komisionit Evropian marrin një rëndësi të veçantë në këtë vit elektoral dhe i dëshmojmë shqiptarëve vullnetin politik të kësaj maxhorance qeverisëse në rrugën e reformave të cilat duhet të shkojnë më tej dhe garantohen edhe me një mandat tjetër qeverisës.


2 nëntor 2008
Informacion për mediat

Dje, më 1 nëntor 2008 zhvilloi punimet Konferenca e Degës së Partisë “Lëvizja e Legalitetit” Kavajë në të cilën morën pjesë edhe Kryetari i PLL Ekrem Spahiu dhe Sekretari i Përgjithshëm Artan Tujani.

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu bëri një ekspoze të situatës politike në vend duke e vënë theksin edhe në arritjet konkrete në rrafshin ekonomik dhe politik  të maxhorancës qeverisëse, pjesë e së cilës Legaliteti është.

Ai i njohu të pranishmit me procesin e gjallërimit në një nivel të ri të aktivitetit politik dhe organizativ të strukturave të PLL në mbarë vendin dhe optimizmit që ekziston në to për konkurrim dhe rezultat dinjitoz në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Spahiu ritheksoi qëndrimin e PLL “për zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta” si dhe shprehu nevojën që “kodi i ri zgjedhor duhet të materializojë frymën e Kushtetutës që përfaqësimi i partive politike në tërësinë e Kuvendit të Shqipërisë, duhet të jetë në proporcion me mbështetjen e tyre elektorale në mbarë vendin.”

Sekretari i Përgjithshëm  Artan Tujani u shpreh se “pavarësisht kufizimeve absurde që po parashikohen në kodin zgjedhor që drejtpërdrejt dëmtojnë edhe Legalitetin, PLL  do të marrë pjesë denjësisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare edhe për t’i dëshmuar shqiptarëve se mirë apo keq qeverisja e vendit nuk varet nga madhësia e partive, por nga sa ato janë të përkushtuara ndaj interesave të qytetarëve.”

Konferenca  zgjodhi kryetar të degës së PLL z. Bahri Kollçaku, sekretar të përgjithshëm z. Remzi Muhja si dhe nënkryetarë zotërinjtë Skënder Gjocaj dhe Ramazan Xhafa.

 

16 tetor 2008
Informacion për mediat

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2009, kryetari i PLL Ekrem Spahiu së bashku me sekretarin e marrëdhënieve me jashtë të PLL Sulejman Gjana zhvilluan në Peshkopi një takim pune me drejtuesit kryesorë të degëve Dibër, Mat dhe Bulqizë, degë të PLL që përfshihen në qarkun e Dibrës.

Kryetari i PLL Spahiu tha se: "Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe në përshtatje me sistemin proporcional rajonal dhe kodin e ri zgjedhor e zhvillojmë këtë takim me drejtuesit kryesorë të degëve Dibër, Mat dhe Bulqizë, për të bashkërenduar gjithë veprimtarinë tonë politiko-organizative të strukturave tona që përfshihen në qarkun e Dibrës, me qëllimin kryesor që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Legaliteti të rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë edhe atje kontributin e munguar gjatë kësaj legjislature."

Spahiu vlerësoi zotërinjtë Sulejman Gjana (sekretar i marrëdhënieve me jashtë), Gazmend Lita (kryetar i degës së PLL Dibër) dhe Arjan Kurti (kryetar i degës së PLL Shijak) të cilët kanë ardhur nga Belgjika dhe SHBA për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në të gjithë veprimtarinë e PLL.

Duke folur për opozitën Spahiu tha se "Shqipëria nuk ka një opozitë konstruktive që të prodhojë dhe paraqesë para shqiptarëve alternativa serioze dhe të dobishme, por fatkeqësisht opozita e majtë po paraqet para shqiptarëve alternativën e promovimit të figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij."

Lidhur po me këtë çështje Spahiu risolli në vëmendje domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit dhe në emër të PLL kërkoi që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë të miratojë datën 20 shkurt si Ditën e rrëzimit të simboleve komuniste.

Sekretari i marrëdhënieve me jashtë të PLL Sulejman Gjana, pasi përshëndeti njohjen e shtetit të Kosovës prej Maqedonisë dhe Malit të Zi tha se kjo njohje i shërben integrimit dhe sigurimit rajonal por edhe më gjerë. Z. Gjana shprehu keqardhjen se çdo demonstrim i nostalgjisë për diktatorin Hoxha dhe regjimin e tij ateisto-komunist që del nga goja e drejtuesve të lartë të shtetit të Kosovës, nuk i shërben shpejtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende.

Drejtuesit e degëve Gazmend Lita, Besnik Murati, Zenel Shehu, etj. shprehën qëndrimet e tyre për koordinimin e të gjitha strukturave vendore në nivel nëndege, dege dhe qarku që në zbatim të strategjisë së PLL të sigurohet një rezultat sa më optimal për fitoren e së djathtës.

 

5 tetor 2008
Informacion për mediat

Në kuadër të takimeve me strukturat drejtuese lokale, kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu mori pjesë në konferencën e degës PLL Mallakastër.
Në fjalën e tij Spahiu tha se "Partia Lëvizja e Legalitetit ka filluar përgatitjet e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare te vitit 2009. Kjo është arsyeja që kjo konferencë e degës tuaj, krahas analizimit të veprimtarisë politike, do të përcaktojë edhe detyra konkrete, në përshtatje me Kodin e ri zgjedhor dhe në harmoni me degët e tjera të qarkut Fier."

Gjithashtu Spahiu vuri në dukje se "me kodin e ri zgjedhor po bëhet një hap pozitiv për eliminimin e fenomenit të Dushkut, krijimin e një regjistri të saktë kombëtar të zgjedhësve si dhe pajisja e votuesve me karta identiteti.

Parashikimi në Kodin e Ri Zgjedhor i koalicioneve të përbëra, nuk duhet të përjashtojë mundësinë edhe të koalicioneve me lista të përbashkëta kandidatësh, si një element që do të mënjanonte shpenzimin e energjive dhe rivalitetin e panevojshëm politik ndërmjet subjekteve të të njëjtit koalicion."

Duke folur për angazhimet konkrete të PLL, Spahiu tha se "Legaliteti duke qenë pjesë e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore po jep kontributin e saj maksimal.

Njëkohësisht PLL po punon për organizimin dhe fuqizimin e strukturave të saj në të gjithë vendin me qëllimin e vetëm që kontributi i saj në fitoren e së Djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë konkret dhe i matshëm."

 

3 tetor 2008
Deklaratë për mediat

Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh indinjatën e saj të fuqishme ndaj fushatës mediatike që po i kushtohet 100 vjetorit të lindjes se diktatorit Hoxha.

Rasti më i fundit i deklarimeve të vejushës Hoxha në një nga televizionet kryesore, kur ajo, e përkëdhelur nga fati që nuk përfundoi ashtu si simotra e saj Çaushesku, doli para ekranit për të fyer e acaruar shqiptarët, pa harruar që gjoja si rastësisht të bënte mes fjalëve edhe deklarime të porositura.

Partia "Lëvizja e Legalitetit", ashtu si shumica e shqiptarëve, nuk është impresionuar asnjëherë nga arroganca, cinizmi dhe apologjia e Nexhmije Hoxhës qoftë edhe kur ajo ka mbajtur të veshura çizme të zeza, por ndjehet e shqetësuar nga hapësira mediatike që u krijohet eksponentëve të regjimit komunist dhe angazhimit maksimal të një pjese të politikës dhe mediave pranë saj për të sfumuar sa më shumë diktaturën dhe krimet e komunizmit ndaj popullit shqiptar.

Regjimi i diktatorit Hoxha dhe klikës së tij ka qenë regjimi më gjakatar i kohës, që ekzekutoi për motive politike 5.577 burra e 450 gra, burgosi 26.768 burra dhe 7.367 gra si dhe internoi 59.009 shqiptarë të tjerë, të gjithë të pafajshëm. Krimet e atij regjimi nuk janë dënuar akoma, aq sa autorë të këtij gjenocidi, me një cinizëm diabolik dhe paturpësi të pashembullt, në vend që t'i kërkojnë falje popullit shqiptar për krimet që kanë kryer ndaj tij, kërkojnë të bëjnë apologjinë e sistemit komunist. Kjo komprometon rëndë edhe të gjithë ata që i mbështesin.

Ndërkohë që opozita e sotme nxitoi që vdekjen aksidentale të të ndjerit Trebicka ta shfrytëzojë për të rrëzuar qeverinë, pjesa e popullit shqiptar e masakruar prej regjimit komunist po pret me durim prej 18 vitesh për ndëshkimin ligjor e moral të autorëve përgjegjës të gjenocidit.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që në zbatim edhe të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të vendosë në rend të ditës miratimin e ligjit "Për Dënimin e Krimeve të Komunizmit", ligj i cili duhet të jetë në proporcion dhe të ketë parasysh specifikën e krimeve të komunizmit të kryer në Shqipëri.

