Arkiva e vitit 2005


Durrës, më 24 dhjetor 2005
Fjala e z. Ekrem Spahiu në Durrës, me rastin e 81 vjetorit të Triumfit të  Legalitetit, me temë: Triumfi i Legalitetit - gur themelor në ndërtimin e shtetit modern shqiptar.

Me lejen Tuaj Princ Leka!
Të nderuar pjesëmarrës!

24 Dhjetori i vitit 1924, i pagëzuar me emrin Triumfi i Legalitetit, nuk u përket vetëm legalistëve për ta festuar, por i përket të gjithë shqiptarëve.  Duke qenë i tillë, këtë tubim duhej ta organizonte një institucion shtetëror, për arsyen se 24 Dhjetori është gur themelor në historinë e shtetit shqiptar.

Atë që nuk e bëjnë institucionet shtetërore, vazhdojnë ta bëjnë legalistët, jo thjesht se kjo është edhe datë e Legalitetit, por sepse me Triumfin e Legalitetit, filloi edhe epoka zogiste.

Parafolësit, me faktet dhe argumentat e qarta e të pakundërshtueshme, ndriçuan jo vetëm këtë datë të shënuar, por edhe një periudhë të ndritur historike, e cila fatkeqësisht, për arsye ideologjike të regjimit të kaluar, ka qenë e manipuluar.

Por më shqetësues është fakti që, edhe mbas 15 vjetësh të ndërrimit të sistemit, brezi i ri vazhdon të mësojë, por edhe shqiptarët vazhdojnë të dëgjojnë trillime e fallsifikime flagrante në librat e historisë dhe media.

Një pjesë e autorëve të këtyre teksteve, duke mbetur skllavë të klisheve të kaluara, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të shtrembërojnë të vërtetat historike, por prania e Prof. Dr. Beqir Metës, fjala e tij sot dhe ndryshimi i qeverisjes, na japin shpresë se historia e Shqipërisë do të rishkruhet mbi bazën e të vërtetave dhe fakteve shkencore.

Procesi i rishkrimit përfundimtar të historisë së shqiptarëve, duhet të fillojë, së pari, me hartimin e teksteve të reja shkollore, për të vazhduar më tej me reforma të thella në institucionet e tjera, deri tek Akademia e shkencave.

Ndonëse kanë kaluar 81 vjet nga 24 Dhjetori i vitit 1924, bazat kushtetuese të institucioneve shtetërore dhe në tërësi ndërtesa institucionale e shtetit të drejtuar nga Ahmet Zogu, fillimisht si kryeministër, më pas si president dhe nga 1 shtatori 1928 si Mbret i Shqiptarëve, edhe sot i qëndrojnë kohës.
Po rendisim disa momente të rëndësishme dhe konkretisht:
- Asambleja legjislative ishte me dy dhoma; ajo e deputetëve dhe dhoma e Senatit, model ky që aplikohet sot në vendet me demokracinë më të zhvilluar në botë, si Amerika, Anglia, Italia etj..

- Legjislacioni i mbështetur mbi përvojat më moderne dhe më të përshtatshme për Shqipërinë, që mundësoi projektimin dhe realizimin e zhvillimit. Aktualisht, kuadri ligjor i kohës së Mbretërisë mbahet i fshehur nga publiku dhe vidhet paturpësisht nga pseudo hartuesit e ligjeve.

- Përbërja e qeverisë dhe e administratës, bazohej mbi tre kritere: ndershmërinë, aftësinë, përkushtimin, dhe nëpunësit ishin shkolluar në universitetet më në zë të Perëndimit, si Itali, Francë, Austri, Gjermani etj.. Ky model i kualifikimit dhe rekrutimit të specialistëve të administratës, po synohet të adoptohet sot.

- Kodi Penal (janar 1928), u hartua sipas modelit italian, që ishte më i miri i asaj kohe në mbarë Evropën, dhe u zbatua me sukses nga gjyqtarët e aftë dhe të ndershëm, ndërsa sot, po ky kuadër ligjor, është dëshmuar i dështuar, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në drejtësi, me suport të qartë politik.

- Kodi Civil (1 prill 1929), ishte shumë i rëndësishëm, sepse ne vinim nga një shoqëri e
prapambetur, ndonëse raportet shoqërore ishin të rregulluara edhe me Kanunin, si kulmi i sendërtimit të së Drejtës zakonore të shqiptarëve në shekuj.  Sot, çështjet civile kanë mbetur në mëshirën e vullnetit dhe qeses së matrapazëve që shesin drejtësinë, çka ka shkaktuar kaos dhe padrejtësi të panumërta, me pasoja fatale, madje deri në vet gjyqësi.

 - Ligji për Avokatinë (15 qershor 1931), shënoi për herë të parë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në raport me ligjin.  Sot, avokatët janë shndërruar në sekserë mes përfaqësuesve të ligjit dhe qytetarëve që i drejtohen drejtësisë për të zgjidhur hallet.

- Kodi tregtar (1 prill 1932), rregulloi shkëlqyeshëm raportet midis shtetit dhe subjekteve të tatueshme, duke konsoliduar kapitalizmin, si sistemi më i përkryer i zhvillimit ekonomiko-shoqëror, e që u ngrit mbi rrënojat e feudalizmit të trashëguar. Sot, Kodi tregtar është mburoja më e mirë e evazionit dhe parajsës fiskale, drejt krijimit të monopoleve me ngjyra politike, çka ka shkatërruar konkurrencën dhe tregun e lirë.

- Ligji për ndalimin e mbulimit të fytyrës, ishte masa kryesore për emancipimin e femrave dhe integrimin dinjitoz të tyre në shoqëri, drejt zhdukjes së pabarazisë midis gjinive.  Ndërsa sot, morali shoqëror është tronditur thellë për shkak të abuzimit me lirinë, duke shkuar drejt rrënimit. (Heqjen  ferexhesë, Franca dhe Italia po kërkojnë ta bëjnë sot).

- Kuadri ligjor për Urbanistikën dhe rregullimin e territorit, ishte i bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare dhe në studime afatgjata. Ai model dhe ato përvoja, edhe sot mbeten të paarritshme, sikurse janë masterplanet e asaj kohe, ndërtimet madhështore si godinat e Ministrive, Bulevardet e Tiranës, Shkodrës dhe objekte të tjera, me të cilat krenohemi. Sot kemi një masakër urbane, që i paraprin kaosit urbanistik dhe shpërfytyrimit të territorit, me pasoja që po i vuajmë të gjithë dhe që po thellohen dita-ditës. Në atë kohë, edhe një fasadë të avllisë nuk mund ta lyeje pa lejen dhe ngjyrën e miratuar nga bashkitë dhe komunat, e jo më të ndodhnin përplasje të qeverisë me pushtetin vendor sikundër sot, e për zgjidhjen e të cilave angazhohet deri edhe komuniteti ndërkombëtar.

- Përveç lidhjes së qendrave të banuara me rrugë, që sot përbëjnë 90 % të fondit të përgjithshëm të rrugëve zhvillim të shpejtë mori edhe komunikacioni ajror civil, me aeroporte në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Kuçovë, Kukës dhe Peshkopi.  Ndërsa sot, në vitin 2005, transporti ajror civil brenda territorit të vendit, as që ekziston.

- E drejta e pronësisë ishte e garantuar jo vetëm me ligj, por edhe në praktikë. Hipoteka dhe kadastra ishin të përkryera në funksionimin e tyre dhe saktësinë e pasqyrimit të kufijve të pronësisë. Sot, shqiptarët nuk dinë ku i kanë pronat dhe kufijtë, dhe dokumentacioni i pronësisë është shumë difektoz.  Saktësinë e atij sistemi regjistrimi, e konfirmoi para pak ditëve edhe kryeministri aktual z. Berisha, i cili deklaroi se pikë referimi për qartësimin e pronësisë, do të mbetet dokumentacioni i kohës së Mbretërisë.

- Rendi, siguria e jetës dhe e pronës, mbroheshin nga shteti nëpërmjet armës së Xhandarmërisë. Ndërsa sot, gjëja më e pavlerë është jeta, e cila ndihet e kërcënuar në çdo moment nga krimi ordiner dhe ai i organizuar.

- Arritjet e sipërshënuara të epokës së Mbretërisë,nën drejtimin e Mbretit Zog I, janë shtyllat monumentale të qytetërimit dhe shtet-formimit shqiptar, por ajo epokë është skalitur në kujtesën e shqiptarëve për Kushtetutën, pasaportën dhe monedhën, me të cilat shqiptarët e asaj kohe ishin realisht të integruar në Evropë, si qytetarë dinjitozë. Ndërsa sot, jo vetëm që vazhdojmë të mbetemi të izoluar e jashtë Evropës, por integrimi është shndërruar në demagogji të plotë dhe objektivin më të vështirë të klasës politike.

Të nderuar pjesëmarrës, Kremtimi i Triumfit të Legalitetit dhe i epokës që pasoi, shërben si pikë referimi dhe model zhvillimi me vlera të pakrahasueshme e të denja për t’u ndjekur, nëse duam të realizojmë ëndrrat dhe vizionin tonë të zhvillimit, bashkimit kombëtar dhe integrimit euro-atlantik.

Ju faleminderit!

 

7 dhjetor 2005
Deklarate për media

Pavarësisht situatës së përmirësuar në sistemin tonë hidro-energjitik dhe masave të ndërmarra nga ekzekutivi dhe KESH-i, PLL shpreh shqetësimin për tolerancën e skajshme të qeverisë për nxjerrjen para përgjegjësisë dhe ndëshkimin ligjor të shkaktarëve.

