Partia "Lëvizja e Legalitetit" është një parti kombëtare me qendër në Tiranë. Ajo është besnike e kujtimit dhe e frymës së burrave të Rilindjes dhe të Pavarësisë tonë Kombëtare të etur për lirinë e pavarësinë e tokës Arbërore, besnike e virtyteve të fisit, trashëguese e traditave të besës, të nderit dhe të burrërisë, e mbështetur në fuqinë e shenjtë të familjes, në moralin dhe në zakonet më të shëndosha të vendit me bazë ideje dhe veprimi " Atdheu mbi të gjitha".
1. Legaliteti si frymë politike (1920-1943)
Origjina e Lëvizjes Legaliste, (pra Partisë Lëvizja e Legalitetit) lidhet ngushtë me ngjarjet politike të viteve 1920-1924 dhe me veprimtarinë e aktet e figurës më të ndritur të shtetit shqiptar, Ahmet Zogut, në fillim si komandant ushtarak për mbrojtjen e kufijve të shtetit, më pas si Ministër i Brendshëm, e në fund si Kryeministër.
Në lidhje me emrin Legalitet, peshën kryesore në këtë kontekst e mban data 24 dhjetor 1924, kur forcat qeveritare, të kryesuara nga Ahmet Zogu, Komandant i Operacionit të Posaçëm, arrijnë të rikthejnë në pushtet, qeverinë e ligjshme të kryeministrit Iljaz Vrioni. Kjo ngjarje historike është njohur dhe quajtur si Triumf i Legalitetit.

Ekrem Spahiu, Kryetar i PLL