 

28 shtator 2008
Deklaratë për mediat

Miratimi prej Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është stacioni më i rëndësishëm në rrugën e gjatë të shpalosjes dhe afirmimit të aspiratës tonë kombëtare si komb me përkatësi të qartë Euro-Atlantike.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" gjen rastin të falënderojë Senatin e SHBA, presidentin Bush dhe gjithë kombin amerikan për këtë besim dhe mbështetje madhore ndaj vendit tonë, si dhe të risjellë në vëmendje të opinionit shqiptar se SHBA kanë qenë aleati ynë më i madh që nga koha e krijimit, njohjes dhe mbrojtjes së shtetit të parë shqiptar; për të vazhduar me luftën ndaj regjimit komunist në Shqipëri; përkrahjen e pakursyer ndaj proceseve demokratike në fillimin e viteve '90; rolin vendimtar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe më gjerë.

Nisur nga ky këndvështrim, Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka arsye të ndjehet krenare që gjatë gjithë ekzistencës së saj ka aspiruar, punuar dhe sakrifikuar për krijimin e miqësisë së vendit tonë me SHBA, si dhe të dyshojë në sinqeritetin e deklaratave mbështetëse ndaj kësaj miqësie të asaj pjese të politikës që është trashëgimtare e atyre që deri jo shumë kohë më parë i vendosnin portretet e presidentëve të SHBA në tabelat e qitjes së ushtarëve dhe zboristëve shqiptarë.

***
Partia "Lëvizja e Legalitetit" përshëndet zhbllokimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për "Reformën Zgjedhore" dhe rithekson qëndrimin e saj për domosdoshmërinë e një Kodi Zgjedhor sa më të ndershëm e të saktë, që shoqëruar me vullnetin politik të partive pjesëmarrëse, të sigurohen zgjedhje të pakontestueshme, për t'i dhënë fund procesit të tranzicionit në Shqipëri për votën e lirë.

Me këtë rast PLL u bën thirrje partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore që të punojnë sa më shpejt për të fituar kohën e humbur dhe larg interesave të ngushta partiake.

***
Krahas kontributit në qeverisjen qendrore dhe vendore, Partia "Lëvizja e Legalitetit" është duke punuar për organizimin dhe fuqizimin e strukturave të saj në mbarë vendin me qëllimin e vetëm që kontributi i saj në fitoren e së Djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë konkret dhe i matshëm.

 

7 gusht 2008
Deklaratë për mediat

Ditët e fundit, opozita e majtë është munduar të trillojë dhe hedhë në qarkullim një tymnajë për gjoja konflikte të maxhorancës qeverisëse me një pjese të institucioneve ndërkombëtare.

Maxhoranca e sotme, duke qenë bartëse dhe përfaqësuese e drejtpërdrejtë e aspiratës së popullit shqiptar për demokraci dhe integrim Euro-Atlantik, gjatë gjithë ekzistencës së saj ka punuar dhe ka arritur rezultate të dukshme për materializimin e kësaj aspirate që zë fill menjëherë pas instalimit të regjimit komunist e kulmon në fundin e viteve '90 me thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa"

Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asocijimit, vizita e presidentit Bush në Tiranë, marrja në Takimin e Bukureshtit e ftesës për anëtarësim në NATO, roli aktiv i Shqipërisë në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj si shtet i pavarur, janë shembuj të qartë të qëndrimit konstant të kësaj maxhorance që dëshmojnë bashkëpunimin e saj të frytshëm e shumëplanësh me partnerët ndërkombëtar.

Përkundrejt këtij realiteti, gjejmë rastin t'i kujtojmë opinionit publik, se në një çoroditje të plotë nga mungesa e alternativave, kanë qenë eksponentë të opozitës së majtë që duke u prononcuar haptas e në mënyrë të vazhdueshme kundër prezencës së OSBE në Shqipëri, kanë shprehur qartë fobinë e tyre ndaj institucioneve ndërkombëtare.

PLL shpreh vullnetin e palëkundur për ruajtjen e nivelit të lartë të bashkëpunimit me të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe thellimin e tij, si dhe beson se ato, në përputhje me mandatin e tyre, do të vazhdojnë të japin të njëjtin kontribut si edhe më parë.

...

Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh shqetësimin e saj për mosdhënien e konsensusit të opozitës gjatë sesionit të kaluar parlamentar për ligjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, Dënimin e Krimeve të Komunizmit duke përfshirë edhe hapjen e arkivave dhe dosjeve te Sigurimit të Shtetit.

Partia "Lëvizja e Legaliteit" gjykon se mosdhënia e konsensusit të opozitës për këto ligje të rëndësishme dhe çdo vonesë në miratimin e tyre është një pengesë e panevojshme në rrugën e plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së detyrimeve që kjo maxhorancë ka marrë mbi vete. PLL pret që me fillimin e sesionit të ri parlamentar këto ligje të miratohen sa më parë.

 

24 korrik 2008
Deklaratë për mediat

Përfundimi me sukses i vizitës në SHBA i Presidentit të Kosovës Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi është një ngjarje e rëndësishme dhe historike, që dëshmon si përkatësinë Euro-Atlantike të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, ashtu edhe orientimin e drejtë të marrëdhënieve të tyre ndërkombëtare drejt aleatëve të fuqishëm, të sinqertë e që kanë dhënë kontribute të pazëvendësueshme në krijimin e shtetit të Kosovës.

Pritja e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Bush, Sekretarja e shtetit Rice dhe Sekretari i Mbrojtjes Gates, si dhe garancitë që u dhanë prej Presidentit Bush për mos prekshmërinë e kufijve të Kosovës, zgjerimin e njohjes së saj ndërkombëtare dhe mbështetja me ndihma ekonomike, meritojnë një mirënjohje të veçantë prej gjithë kombit shqiptar.

Duke vlerësuar maksimalisht mbështetjen e patjetërsueshme që SHBA, Presidenti Bush dhe vende të tjera mike kanë dhënë për korrigjimin e padrejtësive historike, zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë në hapësirat shqiptare, Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh bindjen dhe sigurinë që faktorët politikë shqiptarë do të vazhdojnë të punojnë intensivisht në përmbushje të aspiratave të kombit për demokraci, zhvillim, integrim kombëtar dhe Euro-Atlantik.

Ndërkohë që drejtuesit e shtetit të Kosovës u pritën në Shtëpinë e Bardhë prej Presidentit Bush, në Serbi u arrestua krimineli i luftës Radovan Karaxhiç, përgjegjës për gjenocidin e ushtruar, zhdukjen masive dhe spastrimin etnik në Bosnje. PLL e vlerëson këtë si materializim të presionit ndërkombëtar të ushtruar ndaj Serbisë për dorëzimin dhe gjykimin e të gjithë krimineleve te luftës dhe pret prej kësaj të fundit një reflektim më të thellë dhe pranimin e realiteteve të reja gjeopolitike, përfshi edhe pavarësinë e Kosovës.

***

Ditën e diel, më datë 27 korrik 2008 zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar të komunës Kashar.

Në respektim të marrëveshjes së shkurtit 2007 ndërmjet partive të Koalicionit Qeverisës për të dalë në zgjedhjet vendore me kandidatë të përbashkët, në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen këtë të diel në Komunën e Kasharit Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike z. Besnik Fuçia.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" i përmbahet pikëpamjes se mirëqeverisja qendrore e shndërruar në realitet pas zgjedhjeve te 3 korrikut 2005 duhet shoqëruar edhe me një mirëqeverisje vendore në dobi të komunitetit në çdo cep të Shqipërisë dhe fton zgjedhësit e Komunës Kashar që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje duke votuar për kandidatin Besnik Fuçia si alternativa më e mirë në dobi të tyre.

Strukturat e PLL të degës Tiranë si dhe anëtarët e simpatizantët e saj në teren po japin ndihmën e tyre për t'i kontribuar fitores së kandidatit tonë të përbashkët.

 

17 korrik 2008
Deklaratë për Mediat

Partia Lëvizja e Legalitetit i vlerëson pozitivisht rezultatet e Samitit të Parisit mbi nismën e Presidentit Sarkozi "Bashkimi për Mesdheun". Pjesëmarrja dinjitoze e Shqipërisë, përfaqësuar në këtë Samit nga kryeministri Berisha dhe ministri i jashtëm Basha, si dhe vlerësimet me nota pozitive të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Shefer, mund të konsiderohen si dy arritje të reja e të spikatura të diplomacisë shqiptare, për të cilat ia vlen të ndjehesh krenar si shqiptar.

Ne dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj dhe të opinionit publik faktin se është Mbreti i Shqiptarëve, Leka I Zogu, i cili, në kontaktet me popullin shqiptar në vitin 1997, artikuloi për herë të parë tezën "Shqipëria, urë lidhëse midis qytetërimit evropian të cilit i përket, dhe lindjes së moderuar të botës islame", tezë e cila u artikulua më pas edhe nga ministri i jashtëm spanjoll Moratino, por mbi të gjitha, nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush, në prag të vizitës së tij të suksesshme në Shqipëri.