Kjo krizë e cila u përkthye në krizë të mirëfilltë politike, me pasoja të rënda për stabilitetin politik të vendit bash pas zgjedhjeve dhe punës së porsafilluar të maxhorancës qeverisëse, madje në prag të dimrit, ishte një krizë e gatuar nga ish maxhoranca, e qëllimtë dhe me efekte shkatërrimtare ekonomike e sociale.

PLL shpreh shqetësim të thellë për faktin se banda e abuzuesve dhe shpërdoruesve të KESH-it, jo vetëm që vazhdon të mos e prishë terezinë për ato çfarë gatoi dhe shkaktoi nën sqetullat e politikës dhe nën dirigjimin e saj, por vazhdon punën pa iu nënshtruar reformave, spastrimit të merituar dhe penalizimit për dëmin efektiv ekonomik të konsiderueshëm.

PLL nuk mund ta tolerojë faktin e hidhur të investimeve prej afro 1 miliardë euro të bëra në këtë sektor pas vitit 1997, që sot rezultojnë si investime abuzive, me pasoja persistente, që kushtëzojnë nevojat e ekonomisë, qytetarëve dhe zhvillimin perspektiv të vendit.
PLL konsideron se ka ardhur koha t’i jepet fund retorikave dhe përdorimit të errësirës për luftë politike dhe shkarkim përgjegjësie, sepse kjo gjendje ka ideatorë dhe shkaktarë, të cilët njihen nga të gjithë shqiptarët.

Ajo i kërkon Qeverisë që të denoncojë në prokurori shkaktarët e djegies së transformatorëve të H/C të Fierzës dhe përfituesit korruptivë të blerjeve të panevojshme të mallrave prej 150 milionë euro, për gjoja nevoja të KESH-it.

Në të gjithë botën demokratike, korrupsioni, abuzimet, dështimet e politikave qeverisëse dhe dëmet efektive ekonomike, nuk ndëshkohen vetëm me vota, por me ligje (gjithmonë nëse ka përgjegjësi ligjore), sepse, në të kundërtën, segmentet politike, pushtetet dhe qeverisjet abuzive do të mbijetojnë dhe do të varrosin ardhmërinë.

PLL i kërkon qeverisë të marrë përsipër organizimin e një seminari mbarëkombëtar për qartësimin e prioriteteve, zgjidhjen e krizave dhe sigurimin e burimeve energjitike të vendit, me qëllim që të analizohen strategjitë dhe praktikat e dështuara, rrjedhojat e tyre, dhe të hartohen e ballafaqohen projekte dhe strategji që japin zgjidhje definitive dhe shmangin krizat rrënuese.

PLL konsideron se Shqipëria ka përvoja dhe kapacitete të mëdha intelektuale në këtë fushë, të cilat nuk mund të gjenden doemos midis drejtuesve, specialistëve, menaxherëve dhe këshilltarëve aktualë, të punësuar në administratën shtetërore.

PLL vlerëson se prioritetet madhore të vendit nuk mund dhe nuk duhet të jenë thjesht dhe vetëm subjekte dhe objektiva të programeve politike e qeverisëse, por të të gjithë shoqërisë sonë, e interesuar më shumë se kurrë për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata të parakushteve dhe kërkesave të zhvillimit.

 

6 dhjetor 2005
Deklaratë për media

PLL vlerëson vullnetin politik të kreut të shtetit z. Moisiu, në përmbushje të detyrimit kushtetues, për arritjen me çdo kusht të një kompromisi sa më të gjerë midis faktorëve politikë dhe për përgatitjen në kohë e me cilësi, të procesit të ardhshëm zgjedhor.

Gjithashtu, ne vlerësojmë ftesën e z. Moisiu për paraqitjen e opsioneve të PLL për Reformën zgjedhore, e cila vazhdon të mbetet detyrimi themelor dhe i papërmbushur i demokracisë shqiptare. Ky proces i mangët, është bërë evident dhe kritik sidomos gjatë 15 vjetëve të tranzicionit të pas diktaturës, por ai e ka fillesën që para 60 vjetësh, më 2 dhjetor 1945, në zgjedhjet pseudo pluraliste, të përgatitura dhe të manipuluara nga enveristo-stalinistët, sipas parimit: Populli voton, pushteti numëron.

Ne e konsiderojmë ftesën e z. Moisiu, si respekt për vlerat dhe kontributet tona për proceset demokratike, por edhe si mundësi për të dhënë opsionet e PLL për Reformën e domosdoshme zgjedhore, opsione të cilat janë si më poshtë:

1. Legaliteti, si parti e Legjitimitetit, prej nga burojnë emri dhe fryma e programit tonë politik, ka dëshmuar, do të shfaqë dhe do të kërkojë vullnet të qartë politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.

2. Në të gjitha tryezat e partive parlamentare, kemi kërkuar, kemi argumentuar dhe do të insistojmë për kalimin në sistemin proporcional.

3. Këmbëngulim në respektimin e paragrafit 7 (pika 6), në dokumentin e Kopenhagenit (të OSBE-së), sipas të cilit “...partitë që konkurrojnë në zgjedhje, të kenë shanse të barabarta”.

4. Pragu elektoral të jetë 2.5 %, me 0.5 % rritje në çdo palë zgjedhje, për të arritur te 4 përqindëshi.

5. Mandati i të zgjedhurve të pushtetit vendor të rritet, nga tre, në katër vjet.

6. KQZ të ngrihet në përputhje me Kushtetutën aktuale. Vendimet me shumicë të cilësuar, të merren të paktën me 5 vota Pro.

7. Komisionet zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë, (KZZ, KZQV, QV), të jenë jopartiakë, por të përbërë nga: gjyqtarë, ekspertë, ekonomistë, mësues, etj..

8. Jo partitë politike, por pushteti vendor të përgatisë listat e zgjedhësve, duke mbajtur përgjegjësinë e plotë ligjore.

9. Të hartohet Regjistri kombëtar i Gjendjes Civile, që lehtëson pajisjen e shtetasve me karta identiteti.

10. Të krijohen kushtet ligjore dhe të merren masat administrative për ushtrimin e të drejtës së votës për emigrantët shqiptarë, kudo ku punojnë e jetojnë.

11. Të dënohet me ligj fenomeni i tjetërsimit të votës nëpërmjet blerjes, presionit, mashtrimit, etj..

12. Votat të numërohen në qendrat e KZZ-ve dhe KZQV-ve.

13. Grupet e numërimit (GN), të përbëhen nga tre teknicienë. Numri i GN-ve të jetë i pakufizuar dhe të formohen në vartësi të nevojave dhe specifikave të çdo zone apo njësie vendore. Çdo parti konkurruese, të ketë vëzhguesit e saj në çdo Grup Numërimi.

14. Nëse kërkohet nga subjektet, Kodi i ndryshuar të garantojë dhe realizojë edhe rinumërimin e votave të proporcionalit, nga KQZ apo Kolegji zgjedhor.

PLL kërkon zyrtarisht, që partitë politike, Qeveria, Kuvendi, OJQ-të, institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, të bashkohen në nevojën urgjente dhe të bashkëpunojnë intensivisht për realizimin e Reformës zgjedhore.

Ne gjithashtu kërkojmë që Reforma zgjedhore të fillojë sa më parë dhe Kodi i ri të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë brenda muajit Maj 2006.

Për realizimin e këtij procesi jetik për demokracinë dhe ardhmërinë e vendit, i kërkojmë kryetarit të shtetit z. Moisiu që, në vazhdimësi, të drejtojë tryezën e partive politike deri në përfundimin e Reformës zgjedhore.      

Qëndrimet dhe opsionet e mësipërme, PLL do t’i shtrojë edhe në tryezën e partive të koalicionit qeverisës, që do të mblidhet pas pak, në ora 12.00, tek kryesia e Kuvendit, ku sigurisht që ne ndjehemi dhe jemi pjesëmarrës.

 

25 nëntor 2005
Deklaratë për media

PLL ka ndjekur dhe po ndjek me shqetësim debatin absurd të kohëve të fundit për të ashtuquajturën datë të çlirimit të vendit. Ajo e konsideron qesharak dhe fyes këtë debat, sa kohë që trojet shqiptare që përbëjnë shumëfishin e Shqipërisë administrative, janë sot nën administrim të huaj.

PLL vlerëson se kërkesa për të mbajtur si datë të çlirimit 29 nëntorin e AVNOJ-it që shenjtëroi Serbosllavinë, është një sfidë e hapur për Kosovën martire dhe gjakun e shqiptarëve derdhur atje për 13 shekuj, dhe kjo bëhet bash në prag të Pavarësimit të Kosovës nga serbët, këta aleatë të djeshëm e të sotëm të pretendentëve për çlirimtarë, që datën e pushtet-marrjes së përgjakshme kërkojnë të na e imponojnë si datë çlirimi.

Legalistët dhe mbarë nacionalistët, nuk mund të harrojnë kontributin e aleatëve shqipfolës të rankoviçëve, mugoshëve e popoviçëve, të cilët prenë në besë dhe çarmatosën kosovarët, për t’ua dorëzuar më pas gjakatarëve serbosllavë, që bënë masakra të pashembullta para syve të Ramiz Aliagoviçit dhe dhe peçëve e poçave gjakatarë. Ata gjithashtu nuk mund ta harrojnë masakrën e Tivarit, ku u masakruan 5 mijë bij të Kosovës martire, preludi i së cilës filloi para hundës së Enverit dhe sllavo-maqedonasit Koçi Xoxe, në tokën e Shqipërisë Londineze, ku u masakruan 1 mijë djem të autokolonës që po dërgohej në thertoren e Tivarit.  

