Arkiva e vitit 2006
16 dhjetor 2006
Informacion për media
Në një takim me legaliste të Peqinit ku ishte i pranishëm në kuadrin e përgatitjeve për fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet vendore, kryetari i Partisë Legalitetit Ekrem Spahiu u shpreh se: “në koalicionin e qendrës së djathtë ekziston një frymë e përbashkët dhe vendosmëri e lartë për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, duke respektuar kështu të gjitha standardet e kërkuara jo vetëm nga detyrimet ligjore, por edhe nga rekomandimet e ndërkombëtarëve.”
Gjithashtu z. Spahiu tha se një vullnet i tillë, të paktën deri më tani, mungon plotësisht në kampin e opozitës së majtë, e cila duke qenë e pazonja për një përballje të ndershme elektorale, ka zgjedhur për momentin, rrugën e bojkotit të zgjedhjeve vendore të 20 janarit.
Spahiu u shpreh se nëse ekziston edhe vullneti politik i opozitës, maxhoranca është e gatshme të dialogojë me të për të gjitha pretendimet që ajo i ngre gjoja në emër të standardeve. Kjo do të mënjanonte atë barrierë, që të paktën siç është deklaruar, e mban opozitën larg procesit zgjedhor.
Z. Spahiu e ftoi opozitën që të kuptojë se qëndrimi i saj intransigjent është krejt jashtë realitetit dhe se ajo duhet të ndryshojë qëndrimin ndaj pjesëmarrjes në zgjedhje sa është ende në kohë. Për këtë qëllim, z. Spahiu tha se maxhoranca është e gatshme për ti dhënë opozitës konsensusin për rregullimin e afateve ligjore të regjistrimit të saj në KQZ dhe KQZV, afate që tashmë janë të kapërcyera po prej saj.
15 dhjetor 2006
Informacion për media
Në një takim në qytetin e Kavajës ku ishte në kuadrin e përgatitjeve që partia Lëvizja e Legalitetit po bën për zgjedhjet vendore të datës 20 janar, kryetari i saj Ekrem Spahiu u shpreh se “strategjia e bojkotimit të zgjedhjeve vendore prej opozitës së majtë po diskreditohet dita-ditës si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.”
Çdo ditë që kalon, - tha z. Spahiu, po nxjerr gjithnjë e më shumë në dritë se arsyeja e mospjesëmarrjes së tyre në zgjedhje nuk qëndron në pseudo pretekstet që ato ngrenë, që me gjithë se të tilla, janë gati të plotësohen nga maxhoranca qeverisëse. Prapa bojkotit të majtë fshihen qëllime të caktuara për krijimin e një krize institucionale, ashpërsimin e konfliktit politik, sabotimin e reformave dhe të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Refuzimi i vazhdueshëm i ftesës së maxhorancës për miratimin me konsensus të ndryshimeve ligjore të parashikuara në marrëveshjen e 30 gushtit është një vetdiskretitim i paparë i cili nuk ka se si të mos bjerë në sy të qytetarëve shqiptarë dhe opinionit të interesuar ndërkombëtar.
Është kjo arsyeja që bojkoti i opozitës së majtë ka shkaktuar një zhgënjim të thellë, deri edhe tek përkrahësit e saj.
Në këto kushte, duke u ndjerë dhe qenë realisht pa përkrahje, lidershipi i majtë ka zgjedhur si varkë shpëtimi rrugën e bojkotit, një veprim ky sa i papërgjegjshëm aq edhe i rrezikshëm.
Në situatën e krijuar zgjidhja duhet gjetur brenda institucioneve, ndaj është detyra e organeve të shtetit për të siguruar dhe realizuar zgjedhjet e 20 janarit, pavarësisht dëshirës së opozitës.
14 dhjetor 2006
Informacion për media
Në një takim me legalistët elbasanas, kryetari i partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu tha se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet vendore të datës 20 janar nuk do të sjellë asnjë pasojë në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Duke e ndjerë veten të braktisur nga elektorati shqiptar, opozita e majtë po përpiqet që krizën e saj të brendshme ta transferojë në dimensione të tjera që kanë për qëllim edhe dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Të gjendur pa përkrahje të brendshme, Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë përfshirë në një fushatë dizinformuese për opinionin e brendshëm e atë ndërkombëtar, me anë të se cilës kërkojnë të venë në dyshim legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.
Duke vepruar në këtë mënyre, opozita e majtë po merr me vetëdije të plotë mbi supe barrën e turpshme të sabotimit të interesave kombëtare në kohën kur shumë çështje të rëndësishme janë në axhendën e ditës.
Me sa duket, kriza e brendshme ka errësuar aq shumë mendje në opozitën e majtë sa të mos kuptojnë se imazhi i Shqipërisë nuk varet nga bojkoti i tyre, por nga standardet e zgjedhjeve, për të cilat pozita është angazhuar maksimalisht.
Opozita e majtë nuk duhet të harrojë se për faktorin ndërkombëtar ajo vazhdon të jetë e pabesueshme për aq kohë sa nuk është distancuar akoma nga krimet e regjimit komunist, për të cilat jo shumë kohë më parë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës hartoi një rezolutë të veçantë, të cilët të majtët e refuzuan në Parlamentin e Shqipërisë.
13 dhjetor 2006
Informacion për media
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu zhvilloi paraditen e sotme një takim me legalistët e qytetit të Lushnjës.
Aty u diskutua për përgatitjet elektorale të PLL për zgjedhjet e 20 janarit dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistonin atje midis forcave politike të koalicionit të qendrës së djathtë e veçanërisht ato PD-PLL.
Z. Spahiu theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë në nivel qendror ndërmjet partive aleate, mirëbesimin dhe koordinimin e lartë mes tyre si dhe vendosmërinë e gjithë maxhorancës për realizimin e zgjedhjeve te lira dhe të ndershme.
Kryetari i PLL Spahiu tha se bojkoti i të majtëve nuk është thjesht një taktikë e qartë destabilizuese, e cila nuk do të ketë sukses, por është edhe një veprim i mirë menduar politik që ka si qëllim të sjellë pasoja mbi qytetarët shqiptarë në shenjë hakmarrje ndaj votës së tyre të 3 korrikut.
Në një situatë të tillë, ku segmente të pushtetit vendor të zotëruar nga të majtët po japin shenja të qarta të bllokimit dhe mosfunksionimit, zhvillimi i zgjedhjeve vendore në datën e përcaktuar sipas afateve kushtetuese është më se domosdoshmëri.
Pavarësisht kësaj, z. Spahiu tha se maxhoranca qeverisëse ka programuar masat e saj dhe nuk do të lejojë që pasojat e bojkotit të majtë të bien mbi qytetarët shqiptarë. E vetmja gjë që do të ndodhë, - ka thënë z. Spahiu, është fakti se këto pasoja do të bien mbi vetë organizatorët e këtij skenari.
12 dhjetor 2006
Informacion për media
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu u takua me strukturat legaliste në Shkodër.
Spahiu: Bojkoti i të majtëve papërgjegjshmëri ndaj elektoratit dhe vendit.
Kryetari Ekrem Spahiu mori pjesë në një mbledhje të komitetit drejtues të PLL për degën e Shkodrës. Krahas analizimit të punës së deritanishme të strukturave partiake të PLL dhe masave organizative për finalizimin e suksesshëm të pjesëmarrjes elektorale te saj për zgjedhjet e 20 janarit, në atë mbledhje u hartua edhe lista e kandidatëve të PLL për anëtarë të këshillit bashkiak. Ndërsa siç dihet, për kryetarë të njësive vendore, paria Lëvizja e Legalitetit do të mbështesë kandidatët e përbashkët të koalicionit të qendrës së djathtë.
Z. Spahiu shprehu kënaqësinë e tij për përbërjen cilësore të listës së kandidatëve të PLL për anëtarë të këshillit bashkiak, sepse në të bëjnë pjesë figura të rëndësishme të jetës politike, akademike e të biznesit, të cilët mishërojmë dhe përfaqësojnë më së miri qytetarinë shkodrane.
Duke ju referuar zhvillimeve më të fundit politike në vend, z. Spahiu tha se bojkotimi i zgjedhjeve vendore prej opozitës së majtë është një shprehje e qartë e mungesës së respektit të tyre ndaj elektorat. Ky veprim është gjithashtu edhe një papërgjegjshmëri e skajshme që kërkon të destabilizojë realitetin politik të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut dhe të pengojë reformat e maxhorancës dhe proceset integruese të Shqipërisë.
Kryetari i PLL Spahiu vuri në dukje vullnetin e shprehur qartazi prej maxhorancës për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe gatishmërinë e saj për të negociuar me të majtët qoftë edhe duke bërë lëshime.
Z. Spahiu tha se bojkoti i socialistëve është i paracaktuar prej kohësh dhe se ato nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje qoftë edhe sikur të bihej dakort për shtyrjen e datës së tyre. Ai tha se të majtët po ecnin në një rrugë të rrezikshme dhe se çdo përgjegjësi do të bjerë mbi ta.
9 dhjetor 2006
Informacion për media
Kryetari I PLL Ekrem Spahiu zhvilloi gjatë ditës së sotme një seri takimesh me drejtuesit dhe strukturat e partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Librazhd, Pogradec, Bilisht, Korçë dhe Ersekë.
Zoti Spahiu u njoh nga afër me përgatitjet e strukturave legaliste për zgjedhjet vendore të datës 20 janar si dhe me shkallën e organizimit dhe funksionimit të koalicionit të qendrës së djathtë në nivel lokal.
Në këto takime zoti Spahiu tha se primare ngelet realizimi i fitores së kandidatëve të koalicionit të qendrës së djathtë dhe sigurimi i rezultatit elektoral të PLL. Kjo do të sigurohet përmes përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë partive aleate, ku siç dihet PLL ka vendin e saj të merituar.
Duke ju referuar zhvillimeve politike të ditës, Spahiu tha se kërkesat dhe qëndrimet e opozitës ndaj procesit zgjedhor janë destruktive dhe kanë si qëllim të vetëm shkatërrimin e procesit zgjedhor. Ai siguroi se të majtët nuk do të kenë sukses në këtë skenar dhe siguroi për përparësinë absolute të maxhorancës dhe angazhimin e saj konstant për realizimin e zgjedhjeve te lira e të ndershme.
Socialistët, -tha z. Spahiu, janë të pa aftë të ndeshen në një proces të ndershëm elektoral dhe për të shmangur këtë po përpiqen të sigurojnë lloj-lloj alibish. Ai i ftoi ato që të heqin nga mendja dhe planet e tyre çdo skenar tjetër, që në mënyrë iluzive i bën të shpresojnë për rotacionin e pushtetit me mjete të tjera përveç votës së lirë.
5 dhjetor 2006
Informacion për media
Në kuadër të përgatitjeve që PLL po bën për zgjedhjet e 20 janarit, kryetari i saj Ekrem Spahiu, zhvilloi në qytetin e Rrëshenit një takim me strukturat partiake të rrethit Mirditë.
Z. Spahiu vlerësoi punën e deritanishme të strukturave lokale të PLL dhe kërkoi prej tyre angazhim maksimal në kuadër të mbështetjes të kandidatëve për kryetarë të njësive vendore të koalicionit të qendrës së djathtë ku siç dihet bën pjesë edhe PLL. Ai i nxiti drejtuesit lokalë të PLL, që së bashku me partitë e tjera aleate të punojnë bashkërisht për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja qendrore e që do të sigurojnë jo fitoren e kandidatëve të koalicionit të qendrës së djathtë por edhe materializimin e synimeve elektorale të secilës parti.
Z. Spahiu, përmes kryetarit të degës së PLL Petrit Jushi, mori garancitë e legalistëve mirditore për mbulimin me lista për këshilltarë të të gjithë njësive vendore dhe realizimin prej tyre të objektivit elektoral për kapërcimin e rezultatit prej 6% që PLL mori në zgjedhjet e vitit 2003 në shkallë rrethi.