Prandaj legalistët shqiptarë shpresojnë e besojnë që pozita e Shqipërisë, në kuadrin e iniciativës "Sarkozi", të jetë realisht urë lidhëse ndërmjet lindjes e perëndimit, për qarkullimin e lirë të kapitalit,kulturave, ideve, njerëzve e mallrave.

PLL-ja beson se qeveria, e në veçanti, strukturat e diplomacisë shqiptare, janë duke punuar intensivisht në këtë drejtim, duke forcuar edhe më tej pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, dhe njëherazi, duke kontribuar drejtpërsëdrejti në forcimin e ekonomisë shqiptare, e cila mund të shfrytëzojë fare mirë beneficet që rrjedhin nga ky pozicion i veçantë gjeopolitik i vendit.

Në ndryshim nga politikat efiçente të qeverisë shqiptare, e majta gjendet në një kolaps ideologjik, me shterrje idesh politike, e fragmentuar, dhe në kundërshti të ashpra mes vetë partive opozitare. E për pasojë, shumë veprime të saja kanë ngjyra anarkike, demagogjike dhe aspak në ndihmë të qytetarëve, e aq më pak të votuesit të thjeshtë socialist, i cili është i çoroditur, mbasi liderët e tyre janë në përplasje konfliktuale, si pasojë e interesave që paraqiten si alternativë, krahas teprive të pasionit.

 

4 korrik 2008
Informacion për mediat

Kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit", njëkohësisht Zv/Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ekrem Spahiu ka pasur një tur takimesh në rrethin e Kukësit. Fillimisht ai mori pjesë në hapjen e Kampionatit Kombëtar të Bilardos "Steka e Artë 2008" i cili këtë vit zhvillohet për herë të parë edhe në rrethin e Kukësit.

Z. Spahiu zhvilloi gjithashtu takime në njësi të ndryshme vendore të rrethit të Kukësit dhe në veçanti në komunat që u fituan prej kandidatëve të PLL të cilët në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 garuan në emër të Koalicionit të Djathtë.

Në komunën Bushtricë në një periudhë të shkurtër kohore prej vetëm 15 muajsh janë realizuar investime të dukshme që dëshmojnë përkushtimin e Kryetarit të Komunës z. Kujtim Gjoka, sikurse edhe mbështetjen e qeverisë ndaj gjithë atyre njësive vendore që paraqesin projekte konkrete në dobi të komunitetit.

Z. Spahiu pati edhe një takim në sallën e Pallatit të Kulturës "Hasan Prishtina" në qytetin e Kukësit ku ndër të tjera ai evidentoi bilancin e suksesshëm të qeverisë Berisha, e cila vetëm pas tre vitesh mandati qeverisës ka arritur të materializojë pjesën më të madhe të premtimeve elektorale, ku si më kryesoret ai përmendi proceset integruese, reformat e gjithanshme, investimet e shumta, rritjen e pensioneve dhe pagave të punonjësve buxhetorë, etj.

Spahiu evidentoi edhe investimet që qeveria Berisha ka akorduar për rrethin e Kukësit dhe u ndal në rëndësinë e rrugës Durrës-Kukës Morinë si një arterie e rëndësishme që do të lidhë viset shqiptare. 

Për proceset integruese z. Spahiu tha: "Rruga e nisur e kësaj maxhorance nën drejtimin e kryeministrit Berisha do të bëjë të mundur që Shqipëria përfundimisht të futet në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. Shumë shpejt do të jemi antarë me të drejta të plota në NATO, sikurse nga vjeshta e këtij viti do të aplikohet për të qenë vend kandidat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Një hap shumë i rëndësishëm është bërë edhe në lidhje me liberalizimin e vizave, që shqiptarët të lëvizin lirshëm në të gjithë Europën duke përfshirë edhe shtetet anëtare të BE.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, z. Spahiu tha se PLL ka filluar nga përgatitjet e saj për këto zgjedhje dhe shprehu besimin e plotë për përfaqësimin parlamentar të PLL dhe një fitore të forcave të djathta. PLL shpreson që Kodi i Ri Zgjedhor të miratohet brenda këtij sesioni parlamentarë dhe në varësi të tij do të vlerësohen të gjitha strategjitë për maksimalizimin e votave të djathta.

 

15 qershor 2008
Informacion për mediat

Sot, më datë 15 qershor 2008 Komiteti Drejtues i PLL zhvilloi mbledhjen e tij të radhës ku u diskutua ecuria e fushatës zgjedhore në degët lokale të partisë si dhe u programuan veprimet e ardhshme politiko-organizative në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Komiteti Drejtues i PLL e vlerësoi si të suksesshëm procesin e zhvillimit të konferencave të degëve në rrethe ku krahas analizave u zgjodhën organet e reja drejtuese të bazës. Në disa degë të PLL janë zgjedhur kryetarë të rinj të cilët do t'i japin një shtytje edhe më të madhe gjithë aktivitetit politiko-organizativ. Gjatë këtij procesi ra në sy preokupimi konstant i anëtarësisë së partisë për fuqizimin e PLL, analizimi me përgjegjshmëri i mangësive dhe optimizmi për rikthimin e Legalitetit në vendin që i takon në skenën politike shqiptare.

Komiteti Drejtues i PLL konstatoi se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, Shqipëria po ecën me vendosmëri drejt integrimit të saj në BE. Si rezultat i përmbushjes së kritereve për statusin e vendit kandidat për në BE, në vjeshtë të këtij viti do fillojnë procesurat e aplikimit për anëtarësimin në BE.

Komiteti Drejtues e cilësoi të dobishme pjesëmarrjen dhe kontributin e PLL në qeverisjen e vendit si dhe evidentoi faktin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet këshilltarëve të PLL dhe këshilltarëve të tjerë të djathtë në të gjitha nivelet e pushtetit vendor.

Duke qenë parimisht dakord me çdo reformë që do t'i shërbejë zhvillimit të vendit, sistemit të drejtësisë dhe që do të përafrojë vendin tonë me standardet Euro-Atlantike, Komiteti Drejtues i PLL rikërkoi dënimin e krimeve të komunizmit, zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të problemeve të pronësisë duke respektuar pronarët legjitimë, dëmshpërblimin sa më shpejt të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik.

Komiteti Drejtues i PLL u ndal në mënyrë të veçantë në Reformën Zgjedhore dhe rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e PLL për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta për të gjithë konkurruesit.

Sipas Komitetit Drejtues të PLL, integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri është cenuar më së shumti nga mungesa e vullnetit politik për zbatimin e sistemit apo kodit zgjedhor. Faktorët politikë, përpara se të përpiqen për të krijuar barriera legjislative që deformojnë përfaqësimin politik, duhet të kujdesen që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë dhe e patjetërsueshme.

Eliminimi i fenomenit të Dushkut, krijimi i regjistrit të saktë kombëtar të votuesve, pajisja e shtetasve me karta identiteti, menaxhimi i procesit zgjedhor nga komisionarë jopartiakë, numërimi elektronik i fletëve të votimit, krijimin i mundësisë që mërgata e vjetër dhe emigracioni i ri të ushtrojnë të drejtën e votës, janë çështje shumë të rëndësishme që duhet të jenë në qendër të diskutimit para hartimit dhe miratimit të Kodit Zgjedhor.

Komiteti Drejtues i PLL theksoi se ka ardhur koha që të përfshihet në ligj dhe të krijohet mundësia që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të marrin pjesë si mërgata e vjetër politike, ashtu dhe emigracioni i ri dhe shprehu nevojën që me një ligj të veçantë t'u njihet në mënyrë automatike shtetësia shqiptare të gjithë emigrantëve politikë të pas vitit 1944 si dhe fëmijëve të tyre. Po ashtu, Komiteti Drejtues i PLL risolli në vëmendje që me Kodin e Ri Zgjedhor të krijohet një rajon i veçantë elektoral për të gjithë shqiptarët e diasporës, ku kandidatët për deputetë të këtij rajoni të jenë prej radhëve të emigracionit.

Komiteti Drejtues i PLL, në funksion të sistemit zgjedhor proporcional rajonal që tashmë është përcaktuar në Kushtetutë, vendosi për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

PLL vlerëson se do të ishte shumë pozitive që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar për të krijuar kohë të mjaftueshme për përgatitjen e të gjithë infrastrukturës zgjedhore.
Komiteti Drejtues i PLL

 

2 qershor 2008
Informacion për mediat

Në vazhdën e takimeve dhe zhvillimit të konferencave të degëve të Partisë "Lëvizja e Legalitetit' në rrethe, kryetari i kësaj partie Ekrem Spahiu dhe N/kryetari Murat Basha morën pjesë në punimet e konferencës se VI-të të degës së PLL Shkodër.