PLL konsideron se lufta në fjalë ka qenë Luftë Nacional-Çlirimtare vetëm për nacionalistët, ndërsa për enveristët ajo ishte luftë për vendosjen e diktaturës komuniste, sipas direktivave të Moskës dhe Kominternit.

Nëse për enveristët kjo datë shënon festën e marrjes së pushtetit me luftë civile, për shqiptarët atdhetarë ajo shënon datën e pushtimit ideologjik dhe të instalimit të diktaturës më gjakatare.

Ata që shkuan në luftë “Za Tito, za Stalina” (Për Titon, për Stalinin), e që i pritën aleatët britanikë me bajoneta në Sarandë, aleancat e tyre i firmosën me serbo-sovjetikët, që i pritën me parada dhe i vunë në krye të qeverisjes së tyre rrënimtare.

PLL i konsideron qesharake rrekjet e disa të ashtuquajturve veteranë lufte për të impresionuar shtetin e ri demokratik me gjoja emocione të luftëtarëve, që nuk kanë vrarë okupatorë, përveçse bashkatdhetarë.

Edhe vetë kryesocialisti i sotëm, në turravrapin për të ndërtuar një varrezë gjermane në kodrat e Liqenit Artifiacial, nuk gjeti asnjë gjerman të vrarë për ta kallur atje.

Të gjithë shqiptarët e dinë se deri në ditën e fundit të qeverisjes, social-enveristët e konsideruan Serbinë si shtet kufitar dhe vunë firma në marrëveshjet që e sanksiononin Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa firmosën krahas ujk-drashkoviçëve të ultranacionalizmit serbomadh.

Askush nuk i ndalon enveristët e djeshëm, socialistë të sotëm, të festojnë këtë datë të mallkuar në shtëpitë e tyre, mbi varrin e Enverit e bashkëpunëtorëve të tij.

Meqë jemi në demokraci, do të dëshmojmë aq tolerancë sa të pranojmë që ata, bashkë me sllobodanët dhe vojisllavët e Serbisë, ta festojnë festën e tyre të Serbosllavisë së AVNOJ-it në Beogradin që dikur e bënë qendër pelegrinazhi për bekimin e pushtetit. Ne sërish nuk jemi kundër që ata, me kuç e me maç, edhe sot, pas vendosjes së pluralizmit, me pelegrinazhe të organizuara e të paguara nga pushtetet me paratë e shqiptarëve, të marrin pjesë në zijafetet e Beogradit, çdo 29 nëntor e 8 mars, sikundër kanë bërë me gratë dhe vajzat socialiste, në gjurmët Nexhmijes, Fiqiretit dhe Ollga Plumbit.

Vetngrefosja butaforike e enveristëve tanë për gjoja aleanca me Aleatët e Mëdhenj fitues të LDB, pa kurrfarë dokumenti të firmosur, është thjesht një përpjekje mjerane për të rrëmbyer Atunë e “fitimtarit-çlirimtar”, me të cilën i japin të drejtën vetes për të kërkuar pushtetin për bijtë, që i ushqyen dhe i rritën me “Rrezikun Anglo-amerikan për Shqipërinë”, ndërkohë që sot janë vetshpallur aleatë të Anglo-amerikanëve.

PLL konsideron se kombit shqiptar i duhen aleatë të vërtetë dhe jo tribuna ku pozohet pranë aleatëve të Demokracive perëndimore për qëllime përfitimi politik.

Nuk jemi ne shqiptarët ata që bënë luftërat botërore. Ne thjesht jemi dhe kemi qenë viktima të tyre. Janë Fuqitë e Mëdha ata që përcaktojnë fituesit dhe të humburit.

Rasti i 9 Majit në Moskë, ku në tribunën kryesore, krahas Bushit e Putinit, qëndronin edhe Shrëderi, Berluskoni dhe Koizuma, është tejet domethënës.

PLL i kërkon kryeministrit Berisha, që të përdorë autoritetin dhe të ushtrojë të gjitha kompencat ligjore e ekzekutive për fshirjen dhe zhdukjen nga kalendari kombëtar i festave tona të shënuara – e 29 nëntorit, kësaj feste të serbëve, që përfaqëson festën madhore të Serbosllavisë komuniste, trashëgimtare e Jugosllavisë së Versajës, që u ngrit mbi trevat tona etnike.

 

20 nëntor 2005
Informacion për media

Sot në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një tubim përkujtimor me rastin e 62 vjetorit të Kongresit të Zall-Herrit, ku u shpall Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (21 nëntor 1943). Në këtë tubim morën pjesë drejtuesit më të lartë të PLL, përfaqësues të ndryshëm të forcave politike të djathta e antikomuniste, përfaqësues të shoqatave antikomuniste e patriotike si dhe mjaft përkrahës e simpatizantë të Monarkisë.

Në këtë tubim sollën kujtimet e tyre disa veteranë të Lëvizjes së Legalitetit, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në atë eveniment historik, siç ishin z.Akil Basha, z.Shaqir Trimi dhe z.Ali Ohri.

Po ashtu në këtë tubim folën, në aspektin historik e aktual, zotërinjtë Hysen Sinani, shkrimtar, z.Neritan Kolgjini, gazetar dhe z.Nevruz Ndregjoni, funksionar i PLL.
Në fund të takimit dha një prononcim për media, edhe kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu.

 

15 nëntor 2005
Deklaratë për media

Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh edhe njëherë përkrahjen dhe inkurajon qeverinë Berisha për një sërë hapash të ndërmarra në drejtimin e duhur, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe veçanërisht krimit të organizuar, si dhe për kthim-kompensimin e pronave të ligjshme, përfshirë këtu pronat e Familjes Mbretërore, në përputhje me ligjin për Statusin e Familjes Mbretërore.

Partia Lëvizja e Legalitetit denoncon ashpër dhe shpreh përbuzjen e saj për mentalitetin bolshevik, fatkeqësisht ende mbizotërues, në mendjet dhe zemrat e një pjese të deputetëve të majtë, të cilët, ndonëse të rinj në moshë, u ka ngelur sahati në 28-29 nëntor 1944. Jemi në shekullin e 21-të, Familja Mbretërore shqiptare, si çdo nënshtetas i këtij vendi, nuk mund të persekutohet më, nuk mund t’i grabitet prona e trashëguar brez pas brezi apo e blerë ligjërisht. Shkuarja e hakës tek i zoti, është një proces objektiv, të cilit nuk ka Taulant që t’i bëjë ballë, pavarësisht shoqatës ku ai militon.

Është në nderin e kryeministrit Berisha, që, ndonëse me ngadalësi, po ndërmerr hapat e duhura për mjekimin e plagëve të shkaktuara nga e majta shqiptare.

Partia Lëvizja e Legalitetit dënon ashpër deklaratën e deputetit Majko për gjoja vendosje të fashizmit në Shqipëri. I kujtojmë deputetit në fjalë se, ndër të tjera, është detyrë e Ministrit të Brendshëm të mbajë në kasafortën e vet, dosjet e hajdutëve dhe të keqbërësve të tjerë. Nuk është faji i ministrit që kongresmenët vazhduan me sukses traditën e 8 nëntorit, duke zgjedhur në krye të PSSH-së, një person me vese të njëjta me sekretarin e parë Enver.

Për më tepër, pozita e sotme, e etiketuar si fashiste, nuk ka mbyllur në burg përmbi 1 vit, ndonjë kryetar partie opozitare, akuzuar si puçist i pafajshëm; nuk ka marrë peng në komisariat shefin e opozitës, as për politikë, as për vepra të turpshme në publik; nuk është vrarë gjë ndonjë deputet i opozitës, as edhe ndonjë ministër i Kosovës. Gjithsesi gratacielat e pushtetarëve të djeshëm vazhdojnë të hedhin shtat e të ndërtohen të reja, ndër të tjera, edhe mbi gjakun e kolonel Kaloshit, edhe me bekimin e Prokurorit të Përgjithshëm, tërësisht të pavarur, z. Theodhori Sollaku.

 

10 nëntor 2005
Deklaratë për media

E bindur në rëndësinë kapitale të proceseve të integrimit të vendit në familjen evropiane, PLL ka ndjekur me vëmendje procesin e ecurisë së negociatave që paraprijnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-asociimit. Në këtë kontekst, PLL vlerëson konsiderimin e kësaj ecurie dhe përpjekjeve të qeverisë dhe shtetit shqiptar, nga komisioneri Oli Rrehn në mbledhjen e djeshme të Komisioni Evropian në Bruksel.

Legalistët vlerësojnë seriozitetin e maxhorancës aktuale për përshpejtimin e këtij procesi kompleks e jetik, pas ndërprerjes së dhimbshme në vitin 1997 dhe sabotimit vijues që opozita e sotme i bëri atij gjatë 8 viteve në pushtet.

Duke mos e konsideruar këtë proces si qëllim në vetvete dhe si Atu për spekulim dhe vegjetacion politik, PLL kërkon nga maxhoranca dhe institucionet e vendit që, ato të respektohen dhe përshpejtohen, në radhë të parë nëpërmjet jetësimit të vullnetit politik, dhe, në vijim, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të një sërë projektesh dhe platformash të reformimit të thellë të institucioneve, me qëllim arritjen e parametrave dhe standardeve të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë dhe të nënshkruara nga pala shqiptare.

Bazuar në gjendjen aktuale në të cilën ndodhet vendi, PLL konsideron se nuk janë reformat standarde e sipërfaqësore, të propaganduara dhe zbatuara nga ish maxhoranca e djeshme, ato që mund të sjellin përmirësimin e imazhit dhe zhvillimeve të vendit, të sugjeruara nga ndërkombëtarët. Këto i mundësojnë vetëm reformat e thella strukturore, administrative e ligjore, si dhe vullneti i paepur politik për zbatimin e tyre.