Duke folur për situatën politike në vend z. Spahiu vlerësoi vendosmërinë e shumicës parlamentare për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme dhe u shpreh i sigurt për realizimin prej saj të të gjitha standardeve.
Ndërsa duke ju referuar qëndrimit refraktar të opozitës, ai i konsideroi atë si lojë të pandershme politike që ka për qëllim shkatërrimin e procesit zgjedhor. Në këtë përpjekje të dështuar opozita e majtë nuk motivohet vetëm nga humbja e pritshme e saj në zgjedhjet vendore, por edhe nga konstrukti i saj gjenetik si armike e zgjedhjeve të lira.
Z. Spahiu tha se zgjedhjet e 20 janarit janë një shans i mirë për opozitën që të shkëputet nga e kaluara e saj e errët dhe të dëshmojë me fakte një angazhim dhe qëndrim të ri ndaj zgjedhjeve të lira, respektimit të vullnetit të qytetarëve apo proceseve demokratike në përgjithësi.
Z. Spahiu zhvilloi gjithashtu edhe një takim pune me drejtuesit e PLL të degës Lezhë.
2 dhjetor 2006
Informacion për media
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu, në kuadër të përgatitjeve të PLL për zgjedhjet e 20 janarit dhe pjesëmarrjen e saj në koalicionin e qendrës së djathtë, zhvilloi gjatë ditës së sotme takime intensive pune me drejtuesit dhe strukturat e PLL në qytetet Berat, Kuçovë dhe Skrapar.
Z. Spahiu tha se me dekretimin e datës së zgjedhjeve kalohet në një stad tjetër të punës së strukturave të PLL, para të cilave shtrohet detyra e konkretizimit të punës së deritanishme përgatitore e cila duhet të materializohet me regjistrimin e listave të kandidatëve të PLL për këshilltarë në të gjitha njësitë vendore. Gjithashtu z. Spahiu shprehu nevojën e konkretizimit të shpejtë të marrëveshjes PD-PLL edhe në nivel lokal dhe porositi drejtuesit legalistë Ruzhdi Orizaj, Hysen Polovina dhe Agron Aliaj që në mënyrë institucionale të ofrojnë në koalicionin e qendrës së djathtë kontributin e strukturave të PLL dhe të kërkojnë prej aleatëve plotësimin e angazhimeve të tyre të nënshkruara në marrëveshjen qendrore. Z. Spahiu i kërkoi strukturave të PLL që kandidatët e koalicionit të qendrës së djathtë për kryetarë të njësive vendore të konsiderohen organikisht edhe si kandidatë të PLL dhe për sigurimin e fitores së tyre të vihen në dispozicion të gjitha resurset legaliste.
Z. Spahiu i konsideroi përpjekjet e opozitës së majtë për bllokimin e reformës zgjedhore si një alibi që ata kërkojnë të krijojnë për humbjen e tyre të sigurt në këto zgjedhje dhe shprehu vendosmërinë e koalicionit për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Duke vlerësuar punën e deritanishme të qeverisë dhe forcën reale të koalicionit të qendrës së djathtë z. Spahiu tha se zgjedhjet vendore të 20 janarit do të tregojnë se nuk ka më bastione të majta.
Gjatë ditës së sotme z. Spahiu pati takime të veçanta edhe me drejtuesit lokalë të PD, përkatësisht zotërinjtë Fadil Mara dhe Fadil Kapllani në të cilat u shkëmbyen pikëpamje të vlefshme për funksionimin në bazë të koalicionit të qendrës së djathtë.
29 nëntor 2006
Informacion për media
Sot në mesditë, kryetari i PLL Ekrem Spahiu dhe kryetari i degës së PLL Tiranë Novruz Ndregjoni, zhvilluan një takim pune me kryetarin e PD për Tiranën dhe njëkohësisht kandidat i koalicionit të qendrës së djathtë për këtë bashki z. Sokol Olldashi.
Këtij takimi i ka paraprirë marrëveshja qendrore e arritur midis PLL dhe PD ku siç dihet partitë përkatëse do të mbështesin kandidatët e përbashkët për kryetarë të njësive vendore dhe do të konkurrojnë më vetë për listat e këshilltarëve, duke siguruar njëkohësisht edhe ndihmë reciproke për plotësimin e modaliteteve të regjistrimit dhe sigurimin e transparencës në numërimin e votave.
Z. Spahiu vlerësoi kontributet dhe staturën politike të shpalosura ndër vite të zotit Olldashi dhe e konsideroi angazhimin e tij më të fundit si një shprehje të qytetarisë dhe përgjegjësisë politike për të rikthyer tek banorët e kryeqytetit atë pjesë të pushtetit që mbahet e uzurpuar nga z. Rama dhe klani i tij.
Kryetari Spahiu garantoi për mbështetjen politike, programore, njerëzore dhe logjistike që PLL do të ofrojë për kandidatët e përbashkët të koalicionit të qendrës së djathtë e në veçanti për z. Olldashi, duke u shprehur i sigurt për fitoren e tij.
Kryetari i degës së PLL Tiranë Novruz Ndregjoni prezantoi përgatitjet që strukturat e PLL Tiranë kanë bërë në funksion të zgjedhjeve të pritshme vendore duke vënë në dukje edhe mirëpritjen e tyre për kandidaturën e z. Olldashi për kryetar të ardhshëm të bashkisë.
Nga ana e tij z. Olldashi vlerësoi qëndrimet, kontributet dhe privimet e PLL që gjatë kohës së opozicionit të përbashkët e më vonë dhe e konsideroi pjesëmarrjen e PLL në koalicionin e qendrës së djathtë si të natyrshëm, të qenësishëm dhe të nevojshëm. Ai ishte në dijeni për shkallën e organizimit të strukturave të PLL në Tiranë dhe duke e konsideruar mbështetjen e tyre të rëndësishme u shpreh për nevojën e konkretizimit të bashkëpunimit në nivel grup-seksionesh e nëndegësh e deri në seksione.
Ai theksoi vendosmërinë e PD për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm e transparent dhe, në cilësinë e kandidatit dhe kryetarit të PD për Tiranën, siguroi drejtuesit e PLL për përmbushjen nga ana e strukturave të PD të të gjitha detyrimeve që burojnë nga marrëveshja ndërpartiake.
25 nëntor 2006
Informacion për media
Paraditen e sotme, kryetari i PLL Ekrem Spahiu, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm Artan Tujani, ishin në qytetin e Lezhës ku zhvilluan një takim pune me strukturat drejtuese të PLL në lidhje me zgjedhjet e pritshme vendore.
Drejtuesit lokalë prezantuan punën e tyre deri në finalizimin e kandidaturave për kryetarë të njësive vendore që PLL i ka propozuar koalicionit të qendrës së djathtë si kandidatë të përbashkët dhe siguruan jo vetëm për integritetin personal të tyre, por edhe për mbështetjen dhe simpatinë që ato gëzojnë në elektorat. Ata vunë në dukje faktin se për shkak të një interesimi të lartë për listat e kandidatëve për këshilltarë të ishin detyruar të vendosnin kritere që qarta konkurrimi duke siguruar kështu për mbulimin e të gjitha njësive vendore me lista kandidatësh cilësorë.
Z. Spahiu shprehu konsideratë të lartë për drejtuesit vendorë dhe punën e kryer prej tyre. Konkurrimi më vete i PLL në zgjedhjet e tetorit të vitit 2003 tregoi forcën e saj reale dhe solli konsolidimin e degës së PLL Lezhë dhe përfaqësimin e saj me këshilltarë në të gjithë hapësirën gjeografike të këtij rrethi. Por, fatkeqësisht kjo u shoqërua me humbjen prej të djathtës të katër njësive vendore. Konkurrimi i përbashkët në koalicionin e qendrës së djathtë është garanci për një fitore të sigurt edhe në ato njësi vendore ku PS-ja në vitin 2003 fitoi në mënyrë aksidentale.
Zoti Spahiu tha se një dekretim i shpejtë i datës së zgjedhjeve do të ndikonte pozitivisht në qetësimin e klimës së ashpër të debateve sekondare dhe hyrjen e natyrshme të partive politike në fazën e bashkëbisedimit me elektoratin dhe paraqitjes së alternativave për një qeverisje më të mirë vendore.
22 nëntor 2006
Informacion për media
Forumi rinor i partisë “Lëvizja e Legalitetit”, me rastin e 63 vjetorit të Kongresit të Zall-Herrit organizoi një mbrëmje festive, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit kryesorë të PLL Ekrem Spahiu, Murat Basha, Artan Tujani dhe Novruz Ndregjoni.
Këtë takim e nderoi me praninë e vet edhe Lartësia e tij Princ Leka duke i dhënë kështu mbrëmjes një atmosferë edhe më festive.
Takimin e hapi zonjusha Armira Kapxhiu e cila ndër te tjera tha se rinia legaliste është trashëguese e vlerave më të mira dhe bartëse e interesave të larta. Ajo me një vizion të ri për të ardhmen u bëri thirrje të gjithë të rinjve që shprehin të interesa e tyre dhe të kontribuojnë në fushatën e pritshme zgjedhore.
Në këtë mbrëmje rinore foli edhe kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, i cili ndër të tjera tha se: Ky takim i mrekullueshëm me rininë legaliste zhvillohet jo vetëm për të festuar së bashku 63 vjetorin e Kongresit të Zall-Herrit që është ngjarja më e rëndësishme politike për PLL, por zhvillohet edhe në kuadrin e përgatitjeve të strukturave të PLL për zgjedhjet vendore.
Në fjalën përshëndetëse, Lartësia e Tij Princ Leka tha se ndjehej i lumtur që merrte pjesë në një festim të tillë, si dhe përgëzoi organizatorët për mënyrën e organizimit duke e konsideruar atë si një ndër aktivitetet më të mira të organizuar nga rinia legaliste.
19 nëntor 2006
Informacion per media
Me rastin e 63 vjetorit të kongresit të Zall-Herrit dhe në vigjilje të zgjedhjeve vendore, partia “Lëvizja e Legalitetit” organizoi sot një takim të zgjeruar ku merrnin pjesë drejtuesit e Partisë dhe pushtetarët e saj vendor nga i gjithë vendi, takim që shënoi edhe fillimin e fushatës elektorale të PLL për zgjedhjet vendore.
Takimin e PLL e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe z. Ali Ohri, Kryetar i Zyrës së Oborrit Mbretëror Shqiptar dhe njëkohësisht dhe kryetar i Senatit të Veteranëve të Legalitetit, i cili I solli të pranishmëve një përshëndetje të ngrohtë nga NMT Leka I, Mbret I Shqiptarëve.
Takimin e hapi Sekretari i Përgjithshëm Artan Tujani, i cili duke e cilësuar historinë e PLL si të mundimshme por të lavdishme dhe filozofinë e saj si filozofi të provuar shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese tha se “Nuk është gjë e pakët për ne, që, tek Partia “Lëvizja e Legalitetit” janë bashkuar njëherazi historia dhe filozofia. Të dyja të shkëlqyera, që lartësohen më shumë, aq herë sa historiografia komuniste, e vjetër apo e re, mundohet dëshpërueshëm t’i përbaltë.”
Kryetari i PL Ekrem Spahiu duke ju referuar ngjarjeve historike ju drejtua të pranishmëve duke thënë:
“Refuzimi i plotë i ultimatumit të Italisë fashiste dhe deklarimi i Mbreti Zog me 5 prill 1939 për të luftuar kundër pushtuesit fashist, rezistenca e ushtrisë shqiptare me 7 prill 1939, jo vetëm që shënuan rezistencën e parë antifashiste në Ballkan, por bënë të mundur që Shqipëria të rreshtohej në një front me aleatët e saj të natyrshëm anglo-amerikanë…
…Duke u nisur se lufta kundër pushtuesve po degjeneronte për faj të komunistëve në luftë vëllavrasëse mes dy formacioneve republikane, se cila prej tyre do ta merrte pushtetin pas luftës, lindi si domosdoshmëri riorganizimi i mbretërorëve në Organizatën Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit (OKLL).