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu ndër të tjera tha se : "Përveçse do të bëhet analiza e veprimtarisë së degës së PLL ndërmjet dy konferencave dhe do të zgjidhen organet e reja drejtuese, kjo konferencë përkon edhe me fillimin e përgatitjeve të Legalitetit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 ku PLL do të rikthehet meritueshëm në vendin që i takon në skenën politike"

Duke folur për rezultatet e kësaj maxhorance të drejtuar nga kryeministri Berisha, Spahiu tha se: "Tre vitet e këtij mandati po dëshmojnë më se miri para shqiptarëve jo vetëm vullnetin e palëkundur të maxhorancës për një qeverisje në dobi të qytetarëve të saj dhe integrimit Euro-Atlantik të tyre, por janë edhe një kronikë e gjallë e veprimeve dhe arritjeve konkrete në funksion të këtyre objektivave."

Më tej Spahiu vijoi duke thënë se: "Lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe monopoleve; zgjerimi i hapësirës ekonomike, liberalizimi i tregut dhe rritja e shkallës së privatizimit në ekonomi; reforma fiskale, rritja e efikasitetit të administrates shtetërore dhe përdorimi me përgjegjshmëri i fondeve publike, kane filluar të japin rezultatet e tyre ne ekonominë shqiptare pavarësisht vështirësive që vijnë si rezultat i krizës botërore."

Spahiu tha gjithashtu se: "Bumi i investimeve që po shndërrohet në vepra të rëndësishme publike në të katër anët e vendit përfshi edhe rrethin e Shkodrës, është një tregues i prekshëm e që nuk mund të zbehet nga asnjë lloj propagande nihiliste e opozitës së majtë." 

Konferenca zgjodhi organet e reja drejtuese .

 

21 maj 2008
Informacion për mediat

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu mori pjesë në Konferencën e Degës së PLL Fierit ku së bashku me legalistët fierakë u diskutua për aktivitetin politiko-organizativ të kësaj dege në periudhën ndërmjet dy konferencave si dhe u projektuan objektivat për të ardhmen.

Zoti Spahiu evidentoi rezultatet në rritje të kësaj dege dhe shprehu nevojën për zgjerimin e anëtarësisë dhe një mbulim më të mirë me struktura të PLL të të gjithë territorit të rrethit. "Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 po afrohen me shpejtësi dhe Legaliteti duhet të përgatitet maksimalisht jo vetëm për të marrë një rezultat të kënaqshëm, por edhe për tu bërë kontribuues në fitoren e së Djathtës. – theksoi ndër të tjera z. Spahiu.

Diskutues të ndryshëm, drejtues dhe të zgjedhur të PLL në pushtetin vendor, sollën në vëmendje bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm të tyre me PD dhe partitë e tjera të djathta në të gjitha nivelet dhe shprehën nevojën që ky bashkëpunim gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të institucionalizohet edhe në rang kombëtar.

Konferenca zgjodhi organet drejtuese dhe kryetar z. Tomorr Buzi.

 

18 maj 2008
Deklaratë për mediat

Dalim sot para jush për të shprehur qëndrimin e PLL në lidhje me Reformën Zgjedhore dhe për të theksuar dy propozimet tonat në lidhje me ketë çështje, të cilat për nga rëndësia që bartin, meritojnë vëmendje të veçantë.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" rikonfirmon vullnetin e saj të pa lëkundur për një proces zgjedhor, të lirë, të ndershëm dhe me shanse të barabarta për te gjithë konkurruesit.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh nevojën që krahas mënjanimit të defekteve të konstatuara gjatë zgjedhjeve të kaluara si eliminimi i fenomenit të Dushkut, krijimi i një regjistri të saktë të votuesve dhe pajisja e qytetarëve me karta identiteti, menaxhimi i procesit zgjedhor prej komisionarëve jo partiakë, Kodi i ri Zgjedhor i cili është në diskutim e sipër, duhet të ofrojë edhe risi të tjera, ku ndër më kryesoret mund të përmendim parashikimin dhe krijimin e kushteve që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 shqiptarët e diasporës të kenë të drejtën për të votuar në shtetet ku banojnë si dhe përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

E drejta e votimit të diasporës dhe krijimi i kushteve për realizimin praktik të saj merr një rëndësi të veçantë për faktin se vendi ynë ka një emigracion të lartë prej më shumë se 1 milion personash që krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë përbën një përqindje të konsiderueshme.

Ne theksojmë faktin se pjesa e diasporës tonë pas vitit 1944 është krijuar prej emigrantëve politikë me vetëdije të lartë politike dhe kundërshtarë të deklaruar të regjimit komunist.

Mërgata politike e diasporës, ashtu si edhe pjesa tjetër e saj që u krijua nga emigracioni ekonomik pas viteve '90, jo vetëm që nuk i kanë humbur lidhjet me vendim amë dhe janë duke pritur ditën për t'u rikthyer ne atdhe, por kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit e me gjerë. Gjithashtu, në gjirin e kësaj diaspore ka potenciale mjaft të larta atdhetare dhe intelektuale.

Në këto kushte, krijimi i mundësive që bashkatdhetarët tanë me anë të votës të ndikojnë në politikën e vendit të tyre, i kapërcen kufijtë e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe merr përparësi të tjera.

Për këtë qëllim është e nevojshme që me një ligj të veçantë tu njihet në mënyrë automatike shtetësia shqiptare të gjithë emigrantëve politikë të pas vitit 1944 si dhe fëmijëve të tyre ashtu siç është parashikuar në nenin 19 të Kushtetutës ku thuhet se "Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare".

Duke marrë parasysh edhe praktikat e shteteve të tjera, Partia "Lëvizja e Legalitetit" propozon që në Kodin e Ri Zgjedhor të krijohet një rajon i veçantë elektoral për të gjithë shqiptarët e diasporës, ku kandidatët për deputetë të këtij rajoni të jenë prej radhëve të emigracionit.

Ne kemi bindjen se garantimi i pjesëmarrjes në Kuvendin e Shqipërisë i përfaqësuesve të diasporës do t'i ofrojë vendit mundësi të reja, si dhe politikës shqiptare një hapësirë, fizionomi dhe potenciale me vizion perëndimor që do të forcojë edhe më shumë lidhjet e diasporës me vendin amë.

 

11 maj 2008
Informacion për mediat

Në kuadër të takimeve që po zhvillohen me degët lokale të partisë "Lëvizja e Legalitetit", kryetari i kësaj partie Ekrem Spahiu mori pjesë në konferencës e VII të degës së PLL Vlorë.

Gjatë këtij takimi z. Spahiu shprehu disa nga pikëpamjet dhe qëndrimin e Partisë "Lëvizja e Legalitetit" për zhvillimet më kryesore të kohëve të fundit si dhe objektivat politikë të PLL për zgjedhjet e ardhshme.

Për sa i përket pozicionimit politik të PLL Spahiu tha se 'Duke qenë pjesë aktive e koalicionit të qendrës së djathtë Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të punojë pareshtur për fuqizimin e tij sepse ajo ka bindjen që në zgjedhjet e viti të ardhshëm E djathta duhet të sigurojë një mandat të ri qeverisës për të çuar deri në fund reformat e nisura."

Lidhur me zhvillimet dhe perspektivat turistike të qytetit të Vlorës z. Spahiu në këtë takim tha se : "Me qenë se ky takim përkon edhe me çeljen e sezonit turistik veror 2008 dhe Vlora konsiderohet prej qeverisë Berisha si një nga zonat më të rëndësishme të turizmit veror, është punuar dhe po punohet intensivisht për t'ju përgjigjur standardeve dhe nivelit të lartë të pushuesve. Infrastruktura dhe performanca e krejt rajonit dhe bregdetit po ndryshojnë me shpejtësi sipas një master-plani urban të mirë studiuar, duke përfshirë jo vetëm resurset turistike, hotelerinë por edhe objektet arkeologjike e kulturore."

Duke rikonfirmuar qëndrimin politik të PLL z. Spahiu tha se " PLL do të vazhdojë që të jetë koherente në qëndrimet e saj duke kërkuar thellimin e reformave, dënimin e krimeve të komunizmit, dëmshpërblimin e plotë dhe integrimin real të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave dhe do të kontribuojmë fuqimisht për realizimin e programit qeverisës."

Për sa i përket Reformës zgjedhore e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin e saj për zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shanse të barabarta për të gjithë konkurruesit, Spahiu tha se "PLL kërkon që në Kodin e Ri zgjedhor të marrin zgjidhje edhe këto çështje:

Eliminimi e fenomenit të Dushkut

Krijimi e një regjistri të saktë kombëtar të votuesve

Pajisja e shtetasve me karta identiteti

Menaxhimi i procesit zgjedhor nga komisionarë jopartiakë

Numërimi elektronik i fletëve të votimit

Krijimi i mundësisë që mërgata e vjetër politike dhe emigracioni i ri të ushtrojnë të drejtën e votës.

 

Në përfundim të fjalës së tij Spahiu tha se "çdo parti duhet të jetë më parë kontribuese në një koalicion se sa përfituese e pushtetit që buron prej tij. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare Partia "Lëvizja e Legalitetit" po punon çdo ditë dhe është në një proces të vazhdueshëm reflektimi, hapjeje dhe organizimi me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 Legaliteti të sigurojë meritueshëm vendin që i takon në skenën politike shqiptare.