Në këtë kuadër, PLL konsideron se lufta e vendosur kundër korrupsionit, ndërmarrë nga qeveria, është e pamjaftueshme për reformimin rrënjësor dhe demokratizimin e jetës së vendit.

Pa një kuadër ligjor të përmirësuar dhe koeficient maksimal të zbatueshmërisë së ligjit; pa një administratë publike të spastruar nga të korruptuarit, të paaftët dhe klientelizmi politik; pa një sistem gjyqësor në parametrat më të lartë cilësorë; pa një luftë asgjësuese kundër trafiqeve kriminale, krimit të organizuar dhe informalitetit në ekonomi; pa një sendërtim të qartë në ligj të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe pa një vullnet të hekurt politik për respektimin e tyre – nuk ka e nuk mund të ketë plotësim të kushteve dhe garancive politike për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-asociimit me BE.

Me këtë rast, në reflektim të vlerësimeve pozitive dhe sugjerimeve të fundit të Komisionit Evropian, PLL garanton mbështetje maksimale e të pakushtëzuar politike për reformimin e thellë e të domosdoshëm të jetës së vendit, si parakusht për proceset integruese.

 

6 nëntor 2005
Deklaratë për media

Dje, Familjes Mbretërore Shqiptare iu kthye pronësia mbi Pallatin e Vjetër Mbretëror, pas jetësimit të vullnetit politik të qeverisë dhe personalisht të kryeministrit Berisha.

Ky akt i rëndësishëm civilizues në favor të Familjes Mbretërore, mundësoi kthimin legjitim të banesës me të cilën lidhet një pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë.

Mbështetur në principet e legjitimitetit, moralit, të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe sistemit të bazuar mbi pronën private - kthimi i pronave të Familjes Mbretërore ka qenë prioritet politik i PLL. Por mbi të gjitha, ky prioritet madhor politik bazohet në filozofinë e PLL si mbrojtëse e drejtësisë shoqërore, parimeve të larta të humanizmit dhe dinjitetit të çdo shtetasi shqiptar, për të cilin prona e trashëguar nuk është thjesht ajo çka na lanë të parët, apo burim jetese dhe begatie, por është një pjesë e shenjtë e Atdheut.

Mbi këtë filozofi është mbështetur edhe qëndrimi koherent dhe i përhershëm i PLL në mbrojtje të kërkesave dhe të drejtave të pronarëve legjitimë.

Që pas kthimit në atdhe të Familjes Mbretërore më 28 qershor 2002, PLL u angazhua fuqimisht për të mundësuar kthimin e pronave legjitime të Saj.

Por qeverive socialiste u mungoi vullneti politik për njohjen e kësaj të drejte dhe detyrimi kushtetues e ligjor, sidomos ndaj Familjes më të paragjykuar dhe përbaltur nga social-komunistët, ndër dekada. Të mbarsur me atavizma ideologjikë, qeveritarët socialistë nuk mundën të çlirohen nga komplekset e trashëguara, ndonëse Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar që më 08.05.2003 Ligjin “Për Statusin e Trashëgimtarëve të Familjes Mbretërore”, në zbatim të të cilit Ekzekutivi shqiptar kishte detyrimin të hartonte aktet nënligjore dhe të kthente pronësinë mbi të gjitha pronat e trashëguara.

Menjëherë pas ardhjes së z. Berisha në krye të Ekzekutivit, PLL vendosi kontaktet zyrtare, gjatë të cilave insistoi në zbatimin e Statusit dhe kthimin e pronave.

Fatmirësisht, PLL gjeti mirëkuptim të plotë dhe vullnet politik e ligjor të palëkundur tek kryeministri Berisha dhe stafi më i ngushtë kryeministror, për realizimin e këtij detyrimi ligjor dhe moral.

Z. Berisha e vendosi këtë angazhim personal në krye të agjendës së ngjeshur të punës, dhe brenda një kohe rekord, stafi kryeministror plotësoi dokumentacionin dhe zbatoi praktikat administrative të nevojshme.

Duke u ndjerë të vlerësuar dhe respektuar, shfrytëzojmë rastin që, në emër të të gjithë legalistëve, t’i shprehim kryeministrit Berisha falenderimet dhe mirënjohjen e merituar për përkushtimin e treguar në këtë hap të parë të kthimit të pronave të ligjshme.

Gjithashtu falënderojmë Drejtorin e kabinetit të kryeministrit, z. Arben Imami, këshilltarin e ngarkuar posaçërisht me ndjekjen e këtij problemi, z. Besnik Aliaj, si dhe ministrat e linjës, për angazhimin serioz në përshpejtimin e procedurave administrative.

PLL, si parti e përgjegjshme për fatet e kombit dhe demokracisë, me këtë rast konfirmon edhe njëherë mbështetjen politike për qeverinë e z.Berisha dhe koalicionit në pushtet.

 

14 prill 2005
Fjala e  deputetit Ekrem Spahiu në Kuvendin e Shqipërisë për gjakmarrjen

Zoti kryetar!
Të nderuar kolegë!

Dëshiroj që të tërheq vëmendjen tuaj dhe të Kuvendit të Shqipërisë, si organi më i lartë në vend, për një problem aktual dhe me rëndësi kombëtare. Javën e kaluar rreth 500 banorë të nderuar të Malësisë së Madhe u mblodhën dhe nënshkruan një marrëveshje për trajtimin e gjakmarrjes. Media dhe mbarë opinioni publik e kanë pritur me interesim të madh këtë ngjarje, e cila meriton të trajtohet me seriozitetin më të madh edhe nga parlamenti shqiptar. Kjo ngjarje vjen në kohën kur qeveria shqiptare deklaron se vendi është shumë afër arritjes së standardeve për integrimin euroatlantik. Ndodh kur të gjitha forcat politike janë të angazhuara në fushatë elektorale duke bërë premtime të bujshme për integrim dhe begati ekonomike.

Si deputet dhe qytetar ndiej respektin më të madh për kurajën dhe qëllimin e mirë të atyre burrave të nderuar të ardhur nga të gjitha zonat e Malësisë dhe diaspora. Me angazhimin dhe betimin e tyre ata hodhën një hap përpara në përpjekjet për t’i dhënë fund fenomenit kriminal të gjakmarrjes dhe ngujimit. Nuk ka gjë më të rëndë për një vend dhe një shoqëri, sesa kur në qytete e fshatra, bile edhe në qendër të kryeqytetit, të ketë akoma fëmijë dhe familje të ngujuara që vuajnë gabimet e të afërme të tyre dhe paaftësinë e shtetit për të vënë përpara drejtësisë fajtorët e vërtetë. Në këtë kuptim, besëlidhja e javës së kaluar u bëri apel njerëzve, sidomos brezit më të ri, të mos bëhen pre e spekulimeve të gjakmarrjes dhe që shteti të marrë përgjegjësitë e veta.

Por, të nderuar deputetë, si koleg i juaji dhe si qytetar i këtij vendi nuk mund të pajtohem dhe të hesht me anën tjetër të kësaj ngjarjeje: me faktin se shteti me paaftësinë e tij po detyron qytetarët të vetorganizohen dhe të bëjnë kode të reja për mbrojtjen e jetës së njerëzve të pafajshëm. Kur them shteti, nuk kam parasysh vetëm qeverinë, nga e cila nuk pres ndonjë gjë të mirë, sepse ajo ka qenë dhe është e interesuar ta mbajë veriun në tensione dhe ndarje të thellë familjare e krahinore. Por përgjegjësi të madhe ka edhe Kuvendi ynë, deputetët dhe ju zoti Pëllumbi si kryetar i tij.

Një vit më parë kreu e shtetit z. Moisiu na propozoi krijimin e një Këshilli Koordinues për të luftuar në thelbin e vet dhe në mënyrë të organizuar, gjakmarrjen e pasojat e saj. Drafti i ligjit erdhi në parlament me nënshkrimin e deputetëve të të gjitha palëve vetëm në muajin korrik. Kuvendi vendosi ta shtyjë diskutimin për në shtator për të bërë plotësime të mëdha të ligjit, por tani kanë kaluar 7-8 muaj dhe akoma Kuvendi nuk e ka parë të arsyeshme ta diskutojë dhe miratojë këtë ligj. Kur Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë i duhen një vit kohë për të miratuar një ligj kaq të rëndësishëm e të domosdoshëm, atëherë qytetarët detyrohen vetë të marrin iniciativa të tilla si ajo e Malësisë së Madhe. Ky është një nga rastet më flagrante të dështimit të Kuvendit dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi ju zoti kryetar, mbi kryesinë e Kuvendit dhe mbi komisionin për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Tani që qytetarët e nderuar të Malësisë së Madhe na kujtuan nevojën e organizimit të luftës kundër gjakmarrjes dhe eliminimit të pasojave të saj, uroj që Kuvendi të ndalet seriozisht në këtë çështje dhe të japë një vendim për ligjin që prej një viti rri në sirtarët e komisioneve.