Kjo u realizua me 21 Nëntor 1943 nga major Abaz Kupi në Zall-Herr në atë që ka hyrë në histori si kongresi i Zall-Herrit.
Respekt të thellë dhe mirënjohje të përjetshme për gjithë legalistët që sakrifikuan dhe kontribuan për Mbret e Atdhe.”
Ai vazhdoi duke theksuar se sot, mbas 63 vjetësh nga kongresi i Zall-Herrit, ne jemi krenarë që jemi vazhdues në rrugën e idealit kombëtar të udhëhequr nën moton e Mbretit Zog I “Atdheu mbi të gjitha”.
Duke u ndalur në situatë aktuale politike, z. Spahiu tha se: “Aktualisht PLL është jashtë parlamentit dhe qeverisjes qendrore jo se ajo nuk e meritonte dhe nuk kishte mbështetje elektorale, por për arsye që tashmë dihen.”
Për sa i përket zgjedhjeve të pritshme vendore, z. Spahiu tha se : “Këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen mbas nënshkrimit të MSA dhe kuptohet që do të jemi nën monitorimin e rrepte të ndërkombëtarëve për arritjen e standardeve në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente.
Me këto zgjedhje do të rikonfirmohet maxhoranca aktuale qeverisëse e cila në një periudhë 14 mujore ka arritur suksese të dukshme dhe të prekshme nga shqiptarët por edhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët.
Fitorja e zgjedhjeve vendore prej koalicionit të qendrës së djathtë do të rikthejë tek zgjedhësit edhe atë pjesë të pushtetit vendor që deri tani është shpërdoruar prej të zgjedhurve socialistë.
Fitorja e zgjedhjeve vendore do të bëjë edhe më të sigurt vazhdimin dhe thellimin e reformave të nisura prej qeverisë Berisha, që shqiptarët të kenë një mirëqenie në rritje, si dhe Shqipëria nëpërmjet proceseve integruese t’i afrohet sa më shumë strukturave euro-atlantike.
Edhe për PLL këto zgjedhje janë po aq të rëndësishme, sepse përmes tyre, ne presim jo vetëm të rikonfirmojmë mbështetjen e vërtetë që gëzojmë në elektorat, por edhe të dëshmojmë vlerat tona në qeverisjen vendore.
Këto zgjedhje janë një shans edhe për opozitën që ajo të dëshmojnë se është shkëputur nga origjina e saj politike dhe të kontribuojnë për një proces zgjedhor sa më demokratik e të respektojnë verdiktin e sovranit.
Fatkeqësisht, deri tani, po shikojmë një opozitë bllokuese, bojkotuese dhe agresive, duke kërcënuar në çdo moment me destabilitet.
Bllokimi i reformës zgjedhore prej opozitës nuk mund të shërbejë si alibi për bojkotimin e zgjedhjeve apo humbjen e saj, sepse, në pamundësi të arritjes së konsensusit, zgjedhjet do të zhvillohen edhe me kodin aktual zgjedhor i cili është miratuar po prej saj gjatë legjislaturës së kaluar.”
Z. Spahiu në prani të strukturave drejtuese të PLL dhe të të zgjedhurve vendor që përfaqësojnë Legalitetin, deklaroi fillimin e fushatës elektorale të PLL për zgjedhjet vendore të 21 janarit 2007.
Ndryshe nga zgjedhjet e viteve 2003 dhe 2005, në zgjedhjet e pritshme vendore, PLL do të dalë në koalicion me PD dhe partitë e tjera aleate.
Ky bashkëpunim nuk ka ardhur në mënyrë të sforcuar por krejt natyrshëm. Kontributi i legalistëve ka qenë i padiskutueshëm në gjithë procesin demokratik, në fitoren e PD më 22 mars 1992, e sidomos mbas vitit 1997 ku legalistët, duke dëshmuar vlerat e tyre, kanë mbështetur PD në vitet më të vështira të ekzistencës së saj.
Në fjalën e tij, Nënkryetari i PLL Murat Basha, duke u përqendruar në platformën e PLL dhe kandidatët e saj për zgjedhjet vendore tha se: “PLL shpalos vizionin e saj pragmatist dhe modern, i cili e sheh pushtetin si instrument në shërbim të komunitetit dhe vendit. Motoja e saj bazohet mbi vizionin e Mbretit Zog i Parë “Atdheu mbi të gjitha”, sepse Ai dhe ne në gjurmët e Tij, kemi ditur dhe dimë ta duam Shqipërinë.”
Gjithashtu ai tha se “Nisur nga fakti që e Djathta nuk është ideologji por pragmatizëm, ne mendojmë se duke ndërtuar politika racionale dhe efiçente në shërbim të komunitetit, do të ndikojmë për të përmirësuar jetesën e tij.
Si pika të veçanta z. Basha përmendi:
Krijimin e qendrave për ndihmën e të moshuarve të vetmuar, ku të përgatiten infermierë që t’u shërbejnë atyre në shtëpi.
Ngritjen e qendrave, ku me fondet e pushtetit vendor, ose nëpërmjet donacioneve, të krijohen mensa popullore, ku të paktën të hanë një vakt njerëzit në nevojë.
Përgjysmimi i taksave për një periudhë 1 vjeçare, për bizneset që hapin vende të reja pune.
Krijimin e fondeve ose donacioneve që pushteti lokal të aktivizojë dhe paguajë mjekë dhe dentistë, për të kuruar falas njerëzit me të ardhura të pamjaftueshme, apo edhe grupet shoqërore të cilat ndodhen në gjendje të vështirë ekonomike, si pensionistët, të papunët dhe familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike.
Rritjen e nivelit të jetesës së anëtarëve të komunitetit, duke krijuar kushte për punësim nëpërmjet politikave fiskale që përgjysmojnë taksat për kompanitë ose individët të cilët krijojnë mundësi për punësim dhe hapjen në perspektivë, të vendeve të reja të punës.
13 nëntor 2006
Informacion për media
Kryetari i PLL Ekrem Spahiu e vazhdoi turin e takimeve paraelektorale me strukturat drejtuese të PLL në Kurbin dhe Mat.
Siç edhe dihet nga opinioni publik, në këto rrethe partia “Lëvizja e Legalitetit” ndjehet mjaft e fortë, çka është materializuar edhe me fitimin prej saj të disa komunave.
Duke përmendur përkrahjen e fortë që PLL gëzon në këto, mirëqeverisjen e pushtetarëve vendorë të fituar prej saj, si dhe faktin që koalicioni i qendrës së djathtë do të dalë me kandidat të përbashkët, z. Spahiu tha se fitorja e tyre ndaj kandidatëve rivalë do të jetë me përmasa të thella.
Gjithashtu z. Spahiu nxiti strukturat drejtuese të PLL që të tregohen më dinamike dhe të rrisin shkallën e koordinimit me partitë e tjera aleate me qëllim që marrëveshja e bashkëpunimit elektoral për zgjedhjet e pritshme vendore e arritur në qendër të zbresë dhe të bëhet sa më efektive edhe në nivel lokal duke plotësuar të gjitha detyrimet dhe garantuar realizimin e të gjitha të drejtave që burojnë prej saj.
11 nëntor 2006
Informacion për media
Për të dytën herë brenda dy javëve, paraditen e sotme kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu zhvilloi takime të veçanta pune me strukturat drejtuese të PLL në Vlorë, Fier dhe Lushnjë.
Këto takime u zhvilluan në vazhdën e përgatitjeve që PLL po bën për zgjedhjet vendore, por kishin të veçantë se ishin të parat pas arritjes së marrëveshjes me PD për daljen e përbashkët në këto zgjedhje.
Në këto takime u vu re një optimizëm i dukshëm që buron edhe prej faktit se krijimi i koalicionit të qendrës së djathtë dhe fuqizimi i tij edhe me PLL përbën një siguri më shumë për fitoren e tij dërmuese në këto zgjedhje.
Në fjalën e tij, kryetari i PLL Ekrem Spahiu përmendi atë që ai e quajti “pozicionim të natyrshëm të legalistëve” dhe solli shembuj të këtij pozicionimi që nga kontributi i tyre i pazëvendësueshëm në shembjen e sistemit monist e deri në përballimin e revanshit komunist gjatë qenies së përbashkët në opozitë me PD. Pozicionim të natyrshëm të legalistëve z. Spahiu përmendi edhe rreshtimin e tyre përkrah çdo nisme politike që ka ndërmarrë NMT-Leka I, pozicionim ky që ka dëshmuar qartazi se legalistët, para interesave dhe përfitimeve të çastit, vendosin interesat kombëtare.
Z. Spahiu vijoi më tej duke thënë se “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar-Leka I Zogu” ishte një koalicion zgjedhor me afat kohor të kufizuar vetëm për zgjedhjet e 3 korrikut, dhe se, shpërndarjen de facto të atij koalicioni, krijuesi i tij NMT-Leka I e ka dëshmuar haptazi që më 18 korrik 2005, ku duke qenë i pranishëm në një mbledhje të strukturave të larta të PLL, Ai i dha atyre mirëkuptim të plotë dhe i uroi suksese në çdo vendim apo aksion politik të PLL që është në dobi të vendit.
Duke folur marrëveshjen e arritur me PD z. Spahiu vlerësoi frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit që ekziston ndërmjet aleatëve dhe la të kuptohet se vlerësimi ndaj PLL vjen jo vetëm prej principialitetit të saj të dëshmuar, por edhe prej vlerësimit real si një parti me struktura në të gjithë vendin dhe me elektorat të qëndrueshëm.
Z. Spahiu porositi strukturat e PLL në këto rrethe e në mënyrë të veçantë zotërinjtë Akil Danushi, Koçi Gega dhe Shpëtim Axhami që të koordinojnë punën me partitë aleate e në mënyrë të veçantë me PD, si dhe të vendosin në dispozicion të koalicionit të gjitha resurset njerëzore dhe materiale.
Në qytetin e Vlorës u zhvillua një takim i veçantë edhe me kryetarin e degës së PD z. Agron Sharra.
Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin kombëtar dhe lokal të bashkëpunimit PD-PLL si dhe shprehën bindjen se gjatë këtyre zgjedhjeve ky bashkëpunim do të forcohet edhe më shumë.
Z. Sharra vlerësoi qëndrimet politike dhe shkallën e organizimit të degës së PLL Vlorë dhe garantoi se kontributet e legalistëve vlonjatë në fitoren e kandidatëve të përbashkët do të vlerësohen në mënyrë të plotë në bashkëqeverisjen e ardhshme vendore.
9 nëntor 2006
Informacion për media
Partia “Lëvizja e Legalitetit” dhe Partia Demokratike e Shqipërisë arritën marrëveshjen për bashkëpunimin elektoral për zgjedhjet e pritshme vendore.
Marrëveshja u arrit në bisedimet e organizuara për këtë çështje ku për PLL ishin të pranishëm kryetari i saj Ekrem Spahiu dhe Sekretari i Përgjithshëm Artan Tujani, ndërsa për palën tjetër, zotërinjtë Bode dhe Gjana.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” i vlerësoi zgjedhjet e pritshme vendore si të një rëndësie të veçantë jo vetëm për rikonfirmimin e maxhorancës qeverisëse, por edhe për plotësimin e standardeve demokratike dhe vazhdimin e reformave të nisura.