Në fund të punimeve të saj. Konferenca e Degës së PLL Vlorë rizgjodhi si kryetar të saj z. Akil Danushi si dhe organet e tjera drejtuese.

 

28 prill 2008
Deklaratë për mediat

Ditën e dielë, në një nga sallat e Hotel "Skampa" zhvilloi punimet Konferenca e VIII-të e Degës së PLL Elbasan.

Në këtë konferencë, krahas delegatëve që përfaqësonin 23 nëndegët e kësaj dege, morën pjesë dhe përshëndetën edhe drejtues të pushtetit vendor, partive politike dhe shoqatave të ndryshme të Elbasanit.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Kryetari i PLL Ekrem Spahiu, i cili duke ju referuar zhvillimeve te fundit dhe veçanërisht marrjes së ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO tha se "Kjo është një ngjarje e rëndësishme e përmasave historike dhe plotësim i një aspirate të kahershme të shqiptarëve për integrim në strukturat Euro-Atlantike, sepse shqiptarët kurdoherë e kanë ndjerë veten se i përkasin kësaj demokracie"

Spahiu kritikoi qëndrimin destruktiv të opozitës që u manifestua pas ngjarjes së Gërdecit. Ai tha se "Larg dhimbjes njerëzore dhe duke abuzuar me gjendjen psikologjike që shkaktojnë tragjedi të tilla, Partia Socialiste dhe aleatët e saj u përpoqën të manipulojnë opinionin publik duke harruar se, në thelb edhe ajo tragjedi ishte derivate i sistemit të ndërtuar prej eterve te tyre të cilët ato e kanë aq për zemër."

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Kryetari Spahiu rikonfirmoi edhe një herë vendosmërinë e PLL për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe me shance të barabarta për të gjithë konkurruesit. Spahiu tha se Kodi i ri zgjedhor duhet të japë zgjidhje përfundimtare për:

Eleminimin e fenomenit të Dushkut.

Krijimin e një regjistri të saktë kombëtar të votuesve.

Pajisjen e shtetasve me karta identiteti.

Menaxhimin e procesit zgjedhor prej komisionerëve jopartiakë.

Numërimin elektronik të fletëve të votimit.

Krijimin e mundësive që mërgata e vjetër dhe emigracioni i ri të ushtrojnë të drejtën e votës. 

 

Duke folur për aktivitetin e PLL, Spahiu tha se "Duke qenë të vetëdijshëm për vlerat programore që Legaliteti përfaqëson, si një parti monarkiste e traditës dhe vlerave më të të mira të familjes dhe Kombit, por edhe si një parti me vizion të qartë qeverisës e koncepte bashkëkohore, ne po punojmë që këto vlera të përçohen sa më mirë në elektoratin shqiptar.

Konferenca bëri një analizë të punës dhe zgjodhi organet e reja drejtuese.

 

4 prill 2008
Mesazh urimi

I dashur Ramush!

Shpallja Juaj i pafajshëm prej Gjykatës së Hagës konfirmoi bindjen tonë të kahershme për pafajësinë tuaj dhe të luftëtarëve të UÇK të cilët vetëm për shkak të konjukturave politike u përballën me akuza të montuara nga regjimi i Beogradit.

Duke admiruar gatishmërinë tuaj për t'u përballur me akuzat e ngritura, ne kemi qenë çdo ditë me mendje dhe zemër pranë Jush duke pritur me padurim rikonfirmimin e pafajësisë dhe këtë çast fatlum që na gëzoi pa masë.

Përkundrejt çdo shpifje dhe trillimi që kërkon të përbaltë luftën heroike të UÇK dhe popullit të Kosovës, rasti juaj tregon epërsinë e racës dhe faktin se kombi shqiptar është dinjitoz si në luftë ashtu dhe në paqe.

Shpallja e shtetit të Kosovës për të cilin ju kontribuat aq shumë si komandat i UÇK dhe Kryeministër dhe përkimi i shpalljes së pafajësisë Tuaj në ditën kur Shqipëria mori ftesën për në NATO, janë ogure të mira se në fillim të këtij mijëvjeçari kombi shqiptar do të ecë me ritme të pandalshme drejt progresit.

Me lejoni edhe një herë që në emër të legalistëve shqiptarë T'ju shpreh konsideratën time më të lartë si dhe urimet më të mira për një aktivitet Tuajin politik intensiv në dobi të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Juaji
Ekrem SPAHIU
Kryetar i PLL

 

3 prill 2008
Deklaratë për mediat

Marrja sot e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit është një ngjarje historike që dëshmon jo vetëm aspiratat dhe përkatësinë Euro-Atlantike të kombit shqiptar, por edhe progresin e realizuar prej tij gjatë këtyre viteve në përmbushje të kësaj aspirate.

Rreshtimi dinjitoz i Shqipërisë përkrah vendeve më demokratike të botës ka qenë dhe mbetet pjesë e kodit tonë gjenetik që arriti t'i mbijetojë diktaturës më të egër komuniste, e cila megjithëse në mënyrë të dhunshme arriti të devijojë përkohësisht rrjedhën normale të zhvillimit të shtetit shqiptar i cili ishte projektuar me profil të qartë perëndimor prej Mbretit Zog, asnjëherë nuk arriti të mposhtë ëndrrën tonë për demokraci dhe integrim e cila gjeti rastin të shpërthejë në fillim të viteve '90.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" mendon se përmbushja e kritereve që Shqipëria të merrte ftesën e merituar për t'u bërë pjesë e Organizatës së Atlantikut Verior është meritë e qeverisë së koalicionit të djathtë të drejtuar nga kryeministri Berisha, e cila brenda një periudhe të shkurtër arriti që të realizojë një reformim rrënjësor të forcave të armatosura, të përmirësonte standardet e demokracisë brenda vendit, të merrte përsipër përgjegjësi duke dëshmuar vullnet dhe vendosmëri për realizimin dhe thellimin e të gjitha reformave që do t'i përafrojnë standardet tona me ato të vendeve më të zhvilluara.

Kjo ngjarje e shënuar që vjen menjëherë pas shpalljes së shtetit të Kosovës e që do të ridimensionojë dukshëm peshën e faktorit shqiptar në Ballkan duhet të na shërbejë si një pikënisje e re për të shpejtuar ritmet dhe rifituar kohen e humbur. Duke vlerësuar përgjegjësitë e reja që rrjedhin prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por edhe duke përfituar të mirat që burojnë prej tij në ditët në vazhdim, është rasti të kujtojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Strukturat Euro-Atlantike u dëmtua rëndë prej rebelimit komunist të vitit 1997. Ne shprehim shqetësimin se e majta shqiptare që qëndronte pas atij rebelimi vazhdon të ruajë të njëjtën nostalgji për kohën e diktaturës dhe Traktatin e Varshavës por edhe të njëjtën armiqësi të vjetër ndaj vendeve perëndimore.

Në pamundësi për të dalë haptas ndaj këtyre proceseve, ajo do të përdorë mjete të tjera për t'i penguar ato, por një gjë është e sigurt se askush nuk mund ta ndalë Shqipërinë në rrugën e saj të progresit dhe integrimit.

Përballë protestës së paralajmëruara të drejtuesve të opozitës, tashmë shqiptarët kanë filluar festimet në të gjithë vendin të cilat do të kulmojnë ditën e diel me një koncert madhështor në sheshin "Skënderbej".

 

20 mars 2008
Deklaratë për mediat

Partia Lëvizja e Legalitetit" vëren me shqetësim se fatkeqësia e Gërdecit po shfrytëzohet në mënyrë abuzive dhe të rrezikshme për qëllime politike prej opozitës shqiptare në një gjest të paparë imoraliteti që fyen rëndë viktimat e aksidentit, familjarët e tyre dhe çdo qytetar të ndershëm.

Shfrytëzimi dhe manipulimi i ndjeshmërisë shoqërore që krijoi aksidenti fatal është kriminal, i rrezikshëm dhe antikombëtar, sepse përmes këtij manipulimi, Partia Socialiste dhe aleatët e saj të hapur apo të fshehtë, ëndërrojnë përsëritjen e ngjarjeve të vitit 1997. Po ashtu, tendenca për të inkriminuar qeverinë shqiptare dhe krijimin e një destabilitetit politik në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka si qëllim të vetëm kundërvënien ndaj këtij anëtarësimi.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka deklaruar me kohë se opozita aktuale është e paaftë që të prodhojë alternativa konkurruese dhe si e tillë, por edhe për shkak të trashëgimisë gjenetike, ajo është e gatshme që për të mbijetuar politikisht të inskenojë ose shfrytëzojë situata të caktuara siç është edhe rasti i tragjedisë së Gërdecit.

Përkundrejt rolit destruktiv të opozitës, PLL vlerëson masat e marra nga qeveria dhe strukturat e shtetit për minimizimin e viktimave të mundshme, emergjencën shëndetësore, ndihmën ndaj familjeve të viktimave, vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara dhe shprehet e vendosur që të punohet energjikisht dhe në mënyrë të pandikuar nga presioni destruktiv i opozitës.