Me këtë rast dua t’i kërkoj edhe qeverisë shqiptare që të heqë dorë nga përpjekjet e saj për të përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga fenomeni i gjakmarrjes. Sa herë hapet kjo temë ose ndodh ndonjë ngjarje kriminale për motive gjakmarrjeje, qeveria politikisht akuzon veriun dhe opozitën si fajtore, kurse nga ana tjetër organizon tenderë miliona dollarësh për të ndërtuar shkolla dhe objekte internimi në zonat militante socialiste me pretekstin se këtë po e bën në ndihmë të familjeve të prekura nga gjakmarrja. Jo të nderuar deputetë! Gjakmarrja nuk luftohet duke internuar njerëz, duke e zëvendësuar ngujimin në familje në ngujim në rajone të veçanta, por duke forcuar shtetin e të drejtës, duke forcuar gjykatat dhe duke luftuar burimet e gjakmarrjes, ku kryesore janë papunësia dhe varfëria e lartë e familjeve të përfshira në konflikte. Një shtet serioz nuk mund ta zejë gjumi kur ka qoftë edhe një fëmijë që nuk del nga shtëpia nga frika e gjakmarrjes, por shteti ynë, qeveria jonë, në vend që të marrë masa konkrete, i përdor fëmijët e ngujuar për spektakle televizive dhe elektorale.

Natyrisht, na gëzon fakti se gjatë vitit 2004 janë ulur rastet e gjakmarrjes dhe janë shtuar dënimet e rënda për faktorët të dhëna sidomos nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Por kjo nuk mjafton. Ftoj parlamentin të mbajë një seancë të veçantë për këtë problem, siç vendosëm në korrikun e vitit të kaluar; qeveria të sjellë një platformë të qartë dhe ne të votojmë ngritjen sa më shpejt të strukturës së re të propozuar nga kreu i shtetit z. Moisiu. Pas 3-4 javësh Kuvendi nuk do të mblidhet më; pastaj kemi zgjedhjet, pastaj duhet kohë të krijohet qeveria e re; fillojnë pushimet, ndërkohë që viktimat e gjakmarrjes nuk kanë pushime, por e jetojnë çdo minutë me ankthin e tmerrshëm të minutës së fundit të jetës së tyre.

Ju faleminderit!

 

24 mars 2005
Fjala e deputetit Ekrem Spahiu mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë

I nderuar z.kryetar
Të nderuar deputetë

Duke marrë shkas nga vrasja e fundit e një emigranti shqiptar në Greqi, vetëm se këndonte shqip, apo moslejimi i sportdashësve shqiptarë të ndjekin ndeshjen e futbollit Greqi-Shqipëri, më bëri që të dal sot në këtë podium. Këto dy fakte sjellin edhe njëherë në skenë problematikën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë, të cilat nuk janë aq rozë saç kanë qejf të thonë pjesë të ndryshme të politikës shqiptare qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë dhe janë pa dyshim një prej preokupimeve kryesore të politikës shqiptare. Dhe pavarësisht nga ulje-ngritjet e toneve, ato do të vazhdojnë t’i japin ngjyrën politikës së shtetit tonë, edhe për një periudhë kohe të konsiderueshme në të ardhmen. Prandaj është me rëndësi të diskutohet në lidhje me mënyrën se si duhen ndërtuar këto marrëdhënie, pra se si shteti shqiptar do t’i zhvillojë këto marrëdhënie. Sepse, nëse do të vazhdohet si deri më sot, ku shteti shqiptar përballë shtetit grek ka statusin e kolonisë ose më thjesht atë të çirakut përballë padronit, atëherë unë them me bindje që e ardhmja e shqiptarëve është e kompromentuar rëndë e në mënyrë të pariparueshme. Mos t’ju tingëllojë e rëndë kjo që thash, pasi për këtë kemi mësuese të pagabueshme historinë e marrëdhënieve me grekët në dy shekujt e fundit. Dhe pikërisht ky rol prej shërbëtori që ka marrë përsipër të bëjë qeveria e sotme socialiste, më shtyn që në emrin tim dhe të politikës që përfaqësoj, të them: - mjaft më!...

Nuk ka asnjë kuptim të vazhdohet më tej në këto raporte ku praktikisht shteti shqiptar po kthehet në një apendiks të shtetit grek. Nuk mund të ecet me këtë status marrëdhëniesh si sot ku Greqia na imponon që nga mënyrat sesi duhet të drejtojmë e orientojmë ekonominë shqiptare, e deri sesi duhet të përpilojmë librat e shkollës apo abetaret.

Prandaj, së pari, them se është domosdoshmëri kombëtare ndryshimi i këtij kursi, dhe së dyti, ajo që duhet bërë është ndërtimi i një politike produktive për shqiptarët përballë shtetit grek, e cila të bazohet thellësisht në parimin e reciprocitetit. Pikërisht duke u nisur nga parimi i respektit reciprok duhet të orientohen të gjitha pozicionimet e politikës e të diplomacisë shqiptare.

Për statusin aktual të marrëdhënieve me grekët, unë kam gjithë arsyet të jem i shqetësuar, kur shoh që emri i shtetit shqiptar nëpërkëmbet kaq rëndë. Kur të drejtat e shqiptarëve shkelen kaq brutalisht nga një shtet fqinj, ndaj të cilit unë kam gjithë arsyet e kësaj bote dhe mundësi të bollshme për të reaguar.

Por sot ky reagim vjen edhe si një nevojë jetike kur shoh se qeveria shqiptare nuk ndihet as në raste flagrante të dhunimit të të drejtave të bashkatdhetarëve tanë që kanë emigruar në Greqi, raste të cilat do t’i përmend më poshtë.

Për kapitullin e marrëdhënieve politike shqiptaro-greke, ka kaq shumë gjëra për t’u diskutuar, por nuk na mjafton koha që na lë në dispozicion z. Pëllumbi. Gjithsesi shqetësimi që unë kam sot, është në radhë të parë qëndrimi prej shërbëtori e lakeu i qeverisë shqiptare ndaj politikës zyrtare greke. Kështu rastet për të demonstruar këtë nënshtrim e poshtërim janë të shumta. Duke ia filluar nga një rast gati banal siç është qëndrimi fyes e jo luajal i federatës greke të futbollit, e cila nuk ka lejuar shqiptarët e Shqipërisë të marrin bileta për ndeshjen e kombëtareve, ashtu siç parashikojnë rregullat e FIFA-s, e duke vazhduar me raste të tjera shumë më të dhimbshme në pikëpamje njerëzore siç janë vrasjet e vazhdueshme të shqiptarëve në Greqi, thjesht pse janë shqiptarë, pse këndojnë shqip, apo pse mbajnë flamurin me shqiponjë në trup.

Më tej mund ta vazhdojmë me presionin e përhershëm grek për të drejtat e grekofonëve në Shqipëri, të drejta që për ironi, një pjesë të së cilave ajo nuk ua njeh as shtetasve të vet grekë në Greqi. Me një fjalë, qeveria greke kërkon për grekofonët e Shqipërisë “qiqra në hell!”, gjëra që nuk ua plotëson as nënshtetasve grekë. Ndërkohë që shteti shqiptar deri më sot nuk ka ngritur asnjë kërkesë për të drejtat e ligjshme të shqiptarëve emigrantë në Greqi, apo për të drejtat e padiskutueshme të popullsisë etnike shqiptare që ka mbetur në Greqi, por nuk deklaron dot përkatësinë e vet kombëtare, për arvanitasit dhe sidomos për kapitullin e dhimbshëm të historisë sonë kombëtare, të drejtat e popullsisë çame ndaj së cilës është kryer një gjenocid klasik në shekullin 20-të.

Për të gjitha këto fakte, politika qeveritare, për shkak të qëndrimeve të saj, i meriton plotësisht epitetet qeveri kuislinge, qeveri vasale e shërbëtore e politikës greke, qeveri tradhtare e interesave shqiptare.

Për ta parë më qartë këtë qëndrim poshtërues për emrin shqiptar të shtetarëve tanë, do të mjaftonte të hidhnim një sy në procesverbalet e bisedimeve të bëra gjatë vizitës së fundit të ish presidentit Kostas Stefanopullos tetorin e kaluar (2004), ku u diskutua për “çështjen çame”, sipas prizmit të interesave greke. Nga informacionet që janë bërë publike kemi parë se pozicioni i krerëve tanë shtetërorë ka qenë mjaft mjeran, saqë të krijon bindjen e patundur se kemi të bëjmë me një marrëdhënie të mirëfilltë çirak-padron. Presidenti grek fliste me një ton sikur të ishte zot shtëpie këtu e jo sikur të ishte mysafir. Stefanopulos, vizita e të cilit gjithashtu u konsiderua si një hap më tej në drejtim të thellimit të miqësisë shqiptaro-greke, na e tha troç para kreut të shtetit, kreut të kuvendit dhe kreut të qeverisë se “nuk e njeh çështjen çame”. Në këto kushte, unë pyes: - pse duhej zhvilluar ky takim? Pse duhej pritur e përcjellë krye shtetari grek, kur i mungon plotësisht vullneti për të njohur të drejtat e kombit fqinj?

Nga ana tjetër kjo vizitë bëhet edhe më rënduese, po ta përqasim me deklaratat e fundit të z. Stefanopullos në Belgjikë para komunitetit grek atje, ku ka deklaruar se "Greqia duhet t'u ri kthehet kërkesave te saj ndaj Shqipërisë". Dhe më tej se "shqiptarët mbajnë të pushtuara tokat greke". Stefanopullos ka paralajmëruar më tej edhe se “fqinjësia e mirë mes dy popujve, kurrsesi nuk duhet të shërbejë për lënien në harresë të një fakti të tillë.” Këto deklarata, megjithëse praktikisht të krijojnë një psikozë lufte, nuk janë kundërshtuar fare nga qeveria jonë e cila vazhdon në qetësinë e saj olimpike. Ose ndoshta edhe luan me vetëdije të plotë rolin e shurdh-memecit...