PLL shprehu kënaqësinë për arritjen e mirëkuptimit dhe ecurinë e deritanishme të bisedimeve midis partive të djathta dhe ritheksoi bindjen se koalicioni i djathtë do të jetë fitues në zgjedhjet e ardhshme vendore.
PLL vlerësoi frymën e mirëkuptimit dhe besimit që ekziston ndërmjet gjithë palëve për ndërtimin e një koalicioni të gjerë dhe të qëndrueshëm si dhe siguroi jo vetëm për principialitetin e vet, por edhe për mbështetjen pa rezerva në ide e resurse që ajo do t’i japë koalicionit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Demokratike vlerësuan kontributet e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që nga qenia e përbashkët në opozitë e deri në ditët e sotme dhe shprehën bindjen se kontributi i PLL në koalicion do të i dukshëm dhe i prekshëm. Ata siguruan për vendosmërinë e Partisë Demokratike për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe shprehën bindjen se njëherazi me fitimin e zgjedhjeve do të realizohen edhe objektivat elektoralë të partive përbërëse të koalicionit.
Si përfundim u ra dakort që të krijohej një aleancë bashkëpunimi për zgjedhjet e pritshme vendore, ku partitë pjesëmarrëse të konkurojnë me kandidat të përbashkët për kryetarët e njësive vendore dhe me lista të veçanta për këshilltarë të qeverisjes vendore. Gjithashtu, palët gjetën mirëkuptim të veçantë edhe për çështje të tjera të ngritura nga PLL.
5 nëntor 2006
Informacion për media
Në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, sot u mblodh Forumi i Gruas Legaliste.
Në këtë mbledhje, pasi u bë bilanci i punës së këtij forumi, u ndanë detyra dhe u morën përsipër përgjegjësi konkrete duke hartuar një kalendar pune nga qendra në bazë.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm dhe përshëndeti edhe kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu.
Në fjalën e tij z. Spahiu ndër të tjera foli për rëndësinë e zgjedhjeve vendore dhe angazhimin e grave në këtë proces shumë të rëndësishëm si dhe shprehu shqetësimin e PLL për vonesat në reformën zgjedhore.
“Ndërkohë që mandati i të zgjedhurve të pushtetit vendor është në përfundim e sipër, e po ti referohemi datës 12 tetor 2003 ai duhet të kishte përfunduar me kohë, ne ndjehemi të shqetësuar se Reforma zgjedhore është akoma e pa konkretizuar, e cila duhet të reflektojë jo vetëm mangësitë e konstatuara në zgjedhjet e kaluara por edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR”, -tha z. Spahiu.
“Çdo ditë që kalon po bëhet gjithnjë e më e qartë se opozita e sotme po pengon qëllimisht ecurinë e punës në komisionin parlamentar për Reformën zgjedhore, me synimin e vetëm për shtyrjen ose kompromentimin e këtyre zgjedhjeve.
Në këto kushte PLL i bën apel gjithë faktorëve politikë që të vlerësojnë përgjegjësinë e madhe që kanë para vendit dhe të tregohen bashkëpunues në këtë proces të rëndësishëm.
Gjithashtu, në zbatim të afateve kushtetuese, është e nevojshme që Kreu i shtetit të dekretojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve.”
31 tetor 2006
Deklaratë për media
Krimet makabre të ditëve të fundit mbi vajzat dhe nënat e reja e të moshuara, kanë tronditur thellë shoqërinë dhe moralin publik. Ato kanë dëshmuar në vazhdimësi se femrat shqiptare mbeten objektiv i preferuar i vrasësve, trafikantëve e grabitësve, por edhe viktima potenciale të krimit, çka e bën edhe më alarmante situatën e rënduar të kriminalitetit në vend.
Partia Lëvizja e Legalitetit gjen rastin të shprehë indinjatën e saj për ngjarjet e rënda, e njëherazi deklaron mbështetje të fuqishme politike ndaj Policisë së Shtetit për përkushtimin dhe rezultatet në rritje, në luftën kundër krimit të organizuar, atij ordiner dhe trafiqeve të çdo lloji. Nisur edhe nga përvoja shqiptare pozitive e kohës së Mbretërisë në mposhtjen e krimit, PLL-ja sugjeron se rruga më efikase për luftimin, zbulimin dhe shtypjen e krimit, mbetet ringritja e Armës së Xhandarmërisë. Për këtë qëllim, ne kemi përgatitur dhe depozituar para disa vitesh projekt-ligjin përkatës, shqyrtimi dhe miratimi i të cilit është shndërruar në nevojë dhe domosdoshmëri.
Partia Lëvizja e Legalitetit përshëndet vendimin e djeshëm të maxhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e Rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit, në mbështetje të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të BE-së. Ne si gra legaliste mbështesim stoicizmin e zonjës Topalli në qëndrimin e saj parimor dhe anti-komunist gjenetik. Legalistët dhe legalistet shqiptare, si pjesë integrale e shtresës së të Përndjekurve dhe Persekutuarve Anti-komunistë, e konsiderojnë miratimin e kësaj rezolute si përmbushje e detyrimit politik e moral të shoqërisë shqiptare për dënimin e krimeve të njërës nga diktaturat më makabre në historinë e mbarë-komunizmit.
Partia Lëvizja e Legalitetit ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e kohëve të fundit në Serbi, të cilat janë shoqëruar me intensifikimin e retorikës dhe qëndrimeve ultranacionaliste të qarqeve më të larta politike të Beogradit.Legalistët, të cilët e kanë të shenjtë çështjen kombëtare, shprehin indinjatë të thellë për përfshirjen e Kosovës si pjesë të Serbisë në preambulën e kushtetutës së re dhe në hartën politike serbe. PLL-ja konkludon se ky veprim i paramenduar dhe i kalkuluar, krahas atij të nxitjes së serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në votimin e ditëve të fundit të kushtetutës së Serbisë, janë pjesë e strategjisë së përshkallëzimit të konflikteve ndëretnike në Kosovë dhe rajon, bash në limitet kohore të përcaktimit të Statusit përfundimtar të Kosovës.
28 tetor 2006
Informacion per media
Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu zhvilloi paraditen e sotme dy takime pune me strukturat partiake në Vlorë dhe Fier. Pas takimeve në Sarandë, Gjirokastër dhe Tepelenë, ishte radha për të diskutuar me strukturat legaliste të këtyre qyteteve për pjesëmarrjen dhe konkurrimin dinjitoz të PLL për zgjedhjet e pritshme vendore.
Z. Spahiu u informua prej strukturave partiake për aktivitetin e tyre politiko-organizativ gjatë javëve të fundit, e në veçanti për shkallën e koordinimit me partitë e djathta dhe materializimin e kompetencave më të gjëra që Kryesia e PLL u ka dhënë degëve të saj në këto zgjedhje për të negociuar dhe gjetur mekanizmat që do të sigurojnë maksimalizimin e rezultateve të PLL.
Gjithashtu në këto takime z. Spahiu pati rastin të njihej edhe më nga afër me një pjesë të kandidaturave që ishin përzgjedhur nga degët lokale prej shoqërisë civile të cilët përfaqësonin nivele të larta intelektualo-shoqërore.
Në fjalën e tij, kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, duke marrë shkas nga pjesëmarrja e gjerë dhe entuziazmi i të pranishmëve, foli për atë procesin e ringritjes që po ndodh me PLL pas zhgënjimit të pamerituar të 3 korrikut.
“Në të gjithë degët e PLL vihet re një optimizëm i strukturave drejtuese që kanë nisur me kohë përgatitjet për zgjedhjet vendore dhe evidentimin e kandidaturave. Optimizmi i tyre buron nga forca e vetë Legalitetit, si një parti me struktura dhe elektorat të qëndrueshëm, nga përvojat elektorale të PLL, nga qëndrimet parimore që kanë mbajtur të zgjedhurit tanë në pushtetin vendor, por edhe nga klima më e përshtatshme politike për PLL”, - ka thënë z.Spahiu.
Për sa i përket bisedimeve me PD për përfshirjen e PLL në koalicionin e qendrës së djathtë, që priten të zhvillohen nga fillimi i javës së ardhshme, z. Spahiu ka thënë se: “PLL do të shkojë në ato bisedime pa asnjë kompleks dhe paragjykim. Kreditet tona politiko-elektorale janë të mjaftueshme për tu konsideruar si një mbështetje e rëndësishme për koalicionin dhe ne do të punojmë që interesat e tij dhe interesat e PLL të vlerësohen në sipas standardeve të njëjta”
26 tetor 2006
Informacion per media
Ditën e djeshme, Kryetari i PLL z .Ekrem Spahiu zhvilloi një tur takimesh me legalistë e simpatizantë të PLL në Jug të vendit, e konkretisht në Sarandë, Delvinë, Ksamil, Gjirokastër e Tepelenë.
Këto takime u zhvilluan në kuadër të përgatitjeve të PLL për zgjedhjet e pritshme vendore dhe kishin si qëllim evidentimin përfundimtar të kandidatëve të PLL si dhe harmonizimin me elementët lokalë të platformës elektorale të PLL. Një arsye tjetër ishte edhe pjesëmarrja në konferencën e Degës së PLL Sarandë.
Gjatë bisedave dhe diskutimit në këto vende, z. Spahiu evidentoi qartazi qëndrimin patriot të banorëve të këtyre zonave si dhe shprehu falënderime për përkrahjen dhe mbështetjen e tyre gjithnjë e në rritje ndaj PLL.
Me sa duket, për shkak të specifikave të kësaj pjese të Shqipërisë, ka një kohezion të dukshëm midis aspiratave të popullsisë lokale dhe programimit e qëndrimeve të PLL si një parti kombëtare, kohezion ky që në zgjedhjet e vitit 2003 u materializua me një rezultat spektakolar të PLL në ato treva.
Duke folur për zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e ardhshme vendore, z. Spahiu tha se "fatmirësisht PLL i ka filluar me kohë përgatitjet për këto zgjedhje. Ne tani kemi një skemë të plotë të mbulimit të hartës elektorale me kandidatë të PLL, të cilët mund ti vemi në dispozicion të një koalicioni të pritshëm dhe të mundshëm me PD dhe parti të tjera të djathta. Sipas pikëpamjes tonë, sa më të forta të jenë partitë pjesëmarrëse dhe sa më i mirë të jetë harmonizimi midis tyre, aq më i fortë do të jetë edhe koalicioni i djathtë që do të bëjë të mundur fitimin e zgjedhjeve lokale".
Konferenca e degës së PLL për Sarandës zgjodhi për kryetar të saj intelektualin dhe biznesmenin e njohur z. Myzafer Shameti.
9 tetor 2006
Informacion për media
Partia “Lëvizja e Legalitetit” po vazhdon përgatitjet serioze për zgjedhjet e afërta vendore. Në këtë kuadër, Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu ishte ditën e djeshme në qytetin e Lushnjës ku zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të partisë.
Zoti Spahiu u interesua për ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve si dhe për nivelin lokal të bashkëpunimit midis partive të djathta.
Siç dihet, Partia “Lëvizja e Legalitetit”, për zgjedhjet e ardhshme vendore i ka lënë hapësira të konsiderueshme degëve të saj për zgjedhjen e kandidatëve dhe caktimin e modaliteteve të tjera që do të sigurojnë maksimalizimin e rezultatit të PLL. Gjithashtu PLL është shprehur parimisht pro një bashkëpunimi të mundshëm me PD dhe parti të tjera të djathta, bashkëpunim i cili duhet të ndërtohet mbi bazën e interesit reciprok.
Gjatë këtij takimi z. Spahiu shkëmbeu pikëpamje me disa nga kandidatët e mundshëm të PLL për zgjedhjet vendore dhe në mënyrë të veçantë falënderoi atë pjesë të tyre që vinte nga shoqëria civile duke i siguruar ato se në PLL do të gjenin një mjedis të ngrohtë dhe miqësor.