Në të njëjtën kohë, PLL vlerëson dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu si një veprim politik dhe qytetar i një politikani të përgjegjshëm dhe gjen rastin të theksojë se aksidenti i Gërdecit nuk mund të zbehë kontributin e tij në reformimin e Forcave të Armatosura dhe afrimin e Shqipërisë në NATO.

PLL nuk mund të mos vërej dhe mos përmendë solidaritetin mbarëshqiptar të të gjitha trevave, i cili krahas humanizmit, ka një domethënie më të thellë.

Partia Lëvizja e Legalitetit, ashtu si në çastet e para, vazhdon te mbetet jo vetëm fizikisht por edhe me mendje, zemër dhe çdo mundësi tjetër pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që u dëmtuan nga kjo fatkeqësi.

 

6 mars 2008
Ngushëllim

Partia "Lëvizja e Legalitetit" shpreh dhimbjen e saj të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot në Liqenin e Farkës ku aksidenti fatal mori jetën e 16 personave.

PLL, duke qenë në lutje për shpirtrat e viktimave, ngushëllon familjet Osmani, Hysa, Spahiu dhe Dibra për humbjen e njerëzve të tyre të dashur dhe i siguron ato se në këtë moment të vështirë gjendet pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie.

 

2 mars 2008
Informacion për mediat

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu pati sot një takim me strukturat drejtuese të kësaj partie në rrethin e Skraparit. Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve të drejtpërdrejta që kryesia e Legalitetit mban me bazën e partisë dhe kishte për qëllim kryesor përsosjen organizative në përgatitje për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Duke përgëzuar degën lokale të PLL për rezultatin e mirë të arritur në zgjedhjet e 18 shkurtit, ku për herë të parë Legaliteti fitoi në këtë rreth 7 këshilltarë, Spahiu foli për punën që duhet bërë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të sigurohen më shumë vota.

Spahiu vuri në dukje procesin gjallërues që ka përfshirë Legalitetin në gjithë vendin, si dhe deklaroi se PLL ka qenë dhe do të mbetet një parti e hapur për të gjithë njerëzit me vlera.

Spahiu porositi strukturat lokale të PLL dhe këshilltarët e saj që të rrisin nivelin e bashkëpunimit me Partinë Demokratike e partitë e tjera të spektrit të djathtë.

Për sa i përket Reformës Zgjedhore, Spahiu bëri edhe një herë të qartë qëndrimin e kahershëm të PLL për: eliminimin e fenomenit të Dushkut; hartimin e një regjistri kombëtar të zgjedhësve; pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe krijimin e komisioneve zgjedhore me përbërje të pa politizuar.

Në këtë takim kryetari i PLL Ekrem Spahiu shoqërohej nga anëtari i Komitetit Drejtues që mbulon qarkun e Beratit z. Ruzhdi Orizaj.

 

18 shkurt 2008
Informacion për mediat

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu u kthye nga vizita që ai në krye të një delegacioni të përbërë nga Kryesia e Partisë, kryetarë të degëve të PLL në rrethe, drejtues të njësive vendore të fituara nga PLL dhe legalistë nga gjithë Shqipëria, zhvilluan në Kosovë me rastin e ngjarjes historike të krijimit të shtetit të ri të Kosovës.

Gjatë qëndrimit treditor në Kosovë ata zhvilluan takime të ndryshme dhe morën pjesë në festimet e organizuara duke ndjerë nga afër edhe perceptimin dhe ndjeshmërinë e pazakontë të qytetarëve të Kosovës ndaj shtetit amë dhe Partisë "Lëvizja e Legalitetit" në veçanti, si një parti me program të theksuar kombëtar me kontribut të veçantë në çështjen e Kosovës.

Në bisedimet dypalëshe që z. Spahiu pati me drejtues politikë të Kosovës por edhe me persona të tjerë influentë, u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me domosdoshmërinë e rikonceptimit dhe shpalosjes së objektivave tona kombëtare pas kësaj ngjarjeje historike. Këta takime kaluan në atmosferë vëllazërore dhe bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të ngjashme.

 

15 shkurt 2008
Informacion për mediat

Sot paradite, Kryetari i PLL Ekrem Spahiu dhe Kryesia e kësaj Partie, improvizuan para Selisë së tyre në Bulevardin Zog I një konferencë shtypi në të cilën ishte i pranishëm edhe Lartësia e Tij Princ Leka.

Kjo konferencë u zhvillua duke pasur në sfond një flamur të madh kombëtar që valëvitej në pritje të shpalljes së shtetit të Kosovës në fasadën e Selisë së PLL.

Lartësia e Tij Princi Leka, drejtuesit e lartë të PLL, si pjesë e një nisme të kësaj partie për të shpërndarë në gjithë Shqipërinë flamuj kombëtar, shpërndanë disa syresh për kalimtarët e rastit në Bulevardin Zog I.

Lartësia e Tij Princi Leka pasi falënderoi Partinë "Lëvizja e Legalitetit" dhe drejtuesit e saj për këtë "nismë të mrekullueshme", -siç e cilësoi ai, tha gjithashtu se "Të gjithë duhet të jemi bashkë në këtë ditë të madhe dhe se shtetit të ri të Kosovës duhet që t'i japim përkrahjen maksimale"

Ndërsa kryetari i PLL në fjalën e tij ndër të tjera tha:
"Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës është ngjarja më e madhe historike e kombit shqiptar që nga viti 1912 dhe sjell një gëzim të shumëfishtë jo vetëm për kurorëzimin me sukses të përpjekjes shekullore të një pjese të kombit tonë, por edhe se kjo ngjarje i radhit shqiptarët në pjesën e kombeve të civilizuar me aspirata të qarta Euro-Atlantike.
Legaliteti, si një parti me program të qartë kombëtar, që gjatë gjithë egzistencës së saj ka aspiruar dhe luftuar për këtë ditë të shënuar, ka arsye të plotë që të ndjejë një gëzim të veçantë.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" mendon se është rasti që shqiptarët të shprehin masivisht e në mënyrë të qytetëruar ndjenjat e tyre kombëtare, sepse këto ndjenja kanë qenë kurdoherë një burim bashkimi, frymëzimi dhe suksesi.

Pikërisht për këtë arsye, me mundësitë tona modeste, ne po shpërndajmë në gjithë Shqipërinë flamuj kombëtar, për të krijuar mundësinë që ai të valëvitet krenar në sa më shumë vatra shqiptare në pritje ta Pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, Lartësia e Tij Princi Leka, drejtues të Partisë "Lëvizja e Legalitetit", anëtarë dhe simpatizantë të saj, do të jenë në Kosovë. Njëkohësisht ne bëjmë thirrje që çdokush ta festojë këtë ditë të shënuar në mënyrën më të mirë."

 

12 shkurt 2008
Deklaratë për Mediat

Partia "Lëvizja e Legalitetit" mendon se afrimi i çastit historik të shpalljes së shtetit të Kosovës duhet të shërbejë si një bilanc kombëtar për përmasat e vërteta të kësaj ngjarjeje, si një kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit shqiptar për të qenë i pavarur dhe zot në trojet e veta. Njëkohësisht, kjo ngjarje duhet të jetë edhe pikënisje për rikonceptimin dhe artikulimin e synimeve tona kombëtare për vitet në vazhdim.

PLL ka bindjen se përkundrejt tendencave globalizuese, nocioni i kombit është më i fortë e ka për t'i qëndruar kohërave, dhe se, shqiptarët, si një komb i qytetëruar do të dinë ta administrojnë këtë sukses të merituar pa revansh dhe eufori. Gjithashtu PLL mendon se, kjo vetëpërmbajtje nuk duhet të bëhet shkak për ndrydhjen e shprehjes së gëzimit mbarëshqiptar.

Duke mirëkuptuar pozicionin delikat të institucioneve të shtetit, por edhe të politikës zyrtare, Partia "Lëvizja e Legalitetit" sjell në vëmendje, që organet e pushtetit vendor dhe shoqatat e ndryshme me karakter kombëtar të bëhen nismëtare dhe menaxhuese të atmosferës festive që do të shfaqet natyrshëm, për t'i dhënë gëzimit mbarëshqiptar për pavarësinë e Kosovës një përmbajtje dhe formë që i ka hije shtetit amë.

***
Në këtë dalje para opinionit publik dëshirojmë të shprehim edhe pikëpamjet dhe qëndrimin e PLL në lidhje me fenomenin e rritjes së çmimeve të disa artikujve dhe shërbimeve jetikë të vënë re gjatë ditëve të fundit.

Duke shprehur bindjen e palëkundur se prona private dhe ekonomia e tregut janë mjeti dhe metoda më e përshtatshme për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies, PLL vëren me shqetësim se këta dy faktorë po veprojnë në një treg të deformuar nga monopolet.