Të nderuar zotërinj, se cilat janë këto “toka greke”, për të cilat flet çapraz z. Stefanopullos, (miku i Nanos dhe i disa të tjerëve këtu) në e dimë mirë. Është i ashtuquajturi “vorio-epir”. Eshtë ai pretendim absurd i cili bazohet në të ashtuquajturën “ide e madhe” të grekëve – megali-idea. Ajo për të cilën një mendimtar shqiptar i viteve ’30, Vangjel Koça, e quante “ëndrra greke” dhe lajmet për to nëpër gazetat greke, i përqeshte duke i konsideruar “lajme humoristike”. Ndoshta Koça kishte të drejtë të shkruante me tallje për grekët e viteve ’30, pasi asokohe këtu shtetin shqiptar e qeverisnin njerëz vërtet patriotë, që mbi gjithçka kishin interesat shqiptare. Ajo kohë ishte periudha e lulëzimit të ndjenjës kombëtare, dhe prandaj shqiptarët mbanin një pozicion sfidues ndaj grekëve. Sepse Mbreti Zog, dhe monarkia shqiptare zbatonte me fanatizëm parimin e respektit reciprok. Asokohe afendikonjtë ishin shqiptarët dhe grekët ishin punëtorë, të cilët vinin si emigrantë në qytetet shqiptare. Në një farë mënyre, po të bëjmë një krahasim, “sheshi Omonia” ishte diku në Korçë apo në Tiranë, dhe jo në Athinë. Por të mos zgjatemi me historinë dhe t’ua lëmë historianëve e të merremi me të ardhmen siç deklaron edhe z. Nano, kur vjen puna për të folur për grekët.

Për të ardhmen, dakord, por për cilën të ardhme? Sigurisht jo atë që na përvijon politika e z. Nano dhe e qeverive socialiste, të cilat praktikisht e kanë kthyer Shqipërinë në një koloni greke, ku biznesi grek ka shndërruar në monopol gjithçka, që nga frutat e agrumet e deri në operatorët celularë e sistemin bankar. Ku fjalët për fqinjësi të mirë janë thjesht fjalë pa vlerë, kur kemi parasysh këto lloj marrëdhëniesh.  Ku të drejtat e njërës palë nuk ekzistojnë as virtualisht në letër e jo më në praktikë. Ku ndërsa flitet për fqinjësi të mirë, pala greke nuk harron asnjë rast pa na treguar armiqësinë e saj.

Pikërisht për t’i dhënë fund kësaj situate poshtëruese, e shoh të domosdoshëm ndryshimin e kursit të politikës zyrtare ndaj shtetit grek. Sepse përndryshe, po vazhduam me këtë lloj politike si deri më sot ku e drejta është gjithmonë në anën e grekëve, atëherë dalim të pyetja ekzistenciale – pse na duhet shteti shqiptar kur gjithçka bëhet sipas interesit politik të Greqisë. Pse duhet të mbajmë ministri të jashtme, e ambasada, kur gjithçka bëhet sipas vullnetit grek. Pse duhet shpenzuar, në fund të fundit, për disa njerëz, që nuk bëjnë asgjë nga ajo çfarë u kërkohet nga statusi i tyre si diplomatë e qeveritarë?!

Ndoshta Nano dhe shërbëtorët e tij mendojnë se kështu mund të përfitojnë politikisht e personalisht, por unë i paralajmëroj këta të fundit me atë që kanë thënë latinët për grekët: “Mos u besoni grekëve, edhe kur ju bëjnë dhurata!”.

Si përfundim, e konsideroj të një rëndësie jetike ndërtimin e një politike dinjitoze kombëtare në raport me grekët, të cilët ende mbajnë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Po ashtu duhet të theksojmë se grekët që prej vitit 1912 mbajnë padrejtësisht toka shqiptare nën pushtim siç janë krahina të tëra duke filluar me Çamërinë martire.

Çamëria duhet të jetë lajtmotivi i politikës shqiptare, por njëkohësisht duhen përpiluar strategji të gatshme dhe në afate të mirëpërcaktuara për çështjen e të drejtave të emigrantëve tanë në Greqi, për punësimin, sigurimin e tyre, shkollimin etj.. Gjithashtu duhet të kemi gjithnjë në vëmendje shqiptarët etnikë në Greqi, të cilët nuk deklarojnë dot përkatësinë kombëtare, për shkak të represionit të shtetit grek, si dhe s’duhet të harrojmë të drejtat e arvanitasve. E gjitha kjo politikë duhet ndërtuar në bazë të parimit të respektit reciprok e të të fqinjësisë së mirë, ashtu siç ka pasur në praktikën e tij shteti i të lavdishmit Mbretit Zog I në vitet ’30-të.

Ju faleminderit

 

23 mars 2005
Deklaratë për media 
Ndërkohë që disa parti e kanë shpallur fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, LZHK-ja është krejtësisht racionale në përgatitjet e saj për këto zgjedhje.

PLL përmbylli me sukses të plotë një nga fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor sikurse është përzgjedhja e kandidaturave. Ky proces ka kaluar nëpërmjet një procedure demokratike dhe mund t`ju themi se kandidatët tanë janë figurat më të kompletuara dhe të spikatura për të konkurruar në mënyrë dinjitoze.

Tashmë PLL-ja i ka vënë në dispozicion LZHK-së kandidaturat e saj për deputetë duke mbuluar hartën elektorale në të 100 zonat zgjedhore.

Sigurisht që këtë të drejtë e kanë të gjitha subjektet e tjera elektorale dhe aktorët brenda LZHK-së, çka do të thotë se Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, në vlerësim të vlerave dhe kontributeve, do të kandidojë 100 kandidatët më të përzgjedhur për ta përfaqësuar atë në zgjedhjet e verës 2005.

PLL-ja vazhdon të insistojë duke u kërkuar gjithë partive politike, institucioneve që lidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, por në mënyrë të veçantë kreut të shtetit z. Alfred Moisiu, për dy çështje shumë të rëndësishme për zgjedhjet.

E para, që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen brenda muajit qershor, dhe e dyta, të ligjërohet e drejta e diasporës dhe emigrantëve shqiptarë për të votuar,  në mënyrë që ato të shprehin  vullnetin  e  tyre në mbështetje të forcës politike që parapëlqejnë.

 

Partia “Lëvizja e Legalitetit” përshëndet qëndrimin e Komisionit të Helsinkit pranë Kongresit Amerikan  që  zgjedhjet parlamentare të kësaj  vere në Shqipëri të krahasohen  me standardet ndërkombëtare. Është detyrim i qeverisë për të përgatitur infrastrukturën e duhur zgjedhore dhe zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Shqipëria, me zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet  të dalë nga lista e vendeve që nuk zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 Partia “Lëvizja e Legalitetit” dënon represionin më të fundit të klikës socialiste në pushtet të materializuar përmes vendimit të KKRT për heqjen e licencës së Shijak TV. Ne gjykojmë se një vendim i tillë nuk drejtohet vetëm kundër Shijak TV dhe stafit të tij, por është një atentat i mirëfilltë ndaj fjalës së lirë dhe mendimit opozitar në tërësi.

PLL mbështet protestën e stafit të Shijak TV, ashtu siç ka denoncuar e dënuar më parë vendimin e KKRT për heqjen e licencës së këtij televizioni, i cili është i pari televizion privat në Shqipëri.

Në këto momente të vështira për media opozitare në përgjithësi, por në veçanti për Shijak TV, PLL ndjehet pranë stafit të Shijak TV dhe  u bën apel  organizatave ndërkombëtare që të ngrenë zërin e tyre në mbrojtje të të drejtës së ligjshme  të Shijak TV , i cili po lufton  edhe për lirinë e mediave në Shqipëri.

 

21 mars 2005
Deklaratë për media

PLL shpreh indinjatën e saj të thellë ndaj qëndrimeve të përsëritura antishqiptare të qeverisë Nano dhe Islamit si kryediplomat, brenda tre muajsh, që, me deklarimin e tyre për mosnjohjen e Taivanit, nuk kërkuan nga pala kineze njohjen e të drejtës së vetëvendosjes për Kosovën, në përputhje me kartën e OKB për vetëvendosjen e popujve, kartë të cilën Kina, (si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit), duhet ta mishërojë në aktivitetin diplomatik të saj, ndonëse e drejta e vetëvendosjes konform kësaj karte i takon edhe popullit të Tajvanit.

Kosova dhe populli shqiptar i saj, që, për hir të së vërtetës nuk kanë kurrfarë lidhjeje me Serbinë dhe kombin serb, (sikundër ka populli kinez i Tajvanit me popullin kinez të Kinës), nuk mund të bëhen objekt pazarllëqesh nga Kina projugosllave dhe qeveria proserbe e Nanos.

Legalistët protestojnë ashpër kundër deklaratës së kryediplomatit kinez në favor të Rezolutës 1244, që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, për analogji të njohjes së sovranitetit të Kinës mbi Tajvanin.

Deklarimi i kryediplomatit kinez në favor të Rezolutës 1244, është një provokacion i rëndë ndaj të drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës dhe përpjekjeve e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e Statusit final të Pavarësisë së saj.

 

4 mars 2005
Deklaratë për media

Reporterët e Këshillit të Evropës deklaruan se Kodi elektoral është tejet i politizuar. Ky deklarim është në rezonancë të plotë me deklarimin e kahershëm të PLL se Kodi elektoral është hartuar në mënyrë të tillë që të ruajë dominimin e dy forcave të mëdha: PS dhe PD.

Futja e Mbretit Leka I në arenën politike, nëpërmjet ideimit dhe udhëheqjes prej Tij  të LZHK-së, natyrshëm ka tronditur monopolin politik të dy partive të mëdha, të cilat konsumimin e tyre po përpiqen ta kompensojnë përmes skemave, produkt të marrëveshjeve bilaterale që janë jo vetëm  në dëm të forcave të tjera  politike, por çka është më e rëndësishme edhe në dëm të Shqipërisë, shqiptarëve dhe të ardhmes demokratike.