Z. Spahiu tha gjithashtu se PLL po përgatitet me seriozitetin maksimal për zgjedhjet vendore duke synuar për të qenë e aftë që të përballet me to në çdo lloj situate. Në të njëjtën kohë PLL i përmbahet mendimit se përballë një të majte të bashkuar dhe mjaft agresive është e domosdoshme që partitë e djathta të fuqizohen dhe të punojnë më seriozisht për fitoren e zgjedhjeve vendore.
Gjatë javës së fundit z.Spahiu ka pasur takime të kësaj natyre edhe në Has, Tropojë dhe Durrës.
5 tetor 2006
Informacion për media
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore, kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu ka zhvilluar takime me strukturat vendore të PLL në rrethet Has dhe Tropojë. Këto takime kishin si qëllim jo vetëm konkretizimin e detyrave të caktuara nga Komiteti Drejtues i PLL në mbledhjen e javës së kaluar, por edhe motivimin e strukturave për konkurrim dinjitoz dhe rezultate të larta.
Gjatë këtyre takimeve z. Spahiu është shprehur se në pritje të datës së zgjedhjeve, e cila duhet të jetë brenda afateve kushtetuese, PLL po punon për fuqizimin e strukturave, plotësimin e listës së kandidatëve dhe hartimin e platformave vendore për secilën njësi zgjedhore. Z. Spahiu i njohu legalistët e këtyre dy rretheve edhe me qëndrimin më të fundit politik të PLL ndaj përpjekjeve që po bëhen për ti mohuar asaj të drejtën për të pasur komisionerë.
Siç dihet, në mbledhjen e javës së kaluar, Komiteti Drejtues i PLL e konsideroi çështjen e komisionerëve jo vetëm si mjaft të nxehtë dhe delikate, por edhe si një gur prove për moralin e politikës dhe luajalitetin e partnerëve.
30 shtator 2006
Deklaratë për media
Komiteti Drejtues i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, në mbledhjen e tij të ditës së sotme diskutoi për përgatitjet e PLL për zgjedhjet vendore si dhe për qëndrimin politik për të drejtën tonë për të pasur komisionerë në Komisionet Zgjedhore.
Komiteti Drejtues vlerësoi punën e kryer prej strukturave tona partiake në prag të zgjedhjeve vendore si dhe, në funksion të tyre, përcaktoi disa detyra shumë të rëndësishme.
Partia “Lëvizja Legalitetit” mendon se zgjedhjet e afërta vendore kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për përmbushjen e standardeve demokratike, por edhe për rikonfirmimin e maxhorancës aktuale, ruajtjen e stabilitetit politik, thellimin e reformave dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” i përmbahet mendimit se, përballë një të majte tepër agresive, është e domosdoshme që partitë e djathta të fuqizohen dhe të përgatiten seriozisht për fitoren e zgjedhjeve vendore. Për këtë qëllim ne jemi duke punuar për motivimin e strukturave, përzgjedhjen e kandidatëve, hartimin e platformave dhe sigurimin e logjistikës së nevojshme për zgjedhje.
Në të njëjtën kohë, Partia “Lëvizja e Legalitetit”, duke kërkuar zbatimin e afateve kushtetuese për datën e zgjedhjeve, po pret me qetësi rikonfirmimin dhe rritjen e rezultateve të veta historike. PLL, sa është luajale dhe e gatshme ta realizojë këtë synim përmes ndërtimit të marrëdhënieve me interes reciprok, është po aq e vendosur dhe legjitime në të drejtën e saj për të përdorur çdo taktikë dhe mënyrë tjetër konkurrimi elektoral që ajo do ta çmojë si më të arsyeshme.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” shpreh indinjatë të thellë ndaj përpjekjeve që po bëhen për t’i mohuar asaj të drejtën për të pasur anëtarë në Komisionet Zgjedhore të Qeverisjes Vendore. Në respekt të informimit të publikut por edhe më gjerë, e ndjejmë me vend të theksojmë se, të drejtën për të pasur komisionerë, PLL e ka të siguruar nga rezultatet e saja të vitit 2003 apo 2005 dhe se, kjo e drejtë sanksionohet nga Kodi Zgjedhor në fuqi.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” e konsideron çështjen e komisionerëve të saj jo vetëm si shumë të nxehtë dhe të ndjeshme, por edhe si një gur prove për moralin e politikës dhe luajalitetin e partnerëve.
Komiteti Drejtues i PLL vendosi që, në funksion të rikthimit të së drejtës të mohuar, të vazhdohet sensibilizimi i institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare si edhe të përdoret çdo mjet tjetër legal.
25 shtator 2006
Informacion për media
Në kuadër të përgatitjeve të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” për zgjedhjet e ardhshme vendore, kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu ishte dje ( e diele) në qytetit e Kukësit ku zhvilloi një takim me Komitetin Drejtues të PLL të asaj dege.
Drejtuesit më të lartë të PLL janë shpërndarë në një seri turesh paraelektoralë në të gjithë vendin, gjatë të cilave jo vetëm po verifikojnë realizimin e detyrave parapërgatitore që u janë caktuar më parë degëve të PLL, por në bashkëpunim me strukturat lokale po shkohet drejt mbylljes së hartës së kandidatëve të PLL.
Siç dihet, për zgjedhjet e ardhshme vendore, PLL është shprehur parimisht pro një bashkëpunimi të mundshëm ndërmjet të gjithë forcave të djathta politike. Në pritje të materializimit të këtij bashkëpunimi, drejtuesit dhe organet drejtuese të PLL po punojnë për forcimin e strukturave lokale dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Librazhd, Shkodër, etj.
23 shtator 2006
Informacion për media
Sot paradite, në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore, zhvilloi punimet mbledhja e Komitetit Drejtues të PLL për degën e Tiranës.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu dhe Sekretari i Përgjithshëm i PLL, z.Artan Tujani.
Anëtarët e Komitetit Drejtues, të cilët janë njëkohësisht edhe drejtues të nëndegëve të PLL në minibashki e komuna, raportuan për punën e deritanishme në drejtim të përzgjedhjes së kandidaturave, si dhe shkëmbyen mendime në funksion të maksimalizimit të rezultatit zgjedhor të PLL.
Në fjalën e tij, kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu, përshëndeti anëtarët e Komitetit Drejtues për realizimin e deritanishëm të detyrave politiko-organizative dhe shtroi nevojën se kjo punë duhet intensifikuar akoma e më shumë, deri në materializimin e rezultatit zgjedhor.
Z. Spahiu vijoi duke thënë se “në përgjigje të ftesës publike të bërë nga Partia Demokratike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” është shprehur parimisht pro një bashkëpunimi të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme vendore, bashkëpunim i cili duhet të ndërtohet mbi bazën e besimit dhe interesit reciprok”.
Duke qenë dashamirës dhe në pritje të materializimit të këtij bashkëpunimi, çdo fuqizim i PLL dhe përgatitje e saj për zgjedhjet vendore, do të jetë një kontribut më shumë për koalicionin e djathtë, pse jo edhe një investim vetiak i PLL, prejt të cilit ajo pret të marrë frytet e tij në çdo kohë.
Z.Spahiu i njohu anëtarët e Komitetit Drejtues të Tiranës edhe me aksionin politik të Kryesisë së Partisë për të ndrequr padrejtësinë që i është bërë PLL duke i mohuar asaj të drejtën për të pasur komisionerë në nivelet e dyta dhe të treta të komisioneve zgjedhore, ndonëse kjo e drejtë na sigurohet nga Kodi Zgjedhor në fuqi.
Komiteti Drejtues i PLL për Degën e Tiranës, u shpreh në mbështetje të çdo vendimi që do të marrë Komiteti Drejtues i PLL në mbledhjen e javës së ardhshme, ku do të diskutohet posaçërisht për përshkallëzimin e veprimeve deri në rikthimin e komisionerëve të mohuar.
Mbledhje të tilla po zhvillohen edhe në Degë të tjera të PLL.
16 shtator 2006
Deklaratë për media
PLL, si parti me detyrime programore dhe ndjeshmëri ndaj zhvillimeve në raport me çështjen kombëtare, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj të thellë për qëndrimet dhe deklaratat e përsëritura të krerëve më të lartë të Serbisë dhe atyre të partive ekstremiste në media e së fundmi edhe në parlamentin serb, lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.
Legalistët janë të shqetësuar për faktin se në parlamentin serb u kërkua deri edhe futja e ushtrisë serbe në Kosovë dhe përfshirja e saj si pjesë integrale e Serbisë në kushtetutën e re të këtij shteti.
Duke i vlerësuar këto qëndrime edhe bashkëlidhur me deklaratën e fundit të presidentit të Rusisë Putin, PLL i konsideron ato si: tejet të rrezikshme për paqen dhe zhvillimet e ardhshme në rajon; si pjesë të strategjisë së tensionimit të situatës dhe raporteve ndëretnike; si përpjekje e bashkërenduar për t’iu kundërvënë procesit të pavarësimit të Kosovës dhe mbarë investimit politik, strategjik e financiar të bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.
PLL përshëndet konkluzionet e fundit të z. Ahtisaari për përmbylljen e bisedimeve dhe formulimin e draftit përfundimtar drejt pavarësisë së Kosovës, që ai së shpejti do t’ia paraqesë OKB-së.
Përballë këtyre zhvillimeve të reja, PLL i kërkon parlamentit shqiptar që të hartojë dhe miratojë sa më shpejt një rezolutë për Kosovën, ku të shprehet qartë përkrahja për pavarësimin e saj, në mbështetje të vullnetit të popullit të Kosovës për vendvendosje dhe si kundërpërgjigje direkte ndaj qëndrimeve antishqiptare të parlamentit dhe drejtuesve më të lartë të Serbisë.
PLL aktualisht është përfshirë në fazën përfundimtare të punës për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore, në bashkërendim me strukturat drejtuese nga qendra në bazë.
PLL tashmë është në pikun e punës për përzgjedhjen e kandidaturave për të gjitha nivelet e pushtetit vendor, me synim kryesor arritjen e një rezultati sa më të lartë zgjedhor.
PLL po ndjek me vëmendje të veçantë punën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Sikurse jeni në dijeni, PLL ka formuluar dhe bërë të ditur edhe qëndrimin e saj të palëkundur për të pasur anëtarë në komisionet zgjedhore, si një e drejtë e pamohueshme ligjore.
Për këtë qëllim kemi marrë dhe jemi në vazhdim të kontakteve me drejtuesit më të lartë të institucioneve shqiptare, partive politike, Trupit diplomatik dhe organizmave monitoruese.
Më datë 30 shtator, mblidhet Komiteti Drejtues i PLL, ku ndër të tjera do të marrë edhe një vendim politik, nëse nuk do të mbështeten përpjekjet tona për të pasur anëtarë në komisionet zgjedhore.
2 shtator 2006
Deklaratë për media
Kryesia e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, përveçse përcaktoi programin e punës politiko-organizative për zgjedhjet e ardhshme vendore, diskutoi edhe për situatën politike në vend, veçanërisht për marrëveshjen e fundit midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste në lidhje me Reformën zgjedhore.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” përshëndet marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, dhe e konsideron atë si një veprim të dobishëm, që i shërben stabilitetit politik dhe pakësimit të klimës së konfliktualitetit në vend.
Ne çmojmë vullnetin e palëve në marrëveshje, si dhe ndikimin pozitiv të institucioneve ndërkombëtare dhe Trupit diplomatik në Shqipëri, të cilat negociuan bashkërisht deri në gjetjen e gjuhës së mirëkuptimit bipartizan.
Njëkohësisht ne ndjejmë keqardhje për faktin se marrëveshjet e këtij lloji, e që janë të imponuara, akoma vazhdojnë të konsiderohen si zgjidhje, ndonëse vijnë pas presioneve dhe kërcënimeve për destabilizim të vendit.