PLL e shikon valën e re të rritjes së çmimeve prej grupeve monopoliste që veprojnë në ekonomi si një reagim të tyre ndaj masave kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal të ndërmarra nga qeveria. Përmes kësaj rritje çmimesh ata kërkojnë të ruajnë të njëjtën normë fitimi që kanë siguruar edhe më parë përmes praktikave të njohura abuzuese.

Duke vërejtur reagimin e opozitës për ketë çështje, PLL ka arsye të dyshojë se ndodhemi përballë veprimesh të programuara dhe me prapavijë të qartë politike, të cilat kanë për qëllim që, duke shfrytëzuar efektin psikologjik të rastit, të realizojnë një rritje zinxhir dhe të pa frenuar të çmimeve, të prishin stabilitetin makroekonomik, e pse jo të shkaktojë edhe tronditje në sistemin bankar, për të rritur pakënaqësinë e shqiptarëve.

Përballë kësaj situate, Partia "Lëvizja e Legalitetit" kërkon nga faktorët përgjegjës që të marrin në kohë masat e nevojshme deri atje sa edhe shteti të veprojë si operator ekonomik në treg. Sipas gjykimit tonë, duke marrë përsipër përkohësisht importimin e disa mallrave me rëndësi jetike, shteti jo vetëm që do t'i jepte një goditje monopoleve dhe do të frenonte fenomenin e rritjes së çmimeve, por edhe do të ndikonte që kapitalet qarkulluese të sferës tregtare, të orientoheshin natyrshëm drejt sferës prodhuese për të nxitur dhe mbrojtur kështu prodhimin vendas si një nga prioritet tona.

 

5 shkurt 2008
Informacion për mediat

Partia "Lëvizja e Legalitetit" është në një aktivitet të ngjeshur politik që përkon edhe me zhvillimin e konferencave të saj në rrethe.

Në këtë kuadër, pas zhvillimit me plot sukses të disa konferencave të degëve të PLL nëpër rrethe, radhën e kishte konferenca e Degës së PLL Dibër e cila i zhvilloi punimet në Pallatin e Kulturës Peshkopi.

Në këtë konferencë morën pjesë dhe përshëndetën z. Rrahim Koleci, deputet dhe kryetar i Degës së PD Dibër, z. Xhafer Seiti, prefekt i qarkut Dibër, z. Ilir Klosi kryetar i baskisë Peshkopi, si dhe drejtues të tjerë të subjekteve politike apo shoqatave të rrethit.

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu tha:
"Është kënaqësi e veçantë të marrësh pjesë në një takim të tillë në rrethin tuaj, sepse Dibra është shquar në shekuj jo vetëm për mikpritjen, mençurinë, patriotizmin e saj e plot vlera të tjera, por edhe për një plejadë burrash të ndritur e patriotë që kanë lënë emër në historinë e Kombit. Do doja të theksoja në mënyrë të veçantë mbështetjen që prijësit dhe populli i Dibrës i dhanë Ahmet Zogut në dhjetor të vitit 1924 për rikthimin e tij në atdhe, shtypjen e revolucionit bolshevik të Fan Nolit dhe rikthimin e Legjitimitetit.

Historia jonë, e vjetër dhe e re, na ka mësuar se sa herë kemi qenë të bashkuar e nën hijen e flamurit kombëtar, ne kemi arritur që t'i përballojmë sfidat e kohës e të ecim përpara. Prandaj mendojmë se sot është po koha që të jemi të bashkuar për realizimin e aspiratave tona kombëtare, konsolidimin e demokracisë dhe begatimin e vendit."

Duke vazhduar më tej, Spahiu e vuri theksin tek puna që po bëhet për rishkrimin e pa anshëm e në mënyrë profesionale të historisë, për vlerësimin e figurave historike dhe kontributit të tyre në historinë e shtetit shqiptar si dhe në rritjen e ndikimit të Familjes Mbretërore Shqiptare si një faktor i rëndësishëm mbipartiak e kombëtar.

Duke folur për përfshirjen e PLL në Koalicionin qeverisës z. Spahiu tha se: "Ajo është jo vetëm respekt për kontributet dhe sakrificat e Legalitetit të dhëna ndër vite, por është edhe vlerësim për parimet dhe filozofinë qeverisëse të Legalitetit. Ne do të vazhdojmë që të jemi koherent në qëndrimet tona duke kërkuar thellimin e reformave, dënimin e krimeve të komunizmit, dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e plotë të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, zgjidhjes definitive të çështjes së pronave dhe do të kontribuojmë fuqimisht për realizimin e programit qeverisës."

Konferenca e PLL Dibër zgjodhi si drejtues të degës z. Gazmend Lita, pinjoll i një familjeje të njohur nacionaliste. Z. Lita është një nga eksponentët më të njohur të emigracionit në SHBA dhe anëtar i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane, që pas sukseseve të atjeshme në politikë dhe biznes, ka vendosur që ti rikthehet vendlindjes duke marrë përgjegjësi të reja politike.

 

2 shkurt 2008
Informacion për mediat

Sot paradite, ne sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" Durrës zhvilloi punimet konferenca e 8-të e degës së PLL të këtij rrethi.

Në këtë konferencë, krahas delegatëve dhe legalistëve, morën pjesë dhe përshëndetën edhe Prefekti i Qarkut Durrës z. Klodian Pajuni, drejtues të pushtetit vendor, të partive aleate dhe shoqatave të ndryshme të Durrësit.

Duke u ndalur ne zhvillimet e rëndësishme kombëtare, Kryetari i PLL Ekrem Spahiu në fjalën e tij ndër të tjera tha:
"Viti 2008 ka nisur dhe do të mbetet në histori si një vit mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët sepse gjatë tij priten të realizohen një pjesë e aspiratave tona kombëtare."
"Procesi i pavarësimit të Kosovës është në një rrugë të mbarë dhe të pa kthyeshme. Duke pritur me emocion të veçantë aktin e shpalljes përfundimtare të kësaj pavarësia si një veprim kulmor dhe materializim i qëndresës, përkushtimit dhe gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, ne gjejmë rastin të përulemi me respekt në kujtim të martirëve të kësaj kauze."

"Një ngjarje tjetër e rëndësishme që pritet të ndodhë në fillim të muajt prill në takimin e Bukureshtit do të jetë marrja e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe kjo është plotësim i një aspirate të kahershme të shqiptarëve për integrim në strukturat Euro-Atlantike sepse ne kurdoherë e kane ndjerë veten se i përkasin kësaj demokracie."
Spahiu tha gjithashtu se:

"Plotësimi i standardeve të kërkuara për marrjen e ftesës për në NATO është kryekëput meritë e qeverisë së kryeministrit Berisha dhe masave të ndërmarra prej saj si lufta ndaj korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar si dhe reformat e rëndësishme të ndërmarra, pa përjashtuar këtu edhe reformimin e forcave të armatosura."

Duke ju referuar opozitës socialiste, Spahiu tha se:
"Opozita e majtë, duke e ndjerë veten të paaftë për të prodhuar alternativa dhe duke kuptuar se proceset integruese të shqiptarëve janë të pakthyeshme, më së fundmi, përmes një show mediatik, po ofron të ashtuquajturin konsensus të saj për disa reforma. Ne do të dëshironim që deklarimet e saj të ishin të sinqerta dhe ajo të mos veprojë sipas praktikave të saj të deritanishme, kur ndryshe shprehet publikisht, ndërkohë që në prapaskenë punon pa ndërprerje për mosrealizimin e reformave dhe procesit integrues."

Për sa i përket pozicionimit politik te PLL Spahiu deklaroi:
"Ne do vazhdojmë të jemi pjesë aktive e koalicionit të qendrës së djathtë dhe do të punojmë pareshtur për fuqizimin e tij. Ne jemi të bindur se vetëm të bashkuar mund të sigurojmë mandatin e ri qeverisës në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009 për të mirën e shqiptarëve. Këtë shembull bashkëpunimi e kemi dhënë jo vetëm në nivel qendror, por edhe lokal, ku të zgjedhurit tanë në pushtetin vendor po punojnë në unison të plotë me këshilltarët e tjerë të djathtë."

Ndërsa për legalitetin, nder te tjera spahiu u shpreh se:
"Të vetëdijshëm për vlerat programore që Legaliteti mishëron, si një parti monarkiste e traditës dhe vlerave më të mira të familjes dhe kombit, por edhe si një parti me vizion të qartë qeverisës e koncepte bashkëkohore, ne po punojmë që këto vlera të përçohen sa më mirë në elektoratin shqiptar."

Konferenca zgjodhi organet e reja drejtuese të PLL në Degën e Durrësit dhe kryetarin e saj z. Hysen Mushketa

 

25 janar 2008
Deklaratë për mediat

Kryesia e Partisë "Lëvizja e Legalitetit" ka marrë vendimin politik që në zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune qe do të zhvillohen në Komunën Paskuqan në 24 shkurt 2008, të mos dalë me kandidatin e saj, por të mbështesë kandidatin që do caktohet nga Partia Demokratike dhe koalicioni qeverisës.