Në të njëjtën linjë është konceptuar dhe zbatuar edhe marrëveshja bipartizane për ndarjen e zonave elektorale. Kjo marrëveshje  ka shkatërruar të gjithë infrastrukturën e mëparshme për ndarjen e zonave elektorale duke shkaktuar një konfuzion të thellë, i cili  do të shoqërohet me pasoja të thella gjatë fushatës dhe në procesin e votimit.

Efektet e vizitës së Nikolas Geixhit vitin e kaluar po shihen qartë ku Delvina dhe Himara, zona të thekura shqiptare, trajtohen si zona minoritare. Kjo është një gafë e madhe politike  por edhe një turp, efektet e së cilës do t’i ndjejmë shumë shpejt pas zgjedhjeve.

 

18 shkurt 2005
Informacion per media

Kryetari i PLL ka zhvilluar sot në Vlorë një takim me anëtarët e komitetit drejtues të PLL dega Vlorë, ku ka kërkuar që të jenë maksimalisht të angazhuar për ngritjen dhe strukturimin e degës së LZHK-së, si dhe të parapërgatitin një takim masiv ku do të marrë pjesë kreu i LZHK Mbreti Leka I.

Në këtë takim z.S pahiu shoqërohej edhe nga drejtori i Departamentit të Organizimit të PLL z. Nevruz Ndregjoni.

Në fjalën e tij para legalistëve vlonjatë, Spahiu ka theksuar se tashmë jemi në fushatë elektorale dhe nuk duhet humbur kohë me përgatitjet, pasi edhe pse nuk është deklaruar data e zgjedhjeve, ato dihet se do të zhvillohen këtë verë, qoftë në qershor, qoftë në një datë tjetër. Spahiu ka përgëzuar drejtuesit e degës lokale për punën e tyre deri më tani, por ka kërkuar prej tyre një angazhim edhe më të fortë për fushatën elektorale në radhët e LZHK-së. Spahiu ka kërkuar të mësojë në detaje se si është proceduar për zbatimin e porosive të dhëna deri më sot nga qendra përmes udhëzimesh zyrtare dhe cilat ishin objektivat konkrete të kësaj dege në ballafaqimin e afërt elektoral.

Drejtori i organizmit të PLL z. Nevruz Ndregjoni tha se në këtë degë kishin gjetur gatishmërinë e duhur për të ngritur një strukturë solide të LZHK-së dhe se piketat e hedhura tani presin veç finalizimin, i cili pritet të bëhet me vizitën e takimin e hapur që do të bëjë kreu i LZHK-së Mbreti Leka I.

 

18 shkurt 2005
Deklaratë për media

Gjendja e rëndë në sistemin arsimor është shndërruar në një gangrenë të vërtetë në raport me zhvillimet aktuale të shoqërisë shqiptare.

Dështimi i politikave arsimore është prelud i dështimeve të kahershme të qeverisjes socialiste, por tashmë ai po bart dhe përcjell pasoja katastrofike për ardhmërinë e shqiptarëve në këtë fillim shekulli.

Politika e pagave mjerane të mësimdhënësve është një nga katalizatorët e shkatërrimit të sistemit arsimor, thelbi i të cilit konsiston në një strategji antikombëtare të gatuar në kulisat më të errëta të maxhorancës, me infiltrime nga jashtë Shqipërisë.

Në kushtet e injorimit të plotë të sistemit arsimor, çka reflektohet edhe në peshën specifike të fondeve buxhetore që zënë 2.9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, aparatçikët nepotistë po nxjerrin përfitime miliardere.

Ky fond i përgjysmuar në krahasim me të kaluarën dhe disa herë më i vogël në raport me nevojat për rimëkëmbjen e këtij sistemi, është sintetizim i politikave të qëllimshme për lënien në padije të thellë të shqiptarëve, të cilëve në të ardhmen duan t’u servirin si pushtetarë të përjetshëm bijtë e pushtetarëve të sotëm që po shkollohen në Perëndim.

PLL shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë për instalimin e hapur në sistemin arsimor të rryshfetit në këmbim të notave kaluese dhe njohurive.

Shifrat alarmante të kalueshmërisë së nxënësve në të gjitha nivelet e shkollës, janë pasojë dhe qëllim i thellimit të veprimit të skemës së Mitës (marrje dhe dhënie), në sistemin tonë arsimor.

Tenderimet me qëllim nxjerrjen e fitimeve të paligjshme, po shkatërrojnë me shpejtësi programet e miratuara për tekstet dhe ngritjen e infrastrukturës së nevojshme e modeste të sistemit shkollor.

Një nga pasojat më të rënda të kostos të rritur ndjeshëm të arsimimit për shkak të korrupsionit, është edhe braktisja masive e shkollës nga nxënësit e familjeve të mjeruara shqiptare, duke stimuluar analfabetizmin me pasoja shkatërrimtare.

Në këto kushte, PLL propozon dhe do të kërkojë me insistim një hetim parlamentar për gjendjen e rëndë të sistemit arsimor dhe marrjen e masave adekuate për kapërcimin e saj, duke kërkuar njëkohësisht edhe vënien e shkaktarëve para përgjegjësive administrative e ligjore.

PLL, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Kuvend, shumë shpejt do të kërkojë një seancë me interpelancë me ministrin Memushi, për sqarimin, evidentimin dhe publikimin e problemeve reale të këtij sistemi dhe të shkaqeve që kanë sjellë këtë gjendje alarmante, që rëndohet çdo ditë e më tepër.

 

14 shkurt 2005
Deklaratë për media

Zgjedhjet parlamentare po afrojnë. Partitë politike dhe të gjitha institucionet që lidhen me këtë proces, i kanë vendosur zgjedhjet në qendër të vëmendjes së përditshme, por duhet thënë dhe pranuar se jemi shumë të vonuar.

- Ndarja e zonave elektorale po vonohet, sepse PS dhe PD, që kanë përjashtuar partitë e tjera nga ky proces, nuk bien dakord, pasi PS kërkon të fitojë që në tavolinë 5-6 deputetë, duke na risjellë “Dushkun” në një version të ri.

- Përgatitja e listave të zgjedhësve nuk po ecën sipas afateve të parashikuara dhe janë shkelur të gjitha limitet ligjore kohore.  

-  Të gjitha partitë parlamentare, përveç PS, kanë shprehur vullnetin e tyre politik që në këto zgjedhje të votojnë edhe emigrantët dhe diaspora.

-  Në përputhje me realitetet e reja politike, duhet të amendohet ligji zgjedhor me qëllim që të gjitha partitë parlamentare të kenë të drejtën e kontrollit të votës me anë të komisionerëve.

- Të gjithë së bashku duhet të gjejmë mekanizmat adekuatë, që të stimulojmë pjesëmarrjen e elektoratit në votime. Një nga këto mekanizma është zhvillimi i zgjedhjeve në muajin qershor, për çka ne legalistët jemi deklaruar zyrtarisht.

Duke u nisur nga rëndësia e zgjedhjeve parlamentare për shqiptarët dhe proceset integruese të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike;
Duke u nisur nga vonesat e deritanishme për përgatitjen e infrastrukturës së plotë zgjedhore;
Duke konsideruar mosmarrëveshjet e partive që, për interesa partiake po dëmtojnë procesin zgjedhor;
Duke u nisur nga fakti se PS kërkon që zgjedhjet të bëhen në pikun e vapës për të minimizuar pjesëmarrjen;

I kërkojmë kreut të Shtetit z. Alfred Moisiu që, sa më parë, të organizojë tryezën me drejtuesit e partive politike për të shprehur dhe konkretizuar vullnetet politike në arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për:

1. Ndarjen e zonave zgjedhore

2. Ligjërimin e të drejtës së emigrantëve dhe diasporës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

3. Amendimin e ligjit zgjedhor, me qëllim që partitë parlamentare të kenë të drejtën e kontrollit të votës me anë të komisionerëve.

4. Caktimin e datës së zgjedhjeve që, për ne legalistët duhet të jetë domosdoshmërish, muaji qershor i këtij viti.

Këtë thirrje publike ia bëjmë z. Moisiu si kryetar i Shtetit, që të fitojmë kohën e humbur e të mos biem pre e taktikave tashmë të njohura të qeverisë socialiste dhe PS, të vënies para faktit të kryer dhe presionit verbal me anë të formulës bajate “se tani nuk kemi kohë dhe kështu nuk na mbetet veçse të zbatojmë atë që kemi arritur”. 

 

4 shkurt 2005
Deklaratë për media

Duke i konsideruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare si shansi i fundmë për rivendosjen e normalitetit demokratik dhe ardhmërinë e proceseve integruese të vendit në strukturat euro-atlantike, PLL është e disponuar totalisht të refuzojë me ashpërsi çdo skemë të PS për përdorimin e afateve kushtetuese me synimin e përcaktimit të një date zgjedhjesh që do të rrezikonte dhe minimizonte pjesëmarrjen e votuesve shqiptarë duke delegjitimuar pushtetin e ardhshëm.

PLL është e bindur se aktualisht socialistët po vegjetojnë në pushtet dhe qeverisje duke shtyrë ditët, çka e dëshmon apatia, shkrehja dhe paaftësia e pushtetit qendror për përballimin e situatave katastrofike të emergjencës në të gjithë vendin.

Pavarësisht paaftësisë evidente të pushtetit të sotëm për të qeverisur vendin, frika e humbjes së privilegjeve dhe mëkatet e shtuara, janë të vetmet impulse që motivojnë synimin e vazhdimësisë së qeverisjes së majtë nëpërmjet përdorimit të mekanizmave kushtetuese dhe pseudo ligjore, ndër të cilët është edhe përdorimi i datës së zgjedhjeve për dekurajimin e opozitës dhe përgatitjen e skemave të fitores së dyshimtë nga PS dhe aleatët e saj.