Marrëveshje të tilla mbartin rrezikun e zgjidhjeve të pjesshme dhe aspak afatgjata, që nëpërmjet mënjanimit të parashikimeve ligjore, mosmarrjes parasysh dhe nëpërkëmbjes së interesave të palëve të treta, kanë si qëllim të vetëm rregullimin e interesave të palëve në konflikt.
Fakti se edhe pas 16 viteve pluralizëm, detajet teknike të një procesi zgjedhor vazhdojnë të konsiderohen si çështje të një karakteri të veçantë dhe kryefjalë e ditës, tregon për shkallën e lartë të mosbesimit që ekziston jo vetëm midis palëve, por edhe për vetë procesin në tërësi.
Në kushtet kur zgjedhjet në Shqipëri nuk janë konsideruar akoma si “të lira dhe të ndershme”, mbarëvajtja e procesit zgjedhor është përgjegjësi e gjithë klasës politike shqiptare dhe jo vetëm e një binomi dypolar, i cili në periudha të ndryshme ka qenë drejtpërsëdrejti fajtor për cenimin dhe shkatërrimin e zgjedhjeve.
Në mënyrë flagrante, për zgjedhjet vendore 2003 dhe ato parlamentare 2005, Partisë “Lëvizja e Legalitetit” i është mohuar e drejta që ia garantonte Kodi zgjedhor për të pasur komisionarët e saj në nivelet e dyta dhe të treta të komisioneve zgjedhore.
Në mënyrë po aq flagrante, po kërkohet që kjo e drejtë të na mohohet edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore, ndonëse ajo sigurohet nga rezultatet elektorale të PLL në zgjedhjet vendore të vitit 2003 dhe konkretisht parashikohet në pikën 4 të nenit 40 të Kodit zgjedhor.
Në kushtet kur vota e lirë në Shqipëri është akoma e pasigurt, Partia “Lëvizja e Legalitetit” nuk mund të pranojë që votat e saj të numërohen nga kundërshtarët, apo nga rivalët politikë.
Në vazhdimësi të zgjidhjeve të pjesshme, aspak ligjore dhe në frymë kompromisi, PLL do të ndjekë me vëmendje të veçantë punën e Komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore, në pritje të materializimit të së drejtës sonë për të pasur anëtarë në komisionet zgjedhore.
Ne jemi të vendosur më shumë se asnjëherë tjetër për mbrojtjen e kësaj të drejte të ligjshme, dhe, në rast mohimi të së drejtës sonë, do të përshkallëzojmë luftën politike deri në realizimin e tyre.
5 korrik 2006
Deklaratë për media
Sot më datë 5 korrik 2006, drejtuesit kryesorë të PLL, zotërinjtë Ekrem Spahiu, Murat Basha dhe Artan Tujani, së bashku me Kryetarin e Zyrës së Oborrit Mbretëror Shqiptar z.Ali Ohri, dhanë një konferencë për shtyp.
Z. Spahiu duke folur rreth bashkëpunimit PD-PLL ndër të tjera tha: “...një bashkëpunim i gjerë i partive të djathta është i domosdoshëm për mirëqeverisjen e vendit, fitoren e zgjedhjeve të ardhshme vendore, por edhe për interesat PLL. Për këtë arsye, Komiteti Drejtues i PLL i mbledhur më datë 1 korrik 2006 vendosi që ta pranojmë parimisht ftesën e PD për bashkëpunim dhe mandatoi Kryesinë e PLL për të konkretizuar bashkëpunimin”.
Kryetari i Zyrës së Oborrit Mbretëror Shqiptar z. Ali Ohri, në fjalën e tij u shpreh: “...Sigurisht që për këtë vendim ka pasur konsultime edhe me Mbretin Leka I, i cili ka shprehur pëlqimin e Tij dhe me këtë rast i ka dërguar një masazh Partisë Lëvizja e Legalitetit”.
Këtë mesazh ua përcolli medieve Kryetari i Zyrës së Oborrit Mbretëror Shqiptar, z. Ali Ohri.
Më poshtë po ju dërgojmë tekstin e plotë të mesazhit të NMT Leka I, drejtuar Partisë “Lëvizja e Legalitetit”
Nr. 100/3 Prot.
Tiranë, më 3 korrik 2006
MESAZH
PARTISË “LËVIZJA E LEGALITETIT”
Tiranë
Të dashtun legalistë
E kemi ndjekur me vëmendje situatën politike në vend dhe në veçanti qëndrimet politike të PLL, të cilat si gjithmonë kanë qenë në përputhje me interesat kombëtare.
Situata e sotme kërkon fuqizimin e PLL dhe një angazhim të drejtpërdrejt të saj, për të dhënë kontribute maksimale dhe koherente, në shërbim të procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, si dhe ndihmës për pavarësinë e plotë të Kosovës.
Ne mbështesim plotësisht vendimin e strukturave drejtuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe Koalicionin Qeverisës, në shërbim të interesave të nalta kombëtare.
Kemi bindjen e plotë se Partia “Lëvizja e Legalitetit” në çdo rast do të ketë parasysh mbi çdo gjë interesat e kombit.
Vëllazërisht
NMT LEKA I - MBRET I SHQIPTARËVE
1 korrik 2006
Komunikatë për media
Sot, më datë 1 korrik 2006 u zhvillua mbledhja e Komitetit Drejtues, me pjesëmarrjen edhe të kryetarëve të degëve të PLL në rrethe, ku u analizua veprimtaria politiko-organizative e deritashme e Partisë, u caktuan detyra dhe u morën disa vendime të rëndësishme për të ardhmen.
Komiteti Drejtues miratoi aktivitetin politik të Kryesisë së PLL dhe njëkohësisht vlerësoi qëndrimet politike, rezultatet e arritura në organizimin e partisë dhe motivimin e strukturave dhe anëtarësisë lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Komiteti Drejtues i PLL konstatoi me kënaqësi se Partia “Lëvizja e Legalitetit”, duke iu përmbajtur programit të saj, po faktorizohet politikisht.
Komiteti Drejtues i PLL vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme vendore kanë një rëndësi të madhe politike për ecurinë e proceseve demokratike, dhe se në këtë kontekst, Partia “Lëvizja e Legalitetit” do t’i kontribuojë këtyre proceseve me alternativa serioze, resurse dhe vullnet bashkëpunimi, duke synuar një rezultat në rritje.
PLL vlerësoi edhe një herë nënshkrimin e merituar të marrëveshjes së Stabilizim-asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe rezultatet e arritura nga qeveria e kryeministrit Berisha në inicimin dhe thellimin e reformave.
Komiteti Drejtues i PLL i konsideron qëndrimet e opozitës si destruktive, qesharake, pa të ardhme dhe në vazhdën e misionit të saj historik antikombëtar.
Në këtë mbledhje, u shqyrtua edhe ftesa e Kryesisë së Partisë Demokratike për bashkëpunim politik me Partinë “Lëvizja e Legalitetit”.
Pas shqyrtimit të ftesës për bashkëpunim, Komiteti Drejtues i Partisë Lëvizja e Legalitetit e pranoi parimisht atë, vlerësoi konsideratën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike dhe shprehu bindjen se PLL do të ofrojë kontribute të qënësishme në funksion të objektivave politikë të këtij bashkëpunimi.
Për konkretizimin e bashkëpunimit, Komiteti Drejtues mandatoi Kryesinë e PLL.
Komiteti Drejtues i PLL shprehu falënderime të përzemërta në adresë të Familjes Mbretërore për mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë ndaj Partisë “Lëvizja e Legalitetit”.
28 qershor 2006
Informacion për media
Sot, më datë 28 qershor 2006, Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, zhvilloi një takim pune me strukturat drejtuese te PLL të qarkut të Korçës.
Zotërinjtë Nebi Ganellari, Agim Dushi, Ylli Sulejmani dhe Riza Berberi, përkatësisht kryetarë të degëve të PLL në Korçë, Devoll, Ersekë dhe Pogradec, e informuan kreun e PLL për aktivitetin partiak të zhvilluar prej tyre gjatë kohëve të fundit në funksion të zbatimit të udhëzimeve të Kryesisë së PLL.
Z. Spahiu, në fjalën e tij u përqendrua në zhvillimet politike në vend por edhe në përgatitjet e PLL për zgjedhjet e ardhshme vendore, për të cilat dha porositë e rastit.
Ai shprehu shqetësimin e PLL për vonesat në Reformën Zgjedhore dhe e konsideroi bojkotin socialist në komisionin përkatës si një veprim të shëmtuar dhe me prapavijë të pastër që ka për qëllim jo vetëm sabotimin e Reformës por edhe të procesit zgjedhor në tërësi.
Në lidhje me vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ftesën publike të Kryeministrit Berisha për zgjerimin e koalicionit të djathtë edhe me partine “Lëvizja e Legalitetit”, z. Spahiu tha se ato po analizohet me seriozitetin dhe respektin e duhur prej strukturave vendim-marrëse të PLL të cilat gjatë kësaj fundjave do të marrin vendim përkatës i cili do të bëhet i njohur edhe për publikun përmes nje konference shtypi.
12 qershor 2006
Deklaratë për media
Sot të gjithë jemi të gëzuar se po përjetojmë një ditë historike, nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Si një parti me orientim të qartë perëndimor dhe histori 82 vjeçare, gjatë së cilës jo vetëm ka luftuar e punuar për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike të integruar në Evropë, por edhe ka qenë bashkëkohëse dhe promotore e asaj periudhe të ndritur kur Mbretëria Shqiptare ishte realisht e integruar me vendet më të përparuara të kontinentit, Partia “Lëvizja e Legalitetit” ndjehet e lumtur për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Bashkimin Evropian.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm në rrugën që zë fill me rezistencën antikomuniste gjatë viteve të diktaturës, kulmon me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” të vitit 1990, e që vazhdon me tranzicionin e stërzgjatur 16 vjeçar.
Ne vlerësojmë se në arritjen e këtij suksesi një rol të dorës së parë ka edhe qeveria e tanishme e drejtuar nga z. Berisha, e cila me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë shenja të qarta se është e vendosur për ta fshirë përfundimisht emrin e Shqipërisë nga lista e vendeve me trafiqe të paligjshme dhe problematike.
Për ne është e qartë se dëshira e shqiptarëve për t’u përfshirë me të drejta të plota në familjen e madhe evropiane nuk duhet kuptuar si ndonjë nevojë e përkohshme për liberalizimin e vizave apo përfitime të pamerituara materiale, por, në thelb ajo shpreh moralin e kombit që kërkon arritjen e standardeve më të larta dhe ringritjen kombëtare.
Ndryshimet më të fundit në rajon, pavarësia e Malit të Zi dhe pavarësia e afërt e Kosovës, duhet të na nxisin që të kuptojmë se integrimi kombëtar dhe ai evropian kanë të njëjtën kahe dhe se nuk është kurrë gabim që të synojmë integrimin si komb duke ruajtur identitetin tonë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se përgjegjësitë e shtetit shqiptar pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të jenë më të mëdha e që kërkojnë angazhimin e të gjithë faktorëve për të zgjidhur në një kohë sa më të shkurtër disa emergjenca sikurse janë materializimi në terma konkretë i dobive që rrjedhin nga statusi aktual i asociimit, reforma administrative dhe ajo zgjedhore, zgjidhja e çështjes së pronës, dëmshpërblimi dhe integrimi i plotë i ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë, ulja e varfërisë, etj.
Sikurse deri më sot, Partia “Lëvizja e Legalitetit” do të japë kontributin e saj maksimal në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë.
5 maj 2006
Informacion për media
Në kuadër të turit të takimeve me strukturat lokale, kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, gjatë kësaj jave ka zhvilluar një sërë takimesh me degët e PLL në Kurbin, Lezhë dhe Kavajë.