Në marrjen e këtij vendimi Kryesia e PLL pati parasysh edhe marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar mes saj dhe PD për zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit të kaluar dhe veproi në bazë të bindjes se, bashkimi i të gjithë forcave të djathta në një front të vetëm ka qenë dhe do të jetë kurdoherë i suksesshëm.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të përdorë të gjithë ndikimin e saj të konsiderueshëm politik që ka në këtë komunë për të siguruar fitoren e kandidatit të përbashkët e për të përsëritur edhe një herë me përmasa më të mëdha të gjitha sukseset që kemi realizuar në zgjedhjet e pjesshme.

 

20 janar 2008
Deklarate per mediat

Dalim sot para jush në emër të Forumit Rinor të Partisë "Lëvizja e Legalitetit" për të prezantuar diçka nga vizioni dhe platforma që ky forum ka për integrimin e brezit të ri në politikën vendim-marrëse të vendit me qëllim zgjidhjen me racionalitet të problematikës që shqetëson brezin e ri.

Forumi Rinor i PLL ka bindjen se pjesëmarrja me e gjerë e rinisë në jetën politike të të gjitha niveleve është kthyer në domosdoshmëri jo vetëm për të shfrytëzuar idetë, energjitë dhe resurset që zotëron kjo moshë, por edhe për të dëshmuar me prova se politika e re ka nevojë për njerëz të rinj.

Forumi Rinor i PLL beson se një brez i ri, i arsimuar me dije bashkëkohore, i edukuar me vlerat më të larta të kombit dhe familjes, do të jetë një garanci e plotë që e ardhmja e vendit të kalojë në duar të sigurta. Ne gjykojmë se është detyrim i klasës politike aktuale, që në këtë periudhë tranzicioni, globalizmi dhe zhvillimesh të vrullshme, të krijojë kushtë të favorshme për integrimin e brezit të ri në jetën politiko-shoqërore të vendit dhe të mundësojë largimin e tij prej idealeve të rreme dhe shpesh të paqarta.

Forumi Rinor i PLL dëshiron të theksojë se e gjen veten plotësisht në programin e Legalitetit, ndjehet krenar që është organizatë partnere e kësaj partie dhe se do të punojë për një prezantim më të mirë të vlerave të PLL dhe të periudhës së artë historike të Mbretit Zog tek rinia shqiptare, sepse këto janë vlera për të cilat sot shoqëria ka nevojë më shumë se kurrë.

Në të njëjtën kohë ne do të kërkojmë dhe do të dëshmojmë se jemi të gatshëm dhe të aftë të marrim mbi supe përgjegjësi politike, ku secili prej nesh të ketë mundësinë për të vendosur një gurë në rrugën e madhe të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë. Ne ftojmë të gjithë të rinjtë shqiptarë që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.

 

14 janar 2008
Informacion për mediat 

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu, në kuadër të takimeve me bazën e partisë në mbarë vendin, pati një takim me strukturat drejtuese të kësaj partie në rrethin e Lezhës.

Krahas prezantimit të objektivave organizative të PLL për një veprimtari më aktive të organeve drejtuese të PLL dhe pasurimin e tyre me elementë të rinj, Spahiu u ndal në perspektivat e reja të zhvillimit të rrethit të Lezhës.

Ai tha se "këto perspektiva janë të lidhura pazgjidhshmërisht me programet zhvilluese të qeverisë që e konsideron Lezhën një rreth me resurse të larta ekonomike, turistike dhe historike, të cilat duhet të zhvillohen e shfrytëzohen në mënyrën më të mire".

Duke folur për portin e Shëngjinit Spahiu tha se "krahas ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, porti i Shëngjinit do të bëhet pjesë e rëndësishme dhe pika kryesore hyrëse e korridorit që lidh Shqipërinë me Kosovën".

 

13 janar 2008
Deklaratë për mediat

Faktorizimi i Shqipërisë në rajon, pjekuria politike e Grupit të Unitetit të Kosovës në bisedimet me trojkën ndërkombëtare dhe palën serbe, zgjedhjet e suksesshme të 17 nëntorit në Kosovë dhe, së fundmi, zgjedhja e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit qeveritar, si dh përparimi i dukshëm e i pashmangshëm drejt pavarësimit të Kosovës, ka precipituar në krijimin e një klime antishqiptare në Beograd dhe Shkup.

PLL mendon se përshkallëzimi i qëndrimeve antishqiptaret Shkupit zyrtar: me shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit; me heqjen e simboleve kombëtare të shqiptarëve; me mendimin në disa nene të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe me vendosjen së fundmi të regjimit të vizave me Shqipërinë, jo vetëm që nuk janë të rastësishme, por janë kulmim i një fushate që synon izolimin e faktorit shqiptar në rajon dhe acarimin e raporteve sllavo-shqiptare.

PLL konkludon se Shkupi zyrtar, përtej detyrimeve politike që burojnë nga nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për regjimin e vizave, nënshkrimi i Kartës së Adriatikut, si dhe interesave të konsiderueshme ekonomike, ka vendosur të provokojë shqiptarët me epitete fyese dhe të ndajë me kufij të dhunshëm faktorin shqiptar në hapësirën mbarëshqiptare.

PLL vlerëson se dhunimi i hapur i lëvizjes së lirë të qytetarëve, i qarkullimit të mallrave dhe shkëmbimit të vlerave në të dy anët e kufijve ndërshtetërorë pikërisht në prag të pavarësimit të Kosovës, është kundërvënie e hapur ndaj aspiratave të integrimit rajonal dhe më gjerë. Kjo është skemë serbo-maqedonase për acarimin e marrëdhënieve ndëretnike , për të defaktorizuar shqiptarët dhe për t'i nxjerrë ata si destabilizues të rajonit.

Me këtë strategji, Shkupi zyrtar synon të përgatisë situata të ngjashme e të përgjakshme me ato të Brodecit, për t'u krijuar klimë të favorshme paramilitarëve dhe qarqeve ekstremiste serbe në Beograd për fillimin dhe përshkallëzimin e një konflikti të armatosur në Mitrovicë apo gjetkë.

Në këto kushte PLL u bën thirrje faktorëve politikë shqiptar për maturi. Njëkohësisht ajo kërkon që institucionet e shtetit shqiptar, krahas denoncimit ndërkombëtar të këtij skenari të turpshëm e destabilizues, të adoptojë menjëherë parimin e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore.

 

12 janar 2008
Informacion për mediat

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu zhvilloi një takim me strukturat drejtuese te Partisë "Lëvizja e Legalitetit" të qytetit të Durrësit. Ky takim ishte vazhdim i një turi që Spahiu ka ndërmarrë në këtë fillim viti për të kontaktuar drejtpërsëdrejti me strukturat partiake në mbarë vendin e që ka për qëllim përmbylljen me sukses të procesit të zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të Legalitetit në degë.

Spahiu përgëzoi drejtuesit lokalë për punën e bërë dhe afrimin e elementeve të rinj dhe shprehu besimin se konferenca e radhës e degës së PLL Durrës që do të mbahet së shpejti do t'i japë një impuls të ri jetës politike në qytetin e Durrësit.

Duke folur për zhvillimet politike, Spahiu ritheksoi qëndrimin e PLL për nevojën, vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të reformave në tërësi. Për sa i përket reformës zgjedhore ai tha se "ajo duhet të realizojë zhdukjen përfundimtare të fenomenit të Dushkut". Spahiu tha gjithashtu se "në zgjedhjet e ardhshme qytetarët shqiptarë duhet të votojnë me kartat e tyre të identitetit" dhe se "partitë politike duhet të heqin monopolit dhe tutelën e tyre mbi komisionet zgjedhore".

 

11 janar 2008
Informacion për mediat

Kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu i ka dërguar mesazhe të veçanta urimi Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryetarit te Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Në këto mesazhe, krahas shprehjes se ndjenjës së konsideratës së lartë për shkëlqesitë e tyre, zoti Spahiu ka shprehur bindjen se, përparimet e dukshme që janë bërë në procesin e pavarësimit te Kosovës do të finalizohen shumë shpejt gjatë mandatit të tyre.

Duke dërguar përshëndetjet më të përzemërta dhe vëllazërore, z. Spahiu u uroj drejtuese më të lartë të Kosovës suksese në punën e tyre fisnike në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë.

 

10 janar 2008
Informacion për mediat

Sot në mesditë Kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" z. Ekrem Spahiu, njëkohësisht dhe zv/ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve zhvilloi një takim pune me Presidentin e Republikës z. Bamir Topi.

Tema të diskutimit ishin zhvillimet politike ne vend ku u përqendrua në reformat dhe proceset integruese të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.

Zgjedhjet në Kosove dhe Pavarësia e saj, hapësira mbarëshqiptare, diaspora dhe rajoni ishin çështje të pandara të bisedës.

Gjithashtu u fol për arritjet e MTKRS dhe synimet e saj për vitin 2008.

Palët ndanë pikëpamje të ngjashme për të gjitha çështjet e diskutuara.

Kthehu në fillim të faqes >>>

Shkarko Arkiven e vitit 2008 >>>