Në këto kushte PLL shprehet hapur dhe prerë në favor të mbarimit të mandatit të kësaj legjislature saktësisht pas 4 vjetësh (pra në fund të majit) dhe më pas, përcaktimit e shpalljes së datës së zgjedhjeve brenda muajit qershor 2005.

Lidhur me realizimin e zgjedhjeve brenda këtij afati kushtetues, PLL është e vendosur dhe nuk sheh asnjë arsye për shtyrje, përveç synimeve të pushtetarëve aktualë dhe aleatëve të tyre, të deklaruar ose jo, për ta shtyrë këtë afat në stinë të nxehta që do të minimizonin pjesëmarrjen e qytetarëve në këto zgjedhje me rëndësi jetike.

Ndonëse PLL nuk është ftuar dhe konsultuar nga asnjë subjekt, institucion apo individ lidhur me ndonjë propozim dhe vendim të kësaj natyre - e konsideron shumë të rëndësishëm afrimin e këtij afati menjëherë pas plotësimit të mandatit 4 vjeçar të pushtetit aktual. Dhe në këtë drejtim PLL konsideron se nuk mund të tolerohen negociata të mundshme dhe se askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare për nxjerrjen e përfitimeve politike.

Për sa më sipër, PLL i kujton opozitës dhe gjithë shqiptarëve se, vetëm një vit më pare, socialistët ishin bërë gati të largoheshin nga pushteti me zgjedhje të parakohshme, por kjo mundësi nuk u shfrytëzua si e sa duhet nga opozita.

PLL u bën thirrje partive dhe koalicioneve opozitare aktuale, si dhe atyre që mund të pozicionohen si të tilla në të ardhmen, që të bashkërendojnë vlerësimet dhe qëndrimet lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare, për t’i prerë rrugën skemave që synojnë nxjerrjen e përfitimeve zgjedhore nga PS dhe aleatët e saj, me anë të marifeteve dhe artificeve të pa principta dhe antidemokratike.

 

28 janar 2005
Deklaratë për media

Reshjet e mëdha të dëborës, bllokimi i rrugëve, mungesa e energjisë elektrike, shembja e shtëpive, shterimi i rezervave ushqimore, kanë bërë që të izolohen dhjetëra mijë banorë në veri të vendit.

Reshjet e dëborës nuk mund t’i ndalojë qeveria, por ajo duhej të ishte e përgatitur dhe të merrte të gjitha masat për të përballuar situatën e krijuar. Zonën veriore të vendit nuk e zuri cunami si në vendet e Oqeanit indian, por e zuri bora që parashikohej. Dikur qeveritë merrnin masa që në zonat malore të cilat mund të izoloheshin nga bora, të dërgoheshin rezerva ushqimore, ilaçe, transformator rezervë, lëndë djegëse, etj., ndërsa sot as nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë masë paraprake dhe reshjet e fundit nxorën në pah dobësitë e qeverisë në këto drejtime. Qeveria ndoshta e ka më të lehtë të kontribuojë me 500 mijë dollarë për viktimat e cunamit në Oqeanin Indian, por në radhë të parë ajo duhet të interesohet për shtetasit e vet dhe duhet të zhbllokojë situatën e paralajmëruar, që është krijuar në veri të vendit, sepse jemi në prag të një katastrofe humanitare.

Partia Lëvizja e Legalitetit tashmë është futur në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të verës së ardhshme. Në mbledhjen e fundit me kryetarët e degëve të PLL në rrethe, kemi dhënë udhëzimet përkatëse ku ndër më kryesoret do të jetë dhe përzgjedhja e dy-tre kandidaturave për 100 zonat elektorale, të cilat do të vihen në dispozicion të LZHK-së.

LZHK-ja është në fazën e konstituimit të strukturave elektorale lokale ku drejtuesit e PLL janë hedhur në bazë për t’i kontribuar sa më shumë LZHK-së në këtë fazë shumë të rëndësishme të saj.

 

22 janar 2005
Informacion për media

Komiteti Drejtues i PLL bashkë me kryetarët e degëve në rrethe zhvilloi sot (dt. 22 janar), një mbledhje ku u bë një analizë e punës së deritanishme të strukturave të PLL.

Në këtë mbledhje u lexua edhe një mesazh i posaçëm i NMT Leka I – Mbret i Shqiptarëve, drejtuar këtij forumi, i cili nënvizonte rëndësinë e këtij momenti politik si një “fazë kryesore të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”.

Edhe kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu, theksoi se viti 2005 është me  rëndësi të veçantë, për shkak se në këtë vit zhvillohen zgjedhjet parlamentare që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve e Shqipërisë. Spahiu e konsideroi këtë moment të politikës si historik, pasi “Mbreti Leka I ka iniciuar dhe drejton LZHK-në”.

Më tej gjatë mbledhjes janë dhënë udhëzimet për aktivitetin e degëve në muajt e ardhshëm, të cilat kanë të bëjnë në pjesën më të madhe të tyre me objektivat elektoralë të PLL si pjesë thelbësore e koalicionit LZHK. Udhëzimi nr. 5 i Kryesisë së PLL thotë tekstualisht se duhet bërë “Evidentimi i potencialeve të mundshme si kandidatura të PLL në 100 zonat elektorale, që do të jenë kontingjente për t’u përzgjedhur nga LZHK, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.”

Me këtë mbledhje, ku u diskutua rreth objektivave elektoralë të LZHK, si dhe emrave që do të përballen në zgjedhjet e ardhshme, mund të thuhet se PLL ka ngritur qysh sot siparin e fushatës elektorale.

 

15 janar 2005
Informacion per media

Kryetari i PLL z. Ekrem Spahiu u takua me ambasadoren e re të Republikës së Francës.

Ambasadorja e re e Republikës së Francës në Shqipëri zj. Françoise Bourolleau, ftoi në një takim kryetarin e PLL z. Ekrem Spahiu.

Pasi shprehu konsideratat e saj për PLL, për të cilën ajo ishte e mirinformuar, ambasadorja Bourolleau shfaqi dëshirën e saj për një komunikim më të drejtpërdrejtë midis dy palëve.

Z. Spahiu i uroi z. Bourolleau detyrën e re si ambasadore e Republikës së Francës në Shqipëri dhe e njohu përfaqësuesen e lartë të shtetit francez më në hollësi mbi historikun e PLL dhe pikat kryesore të programit të saj politik.

Temë tjetër e bisedimit ishte Reforma Zgjedhore, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat u vlerësuan reciprokisht si të një rëndësie të veçantë për shqiptarët.

Të dyja palët ndanë pikëpamje të njëjta për çështjet në diskutim, duke lënë të hapura bashkëbisedimet edhe për takime të tjera.

 

8 janar 2005
Deklaratë për media

Viti 2004 u mbyll me një bilanc tepër negativ për shqiptarët dhe Shqipërinë, por fatkeqësisht edhe viti 2005 ka filluar shumë keq. Sot po u referohemi dy çështjeve:

E para, PS-ja, në mënyrë të kamufluar, ka hedhur në tregun politik dhe mediaik, figurën e Enver Hoxhës, për të testuar opinionin se si do të reagojë nëse do të fillojë rehabilitimin zyrtar të diktatorit komunist. Ne theksojmë se kjo aventurë është e rrezikshme për shoqërinë shqiptare.

Është i gjithë pranuar fakti se në Shqipëri ka qenë diktatura më e egër si në asnjë shtet tjetër ish komunist, ku shifrat e viktimave janë si më poshtë:

Të ekzekutuar – 5577 burra dhe 450 gra;
Të burgosur – 26768 burra dhe 7367 gra;
Të vdekur në burgje – 977 burra dhe 7 gra;
Humbur aftësinë mendore në burgje – 308 persona
Të internuar – 48217 burra dhe 10792 gra;
Të vdekur në internim – 7022.

Sipas shifrave të mësipërme rezulton se kemi të bëjmë me një gjenocid të pushtetit komunist ndaj shqiptarëve dhe në krye të këtij pushteti, për më shumë se 40 vjet, ka qenë Enver Hoxha.

Dihet nga të gjithë se Stalini drejtoi rezistencën ndaj ushtrisë hitleriane gjatë Luftës së Dytë Botërore; ishte aleat me perëndimorët dhe SHBA-në, - por krimet e tij kundër nënshtetasve të vet, janë të dënuara jo vetëm nga sovjetikët, por nga e gjithë bota.

Prandaj aq sa mund të rehabilitohet figura e Stalinit, po aq mund të shpresohet në rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës.

E dyta, ditën e hënë, me datë 10 janar 2005, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar dhe miratuar projekt-ligjin për Kodin zgjedhor.

Nëse PS dhe PD ditën e hënë do të vendosin veton e tyre, si në Komisionin e Posaçëm parlamentar, ashtu edhe në Komisionin e Ligjeve, mund të themi se zgjedhjet janë të komprometuara qysh tani.

Të shpresojmë se gjatë shqyrtimit dhe miratimit të projekt-ligjit, do të merren parasysh amendamentet e përgatitura prej nesh, do të merren parasysh sugjerimet e kreut të shtetit z. Alfred Moisiu dhe ato të ndërkombëtarëve.

Në të kundërtën kjo seancë do të ngelet në memorien e shqiptarëve si një seancë e jashtëzakonshme për të varrosur zgjedhjet.

 

Kthehu në fillim të faqes >>>

Shkarko Arkiven 2005 te PLL >>>