Këto takime zhvillohen në kuadrin e një veprimtarie të planifikuar të PLL, që ka për qëllim rritjen e efikasitetit te strukturave dhe përgatitjen e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në këto takime z. Spahiu ka theksuar faktin se partia “Lëvizja e Legalitetit” është e përfaqësuar me këshilltarët e saj pothuajse në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, të cilët gjatë këtij mandati kanë bërë një punë të lavdërueshme në dobi të komunitetit. “Synimi i PLL për zgjedhjet e ardhshme vendore është jo vetëm konfirmimi i rezultateve të deritanishme, por edhe avancimi i tyre, duke bërë të mundur rivendosjen e plotë dhe aktive të PLL në skenën politike”, -citohet të ketë thënë z. Spahiu.
Sipas kryetarit Spahiu, “arritja e rezultatit zgjedhor do të jetë qëllimi kryesor i PLL dhe kjo do të realizohet duke shfrytëzuar jo vetëm të gjitha resurset dhe përvojën e grumbulluar, por edhe duke vendosur mekanizma përzgjedhës dhe stimulues për kandidatët e PLL për pushtetin vendor.”
Z. Spahiu është shprehur edhe për nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe ka kërkuar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe maxhoranca qeverisëse që të shpejtojnë hapat për fillimin dhe përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore, sepse si opinioni i brendshëm ashtu edhe ai ndërkombëtar janë mjaft të interesuara që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Turi i takimeve te drejtuesve të PLL me bazen do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme në të gjithë vendin.
15 prill 2006
Deklaratë për media
Sot, më datë 15 prill 2006, u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Drejtues të PLL, ku u analizua veprimtaria politike si dhe u përcaktuan detyra për të ardhmen, kryesisht në funksion të zgjedhjeve për pushtetin vendor.
Në këtë mbledhje u vu në dukje se PLL i është përmbajtur programit të saj si parti e djathtë dhe ka zhvilluar një aktivitet intensiv në zbatim të detyrave të Kongresit të 16-të dhe kapërcimit të gjendjes së krijuar pas rezultatit të zgjedhjeve të 3 korrikut, të cilat ajo i konsideron si një aksident, të cilin u mundua ta evitonte dhe sigurisht për të nuk ka përgjegjësi.
Komiteti Drejtues i PLL vlerësoi rezultatet e arritura dhe rikonfirmoi mbështetjen për qeverinë e PD dhe aleatëve të saj, në nismat dhe veprimet aktive të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
PLL shpreson dhe e nxit Qeverinë, që në raport me shtresën e gjerë të ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, si dhe detyrimeve të saj programore si koalicion politik i djathtë, të marrë
hapat e nevojshme për zbatimin e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Për dënimin e krimeve të komunizmit”. Njëkohësisht PLL i kërkon qeverisë të hartojë një ligj të drejtë për dëmshpërblimin e plotë të tyre.
PLL kërkon dhe i sugjeron qeverisë që të tregohet më e vendosur në reformën administrative dhe të dëshmojë kujdes dhe maturi më të madhe në raport me pronarët e ligjshëm duke i kujtuar asaj se kthimi dhe kompensimi duhet të kenë përparësi ndaj legalizimit.
Nga këndvështrimi partiak, Komiteti Drejtues i konsideron zgjedhjet e ardhshme vendore si të një rëndësie të veçantë për Partinë “Lëvizja e Legalitetit” dhe u shpreh i vendosur për të konfirmuar një rezultat të lartë. Komiteti Drejtues autorizoi procedurat e nisjes së përgatitjes për këto zgjedhje dhe kërkoi që gjatë kësaj faze, stukturat e PLL të tregohen sistematike, të zhdërvjellëta dhe elastike, duke shfrytëzuar të gjitha resurset dhe rrethanat në dobi të rezultatit elektoral të PLL.
Komiteti Drejtues i PLL i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet me Familjen Mbretërore dhe përshëndeti ndryshimet e fundit në Oborrin Mbretëror Shqiptar, duke i uruar njëkohësisht suksese, Kryetarit të Senatit të PLL z.Ali Ohri në detyrën e re të Kryetarit të Zyrës së Oborrit.
9 prill 2006
Informacion për media
Partia Lëvizja e Legalitetit ka festuar në Mat ditëlindjen e Mbretit Leka i Parë dhe ka kujtuar ditët e shënuara të Prillit.
Populli i Matit i rezervoi një pritje të mrekullueshme Princit Leka, tezes së Mbretit Leka i Parë, zonjës Silvjanë Myzeljerë dhe drejtuesve të PLL që e shoqëronin.
Kryetari i degës lokale të Legalitetit z. Besnik Murati, hapi takimin duke falënderuar mysafirët e lartë të ardhur nga Tirana dhe të pranishmit e tubuar në këtë takim.
Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, duke folur për datat e prillit, ndër të tjera tha: “Duket sikur Zoti i plotfuqishëm e ka destinuar Prillin veç për ne, mbretërorët dhe legalistët, pasi në këtë muaj vijnë njëra pas tjetrës data të shënuara, çka të krijon përshtypjen se ky muaj për ne mbretërorët dhe legalistët, ka fituar ndër vite një frymë shenjtërimi. Lindja dhe vdekja, krenaria dhe kurorëzimi, rikthimi dhe sfida, gërshetohen dhe përjetohen bashkërisht, në këtë muaj”.
Në vijim të fjalës së tij, duke folur për rëndësinë politike të zgjedhjeve të ardhshme vendore, z. Spahiu theksoi: “PLL tashmë ka filluar përgatitjet e saj për zgjedhjet vendore. Synimet tona janë të qarta, jo thjesht që të rifitojmë njësitë vendore që aktualisht drejtohen nga përfaqësuesit e PLL dhe këshilltarët tanë në baskitë dhe komunat e vendit, por synojmë të rrisim rezultatin zgjedhor duke faktorizuar rolin e PLL në politikën shqiptare, në dobi të Atdheut dhe kombit”.
Në mbyllje të fjalës së tij, z. Spahiu ritheksoi urimin: “Ne, te gjithë së bashku, i urojmë vëllazërisht NMT Mbretit Leka i Parë, jetë të gjatë e shëndet të plotë, edhe për të mirën e Atdheut dhe Kombit”.
Princi Leka i Parë në fjalën e tij falënderoi organizatorët dhe popullin e Matit për këtë pritje të mrekullueshme dhe ajo që gëzoi pa masë të pranishmit ishte deklarimi i tij se “Familja Mbretërore nuk ka hequr dorë nga politika, por Ne jemi në traditën tonë që, nëpërmjet politikës kombëtare t’i shërbejmë atdheut dhe kombit”.
Tezja e Mbretit Leka i Parë, motra e Nënës Mbretëreshë Geraldinë zonja Silvjanë Myzeljerë, ardhur posaçërisht nga Franca për këto ditë të shënuara të muajit Prill, shprehu emocionet për pritjen e rezervuar nga matjanët, çka i kujtoi fjalët e motrës së saj, Mbretëreshës Geraldinë për dashurinë që kanë shqiptarët për Familjen Mbretërore.
Tubimin e legalistëve e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së qytetit të Burrelit z. Skënder Lleshi, i cili ngriti lart vlerat dhe kontributet e Familjes Mbretërore shqiptare.
Më pas, të tubuarit shijuan një koktej të këndshëm, gjatë të cilit shkëmbyen mendime dhe urime të ndërsjella midis tyre dhe me Princin Leka e drejtuesit e lartë legalistë.
25 mars 2006
Deklaratë për media
Partia Lëvizja e Legalitetit përshëndet sinqerisht nismën e qeverisë së Kryeministrit Berisha për hartimin e kuadrit të plotë ligjor për rregullimin e problemit të dëmshpërblimit e rehabilitimit të ish të burgosurve politikë e të përndjekurve nga regjimi komunist.
PLL ka besim se ky vullnet i shprehur i kryeministrit Berisha do të sendërtohet në akte konkrete ligjore dhe vendime të zbatueshme për rregullimin njëherë e përgjithmonë të kësaj plage ende të rëndë të shoqërisë shqiptare, siç është dëmshpërblimi i të burgosurve politikë antikomunistë.
PLL gjen rastin të shprehet se ndaj kësaj shtrese, qeveritë e mëparshme nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë ndërmarrë masa gjysmake për ta mbajtur këtë shtresë në zgrip të ekzistencës. Asnjëherë nuk është vepruar me ligje efektive që do ta mbyllnin përfundimisht këtë problem.
PLL u rikujton forcave politike dhe opinionit publik se kjo shtresë të burgosurish ka derdhur në buxhetin e shtetit, përmes punës skllavëruese e të papaguar, miliarda e miliarda dollarë, në miniera, këneta, ndërtime uzinash, pallatesh, rrugësh, aeroportesh e mjaft veprash të tjera publike, të cilat janë ende para syve të të gjithëve.
Ne si legalistë besojmë se dëmshpërblimi financiar është veprimi më i pakët që mund të bëjë një qeveri shqiptare për një shtresë të martizuar si ish-të burgosurit e të përndjekurit politikë. Sot askush nuk mund t’ua heqë vuajtjet e dhimbjet, por të paktën një pushtet i vetëdijshëm për qytetarët që qeveris, e kupton se akte të tilla ligjore e përmbaruese, janë në dobi të zhvillimit të të gjithë shoqërisë shqiptare.
PLL kujton këtu se gjatë sundimit të PS-së nga 97-ta e deri më 2005, kjo shtresë është injoruar pothuajse totalisht, me përjashtim të disa sahan lëpirësve që u kanë shërbyer të gjitha pushteteve.
25 mars 2006
Informacion per media
Sot, drejtuesit me të lartë të PLL, kryetari Spahiu, nënkryetari Basha dhe sekretari i përgjithshëm Tujani, morën pjesë në një takim me legalistë të rrethit të Durrësit.
Ata diskutuan për situatën politike në vend dhe veprimet që po ndërmerr Legaliteti në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Zoti Spahiu u shpreh se shumë shpejt partia “Lëvizja e Legalitetit” do të zërë vendin e merituar në skenën politike shqiptare sepse ajo është partia e vetme që i ka të shprehura qartasi në programin e saj qëndrimin për çështjen kombëtare, zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave dhe rehabilitimin e ish të burgosurve politikë, çështje këto që po shqetësojmë vazhdimisht politikën aktuale e cila nuk po u jep dot zgjidhje nga 16 vjet.
Takimi u zhvillua me nota të larta optimiste për mundësinë e arritjes së një rezultati të kënaqshëm në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka nisur një seri turesh në bazë që kanë si qëllim mobilizimin e strukturave dhe fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore. Këto takime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ku më i afërti është ai i ditës së nesërme në Krujë.
11 mars 2006
Njoftim për media
Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, përmes telegrameve të veçanta uroi dje drejtuesit më të rinj të Kosovës, përkatësisht kryetarin e Kuvendit z. Kolë Berisha dhe kryeministrin z. Agim Çeku.
Në telegrame, krahas konsideratave më të larta dhe urimeve vëllazërore, shprehet bindja dhe siguria se gjatë mandatit të tyre, Kosova do të shënojë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të stabilitetit politik, përparimit demokratik dhe ekonomik dhe përmbushjes së standardeve të larta që ajo i ka caktuar vetes, për të kulmuar me pavarësinë e saj, që është një proces i pakthyeshëm dhe ngjarje shumë e afërt.
Z. Spahiu i siguroi dy drejtuesit e lartë për mbështetjen e plotë dhe solidaritetin vëllazëror, që si deri më sot, ai dhe Partia "Lëvizja e Legalitetit", do t'ia ofrojnë pa rezerva gjithë klasës politike shqiptare në Kosovë.
7 mars 2006
Informacion per media
Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu zhvilloi një takim pune me kryesinë e degës së PLL Krujë. Takimi u organizua në kuadrin e një veprimtarie të programuar të Kryesisë së PLL në qendër për të kontaktuar në teren me të gjitha degët e PLL, që ka si qëllim jo vetëm njohjen e drejtpërdrejtë të realiteteve lokale, por edhe shkëmbimin e mendimeve në lidhje me programimin dhe fillimin e punës intensive për zgjedhjet vendore.
Z. Spahiu, në fillim të bisedës, i njohu legalistët krutanë me zhvillimet më të fundit politike në dhe qëndrimet e PLL në lidhje me to. Ai tha se PLL ka mbështetur veprimet e qeverisë për masat e marra në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes së asocijim-stabilizimit dhe e konsideroi atë një ogur të mire dhe njëkohësisht shprehje të një perceptimi dhe qëndrimi të ri të BE ndaj vendit tonë. Ai dënoi veprimin politik të opozitës në parlament dhe e konsideroi atë si qëllimkeq dhe destruktiv që synon të ruajë statuskuonë, të bllokojë punën e kuvendit dhe të shkaktojë destabilizim.
Ai shprehu nevojën që pozita ka për të vazhduar me vendosmëri dhe shpejtësi realizimin e reformave të premtuara dhe nuk nguroi të sigurojë mbështetjen e PLL karshi këtyre reformave. Ai foli për turin e takimeve që PLL ka nisur të zhvillojë në bazë, të cilat krahas qëllimeve të tjera duhet të kenë synimin dhe të realizojnë daljen e strukturave lokale nga letargjia e 3 korrikut dhe fillimin e punës intensive për zgjedhjet vendore.
Z. Spahiu foli për rëndësinë e veçantë që kanë për Legalitetin zgjedhjet e ardhshme vendore dhe afishoi në detaje strategjinë pothuajse të përfunduar të PLL për këto zgjedhje. Disa nga pikat të kësaj strategjie janë mbulimi 100% i njësive zgjedhore me kandidatë, gjetja dhe aplikimi i mekanizmave nxitës dhe konkurrues, shfrytëzimi i veçorive lokale dhe zbatimi elastik sipas kushteve konkrete i strategjisë elektorale, pavarësia më e madhe relative që degët e PLL do të kenë në aspekte të ndryshme, etj.
Me tej takimi mori formën e një bashkëbisedimi të frytshëm.
26 shkurt 2006
Informacion për media
Dega e Partisë Lëvizja e Legalitetit në Shkodër, organizoi në Sallën e Madhe të Prefekturës së këtij qyteti, një takim të rëndësishëm me strukturat partiake të njësive vendore të këtij rrethi.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu. Duke i bërë një përshkrim të shkurtër politikës qeverisëse, z.Spahiu theksoi se “Tashmë që mazhoranca ka mbushur 6 muajt e qeverisjes së saj, PLL-ja mund të artikulojë qëndrimin e saj politik se Qeveria “Berisha” ka demonstruar vullnet pozitiv, për të bërë ndryshime në mirëqeverisjen e vendit. Hapat e hedhura në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve dhe goditjen ndaj elementit kriminal, janë për t’u përshëndetur dhe inkurajuar.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në kuvend Spahiu tha: ”Të verbuar nga humbja e pushtetit, kanë vendosur bllokimin e parlamentit, jo vetëm sepse duan të heqin nga drejtimi i parlamentit një pinjolle të shtresës sonë, siç është zonja e nderuar Jozefina Topalli, por synimin e kanë që, me çdo lloj çmimi, të mbrojnë titullarët socialistë të të ashtuquajturave institucione të pavarura, për të penguar reformat e thella dhe për t’iu shmangur ndëshkimit ligjor. “Në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet vendore. PLL-ja, nga qendra në bazë, do të fokusojë gjithçka në funksion të këtyre zgjedhjeve. Aktualisht, PLL-ja ka këshilltarët e saj thuajse në të gjitha njësitë vendore, të cilët sigurisht që kanë luajtur një rol mjaft aktiv në dobi të komuniteteve përkatëse. Synimi ynë është që të dyfishojmë numrin e këshilltarëve, duke i rikthyer Legalitetit vendin që i takon në spektrin politik të së djathtës shqiptare”- e mbylli fjalën e tij z. Spahiu.
23 shkurt 2006
Informacion per media
Ditën e enjte, më datë 23 shkurt 2006, kryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit” z. Ekrem Spahiu zhvilloi një takim të rëndësishëm me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë z. Richard Jones.
Tema të bisedimit ishin zhvillimet politike në vend, Kosovë e rajon. Z. Spahiu pasi e falënderoi ambasadorin e qeverisë së Madhërisë së Saj për kontributin e vazhdueshëm që ai dhe shteti i tij kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Shqipërinë e kombin shqiptar, shprehu pikëpamjet dhe qëndrimet e PLL për çështjet në diskutim.
Një pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe diskutimi për reformën e pritshme zgjedhore në Shqipëri. Biseduesit shprehën domosdoshmërinë që kjo reformë të kryhet sa më shpejt dhe, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, të bëhen ndryshimet e nevojshme të ligjit përkatës, në mënyrë që të mënjanohen të gjitha mangësitë e konstatuara gjatë procesit të kaluar zgjedhor.
Z. Spahiu shprehu vullnetin politik të PLL për të kontribuar në këtë proces, i cili duhet të ketë në thelb të tij detyrimin për respektimin e vullnetit të zgjedhësve, të shprehur përmes votës së tyre.
Takimi u zhvillua në frymë mirëkuptimi për të gjitha temat e diskutuara.
10 shkurt 2006
Deklarate per media
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë të Greqisë, i qeverisë së Karamanlis-it dhe i gjithë shtetit grek për përfundimin e sekuestros konservative ndaj pronave të “nënshtetasve shqiptarë dhe çamëve armiq të shtetit grek dhe shitjen e tyre shtetasve grekë”, ka ngjallur indinjatën e thellë të legalistëve dhe lidershipit të PLL.
Ky akt administrativ anticivilizues, në kundërshtim flagrant me çështjen kombëtare shqiptare dhe të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut, tashmë ka bërë copë e çikë Traktatin dypalësh të Miqësisë Shqipëri-Greqi të marsit 1996, si dhe detyrimet që rrjedhin prej tij për zgjidhjen, konform të së drejtës ndërkombëtare, të njërit nga problemet që mban peng marrëdhëniet e njëmendta miqësore e me përfitim reciprok midis dy vendeve.
PLL shpreh indinjatë të thellë për heshtjen dhe indiferencën e pashpjegueshme të institucioneve të shtetit shqiptar, pas këtij akti të pashoq antishqiptar të Drejtësisë dhe shtetit grek. PLL ka bindjen se çështja Çame është pjesë e rëndësishme e çështjes sonë kombëtare dhe për zgjidhjen e saj, institucionet e shtetit shqiptar, të përmbushin detyrimin kushtetues konform preambulës së Ligjit Themeltar të Shtetit.
PLL vlerëson se zgjidhja e çështjes Çame nuk është vetëm një problem i pazgjidhur pronësie, por në radhë të parë është problem i rikthimit të çamëve në trojet stërgjyshore, krahas njohjes së shtetësisë greke, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përfitimet që rrjedhin prej kësaj. Probleme të pazgjidhura pronësie,
PLL konsideron thjesht ato të mbetura pezull midis shtetit grek nga njëra anë, dhe shtetit e nënshtetasve shqiptarë jo çamë nga ana tjetër, në territorin administrativ grek.
PLL i kërkon shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, fillimin e menjëhershëm të negociatave për zgjidhjen e këtij handikapi të ri, krijuar enkas nga shteti grek.
PLL shpreh bindjen se vendimi i fundit i Greqisë, është përshkallëzim i qëndrimeve antishqiptare lidhur me deklaratat për gjoja shqetësimet e saj për problemet e minoritetit grek në Shqipëri, dhe shantazhit të hapur të presidentit të Greqisë Papulias, se “integrimi Shqipërisë në BE, kalon nga Athina”.
PLL e konsideron fyerje antishqiptare, vazhdën e qëndrimeve jo luajale dhe aspak reciproke të Greqisë ndaj pronave të shtetasve shqiptarë dhe bashkatdhetarëve çamë, nënshtetas të Greqisë, ndërkohë që shteti shqiptar, padrejtësisht, u ka dhënë minoritarëve grekë prona të pronarëve legjitimë shqiptarë, në zbatim të ligjit 7501.
PLL do të vazhdojë ta ngrejë zërin në mbështetje të të drejtave të ligjshme të bashkatdhetarëve çamë, të përfaqësuar nga Shoqata Çamëria, dhe do të përshkallëzojë kërkesat dhe presionin politik ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, deri në zgjidhjen përfundimtare të Çështjes çame, si pjesë e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, duke kërkuar kthimin e tyre në trojet amtare.
4 shkurt 2006
Deklaratë për media
Partia Lëvizja e Legalitetit, mbasi u njoh me rezolutën nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së, datë 25 janar 2006, mbi “Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, shpreh edhe njëherë bindjen e saj se ky proces jetik duhet të fillojë sa më parë edhe në Shqipëri.
PLL dhe legalistët, brenda dhe jashtë vendit, që në fillim të instalimit të regjimit komunist, e kanë kundërshtuar atë dhe kanë luftuar e kontribuar për përmbysjen e tij. Ndërsa pas vendosjes së pluralizmit, kanë kërkuar fillimin e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, ku edhe sot, në forma të kamufluara, vazhdojnë të veprojnë e ndikojnë fuqishëm, qendrat dhe celulat e sistemit komunist.
Ne shprehim solidarizimin tonë me këtë rezolutë, e cila në thelbin e saj i referohet rezolutës nr. 1096 të KE-së, së vitit 1996, mbi “Masat që duhen marrë për të çmontuar trashëgiminë e regjimeve të mëparshme totalitare komuniste”.
E gjithë klasa politike shqiptare e pranon, me ose pahir, faktin që viktimat e komunizmit gjatë këtyre 15 viteve, janë trajtuar vazhdimisht dhe thjesht si viktima, që meritojnë veçse mëshirë, po kurrsesi drejtësi.
Ne jemi të bindur se dënimi i komunizmit si ideologji, sistem dhe regjim çnjerëzor, bashkë me dënimin ligjor të xhelatëve dhe ofiqarëve të tij për krime lufte dhe ato kundër njerëzimit, mund të bëhet vetëm me rrugë të drejtësisë dhe gjyqe kundër kasapëve të diktaturës, të cilët nuk kanë denjuar të kërkojnë as falje publike.
PLL i kërkon kryetares së Kuvendit zonjës Jozefina Topalli dhe deputetëve të të gjithë spektrit politik, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë në mbështetje të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm të Asamblesë Parlamentare të KE-së, për dënimin e krimeve që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri.
24 janar 2006
Informacion për media
Sot u nis për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, një delegacion i Partisë Lëvizja e Legalitetit, i kryesuar nga kryetari Ekrem Spahiu. Përveç nderimit që do të bëhet sipas protokollit të kësaj ceremonie, krerët partiakë të PLL pritet të marrin kontakte edhe me lidershipin politik të Kosovës, në këto momente decizive për definimin e statusit të saj, për të cilin PLL ka theksuar se Pavarësia e Kosovës është hapi i parë drejt realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, të jetojnë në një shtet të vetëm.
Para disa ditësh, me t’u marrë vesh shuarja e Presidentit Rugova, në Kosovë bëri një vizitë edhe Princi Leka, i cili ngushëlloi familjarët e Presidentit të ndjerë. Ndërsa delegacioni i PLL është parashikuar të qendrojë disa ditë në Kosovë, deri në përfundim të ceremonive për nder të figurës së pazëvendësueshme e unikale të Ibrahim Rugovës, mishëruesit të idesë së pavarësisë së Kosovës nga thundra e serbëve.
